15 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Nga Amir B. AHMETI: “So help me God” dhe inaugurimi i presidentit

Më të lexuarat

I.

Pas shumë kritikave nga brenda dhe jashtë SHBA-së, nga burrështetas, politikanë, analistë e qytetarë të thjeshtë, Donald Trump sot inaugurohet në postin e presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, SHBA-së. Pati shumë parashikime të ndryshme për Trump-in, prej zgjedhjeve të votës popullore deri te koha e zgjedhjeve nga elektorët, madje deri edhe te ajo se çka ndodh nëse vritet Trump-i ditën e inaugurimit. Kjo e fundit nuk u prit mirë nga qytetarët amerikanë, edhe përkundër faktit se sot po inaugurohet presidenti më kontravers i SHBA-së, por, tekefundit, atë e zgjodhi sistemi elektoral dhe duhet të pranohet si i tillë. Po, ai i fitoi zgjedhjet me sistemin e tërthortë të selektimit, kurse për dyshimet se si do ta udhëheqë vendin më të fuqishëm në botë, mbetet të shihet.

Inaugurimi i presidentit në SHBA është një ceremoni shumë e rëndësishme, për këtë dhe i bëhet jehonë e madhe kësaj ngjarje. Kurse unë po shkëpus vetëm dy elemente të rëndësishme që e karakterizojnë inaugurimin e presidentit amerikan, e që besoj se janë interesante për ne në trojet shqiptare.

II.

Para ceremonisë inauguruese, është traditë që presidenti i përzgjedhur rreth dy orë para betimit kryen shërbesën fetare në njërën nga kishat në Uashington. Kjo traditë tanimë është sikur zyrtare, edhe pse nuk është e caktuar në kushtetutë. Sidomos prej presidencës së parë të presidentit Franklin më 1933, kjo traditë ka hyrë në agjendën e ditës së inaugurimit, por varësisht prej ditës së inaugurimit ka ndodhur që shërbesa kishtare të realizohet një ditë më vonë ose një ditë më herët para betimit publik, sikur është rasti i presidentit Ejzenhauer.

Ajo që është e rëndësishme në këtë pjesë të ceremonisë inauguruese, për dallim prej vendeve tona shqiptare (Shqipërisë e Kosovës), është përkushtimi i zyrtarëve më të lartë të shtetit për fenë së cilës i takojnë.

Ne e dimë se SHBA-ja nuk është shtet teokratik, dhe pikërisht respektimi dhe manifestimi publik i shërbesave fetare nga udhëheqësit e një vendi nuk e bëjnë atë një shtet jodemokratik. Për dallim nga vendet tona, të cilat një traditë të tillë në kuadër të ceremonisë inauguruese të presidentit ose kryeministrit e refuzojnë aq ashpër, saqë as Franca e vitit 1905 nuk e ka bërë.

III.

Pas kësaj vjen marshimi drejt Kapitolit, pastaj betimi i zv.presidentit, etj. Kurse unë po ndalem edhe te pjesa tjetër që më ka tërhequr vëmendjen gjatë inaugurimit presidencial, gjithëherë kur krahasohet me vendet tona, përndryshe ajo duket krejt normale për çdo shtet demokratik.

Kur presidenti i përzgjedhur jep betimin si president, ai duke thënë betimin mban dorën e tij të majtë mbi Bibël, dhe në fund të betimit shprehet, “So help me God! – Zoti më ndihmoftë!” Edhe pse kjo frazë nuk është e shkruar në kushtetutë, vetë presidenti i parë, Xhorxh Uashingtoni, e përzgjodhi këtë shprehje për të treguar se besimi është vlerë e njeriut dhe nuk e pengon demokracinë e shtetit.

Se kjo shprehje jo vetëm që nënkupton se besimi është një vlerë e pamohueshme e çdo njeriu dhe se ajo nuk është aspak pengesë për ndërtimin e demokracisë së një vendi, ajo u bë pjesë e obligueshme për çdo betim tjetër të zyrtarëve shtetërorë në SHBA, përveç betimit të presidentit; edhe pse nuk është e shkruar në kushtetutë, presidentët vazhdimisht e përfundojnë betimin me këtë frazë. Ndërsa për zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e tjerë që fitojnë ndonjë post publik, duke filluar prej betimit, për të gjithë emigrantët që fitojnë shtetësinë amerikane, për të gjithë oficerët ushtarakë, anëtarët e jurive, zyrtarët shtetërorë, etj., në betimet zyrtare ekziston fraza: Zoti më ndihmoftë!

Për dallim nga vendet tona, ku ndërkohë dhe fatkeqësisht demokracia po venitet nga oligarkët, ku krimi i organizuar e korrupsioni janë çdo ditë në rritje, me zyrtarët shtetërorë që suksesin e krejt demokracisë së një shteti e përkufizojnë me mohimin e të drejtës së tyre për ta manifestuar besimin publikisht, e cila më shumë i ngjan një ateizmi të plotë, të trashëguar nga komunizmi, sesa një shteti të së drejtës, që respekton të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe ato fetare.

Zoti na ndihmoftë! /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit