Duke parë gjendjen shqetësuese të rritjes së dukurive negative, sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, me rekomandim të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, u mbajt ligjeratë e përbashkët me temën: “Vetëvrasja dhe kamata, dy dukuri që po kërcenojnë shoqërinë tonë” .
Sipas statistikave të fundit në Kosovë, që nga viti 2001 deri në vitin 2017, janë vetëvrarë gjithsej 921 persona, ndërsa kanë tentuar ta bëjnë një gjë të tillë 3417 persona, shumica prej këtyre të rinj nën moshën 35 vjeçare.
Arsyet të cilat çojnë personat që të vijnë deri te ky akt janë të shumta, mirëpo ndër kryesoret përmenden: depresioni, varësia ndaj lëndëve narkotike, kamata, problemet familjare etj.
Ndër problemet tjera të cilat u përmend është edhe dukuria e fajdes, e cila ka marrë hov të madh viteve të fundit, ndaj u dha porosi edhe për autoritetet që këtë dukuri ta sanksionojnë me ligje dhe t’i dënojnë rëndë ushtruesit e saj.