10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Në portat e herezisë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Në portat e herezisë
Modernizmi laik e sfidoi krishterimin në veçanti dhe fenë në përgjithësi, me të ashtuquajturin “kultin e arsyes”, i cili duhet të zëvendësonte Zotin dhe Fjalën e Tij, si burim i së vërtetës dhe dijes. Dhe për këtë, ai fillimisht goditi autoritetin e njerëzve të dijes fetare dhe më pas kaloi tek vetë feja, si një hap ky, i ndërmjetëm dhe i vetëkuptueshëm, për ta bërë hap pas hapi më të pranueshme kalimin nga shoqëria tradicionale, që në qendër të saj kishte Zotin dhe fenë, tek shoqëritë moderne, që në qendër kishin njeriun dhe arsyen e tij, që mendonte dhe jetonte pa Zot.
Duke qenë se arsyeja ishte idhulli i ri i botës moderne, shkenca u bë mjeti kryesor, përmes së cilës do të njihej e vërteta përfundimtare e botës dhe do të vendosej në fronin e Zotit. Vite dhe dekada kaluan dhe hulumtimi shkencor u bë çështje e ditës në çdo fushë të jetës, duke sjellë ndryshime të papara më parë në jetën njerëzore, për nga shpejtësia dhe përmasat. Sigurisht, që kjo i dha vetëbesim arsyes njerëzore, se do të arrinte synimin e saj final të mësipërm, teksa shihte se sfidonte të vërtetat e fesë përditë e më shumë, por koha tregoi se nuk qe kështu.
Edhe pse ka njerëz që akoma besojnë se shkenca do ta arrijë fundin e çdo gjëje, sot gjithmonë e më shumë shkencëtarë dhe filozofë, janë të bindur se bota është kaq komplekse, e ndërlikuar dhe shumë e madhe, saqë njeriu kurrë nuk do të ketë mundësinë të arrijnë cakun final të njohurive dhe të ketë aftësi të bëjë sintezën e gjithë dijeve të tij, që në fund të fundit, nuk do të jenë asnjëherë të plota.
Në këto kushte, të pretendosh të vërtetën finale është absurde, kështu që idhulli i arsyes unike ra dhe po bie përditë e më tepër, por vendin e tij nuk e zuri dhe nuk po e zë akoma Ai që i takon, por u zëvendësua nga idhulli i arsyes personale individuale të çdo njeriu më vete! Jemi pra në periudhën e post-modernitetit, kur nuk ekziston më e vërteta unike, e zbuluar nga arsyeja e përbashkët dhe shkenca, e as ajo fetare, por secili ka “të vërtetën” e tij subjektive, që është ajo që ai ndjen, kupton dhe percepton. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi në botën e sotme, ndaj dhe i sheh njerëzit që egërsohen, luftojnë dhe mbrojnë me forcë pikërisht këtë dimension individual të jetës njerëzore, si Zotin apo idhullin e ri të botës. Kjo është feja e re post-moderne, që hyn ngado dhe përzihet me këdo, duke u trazuar edhe me Islamin, madje dhe çdo fe e besim tjetër. Kjo fe e re bën bashkë djallin dhe engjëllin, Zotin dhe energjinë, Islamin dhe Taoizmin, komunizmin dhe fenë, idhujtarinë dhe monoteizmin e panteizmin dhe një mori idesh, besimesh dhe bindjesh lindore e perëndimore, semite dhe ariane, moderne dhe prehistorike, tokësore dhe ndërplanetare, në një mishmash dhe kakofoni idiotësish të pafundme, në një oksimoron që vetëm tek ndjenjat dhe tekat njerëzore mund të zënë vend.
Është interesant fakti se jo pa qëllim, fjala që përdoret në gjuhën arabe, për të emërtuar epshin dhe tekat njerëzore është fjala heua (heva/hava) që përdoret edhe për ajrin, për vetë faktin se ndjenjat dhe tekat janë gjëra të paqëndrueshme, që nuk mbështeten askund, por janë si të qëndruarit në ajër. Pikërisht për këtë arsye, në terminologjinë islame njerëzit e sekteve të devijuara nga bazamenti solid i Islamit, shpesh quhen si as’habul heua (ithtarët e pasioneve, tekave, ata që janë në ajër), sepse nuk i qëndrojnë parimeve fikse dhe bazamentit solid të fesë. E kur në kohën e sotme ky fenomen merr përmasa edhe më të mëdha, ku çdo bazament i tillë hidhet në erë, sepse duhet refuzuar dogma, i gjen këta njerëz të pakapshëm askurrkund. Edhe nëse diskuton me ta, nuk di nga t’ia nisësh dhe ku të përfundosh, sepse hidhen nga një degë në tjetrën dhe nuk pranojnë asnjë bazë solide apo platformë fikse, mbi të cilën është logjike dhe normale të diskutosh.
Të tillë njerëz, edhe pse mund të kenë lexuar shumë, janë të paditur në thelb, sepse dija para se të jetë njohuri, është strukturë dhe ndërtohet mbi një skemë të saktë logjike, dhe nëse dikush nuk ka një të tillë, ai nuk ka as metodologji e as dije, e në të gjitha universitetet e sotme, nëse nuk kalon provimin e metodologjisë, nuk kalon dot klasën dhe nuk mund të bësh dot shkencë.
Të tillë njerëz të kujtojnë fjalën epike që i atribuohet Imam Shafiut, të ketë thënë: “Kam fituar në debat me çdo dijetar, por kam humbur me çdo të paditur.”
Të tillë njerëz ka pasur gjithmonë, por nëse kjo ka qenë një patologji e kufizuar, sot ajo ka marrë përmasa të frikshme, sepse ky është produkti i pritshëm i post-modernitetit, apo siç thotë populli “ky stan këtë bylmet ka”.
Nëse moderniteti tentoi të sfidonte fenë me zbulimet e tij shkencore, post-moderniteti dhe post e vërteta po sfidojnë institucionin e fesë, me individualizmin fetar dhe ndjenjat e perceptimit personal për Zotin, fenë dhe botën.
Sigurisht, këto sfida nuk janë të reja në thelb dhe as të papritura, i Dërguari i Allahut na ka paralajmëruar për to, para se ato të vijnë, dhe nuk gjej shembull më të mirë se hadithin e mëposhtëm, të cilin e përcjell Imam Buhariu (3606) nga Hudhejfe ibn el-Jemani të ketë thënë:
“Njerëzit e pyesnin të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) për të mirën, ndërsa unë e pyesja për të ligën, nga frika se mos më kapte. I thashë: O i Dërguari i Allahut, ne jetonim në injorancë dhe ligësi dhe Allahu na solli këtë të mirë, a ka pas kësaj të mire përsëri ligësi?
Dhe ai më tha: “Po.”
Dhe unë i thashë: A ka pas asaj ligësie përsëri mirësi?
Ai tha: “Po, dhe në të ka dekhan (tymnajë, paqartësi, përzierje).”
E pyeta: E çfarë është dekhani i saj?
Ai tha: “Do të ketë njerëz që ndjekin udhëzim tjetër nga ai i imi, do të shohësh prej tyre gjëra që i pranon dhe të tjera që i refuzon.”
I thashë: A ka pas kësaj të mire përsëri ligësi?
Dhe ai më tha: “Po, do të ketë thirrës për në portat e Xhehenemit. Ata njerëz që iu përgjigjen për tek to, ata do t’i hedhin në të.”
I thashë: O i Dërguari i Allahut, na i përshkruaj këta njerëz.
Dhe ai tha: “Ata janë prej lëkurës sonë, flasin me gjuhët tona.”
I thashë: Çfarë më urdhëron të bëj, nëse më kap kjo kohë?
Ai tha: “Të mos i ndahesh xhematit të muslimanëve dhe prijësit të tyre.”
I thashë: Po nëse ata nuk kanë as xhemat dhe as prijës?
Ai tha: “Largoju të gjitha atyre grupeve, edhe nëse do të të duhet të kafshosh rrënjët e një peme, derisa të të vijë vdekja dhe të të gjejë në këtë gjendje.”
***
Ky është një hadith madhështor, për të cilin meriton të shkruhen libra, e që ka pasur komente të shumta nga dijetarët, dhe është një nga mrekullitë profetike, i parathënies së asaj që do të përjetojë Umeti islam, pas Profetit (alejhi salatu ue selam).
Këtu, duke u nisur nga tema që po trajtoj, do të ndalem pak, vetëm tek: “thirrës për në portat e Xhehenemit” dhe “Ata janë prej lëkurës sonë, flasin me gjuhët tona.”
A thua vallë ata që kanë sfiduar fenë në epokën e sotme, nuk janë prej atyre që ftojnë në portat e Xhehenemit? A thua vallë ata që ngrenë dyshime apo refuzojnë e mohojnë, duke argumentuar në mënyrë të pasaktë fenë, parimet dhe praktikat e saj të trashëguara vërtetësisht nga Profeti, deri sot e kësaj dite, nuk janë prej këtyre propaganduesve, e kuptojnë ose jo këtë?
Ata që i ftojnë njerëzit në kufr, qoftë kjo edhe nën emrin e Islamit, a thua vallë nuk janë suflerë të djajve në portat e Xhehenemit? Zot na ruaj!
Po cilët janë këta njerëz?
I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) i përshkruan ata, si njerëz që i përkasin lëkurës sonë dhe flasin gjuhën tonë. I Dërguari i Allahut këtu nuk thotë se çfarë ata thonë, sepse përmbajtja e fjalëve dhe propagandës së tyre vetëkuptohet, dhe është gjithçka që bie ndesh me parimet bazë të Islamit, por ai na thotë se këta njerëz janë pranë nesh dhe në mesin tonë. Dijetarë të ndryshëm e kanë komentuar shprehjen “prej lëkurës sonë, flasin me gjuhët tona”, se bëhet fjalë për arabë, ndërsa të tjerë e kanë komentuar se të tillë njerëz nuk janë vetëm arabë, por edhe ata që dalin nga radhët e muslimanëve, qofshin edhe joarabë dhe se lëkura dhe gjuha nënkuptojnë jo thjesht lëkurën arabe dhe gjuhët e tyre, por identitetin e jashtëm islam dhe gjuhët apo ligjërimin që kanë muslimanët. Sigurisht, duket se të dyja këto interpretime qëndrojnë dhe i dyti gjithashtu është më përfshirës dhe përputhet shumë mirë me realitetin…
Nuk po zgjatem më tej, sepse e di që u lodhët, por mesazhi është i qartë…
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit