0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Ndërgjegjja shoqërore – Dorian Balliu

Më të lexuarat

Nga: Dorian Balliu
Në suren el-Bekare, ajeti 179, Zoti thotë: “Në ligjin e hakmarrjes ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!”
Njerëzit e mençur kanë rënë dakord se ligjet e përmirësojnë jetën e shoqërisë dhe përhapin paqe dhe siguri në tokë, sidomos kur ato huazohen nga librat e shenjtë duke qenë se Zoti që i krijoi ata e di më mirë se çfarë është e dobishme dhe e dëmshme për ta.
“Në ligjin e hakmarrjes ka siguri për jetën”,- thotë Zoti, sepse vrasja e ndalon vrasjen, dhe në qoftë se kjo ndodh jeta e njerëzve bëhet e sigurtë. Sepse një kriminel kur e di që po të vrasë do të vritet, kjo gjë e frenon të ndërmarrë një akt të tillë, në respekt të jetës së vet, duke qenë se edhe atij i dhimbset jeta.
Zoti e ngarkoi njeriun me misionin e mëkëmbësit në tokë dhe për ta përmbushur këtë mision e pajisi me intelekt, fitre dhe e shoqëroi me shpallje. Pra Zoti e pajisi njeriun me të gjitha mjetet e nevojshme që të përmbushë misionin e tij; me intelektin për të dalluar të mirën nga e keqja, fitren për ta pranuar të mirën dhe refuzuar të keqen, si dhe shpalljen për ta orientuar drejt saj, dhe nëse pas gjithë kësaj ai tërhiqet nga e keqja dhe e vepron atë atëherë meriton zemërimin e Zotit dhe dënimin e duhur.
Në rastin e vrasjes, shkalla e mëkatit i tejkalon kufijtë, prandaj Zoti në Kuran thotë: “Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve.
Aq e madhe është gjëma e mëkatit në këtë rast sa Zoti e krahason vrasjen e një personi me shfarosjen e njerëzimit, sepse pesha e mëkatit mbi shpinën e një vrasësi rëndon sa pesha e shfarosjes së gjithë njerëzimit. Ai që vret i ka tejkaluar kufijtë tashmë dhe mund ta bëjë me çdokënd një veprim të tillë. Ndërsa ai që shpëton një jetë është njësoj si të ketë shpëtuar jetën e të gjithë njerëzimit.
Profeti a.s thotë: “Mos u ktheni pas meje në mosbesim, duke vrarë njëri-tjetrin”.
Profeti a.s e krahasuon vrasjen me kufrin, ose duke pasur parasysh se kjo është vepër me natyrë kufri, pra veç një pabesimtar mund ta bëjë një vepër të tillë, ndërsa besimtari nuk është i tillë. Ose duke pretenduar kufrin prej palës tjetër për të legjitimuar vrasjen e tij, vepër e cila është dyfish mëkat, një herë duke i dhënë vetës kompetenca hyjnore, dhe herën tjetër me konsumimin e vrasjen. Ose kjo vepër duhet kuptuar si mohim dhe përbuzje të begative të Zotit ku jeta zë një vend të rëndësishëm pa dyshim.
Të gjitha interpretimet mund të jenë të vërteta, sidoqoftë krahasimi i vrasjes me kufrin tregon shumë, tregon sa e rëndë është një vepër e tillë.
Në vendin tonë vrasjet po ndodhin pothuajse çdo ditë, gjë e cila nuk përbën më lajm, lajm ka filluar të bëhet fakti që sot nuk pati asnjë vrasje ose tentativë për vrasje.
Vrasjet janë bërë aq të shpeshta sa nuk na bën më përshtypje, sepse jemi bërë të pandjeshëm dhe nuk reagojmë, kemi arritur në pikën që lajm mund të përbëjë veç një vrasje makabre.
Vrasja e ndodhur në Pogradec nuk është veç një krim, edhe pse çdo vrasje është një krim i rëndë, është një akt i tmerrshëm, por kur pjesë e krimit bëhet edhe policia që ka për detyrë të na mbrojë edhe prokuroria e cila ka për detyrë të dënojë kriminelin, dhe edhe shoqëria me heshtjen e saj, e cila ka për detyrë të mbajë qëndrim ndaj të keqes, atëherë që të gjithë jemi pjesmarrës në këtë krim. Kjo është një vrasje kolektive, dhe më shumë se vrasja e të ndjerit është vrasje e ndërgjegjjes sonë si shoqëri.
Megjithatë dua të them se ajo që na shpëton shpesh pa e vënë re janë shkaqet që na kanë cuar në këtë pikë. Sa herë që ndodh një ngjarje e tillë ne revoltohemi dhe duhet të revoltohemi në fakt, por harrojmë se duhet të shkojmë pak më thellë dhe të mos mbetemi në sipërfaqe, duhet të shkojmë tek origjina e së keqes, tek origjina e ligësisë.
Si lindi ajo, nga buron?
Unë mendoj se ajo vjen si shkak i varfërisë shpirtërore, varfërisë intelektuale dhe varfërisë si varfëri, këto janë shkaqet kryesore që e kanë çuar shoqërinë tonë në degradim.
Gati sa nuk qe kufër varfëria, -thotë profeti a.s.
Ndërsa arsyeja kryesore, varfëria shpirtërore, që ka ardhur prej shkëputjes së kontaktit me Zotin, braktisjes së besimit dhe praktikave fetare është më e madhja. Njeriu pa Zot është njeri palimite, pa kufij, dhe zot për të bëhet çdo dëshirë dhe pasion. “A e ke parë atë person që dëshirat e veta i ka bërë zot” -thotë Zoti në Kuran.
Njeriu që nuk beson në jetën e përtejme nuk e vlerëson jetën e kësaj bote, nuk ia jep hakun asaj. Njeriu pa Zot dhe pa njerëzi kthehet në kafshë grabitqare dhe vrasës i pamëshirshëm.
Prandaj është urgjente nevoja e njeriut ta ushqejë shpirtin me besim dhe ta mbushë zemrën me praninë hyjnore, si mundësia e tij për ta frenuar instinktin kafshëror dhe thyer egon dhe lakminë.
Dorian Balliu
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit