16.7 C
Pristina
Tuesday, May 21, 2024

MOS U BENI SI ATA QË THONË “DEGJUAM”, POR QË NË TË VËRTETË NUK DËGJOJNË!

Më të lexuarat

Allahu i lartesuar thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij e mos ktheni shpinën kur ju i dëgjoni (kumtet e tij)! Mos u bëni si ata që thonë “Dëgjuam”, por që në të vërtetë, nuk dëgjojnë. Krijesat më të këqija para Allahut janë të shurdhërit dhe memecët – ata nuk kuptojnë. Nëse Allahu do të kishte parë tek ata ndonjë të mirë, do t’i kishte bërë, vërtet të dëgjonin. Por edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të sprapseshin dhe do të kundërshtonin. O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur Ai ju fton tek ajo që ju jep jetë dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se është Ai tek i cili ju do të tuboheni (të gjithë). Ruhuni nga ndëshkimi (i Zotit), i cili nuk godet vetëm ata që bëjnë padrejtësi dhe ta dini se Allahu është ndëshkues i rreptë. [ENFAL 20 – 23]

Shpjegimi i ajeteve

– O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij e mos ktheni shpinën kur ju i dëgjoni (kumtet e tij)! – Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që t’i binden Atij dhe Profetit të Tij dhe i paralajmëron që të mos iu kundërvihen urdhëresave e porosive të tyre, dhe kështu t’u ngjajnë mohuesve dhe inatçorëve, që refuzojnë të besojnë. I Lartësuari thotë: “mos ktheni shpinën”, domethënë, mos shpërfillni urdhëresat e Tij, “kur ju i dëgjoni (kumtet e tij)”, pra, pasi e keni dëgjuar qartë mesazhin dhe ftesën e Tij.

– Mos u bëni si ata që thonë “Dëgjuam”, por që në të vërtetë, nuk dëgjojnë. – Është thënë se këtu janë për qëllim idhujtarët. Ndërsa të tjerë kanë thënë se janë për qëllim “munafikët”, sepse ata dëgjojnë dhe hiqen sikur i përgjigjen ftesës për besim, por në të vërtetë ata nuk dëgjojnë, por vetëm shtiren. Në fakt, kjo i përfshin të dyja llojet, sepse që të dyja këto kategori e kanë këtë cilësi. Si idhujtarëve, ashtu edhe munafikëve iu mungon aftësia për të kuptuar saktë kumtet e Zotit. Atyre u mungon edhe vullneti për të bërë vepra të mira me atë dije. Në vijim, i Lartësuari thotë se ky lloj krijesash është më i keqi i të gjitha krijesave:

– Krijesat më të këqija para Allahut janë të shurdhërit dhe memecët – Ata nuk kuptojnë. Ata janë të shurdhër ndaj së vërtetës, sepse nuk kuptojnë asgjë prej saj. I Lartësuari thotë: “… ata nuk kuptojnë.” Ja këta janë lloji më i keq i krijesave. Çdo krijesë tjetër është e bindur dhe i nënshtrohet Allahut për atë që Ai e ka krijuar. Ndërsa këta, edhe pse Allahu i krijoi që ta adhuronin Atë përmes bindjes e nënshtrimit, ata nuk e besojnë dhe nuk e adhurojnë. Në një ajet tjetër, Allahu i krahason ata me bagëtitë, të cilat as nuk kuptojnë, as logjikojnë. Ai ka thënë: “Mohuesit u përngjajnë kafshëve, të cilat, kur i thërret dikush, dëgjojnë vetëm britmë dhe zë (por s’kuptojnë asgjë). Ata janë të shurdhër, memecë, të verbër dhe nuk kuptojnë asgjë.” [Bekare 171]

Ose: “A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata janë si bagëti. Madje, ata janë edhe më të humbur nga Udha e Drejtë.” [Furkan 44]. Ose: “Shumë janë xhindët dhe njerëzit që Ne i bëmë për Xhehenem. Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, kanë sy me të cilët nuk shikojnë dhe kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur. Këta janë ata që shpërfillin paralajmërimet (e Zotit).” [Enam 179]. Kështu, ata janë krijesa që nuk arsyetojnë e të logjikojnë drejt dhe u mungon dëshira e mirë për të besuar drejt e për të punuar sipas atij besimi.

– Nëse Allahu do të kishte parë tek ata ndonjë të mirë, do t’i kishte bërë, vërtet të dëgjonin. – Nëse do të shihte ndonjë të mirë, do t’i kishte bërë të kuptonin e logjikonin, por duke qenë se nuk kishte mirësi tek ata, nuk i bëri të kuptonin. Ai nuk ua bëri mbarë të kuptonin, sepse e dinte shumë mirë se:

– Por edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të sprapseshin dhe do të kundërshtonin. – Domethënë, edhe sikur të kuptonin, ata përsëri do të sprapseshin, me këmbëngulje në të kotën dhe, nga inati e urrejtja për të vërtetën, ata kurrë nuk do të rreshtnin së kundërshtuari ftesën dhe udhën e Zotit.

– O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur Ai ju fton tek ajo që ju jep jetë – Buhariu shpjegon kështu: “Domethënë, kur Allahu ju fton në atë gjë, që rregullon e përmirëson çështjet tuaja.” Pastaj ai përcjell me senedin e tij deri tek Ebu Seid el Mualâ (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): 1272. “Unë isha duke falur namaz, kur Profeti më foli. Unë nuk iu përgjigja, derisa e mbarova namazin. Ai më tha: “Çfarë të pengoi të vish tek unë?” A nuk ka thënë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë!”? Pastaj tha: “Kam për të ta mësuar më madhështoren sure që gjendet në Kur’an para se të dalësh (nga xhamia.)” Kur po bëhej të dilte nga xhamia, e kujtova …”

Ndërsa Muadhi përcjell nga një sahab, se gjatë kësaj bisede, ai dëgjoi: 1273. “El ĥamdu lil-lâhi Rab-bil âlemin”. Ajo është Shtatëshja që përsëritet.” Ky është tekstualisht versioni i Buhariut. Në fillim të sures Fatiha kemi sjellë një pjesë të këtij hadithi. Sipas disave, fjalia: “…kur Ai ju fton tek ajo gjë që ju jep jetë”, ka kuptimin: “Kur Ai ju fton tek e vërteta.” Ndërsa të tjerë thonë: “…kur Ai ju fton në këtë Kur’an”, sepse në Kur’an është shpëtimi nga çdo e keqe, vazhdimësia e mirësive dhe jeta e shpirtrave.

Disa thanë se është fjala për Islamin, i cili, në fakt, është vetë jeta që i dhurohet njeriut pasi ishte i vdekur, pra, në mosbesim e larg Zotit. Të tjerë kanë shpjeguar se është fjala për xhihadin në rrugën e Zotit, përmes të cilit Allahu i krenon muslimanët pas dobësisë, vuajtjes dhe poshtërimit. Të gjitha këto opinione e shpjegime të ajetit janë të përafërta e të sakta.

– “… dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se është Ai tek i cili ju do të tuboheni (të gjithë).” – Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë, Allahu ndërhyn mes besimtarit dhe mohimit të besimit; mes mohuesit të besimit dhe imanit të saktë.” Imam Ahmedi përcjell nga Enes Ibn Maliku hadithin: 1274. “Profeti lutej shpesh me këto fjalë: ‘Jâ mukal-libel kulûb! Theb-bit kalbi alâ dinik! (O Ti që rrotullon zemrat! Përqendroje (e forcoje) zemrën time në fenë Tënde!). Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Ne besuam ty dhe atë (shpallje) që ti solle prej Zotit! A frikësohesh për ne?” – “Po.” – “Zemrat janë mes dy gishtave të Allahut të Lartësuar. Nëse dëshiron i rrotullon (ndryshon) ato!” Hadithin e përcjell Tirmidhiu, që ka thënë ka thënë se është hadith hasen.

Imam Ahmedi sjell hadithin nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), e cila thotë se: 1275. “Profeti lutej shpesh me këto fjalë: ‘Jâ mukal-libel kulûb! Theb-bit kalbi alâ dinik! (O Ti që rrotullon zemrat! Përqendroje (e forcoje) zemrën time në fenë tënde!) Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sa shpesh që e bën këtë dua?!” Ai tha: “Çdo zemër njeriu është mes dy gishtave të Allahut të Lartësuar. Nëse dëshiron ta devijojë, e devijon atë! E nëse dëshiron ta bëjë të qëndrueshme në besim, e bën të tillë!”

Imam Ahmedi përcjell nga Ibn Amr se ai e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 1276. “Zemrat e bijve të Ademit janë mes dy gishtave të Rahmanit, si një zemër e vetme dhe i ndryshon ato, ashtu si Ai dëshiron.” Pastaj Profeti tha: “Allahum-me, Musar-rifel ķulûb! Sar-rif kulûbenâ ilâ tâatik!” (O Allah! Ti i ndryshon zemrat! Udhëzoji zemrat tona në bindjen ndaj Teje!) Këtë hadith e ka sjellë Muslimi, por jo Buhariu. Haidthin e ka sjellë, gjithashtu, edhe Nesaiu prej Hajuete Ibn Sherih el Misrit.

Allahu i Lartësuar i paralajmëron besimtarët për dënimin, që përfshin jo vetëm ata që kryejnë gjynahe, por edhe të tjerët, të cilët nuk bëjnë gjynahe, por nuk i ndalojnë të parët nga të këqijat. Ali Ibn Ebu Talha përcjell nga Ibn Abasi tefsirin e këtij ajeti: “Allahu i Madhëruar i urdhëroi besimtarët që të mos i pranojnë dhe as të përshtaten me gjynahet, sepse kështu do t’i përfshijë dënimi të gjithë”. Ky është një shpjegim shumë i mirë.

Ndërsa Muxhahidi ka thënë: “Ky vlen edhe për ju.” Domethënë, ky ajet zbriti si për sahabët, edhe për të tjerët pas tyre. Ky është mendimi më i saktë. Për saktësinë e këtij mendimi tregojnë edhe hadithet që janë transmetuar dhe flasin për paralajmërimet rreth sprovave dhe këshillat për ruajtjen prej tyre.

Ndër hadithet më të veçanta që sillen në këtë çështje është ai që Imam Ahmedi e sjell nga Hudhejfe Ibn Jemani, se Profeti a.s ka thënë: 1276. “Betohem për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Ose do të urdhëroni për të mira dhe të ndaloni nga të këqijat, ose Zoti do të lëshojë ndëshkim mbi ju, dhe pastaj do t’i luteni Atij dhe Ai nuk do t’ju përgjigjet juve!”

Sërish Imam Ahmedi sjell thënien tjetër të Hudhejfe Ibn Jemanit: “Në kohën e Profetit, ndonjëri thoshte vetëm një fjalë, dhe për shkak të saj e konsideronin munafik. Kurse sot unë e dëgjoj ta thoni atë fjalë mes jush katër herë në një mexhlis të vetëm. Kështu, ose do të urdhëroni për të mirë dhe të ndaloni nga të këqijat, duke nxitur për mirësi, ose Zoti do t’ju shkatërrojë të gjithëve! Gjithashtu, Ai mund të vendosë mbi ju më të këqijtë tuaj, dhe pastaj, kur të mirët tuaj të luten, Ai nuk do t’u përgjigjet atyre.”

Imam Ahmedi përcjell nga Ummu Seleme, gruaja e Profetit a.s, rrëfimin se ajo e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 1278. “Nëse poshtërsitë dhe gjynahet shfaqen haptazi në umetin tim, Allahu i përfshin të gjithë në ndëshkim.” Unë – thotë Ummu Seleme, – i thashë: “O i Dërguari i Allahut! A nuk do të ketë mes tyre njerëz të mirë?!” – “Po.” – tha ai. – “Atëherë, si do të veprohet me ta?” – “Edhe ata do t’i godasë e njëjta gjë. Më pas, ata do të përfshihen në faljen dhe kënaqësinë e Allahut.”

TEFSIR IBN KETHIR

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit