16.2 C
Pristina
Sunday, May 26, 2024

“Mos na e prekni historinë”, klithin falsifikatorët e historisë

Më të lexuarat

12 Shtator 2011

Shkruan: Nexhmedin Spahiu

 

Pas deklaratave të ministrave turq, Dinçer e Davutoglu, për problemet që ka historiografia jonë në raport me turqit dhe me Perandorinë Osmane, u ngre turma e atyre që pretendojnë të jenë historianë, se nuk lejojnë të ndryshohet historia, se të prekësh historinë është të prekësh shtyllën kurrizore të kombit etj., etj..

Kjo e vërtetë duket shumë cinike. Ata që prekën shtyllën kurrizore të kombit janë falsifikatorët e historisë, shërbëtorët e shokut Enver Hoxha (1908-1985) dhe nxënësit e tyre.

Këta falsifikatorë të historisë për më se gjysmë shekulli indoktrinuan breza të tërë me histori të rreme, me gjysmë të vërteta dhe me komente të çoroditura.

Lëvizja komuniste në Drenicë?! Lëvizja balliste në Drenicë?!

Falsifikimi u bë aq i paskrupullt sa ta zëmë ka njeri që ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës me temën “Lëvizja komuniste në Drenicë 1941-1945”. Emrin nuk po ia përmend për të mos krijuar idenë se po sulmoj individin dhe jo dukurinë. Krejt Drenica e di që në atë kohë s’kishte asnjë komunist në Drenicë dhe rrjedhimisht as lëvizje komuniste.

Poi njëjti person, pas rënies së komunizmit, shkroi librin “Balli Kombëtar në Drenicë”, duke i konsideruar si ballistë të gjithë nacionalistët shqiptarë të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Në gjithë Kosovën, në atë kohë, kishte vetëm dy anëtarë të Ballit Kombëtar. Ata ishin dy profesorë të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, kurse në Drenicë s’kishte as edhe një ballist të vetëm.

Nacionalistët e Drenicës, si edhe ata të gjithë Kosovës, ishin përkrahës të qeverisë kuislinge me seli në Tiranë deri më 1943, dhe më 1943/44 përkrahës të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në krye me Rexhep Mitrovicën (1887-1967) e Xhafer Devën (1904-1978), ndërsa më 1945/46 përkrahës të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare dhe përkrahës të kryengritjes së Shaban Polluzhës në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht këtu nuk po i llogaris për nacionalistë një grup komunistësh të mbledhur rreth Fadil Hoxhës (1916-2000), të cilët edhe ashtu kishin rol minor derisa u krye Lufta e Dytë Botërore.

Ky shembull eklatant tregon se sa në mënyrë bizare është shkruar historia e jonë.

Falsifikimi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë

Vargu i falsifikimeve me të cilat edhe sot e kësaj dite furnizohen nxënësit e studentët në Kosovë e Shqipëri, është tejet i gjatë dhe prek çdo pore të historisë sonë.

Disa nga këto falsifikime kanë dalë në shesh pas rënies së komunizmit, siç është rasti i shlyerjes së nënshkrimeve të Rexhep Mitrovicës (1887-1967), Mit’hat Frashërit (1880-1949) e të tjerëve nga dokumenti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por shumica e falsifikimeve ende kanë ngelur.

Falsifikimi i emrit të Ismail-Qemail bej Vlorës në Ismail Qemaili

Falsifikimi prek edhe vetë Ismail-Qemail bej Vlorën (1844-1919).

Meqë Enver Hoxha e kishte shkatërruar gjithë familjen Vlora, sikurse edhe gjithë familjet tjera patriotike në mbarë Shqipërinë, atëherë kryeministrit të parë të Shqipërisë iu hoq mbiemri Vlora dhe titulli bej. Pjesa e dytë e emrit Ismail-Qemail iu bë mbiemër dhe kështu Ismail Qemail bej Vlora u tjetërsua në Ismail Qemaili. Edhe sot e kësaj dite shkollat, rrugët dhe sheshet në Kosovë e Shqipëri mbajnë tabelat ku shënohet Ismail Qemaili e jo Ismail-Qemail bej Vlora.

Vasil Shanto – terroristi komunist që mësohet si hero

Ende sot në Shqipëri, rrugë dhe shkolla mbajnë emrin e heroit të popullit Vasil Shanto (1913-1944) “heroizmi” i të cilit ishte vrasja e djalit të Isa Boletinit (1864-1916), major Adem Boletinit (___-1943), komandant i xhandarmërisë në Shkodër.

Falsifikimi i nënshkrimit të Bajram Currit: letër Leninit

Dr. Krist Maloki (1900-1973) ishte tronditur kur në Muzeun e Shkodrës gjatë vizitës së tij si profesor austriak viteve të 60-ta, i ishte prezantuar dokumenti i “nënshkruar” nga Bajram Curri (1862-1925) ku kinse ky i kishte dërguar letër “Hazreti” Leninit (1871-1924). Krist Maloki pohon se e kishte njohur personalisht Bajram Currin dhe se Bajram Curri ishte analfabet dhe kurrë nuk kishte vënë nënshkrim. Natyrisht, ky fakt nuk e zvogëlon rolin e Bajram Currit në dërgimin nëpër shkolla të të rinjve shqiptarë nga Kosova.

Falsifikimi më i dëmshëm: ai për Kongresin e Berlinit

Vargu i falsifikimeve është i gjatë, por më të dëmshmin na e provon Jusuf Buxhovi.

Ky ka të bëjë me qëndrimin “armiqësor” të Anglisë dhe Gjermanisë ndaj çështjes shqiptare në Kongresin e Berlinit më 1878.

Edhe pse Jusuf Buxhovi me prova të dorës së parë dëshmon se Anglia e Gjermania në Kongresin e Berlinit kishin ndaj Shqipërisë qëndrim identik me atë çfarë patën këto vende ndaj Kosovës më 1999, prapëseprapë librat tanë të historisë, nga ku mësojnë nxënësit e studentët tanë, vjellin vrer kundër Anglisë e Gjermanisë së asaj kohe. A nuk është dëmtim i shtyllës kurrizore të kombit falsifikimi i raporteve të kombit me miqtë më të mirë të tij: Anglinë e Gjermaninë?

Wikileaks. Viki-Çka?

Kur ka falsifikim të fakteve, atëherë komentimi i historisë bëhet akoma më banal. Ata që kanë shkruar historinë mbi bazën e fakteve dhe kanë komentuar drejt, kurrë nuk i tremben rishikimit të teksteve të historisë. Ata që kanë falsifikuar klithin slogane patriotike për të fshehur krimin që kanë bërë.

Nga Wikileaks-i nuk frikësohet askush që ka folur hapur, drejt e sinqerisht, në çdo kohë e çdo vend. Për ata që gënjejnë e intrigojnë: Wikileaks, Viki-Çka?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit