15.7 C
Pristina
Saturday, May 25, 2024

T’i jepet përparësi shamisë ndaj kërkesave tjera

Më të lexuarat

11 Shtator 2011

Shkruan: Dr: Shefqet Krasniqi

Që nga dita kur u mbajt seanca e kuvendit në prag të fitër bajramit, e që u diskutua gjatë për futjen e lëndës fetare nëpër shkolla dhe lejimin e bartjes së shamisë, e që u kundërshtuan që të dyja, debati rreth këtyre dy kërkesave dhe çështjeve tjera fetare nuk pati të ndalur.

Në fakt edhe më herët është folur shumë për futjen e lëndës fetare nëpër shkolla publike, ashtu siç është folur për mbulesën, bile për këtë të dytën edhe më shumë. Por pas asaj seance parlamentare debatet janë shtuar, bile edhe janë komplikuar.

Ashtu që nuk ka ditë që nuk ka ndonjë shkrim në shtypin ditorë, apo ndonjë emision nëpër televizione e që nuk flitet jo vetëm rreth këtyre problemeve me të cilat ballafaqohen myslimanët e Kosovës, por aty futen edhe shumë gjëra tjera. Si “islami radikal”, pastaj “grupe ekstremiste”, apo “radikale”, pastaj “islami tradicional”, “islami minimal” e  ” ai maksimal” , pastaj jo kemi probleme tjera ma të mëdha dhe nuk kemi kohë të merremi me fe dhe me nevojat e saj dhe gjëra tjera të cilat totalisht janë  pa vend dhe të pa baza.

Gjatë javës së kaluar ndodhi edhe një protestë ku mijëra të rinj falën xhumanë në sheshin mes kuvendit komunal dhe atij të Kosovës, e pas namazit turma kaloi tek teatri për tu mbledhur edhe më shumë, ku u kërkua një vend për xhami në qendër të qytetit, e jo atje ku ka propozuar kryetari i komunës. Ashtu siç u kërkua që të rishqyrtohet edhe njëherë amendamenti i futjes së edukatës fetare nëpër shkolla publike dhe t’u lejohet vajzave bartja e shamive.

Asaj turme të madhe nuk munda e të mos ju drejtohem edhe unë me një përshëndetje  e më pas edhe me një fjalim ku kërkova nga kryetarja e shtetit që mos ta firmos atë vendim të kuvendit, ashtu siç potencova se shumë kush në këtë vend është duke u përpjekur që Kosovën ta lë pa fe, gjegjësisht ta bëjë shtet ateist, por nuk do ja arrij, ngase kosovarët kanë fetë e tyre dhe se ne kemi një shoqëri multi fetare siç janë shoqëritë tjera evropiane. Dhe se koha e ateizmit ka kaluar me rënien e komunizmit. Pas kësaj proteste debatet u shtuan edhe më shumë, gjërat veç sa u komplikuan, gjë që nuk ka fare nevojë.

Sepse e vërteta është e qartë, në Kosovë diskriminohen myslimanët, ata kanë shumë nevoja të mëdha të cilat nuk ju plotësohen, apo nuk ju realizohen. Deri më tani që nga përfundimi i luftës asnjë nevojë e tyre nuk ju është plotësuar, e tani ka ardhur koha që edhe për ta të punoj shteti, gjegjësisht tua plotësoi bile disa nga kërkesat e tyre e që asnjë nuk janë ekstreme, e as të pa mundshme. E ne duhet ti ndajmë prioritetet tona, e natyrisht se shamia është më primare sesa të gjitha kërkesat tjera, dhe është më e lehta për tu plotësuar, ngase nuk ka nevojë fare për pëlqimin e parlamentarëve, por thjesht një ndryshim të vogël në rregulloren administrative për shkolla fillore e të mesme, e që është kompetencë e ministrit të arsimit. E ai ndryshim mundë të bëhet për pak minuta dhe me këtë zgjidhet një ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë.

Pastaj çështja e shamisë nuk mundë të lidhet me radikalizëm, ashtu si qeshte çështje e ndarë nga mësim besimi nëpër shkolla, e ndarë nga kërkesa për xhami të madhe etj, ngase edhe nga ana tradicionale nënat tona të gjitha kanë qenë me shamia. E atë që e kanë pasur nënat tona po e dom edhe ne për bijat tona. Pastaj edhe atë vetëm për atu që dëshirojnë ta bartin atë, pa ua imponuar askujt. E që këtë problem –çështjen e lejimit të shamisë- e kanë të zgjedhur thuajse të gjitha vendet e evropiane, e që Kosova synon të bëhet anëtare e tyre.

Nga kjo unë mendoj se ne tani për tani duhet të fokusohemi vetëm në lejimin e bartjes së mbulesës, e mos ta ndërlidhim atë me kërkesat dhe nevojat tjera të besimtarëve islam.  Ngase edhe nga ana fetare shamia është shumë ma e rëndësishme sesa atu tjerat, sepse shamia është fondament, nuk është simbol, pastaj për mësim besim dhe gjami mundë të ketë alternativa tjera, ndërsa për shami, nuk ka alternativë, pos të qëndrojnë vajzat në shtëpi, e ti ndërpresin shkollimet. E ne e dimë sesa e dëmshme është për shoqërinë tonë që gjithë atu vajza ta ndërpresin shkollimin e tyre, ku në mesin e tyre ka vajza të cilat janë shumë të afta. E për shkak të një shamie të privohen ato nga shkenca dhe dija, dhe mos ti mundësohet shtetit që të përfitoj nga to?! Kjo është absurde.

Andaj ju bëj ftesë organeve qeveritare, në veçanti kryeministrit dhe ministrit të arsimit që ta rregullojnë çështjen e shamisë, sepse e kanë në dorë, e ata me siguri ua donë të mirën qytetarëve të vet. E sa i përket kërkesave tjera atu shtyhen për më vonë se edhe atyre ju vije koha me emër të Allahut xh.sh. Ashtu siç ju bëjë ftesë medieve që mos ti ekzagjerojnë gjërat, sepse nuk ka nevojë.

Nuk ka farë rreziku nga myslimanët dhe islami, askush nuk është ka tenton ta destabilizoj vendin, apo ta prishi qetësinë, por sikurse gjithandej nëpër botën e civilizuar ku një pjesë e qytetarëve, shumë apo pak kërkojnë të drejta të tyre, që mendojnë se i meritojnë, edhe ne në vendin tonë po kërkojmë diçka çka mendojmë se na takon dhe duhet ta kemi, e që është në këtë rast mos diskriminimi i femrës myslimane vetëm për shkak të një mbulese dhe kaq. Pra ta zgjedhim problemin e mbulesës sepse deri më tani me dhjetëra vajza janë përjashtuar nga shkolla për shkak të mbulesës, në tërë vendin tonë.

E me zgjedhjen e këtij problemi mendoj se shumë do bëhet mirë, do të ndalen debatet, protestat dhe të gjithë ti shikojnë punët e tyre e të punojnë për të mirën e shtetit dhe të qytetarëve. Allahu na e lehtësoftë zgjedhjen e këtij problemi sa më shpejt.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit