16.8 C
Pristina
Sunday, June 16, 2024

Mashtruesit dhe mediokrit  – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Në thelb, askush nuk i do mashtruesit dhe nuk dëshiron të mashtrohet, e megjithatë, shpesh në jetë udhëhiqemi nga mashtruesit dhe u besojmë atyre, apo së paku i pranojmë de fakto të marrin në dorë drejtimin e jetëve dhe institucioneve tona.

Si mund të ndodhë kjo?

Ka shumë arsye dhe shkaqe përse ndodh kjo, por këtu do të përmendim vetëm dy.

Mes njerëzve ekzistojnë fjalë të urta që thonë: “Ç’të mbjellësh, do të korrësh”, “Ç’të bësh, do të gjesh”, apo “Si të sillesh, do të të sillen” etj., të cilat në thelb tregojnë një nga ligjet e Zotit për marrëdhëniet ndër njerëzore në jetë, që është fakti se individët, si pjesë e pandarë e tërësisë së shoqërisë njerëzore nuk mund të shpëtojnë nga pasojat negative të sjelljeve të tyre të liga individuale, ashtu siç edhe përfitojnë nga efektet pozitive të sjelljes së tyre.

Nëse dikush mashtron dikë tjetër, pasoja e kësaj sjelljeje nuk ndalet aty, por efekti i saj shtrihet duke u përhapur me shumë gjasa edhe tek i mashtruari, i cili do të ushtrojë të njëjtën sjellje me dikë tjetër, e kështu me radhë, derisa i pari do të mashtrohet nga dikush tjetër. Kështu që mashtrimi kthehet në një ves kolektiv, ndërkohë që po në të njëjtën mënyrë, edhe sinqeriteti mund të kthehet në një virtyt kolektiv, nëse marrëdhënia mes individëve është e sinqertë.

Kështu që hadithi i mirënjohur, ku flitet se do vijnë ditë të tilla, që do të besohet mashtruesi dhe do të përgënjeshtrohet i vërteti, në fakt pasqyron se realiteti shoqëror do jetë i prekur nga sëmundja e mashtrimit apo mungesës së theksuar të sinqeritetit, që njerëzit kanë mes tyre. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se të gjithë mashtrojnë në çdo rast dhe për çdo gjë, pasi asnjë shoqëri njerëzore nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në një situatë të tillë, por qëllimi është se mashtrimi dhe gënjeshtra do të jenë aq shumë të përhapura, sa në shoqëri do të humbasin kriteret e vlerësimit të drejtë.

Megjithatë, mund të thuhet që edhe pse njerëzit mund të gënjejnë, sigurisht që ata nuk duan të gënjehen, ndaj si është e mundur që “gënjeshtarët” u besojnë gënjeshtarëve?

Përgjigjen e shkurtër për këtë, e jep vetëm kuptimi vertikal i marrëdhënieve ndër njerëzore, që do të thotë me fjalë të tjera, se kur ne komunikojmë dhe sillemi me njëri-tjetrin, Ai që na vështron dhe dirigjon ekzistencialisht jetët tona është Zoti, ndaj dhe Ai bën të mundur që njerëzit të përballen dhe ta pësojnë nga e njëjta sjellje, me të cilën ata sillen me të tjerët, duke i besuar gënjeshtarëve dhe jo të sinqertëve, edhe pse logjikisht një mashtrues nuk duhet të mashtrohet nga një mashtrues tjetër, për shkak të përvojës që ai ka në këtë drejtim. Pra, nëse një shoqëri preket nga kjo sëmundje, ku besohet mashtruesi dhe përgënjeshtrohet i sinqerti, kjo do të thotë se ajo është e sëmurë me këtë ves dhe do të vuajë e gjitha prej tij.

Natyrisht, nga ky ves ata që vuajnë janë edhe të vërtetët e të sinqertët, siç përmendet edhe nga ky hadith, jo sepse ata e meritojnë të gënjehen, por se me të thatin digjet edhe i njomi, apo siç thuhet në një tjetër hadith, ku Profeti (alejhi salatu ue selam) u pyet: “A do të shkatërrohemi, ndërkohë që në mesin tonë gjenden njerëz të mirë? Dhe ai u përgjigj: Po, nëse shtohet e keqja.” Sigurisht që vuajtjet e të vërtetëve dhe të sinqertëve në këtë rast marrin tjetër kuptim dhe kanë tjetër dimension tek Zoti, por kjo është një tjetër temë.

Një tjetër shkak përse shoqëritë do të vuajnë nga gënjeshtarët dhe do t’iu besojnë atyre, është edhe prezenca e mediokërve ambiciozë. Mediokrit mund të jenë njerëz të sinqertë me veten dhe aspak mashtrues të qëllimshëm e dashakeqë, por problemi me ta është se ata, pa e kuptuar, ngatërrojnë dëshirat dhe ambicien e tyre të madhe për të qenë dikush, duke mbivlerësuar aftësitë e tyre modeste apo mediokre. Kështu, ata gënjejnë vetveten në radhë të parë, dhe pas kësaj, u shesin të tjerëve gënjeshtrën apo “të vërtetën e tyre” si të vërtetë reale. Dhe natyrisht, doza e vetëmashtrimi shtohet, kur ky mediokritet dhe kjo ambicie ushqehet edhe nga jashtë nga njerëz të tjerë, të cilët me lajkat, hipokrizinë, apo edhe mediokritetin e tyre ngrenë lart, një të sojit të tyre, apo atë që nuk e meriton.

Jo më kot, shoqëritë njerëzore kanë formuar hierarki sociale, që meritorët të vlerësohen nga meritorët, të diturit nga të diturit, liderët nga liderët, të aftët nga të aftët, profesionistët nga profesionistët, zanatçinjtë nga zanatçinjtë, e kështu me radhë. Është mjaft domethënëse fjala e Imam Malikut (rahmet pastë!) në këtë drejtim, kur ai tha për vete, se nuk kishte filluar të jepte fetva, vetëm pasi për të, kishin dëshmuar 70 nga njerëzit e ditur të Medinës.

E gjitha kjo çështje na kthen tek arsimi, i cili nuk është krijuar vetëm për të mësuar dhe edukuar njerëzit, por edhe për të krijuar dhe ruajtur hierarkinë e njerëzve të aftë dhe profesionistë. Fakti që të gjithë bëjnë shkollë dhe shumë mbarojnë edhe të lartën, nuk i bën ata meritorë për çdo pozicion pune apo statusi social, ku ata katapultohen më pas, sepse nivelet e njerëzve dallojnë mes tyre si nata me ditën, edhe pse mund të kenë të gjithë të njëjtën diplomë.

Arsimi i barabartë për të gjithë njëlloj, pa bërë dallim mes aftësive të gjithsecilit, është populizëm politik, që ka shkatërruar hierarkinë e domosdoshme sociale dhe ka pasur efekt zinxhir negativ në çdo aspekt të jetës dhe fushë të shoqërisë. Nëse vështron shoqëritë, ku arsimi i lartë nuk është aspiratë madhore e çdo individi dhe as premtim politik i atyre që duan votat e njerëzve, do të gjesh se arsimi fillor rregullohet që t’i përshtatet çdo individi, sipas prirjeve dhe aftësive, do hasësh shumë më pak mashtrues dhe mediokër që drejtojnë dhe udhëheqin mbrapsht atë vend dhe institucionet e tij.

Shoqëritë njerëzore funksionojnë si një enë komunikuese, lëngu që mbart një gyp apo segment i saj transmetohet dhe ngjyros edhe pjesën tjetër të së tërës, kështu që sa më i rëndësishëm dhe më i fortë të jetë ky segment, aq më i fortë dhe më i dukshëm do të jetë ky ndikim, ves apo virtyt qoftë.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit