12.9 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Moriskot e Spanjës: tragjedia e dëbimit të muslimanëve para 400 vjetësh, ende aktuale

Më të lexuarat

Dëbimi i muslimanëve spanjollë, të njohur si moriskot, në shekullin e 17-të duket se është një tragjedi, jehona e së cilës mbetet aktuale edhe në ditët e sotme. Në librin e tij, “Gjak dhe Besim”,  Matthew Carr, shpjegon sesi fatkeqësia e moriskove, që u dëbuan nga vendlindja e tyre si alienë të urryer, përmban mësime urgjente edhe për epokën tonë.

Autori shpjegon se takimi i tij i parë me historinë e përgjakur të dëbimit, ndodhi në Barcelonë në vitin 1992, kur shënohej 500-vjetori eufemik i së ashtuquajturit “takim” i Spanjës me botën e re. Në fakt, është tepër e njohur historia e dëbimit të hebrenjve nga mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Izabellë në vitin 1492, por nuk dihet shumë për tragjedinë e moriskove – të njohur si “maurët e vegjël” – që ndodhi më shumë se një shekull më pas.

Edhe përpara dëbimit, pohon autori, është prekës fati tragjik i atyre që u detyruan të konvertoheshin në të krishterë. Ata u margjinalizuan dhe u persekutuan për më shumë se një shekull përpara se shteti spanjoll të vendoste se ata ishin të paaftë të bëheshin kristianë  “të mirë dhe besnikë” – e megjithatë ata e konsideronin ende veten spaniardë edhe kur u hodhën në plazhet e Afrikës së Veriut.

Autori thotë se gjithë ky episod nuk shkonte fare me tonalitetin triumfator të festimeve për 500-vjetorin e “takimit” me botën e re. Në atë kohë, thotë ai, nuk e kishte idenë se do të vinte moment për të shkruar për muriskot, por me kalimin e viteve, duke parë gërryerjen e marrëdhënieve midis Europës dhe minoriteteve të saj muslimane, dhe rishpikjen e Islamit si një armik i ri ekzistencial nga imagjinata e konservatorëve dhe e djathta ekstreme, episodi i muriskove erdhi si një urgjencë për t’u zbardhur nga errësira e historisë.  Kjo tendencë sipas autorit, u teprua pas sulmeve të 11 shtatorit dhe luftës kundër terrorit të viteve 2000.

“U trondita nga referencat e shpeshta për ‘humbjen’ e mbretërisë së vjetër maure të al-Andalus dhe pasardhëseve të saj në propagandën e al-Kaedës dhe shpesh vrisja mendjen përse këto referenca përfshinin shumë rrallë muriskot. Për të gjitha këto arsye, mendoja se mund t’ia vlente një rishikim i episodit, dhe në vitin 2007 nisa kërkimet për librin që më pas e botova nën titullin ‘Gjak dhe Besim’”, thotë Matthew Carr.

Ai thotë se u bazua më shumë në burime dytësore, duke kërkuar në punën e shkëlqyer të brezave të tërë akademikësh spanjollë dhe ndërkombëtarë për muriskot. Në këto lexime, u ndesh me dokumente kryesorë që përshkruanin dëbimin dhe shpesh edhe me tekste genocidalë të autorëve kundër muriskove, që ishin edhe murgj.

Në Spanjë, janë ruajtur edhe vendet që përshkruhen në dokumente dhe mjafton të vizitosh kështjellën impresive të Simancas ku mbahen arkivat e shtetit spanjoll, për t’u njohur me një letër për Filipin e Dytë të shkruar nga zyrtarët e zonave me përbërje murisko nga Granada në Kastijë në dimrin e vitit 1570. Pjesa më e madhe e mesazheve të tilla përshkruajnë kushtet tronditëse të të sëmurëve dhe njerëzve që vdisnin nga uria, grave dhe fëmijëve që vdisnin përpara syve të të afërmëve në atë dimër të ashpër, në pamundësi për t’u veshur e ushqyer. Sjellja zyrtare ndaj këtyre njerëzve të dëbuar nuk ishte festive. Përkundrazi, autorët e këtyre letrave  ishin shpesh të tronditur,  duke mos u besuar syve për atë që shihnin se po ndodhte.

“Të lexoja ato letra të zverdhura e të brishta, ndjeva se po mbaja në gishta historinë. U trondita nga humanizmi i ndjerë i atyre zyrtarëve, që binin në konstrast aq të thellë me ngjarjet e dhunshme që ndoqën urdhërin e dëbimit nga Filipi i Tretë në Valencia në vitin 1609. Atë vit, me mijëra murisko të Valencias zhvilluan një luftë të pezmatuar për t’i rezistuar dëbimit në fshatin Cortes de Pallás. Ende sot mund të vizitosh rrënojat e fshatrave Murisko dhe digën e madhe të njohur si Muella nga ku gratë murisko u hodhën së bashku me fëmijët për të gjetur vdekjen në vend që të dëboheshin nga vendi që ato e konsideronin atdhe.

Betejat e  Cortes de Pallás u festuan me piktura triumfale të porositura nga Filipi i Tretë: sot këto piktura ruhen në një bankë në Valencia dhe nuk janë të hapura për publikun.

Pikturat synonin të vishnin me lavdi atë që shumë njerëz të shquar, edhe të asaj kohe, e shihnin si krim. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve që rrëfejnë dëbimin, ato tregojnë historinë nga pikëpamja e fitimtarëve. “Unë dëshiroja të tregoja një tjetër histori: atë sesi ai që ishte në atë kohë shteti më i fuqishëm në Europë, u përfshi nga frika dhe fanatizmi për të shkatërruar një minoritet pa mbrojtje, duke vepruar madje, edhe kundër interesit të vet material”, shkruan autori.

Prirje të tilla janë të pranishme në çdo shoqëri dhe në çdo kohë. “Unë shpresoja si atëherë ashtu si shpresoj edhe tani që “Gjak dhe Besim” të mund t’i bëjë lexuesit më të vëmendshëm ndaj mundësive që sjellin shkatërrim në kohën tonë”, përfundon ai.

Ekstrakt

Skena tragjike u shpalosën ndërsa muriskot u sollën tek anijet që prisnin. Një i moshuar erdhi në Valencia duke deklaruar dëshirën e tij për t’u varrosur në tokë muslimane, por ra përdhe i vdekur ndërsa hipte në anije. Morisko të tjerë vdiqën nga uria dhe lodhja përpara se të largoheshin nga bregu. Disa prindër u detyruan të ndahen nga fëmijët e tyre në rrëmujë e sipër, të tjerë i lanë fëmijët pas me të krishterët lokalë. Në punën e piktorit nga Valencia, Pere Oromig “Nisja e Muriskove nga porti i Valencia”, një baba mund të shihet duke i dhënë lamtumirën në gjunjë vajzës së tij, që do të qëndrojë në Spanjë me një familje të krishterë.

Janë të shumta lamtumira të tilla ndërsa vijonte eksodi. Madje, edhe kur muriskot hipnin në anije, priftërinj, murgjë e të zellshëm të tjerë u luteshin të linin fëmijët pas që të mund të rriteshin si katolikë…

Doña Isabel de Velasco, personalisht këmbënguli tek shumë prindër për të lënë fëmijët pas vetes ose ua rrëmbeu, me synim “shpëtimin shpirtëror”. Disa murisko u bindën nga kjo mundësi për shkak se ndjeheshin jo në gjendje për t’u kujdesur për fëmijët, por shumë të tjerë refuzuan me vendosmëri ashtu sikundër “gruaja murisko që solli në jetë fëmijën në dokun e portit dhe u nis drejt anijes me fëmijën në krah, në një dimër të ashpër, në një ditë të ftohtë me erë dimërore”, si përshkruhet në një raport të Inkuizicionit të Valecias, duke injoruar të krishterët që e lusnin t’ua linte atyre foshnjen.

Carr, është edhe autori i “Një Histori e Terrorizmit”.  Ai ndjek linjën e rrëfimit në librin e tij për muriskot duke mos demonizuar as të krishterët e as muslimanët. Ai sugjeron se rritja e mosbesimit reciprok dhe spiralja e dhunës ishin shkëndija fillestare që rezultoi me dëbimin. Duket e pamundur të lexosh këtë libër pa ndjerë rezonancën me kohën tonë.

Në epilogun “Një paralajmërim nga historia?, mesazhi i Carr është i mprehtë. Gjuha aktuale e zemërimit në Europë – e nxitur dhe nga profecitë e katastrofës demografike që sjellin muslimanët pjellorë – po drejtohet ndaj idesë së një “holokausti të dakordësueshëm” që është ajo që një murg domenikan i shekullit të 17-të, quajti zgjidhjen finale të Spanjës për problemin e saj të pazgjidhshëm. Po ne duhet të bëjmë ndryshe!

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit