2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Mjedisi dhe rrethi shoqëror si faktorë ndikues në formësimin e personalitetit të fëmijës

Më të lexuarat

Mjedisi shoqëror – grupmosha

Njerëzit, nevojat e ndryshme sociale dhe psikologjike mund t’i plotësojnë vetëm duke u bërë pjesë e një grupi. Duke u bërë pjesë e një grupi, njeriu ndihmohet të fitojë një pozicion social, kurse nga ana psikologjike të fitojë formimin e një ekuilibri. Te këto grupime hyjnë grupet shoqërore dhe grupmoshat. Grupet shoqërore dhe grupmoshat në përgjithësi formohen prej anëtarëve që kanë të njëjtën moshë dhe vendndodhje. Përfshijnë njerëz me nivele të ngjashme ekonomiko-sociale, me fe dhe prejardhje etnike të njëjtë. Qëllimet, interesat, pritshmëritë, vlerat, parimet dhe mënyrat e komunikimit janë të njëjta.1

Pas familjes, mjedisi shoqëror është ambienti ku fëmija kalon më të shumtën e kohës, ku ndan sekretet e tij me të tjerët, vepron për të tejkaluar ndjenjat dhe mendimet e tij. Fëmija që bëhet pjesë e një ambienti të tillë, merr iniciativën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira. Mëson të jetojë në harmoni me moshatarët e tij. Kjo lloj marrëdhënieje zhvillon aftësitë sociale si shoqërimi, solidarizimi, ndarjen me të tjerët dhe krijimin e miqësisë. Fëmija, i cili bëhet anëtar i një grupi shoqëror, njeh vetveten, zhvillon personalitetin e vet dhe hedh hapat e para drejt botës së të rriturve.2

Në grupin shoqëror, fëmijët mësojnë të mendojnë, vendosin dhe të veprojnë bashkërisht, e të tjera sjellje si këto. Në të njëjtën kohë, cilësi si: besimi reciprok, respekti dhe përshtatshmëria ndërmjet anëtarëve të grupit kthehen në elementë të pazëvendësueshëm. Si anëtar i grupit përkatës, fëmija përvetëson sjelljet dhe vlerat e grupit. Për të nuk është e rëndësishme shoqëria, por mendimi dhe vlera që grupi i jep atij. Për këtë arsye, ndikimi i grupit në zhvillim e personalitetit dhe moralit të fëmijës është i rëndësishëm.3

Mjedisi shoqëror i grupmoshave është ambient shoqërizimi. Ky ambient i përgatit ata për aktivitete të ndryshme e për mundësi mësimi: të japësh, të marrësh, të ndash punë gjatë bashkëpunimit, të ndjesh kënaqësi për veprimet e tjetrit dhe të mësosh si ndihet një njeri tjetër, besnikërinë, guximin, barazinë, motivimin e ndjenjës së pjesëmarrjes si dhe përforcimit të gjërave. Fëmijët dhe të rinjtë në mjediset shoqërore me grupmoshat, në njërën anë u përshtaten mjediseve, mësojnë normat dhe lidhen me to, si përfundim përvetësojnë vetveten, ndërsa në anën tjetër mësojnë të shprehin qëndrimet dhe shprehin lirshëm gjykimet e tyre. Ky mjedis u mëson atyre bashkëpunimin dhe frymën e grupit, të fitojnë aftësinë e liderit si dhe kontrollin e liderit. Këto njohuri dhe aftësi atyre iu hyjnë në punë kur të rriten.4

Grupmoshat dhe shokët, në të njëjtën kohë janë edhe modele që imitohen nga anëtarët e tjerë të grupit. Fëmijët fitojnë aftësi të reja duke vëzhguar veprimet e bashkëmoshatarëve të tyre. Shumë studime tregojnë se fëmijët ndikohen nga bashkëmoshatarët që marrin si shembull. P.sh., gjatë shpërndarjes së disa dhuratave midis shokëve të klasës, disa fëmijë të moshës 4 dhe 5 vjeç, që dukeshin shumë bujarë, kur u erdhi radha e tyre, u treguan shumë bujarë me fëmijët e tjerë, të cilët nuk kishin parë më parë sjellje të tillë bujarie. Vetëm se te fëmijët është më e madhe mundësia të imitohet sjellja e shpërndarjes së dhuratave sesa një sjellje ndëshkimore.5

Veçanërisht fëmijët që kanë aftësi në fusha të caktuara, mirëpriten nga shokët në grup. Pranimi në grup u rrit vetëbesimin fëmijëve. Kështu që, fëmija, i shpreh lirshëm ndjenjat dhe mendimet e tij në grup. Disa grupe shoqërore janë të mbyllura nga jashtë, janë grupe që ndërtojnë marrëdhënie mes vetes e janë në konflikt me vlerat shoqërore. Në të tilla grupe, sjelljet e anëtarëve mund të jenë

shembull i keq për sjelljet e fëmijëve, kështu që mund t’i shtyjnë ata drejt fajit. Për këto arsye, grupet shoqërore që jetojnë jashtë shoqërisë, shpeshherë mund të ndërtojnë identitete negative e të pamoralshme.6

Fëmija para së të hyjë në periudhën e pubertetit ndikohet më shumë nga familja, ndërsa kur hyn në këtë periudhë shtohet ndikimi i mjedisit shoqëror dhe bashkëmoshatarëve. Për sa i përket moshës së adoleshencës, ndikimi që ky mjedis ka tek individi është në plan të parë. Kjo ndodh sepse mjedisi shoqëror e ul tensionin e brendshëm të të riut, atij i jepet më shumë besim për botën e jashtme, i jepet mundësia të njoh vetveten dhe të tjerët, e ndihmon në shoqërizim dhe e përgatit për jetën kolektive. Duke qenë se në mjediset shoqërore sjelljet imitohen në mënyrë të njëjtë, ekziston mundësia që të ndikohen si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Nëse ky mjedis tregon sjellje morale të papërshtatshme dhe të prishura, këto sjellje kthehen në zakone edhe për anëtarët e tjerë të grupit. Kjo ndodh sepse të rinjtë i përvetësojnë më shumë udhëzimet e shokëve dhe bashkëmoshatarëve.7

Sikurse u theksua më lart, cilësitë morale të grupit shoqëror ndikojnë pozitivisht ose negativisht në formimin moral të fëmijës. Në formë të identifikimit me anëtarët e grupit, fëmija përvetëson sjelljet dhe qëndrimet e tyre. Nëse cilësitë morale të grupit janë të mira, morali i fëmijës zhvillohet pozitivisht. Nëse grupi përmban cilësi të moralit të keq, është e

pashmangshme që fëmija të mos jetë i prirë për të kryer faje, të përdorë drogë, të kryejë vjedhje, etj..8

Shkolla

Arsimi ushqehet nga burime të ndryshme. Familja, grupet shoqërore, shkollat dhe mjetet e komunikimit masiv janë disa prej këtyre faktorëve. Ndër to, familja dhe shkolla zënë një vend të veçantë në jetën e fëmijëve. Që nga krijimi i tij, njeriu është një qenie që edukohet. Edukimi është procesi gjatë të cilit sjellja e një individ zhvillohet me anë të eksperiencës dhe me anë të dëshirës së vetë individit. Qëllimi i edukimit: transmetimi i aftësive dhe njohurive të caktuara të individit, zhvillimi i sjelljeve dhe gjykimit të vlerave.

Edukimi është njëri nga faktorët e rëndësishëm që ndikon në zhvillimin moral të individit. Individi fillon jetën e shkollës me karakteristikat dhe ndjenjat e fituara në familje deri në moshën

shtatëvjeçare, siç janë: mendimet, gjykimet, njohuritë, aftësitë dhe zakonet. Ndërsa në shkollë, duke u përballur me gjëra të reja dhe të ndryshme, çdo ditë me shokët dhe mësuesit, fiton dhe zhvillon karakteristika të ndryshme. Ndikimi i edukimit në zhvillimin moral nuk shqyrtohet vetëm nga arsimtarët modernë por edhe ato klasikë. Për shembull: një arsimtar islam, Ibën Miskeveyh, shprehet kështu për edukimin dhe lidhjen e tij me moralin: “Njerëzit nga pikëpamja e karakteristikave morale nuk janë në të njëjtin nivel. Disa janë mirë, disa janë keq, disa janë të urtë e disa janë të zemëruar. Në mesin e atyre që kanë këto karakteristika ka shumë njerëz të rregullt. Ato që mbartin nga lindja janë, zemërimi, kënaqësia, nervozizmi, pangopësia e të ngjashme me këto. Duke neglizhuar zakonet e këqija, njeriu i pa trajnuar, rritet në gjendjen aktuale dhe gjatë gjithë jetës e ruan këtë gjendje. Ndërveprimi ndikues i karakteristikave të individëve dhe faktorët e mjedisit, të dyja këto duke i integruar me edukimin dhe përmbledhur në të marrin formën e dëshiruar. Karakteristika të tilla morale si: e mira, e keqja, e drejta, e gabuara, mund të ndryshohen dhe zhvillohen vetëm me edukim, për ndryshe mund të spastrohen ose trashen dalëngadalë.”9

Personaliteti i mësuesit e qëndrimet e tij karshi nxënësve pasqyrohen te personaliteti i nxënësve. Nxënësit, duke marrë si shembull mësuesin mundohen të identifikohen me të. Për këtë arsye, sjelljet e qëndrueshme dhe të ekuilibruara të mësuesit, me drejtësinë dhe dashurinë e treguar ndaj nxënësve, ndikon tek ata në sjelljen e zellshme e padurimin, por duke u përpjekur të sigurojë disiplinën në klasë mund të lerë ndikim negativ te nxënësit. Një e vërtetë e madhe është se: personi që jep bazat e dashurisë në mjedisin e përbashkët, nuk bën vetë padrejtësi. Duke kritikuar padrejtësitë siguron zhvillimin e një ndërgjegje të ndjeshme te nxënësit, nuk përdor fjalë të këqija, fyese apo poshtëruese. Një mësues në mënyrë të tillë u përçon nxënësve karakteristika pozitive, orienton zhvillimin e personaliteti të tyre në drejtimin pozitiv.10

Qëllimi i edukimit moral është arritja e individit të bëj gjykime mbi moralin. Çdo individi, duhet të jetë në gjendje të japë gjykimin e tij moral në formën e mendimit të lirë.

Fëmijët dhe të rinjtë në shkolla duke përfituar njohuri në fusha të ndryshme në të njëjtën kohë përfitojnë edhe disa përvoja të reja. Ata mësojnë si të kenë marrëdhënie me njerëz të ndryshëm, përshtatjen me grup, sakrificat që kërkon jeta në shoqëri, tregojnë respekt ndaj mendimeve e të drejtave të të tjerëve. Atmosfera sociale në shkollë, niveli i drejtësisë që zotëron, ndikojnë në zhvillimin moral të fëmijës. Në edukimin familjar e shoqëror përveç sjelljeve të mira mund të fitohen dhe sjellje të padëshiruara. Përkrah edukimit shoqëror, me kalimin e kohës janë ndërtuar institucione të arsimit të planifikuara dhe programuara. Kur fëmija del nga familja, që është i vetmi institucion i socializimit të tij, njihet me një tjetër institucion social, shkollën.11

Edukimi i nxënësve me rregullat e sjelljes, vlerat shoqërore dhe kontributet në zhvillimin moral të tyre janë funksionet më të rëndësishme të shkollës. Në shkollë, nxënësi, përveç të mësuarit konjitiv, mëson edhe respektin, mirëkuptimin, solidarizimin, etj. Kerschenstainer, i quan shkollat e sotme “shkolla të librit”, mbron idenë se shkollat kontribuojnë në një masë të caktuar në zhvillimin moral të fëmijëve.

Sipas Halstead dhe Taylor, shkolla u njeh dhe transmeton nxënësve vlerat ekzistuese të moralit, por bën të mundur edhe ndërtimin e vlerave të veta mbi to. Aktori më i rëndësishëm i zhvillimit moral në shkolla është mësuesi. Veçanërisht, ata ndihmojnë fëmijët në zhvillimin e vlerave morale, por njëkohësisht kanë ndikim mbi ta. Nëse mësuesi është i drejtë dhe shfaq cilësi të personalitetit të mirë, kjo pasqyrohet pozitivisht edhe te fëmijët.12

Shkolla kërkon nga çdo fëmijë që të zbatojë rregulla të caktuara e të mësojnë. Në këtë aspekt, ajo luan një rol të rëndësishëm në përfitimin e sjelljeve pozitive, si: përgjegjshmëria, durimi dhe drejtësia. Në të njëjtën kohë, shkolla u mëson fëmijëve aftësinë e të menduarit rreth vlerave morale e bën që ngjarjet e jetës t’i shohin nga dritarja e respektit, dashurisë dhe mëshirës.

__________________________

1. K KÖSE, C YAZICI, P DO?AN, Ö A?ÇIO?LU – Erciyes T?p Dergisi, 1997 – app.trdizin.gov.tr Behç et’s Disease- Köse, 1997: 141)

2. Po aty, Yörüko?lu,, f. 59-60

3. Bey, M. S. (2002). E?itim ve Toplumsal Sorunlar Üzerine Konferanslar. Ed: Osman Kafadar dhe Faruk Öztürk, Kültür Bakanl??? Yay., Ankara. Tarhan, f. 105

4. Atkinson, L. R. (1995). Psikolojiye Giri?. (Përkth. Kemal Atakay), Sosyal Yay., ?stanbul. Elkin, 1995: 88-93

5. Atkinson, R. L., Richard C. Atkinson, Ernest, R. H. (1995). Psikolojiye Giri?. (Përkth. K. Atakay), Sosyal Yay., ?stanbul. Atkinson, 1995: 107

6. Yörüko?lu, 1986: 64

7. Avc?, H. (2000). Çocuk E?itimi mi Anne Baba E?itimi mi S?z?nt? Dergisi, say?: 256. Köylü, 2000: 2

8. Atl?, G. (2002). Aile ve Çocuk E?itimi Üzerine Sohbetler. Etüt Yay?nevi, ?stanbul. Tarhan, 2002: 105

9. Aksoy, Ö. A. (1998). Atasözleri ve Deyimler Sözlü?ü. C.1, I-II, ?nk?lap Yay., ?stanbul. Bilgin, 1998: 31

10. Baymur, F. (1994). Genel Psikoloji. ?nk?lap Kitabevi, ?stanbul. Peker, 1994: 60-61

11. Althof, W., Graz, D. (2004). Lawrence Kohlberg: Deutsches Institut für Internationale Pädagogische Forschung German Institute for International Educational Research Mitglied der Leibniz-Gemeinschaft Frankfurt. Akba?, 2004: 27

12. Bandura, A. (2000). Self-Efficacy: The Exercise of Control. W.H. Freeman and Company, New York.Halstead-Taylor, 2000: 169

Phd. Melihate Zeqiri

Dituria Islame 385

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit