4.9 C
Pristina
Wednesday, February 21, 2024

Mëshirë për gjithësinë

Më të lexuarat

Hidhi një sy historisë islame dhe do të konstatosh vetë se Profeti Muhamed a.s., me qëndrimin, durimin, vullnetin dhe gjykimin e mprehtë, me gjuhën e ëmbël, me kurajën e pashembullt, që janë karakteristika të veçanta vetëm për këtë personalitet të jashtëzakonshëm, i mbështetur në Perëndinë e vetme që besonte, mundi të bëjë një revolucion të madh në kombin e tij që e gjeti fanatik, të demoralizuar, grindavec, injorant, barbar, gjakpirës, idhujtar e të padisiplinuar. Dhe me këtë brumë trajtoi brenda një kohe të shkurtër një popull të ri, të bashkuar e të vëllazëruar, fetar të vërtetë, të qytetëruar e të pajisur me moral të lartë, të virtytshëm, të arsyeshëm e të disiplinuar.

Shkurt, çdo fenomen i natyrës, çdo ngjarje e gjithësisë, lulet, pemët, kënaqësitë, dëfrimet e shijet shpirtërore, lutjet, çuditë e natyrës, mrekullitë e shpirtit, zbulimet e shkencës, pozitat e larta, kategorizimi moral i njerëzve me grada të ndryshme, besnikë, të afërt e dashurues të Zotit, të gjitha janë fryt i pemës muhamedane, janë kandila të dritës së tij me të cilën qëndrojnë në këmbë; të gjithë pijnë ujë në lumin “Keuther”. Me këtë del në shesh sekreti i ajetit të madhnueshëm: “Nuk të kam dërguar për tjetër, veçse mëshirë për gjithësinë…”.

 

Haxhi Vehbi Dibra

 

Sot ka lindur kryetari i të gjithë profetëve

Sot është përvjetori i orës fatbardhë që përuroi fillimin e periudhës më të shkëlqyeshme të historisë së rilindjes njerëzore. Po, sot është përvjetori i asaj ore në të cilën sipërfaqes së tokës, që është dëshmitare ngjarjesh e faktesh të panumërta të miliona viteve, iu bë dhurata më e madhe dhe më e plotë e mirësive të pafundme të Perëndisë së amshuar. Në këtë ditë Tokës, pra, iu bë nderi më i madh, duke u lëmuar prej gjurmës së atij që në të dy jetët është i nderuar e që njerëzia e ka pritur me padurim qysh në “Ezel”. Ky mëngjes u bë i lumnueshëm, sepse në të lindi “trupi i bekuar” i Profetit Muhamed a.s., i cili, duke përmbledhur në vetvete, në mënyrë të plotë, thjeshtësinë e kulluar të “babës Adem”, madhështinë hyjnore të Nuhut, vullnetin e papërkulur e plot sakrifica të Ibrahimit, dorëzimin e devotshëm të Ismailit, forcën morale të Jakubit, bukurinë tërheqëse të Jusufit, durimin heroik të Ejubit, grushtin e Musait, dashurinë udhëheqëse të Isait, u bë prijësi më i madh i njerëzimit.

Në këtë ditë erdhi në botë ai të cilit i madhi Zot i tha: “Sot e përsosa fenë tuaj për ju, dhe i plotësova mirësitë e mia mbi ju…”

Sot festojmë përvjetorin e asaj dite të madhe në të cilën ka lindur kryetari i gjithë profetëve, Hazreti Muhamedi a.s., që i mësoi njerëzisë shtyllën e fortë të virtytit shoqëror e të paqes. Ai ka thënë: “Më i ndershmi gjyq është paqja” dhe “Në qoftë se kërkojnë paqe, pajtohu”.

Po të kërkohet burimi i vërtetë i “drejtësisë, barazisë, lirisë e vëllazërisë”, që janë katër shtylla të lumturisë njerëzore, ky burim do të gjendet në “ditën” e parë që ka filluar kjo festë madhështore e që kremtohet pa përjashtim në botën islame, sepse në këtë ditë ka lindur ai që është mëshirë për gjithësinë…

Hafiz Ismet Dibra

 

Koha kish nevojë për udhërrëfyes të udhës së Zotit

Në mënyrë shumë të shkurtër duam të theksojmë se popujt e botës së asaj kohe kishin nevojë për një grusht që të trondiste fronet e mbretërve e të përmbyste themelet e sundimit tiranik të tyre, t’iu thyente hundët që i mbanin nga qielli, duke i marrë popujt e varfër nëpër këmbë dhe duke i përdorur si bagëti.

Kjo kohë kish nevojë për një zë që t’i sillte në vete të hutuarit, t’i zgjonte prej gjumit të madhështisë aristokratët kryelartë, duke iu treguar se demokratët e gjorë, që po shtypeshin nga këmbët e tyre të pamëshirshme, nuk ishin kafshë.

Kjo kohë kish nevojë për një udhërrëfyes, që njeriun ta tërhiqte në rrugën që ka pëlqyer Zoti, për t’i këputur hekurat e robërisë, që kishin nëpër këmbë e zverqe dhe për të arritur shkallën më të lartë njerëzore, duke gjetur mënyrën që sjell lumturi në të dy jetët.

Hazreti Muhamedi a.s. u rrit pa nënë e pa babë. Për të nuk u kujdes njeri për ta edukuar, u rrit midis një populli injorant, pranë një fisi që i falej statujave, të cilat, ka pasur raste që i krijonte prej ëmbëlsire dhe, pasi u faleshin, kur i merrte uria, shtroheshin e i hanin. Ata, pra, u faleshin ëndrrave e u shërbenin idhujve. Në këtë gjendje, pra, ishte mjedisi ku ai lindi. Por ai çdo ditë rritej nga trupi dhe forcohej nga trutë, nga edukata lartësohej dhe në popullin e Mekës që në djalëri mori titullin “i besueshmi”. Kur mbushi të dyzetat ishte i perfeksionuar, kurse kombi i vet mbetej prapa; ndërsa ky lartësohej kombi shkonte poshtë; ky dëshmonte Zotin, ata këputeshin para statujave që vetë i kishin krijuar; ky në besim të saktë e të vërtetë, ata të mbytur nëpër moçalet e ëndrrave; ky shtyhej pas mirësive, ata pas të këqijave; ky fluturonte në qiell të dritës, të përparimit e të lartësimit, kurse kombet mbyteshin në pellgjet e errësirës…

Hafiz Ali Korça

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit