9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mentaliteti komunist gylenist – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Edhe pse gati gjithmonë të heshtur dhe në dukje indiferent ndaj kritikave dhe sulmeve që u bëhen gylenistëve, atyre nuk u shpëton gati asgjë që shkruhet e thuhet kundra tyre në publik, madje interesohen edhe për ato që thuhen privatisht. Ata janë sigurisht të gatshëm për revansh në çdo çast që do t’iu jepet mundësia, edhe pse imazhi i tyre publik i mashtron shumë njerëz që nuk i njohin, kur ata duken si tolerant, të butë dhe tepër konformist me politikën dhe të gjitha shtresat sociale të njerëzve.

Ithtarët e organizatës okulte të Gylenit përgjithësisht, dhe me përjashtime të rralla, janë njerëz të vegjël në shpirt dhe në mendje. Ata në shumicën e rasteve janë rekrutuar që në moshë të re në gjirin e kultit të Gylenit dhe janë mëkuar me bindjen se lideri i tyre shpirtëror është një lloj Mesie apo Mehdi që do të shpëtojë mbarë botën me mësimet dhe punën e tij dhe jo vetëm botën islame.

Gyleni dhe rrjeti i tij i arsimit, i ka indoktrinuar ata të besojnë se gylenistët janë pikërisht “brezi i artë”, siç i quan ai, që do të sjellin ndryshimin e botës për ta bërë atë më të mirë sipas mësimeve të “imamit të universit”.

Edhe pse organizata e Gylenit synon kapjen e elitës dhe njëkohësisht krijimin e një elite të re, baza dhe shtylle kurrizore e anëtarëve të saj vjen kryesisht nga shtresat e dobëta rurale dhe të margjinalizuara sociale, të cilat ndjejnë se përmes kësaj organizate mund të bëhen dikush në shoqëri dhe të kenë një jetë të sigurt ekonomike dhe sociale, mjaft që t’i shërbejnë me besnikëri kultit.

Kjo praktikë jeniçere sigurisht që e lehtëson edhe më tepër rekrutimin dhe indoktrinim, për më tepër nëse individët e përfshirë në të depersonalizohen lehtë dhe kuptojnë se për të bërë përpara në jetë duhet të bëjnë përpara në nivelet e kultit, duke qëndruar sa më besnikë ndaj urdhrave të abilerëve të tyre dhe duke iu bindur atyre si të ishin urdhrat e Zotit, edhe nëse ato bien ndesh me parimet e fesë e moralit apo shtypin personalitetin e tyre.

Të njëjtën praktikë ndoqi edhe sistemi komunist këtu tek ne, por edhe në vende të tjera. Sigurisht që një praktikë e tillë nuk është një risi komuniste apo gyleniste, por tepër e vjetër në histori dhe rasti me të cilin ata krahasohen në Turqi është ai i sektit të hashashinëve, që në gjuhët perëndimore njihet si “asasinët”.

Ashtu si për komunistët modern partia ishte gjithçka, ishte nëna që i mëkonte, edukonte dhe dirigjonte gjithë jetën e tyre, me në krye “shokun Enver”, ashtu edhe për gylenistët është “xhemati” dhe imami i tyre shpirtëror ata që dirigjojnë jetën e tyre. Jashtë këtij xhemati ata ndjehen të humbur dhe të braktisur dhe të paaftë të përballen me jetën. Xhemati i Gylenit u jep skllevërve të tij “sigurinë” e nevojshme ekonomike, sociale dhe shpirtërore për të kapërcyer konkurrencën e ashpër në jetë dhe për të marrë atë që dëshirojnë edhe pse me aftësitë apo përvojën e tyre të pakët nuk e meritojnë. Kush e ka njohur sadopak periudhën komuniste që kaluan shqiptarët, është në gjendje ta krahasojë atë lehtësisht me praktikat dhe metodat gyleniste të sjelljes.

Një karakteristikë tjetër tipike komuniste gyleniste është mentaliteti i sëmurë provincial rural që shfaqin, ku sulmet dhe kritikat ndaj organizatës së tyre dhe praktikave që ata aplikojnë i shohin si sulme personale individuale ndaj x apo y prej tyre. Duke qenë se ata e kanë privatizuar p.sh. KMSH dhe e kanë kthyer atë në një çiflig me korrespondencë të Gylenit, çdo kritikë madje edhe çdo sugjerim për ndryshim dhe përmirësim të institucionit ata e marrin si sulm personal ndaj tyre.

P.sh. kërkesa e mbi 200 imamëve dhe hoxhallarëve edhe pse qe formuluar me etikë dhe kërkon me të drejtë dhe në të drejtë përmirësimin e statutit të KMSH, gylenistët siç pritej e kanë lexuar atë si “sulm” ndaj tyre, dhe emrat që e kanë firmosur i kanë futur në rreth të kuq si kundërshtar potencial. Madje më shumë se kaq si armiq që kanë prishur biografinë e tyre para “partisë”.

Në disa raste kemi dëgjuar sesi gylenistët refuzojnë të emërojnë si imamë apo myftinj emra të ndryshëm që u janë propozuar, madje edhe nga njerëz të tyre, duke thënë se filani ka firmosur “kundra nesh”. Ndërkohë që ky filani ka firmosur kërkesën për ndryshime në statut apo ka përfshirë emrin e tij në deklaratën kundër qëndrimit të KMSH për “House of One” apo pjesëmarrjes në “iftarin e turpit”.

Të gjitha këto qëndrime parimore dhe të drejta fetarisht dhe moralisht janë për gylenistët “cene” në biografinë e atyre që janë përfshirë. Është pikërisht kjo edhe një nga arsyet kryesore pse shumë hoxhallarë të tjerë që kanë qenë plotësisht dakord me të gjitha këto raste nuk kanë dashur ta përfshijnë emrin e tyre në to, pikërisht për të mos hyrë në listat e zeza të gylenistëve me mentalitet komunist.

Sigurisht që do të vijë dita, dhe është e pashmangshme, sepse kështu funksionon ligji i Zotit në tokë, që “biografia e keqe” që na kanë vënë uzurpatorët e KMSH dhe okultët ilegjitim të saj, që kanë marrë peng makiavelisht dhe paturpësisht institucionin e përfaqësimit të muslimanëve në këtë vend, do të jetë “medalje nderi” për të “persekutuarit” e këtij regjimi ogurzi të Islamit në Shqipëri. Dhe natyrisht edhe atëherë nuk do të mungojnë “disidentët” e vetëshpallur, që sot ndoshta i mallkojnë me zemër gylenistët, por i lajkatojnë ata me gojë dhe me gishta.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit