5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Mbi edukimin islam të rinisë sonë

Më të lexuarat

Njëri ndër obligimet më të rëndësishëm mysliman, si anëtarë të bashkësisë islame, ndoshta më i pari dhe më me prioritet është edukimi islam i rinisë sonë. Angazhimi ynë dhe kujdesi të cilat i deponojnë në këtë fushë, duhet të jenë të vazhdueshme dhe nuk guxojnë kurrë të ndërpriten, përkundrazi duhet gjithnjë të përforcohen, ngase rinia e shëndoshë paraqet ardhmërinë e një populli.

Edukimi islam është themel në të cilin mandej mund të ndërtohet personaliteti i shëndoshë. Figura shpirtërore dhe morale e njeriut të ardhshëm dhe ngritja kulturore e tij varet nga themeli i tillë i shëndoshë, nga edukimi i pastër dhe i mirë islam, të cilat ai person i merr qysh në fëmijëri në shtëpi të prindërve.

Islami është amanet i madh dhe i shenjtë, të cilin të moshuarit duhet t’ua dorëzojnë të rinjve. Ndërsa ai amanet mund t’u dorëzohet në dorë vetëm atyre të cilët janë të denjë për ta bartur. Përndryshe nëse nuk kujdesemi për edukimin islam të të rinjve tanë, atëherë nuk do të kemi atë amanet kujt t’ ia dorëzojmë. Prandaj është përgjegjësi e madhe për të vjetrit! Të rinjtë nuk janë fajtorë, nëse nuk janë udhëzuar me kohë në rrugën e drejtë dhe nëse nuk u është shortuar edukata e mirë, e shëndoshë dhe e pastër islame.

Në një hadith Muhamedi a.s. ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrën (e pastër) Islame. Pastaj prindërit e tij (nëse nuk janë myslimanë) e bëjnë atë jahudi, ose të krishterë ose adhurues të zjarrit”.

Fëmija e pranon atë fe të cilën ia servojnë prindërit. Kur në një shpirt të shëndoshë e të pastër mbillet një filiz, më vonë është shumë vështirë ajo të nxirret. Sipas kësaj, është përgjegjësi e madhe e prindërve për ardhmërinë e fëmijëve të tyre.

Fëmijët në jetë do të fillojnë asaj rruge të cilën prindërit ia tregojnë dhe trasojnë. Nëse prindërit e lëshojnë rastin që ta udhëzojnë fëmijën e tyre, atëherë prindërit janë fajtorë dhe do të bartin përgjegjësinë për devijimin dhe shkatërrimin e tyre.

Këtë shumë bukur na e përshkruan Pejgamberi a.s. në hadith: “Çdo njëri prej jush është bari, dhe do të jetë i pyetur për kopenë e vet”. (d.m. th: Secilit prej nesh na është besuar diçka, e na është dhënë për ta ruajtur dhe do të japim përgjegjësi për të). Pastaj duke komentuar këtë hadith të shkurtër, por shumë të rëndësishëm, Pejgamberi a.s. thotë: “Udhëheqësi-sunduesi i një populli është bari dhe ai do të pyetet për kopenë e tij. Burri është bari në shtëpinë e tij (kujdeset për anëtarët e familjes së tij) dhe do të pyetet për kopenë e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo do të pyetet për kopenë saj (që i është besuar sidomos për edukimin e fëmijëve si nënë). Shërbëtori është bari në pasurinë e zotërisë së tij edhe ai do të pyetet për kopenë e tij (për pasurinë që i është besuar).

Pastaj hadithin, ai e përfundoi me atë që e tha në fillim: “Shkurtimisht, të gjithë ju jeni barinj dhe secili prej jush do të jetë përgjegjës për kopenë e tij”.

Ky hadith sherif është shembull shkollor i mjeshtërisë së shprehjes së Pejgamberit a.s. dhe aftësisë së tij që ashtu lehtë dhe thjeshtë ta thotë një mendim, i cili pastaj i argumentuar me shembuj të tillë bindës, do të jetë për secilin i qartë dhe i kuptueshëm.

Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. thotë: “Prindërit nuk mund t’ i lënë (trashëgim) fëmijës së tij asgjë më të vlefshme, sesa edukatën e mirë”. Më tepër vlen edukata e mirë sesa pasuria e madhe.

Abdullahu i biri i Omerit r.a., na jep këtë këshillë: “Eduko fëmijën tënd, ngase do të pyetesh si e ke edukuar dhe çka e ke mësuar. Ndërsa, fëmija do të pyetet a ka qenë i sjellshëm dhe i dëgjueshëm ndaj teje.” (a ka marrë udhëzimet dhe këshillat e tua dhe a ka vepruar sipas tyre).

Çdo njëri i ri i cili zhvillohet i ka dy edukues: i pari është prindi, ndërsa i dyti është mësuesi. Prandaj ekzistojnë dy faza, dy periudha në ndërtimin e një personaliteti.

Faza e parë është fëmijëria, ku prindi e ka fjalën kryesore, ndërsa faza e dytë është djalëria ose rinia, do të thotë koha e shkollimit dhe mësimit, kur njeriu në themelet e edukatës shtëpiake, arrin arsimim të nevojshëm dhe përgatitët për profesionin e ardhshëm, të cilin do të zgjedhë vetëm atëherë kur të bëhet i moshërritur. Prandaj, roli dhe përgjegjësia është e madhe jo vetëm e prindërit, por edhe e mësuesit për ndërtimin e një personaliteti.

Iskender Rumi (i njohur në Perëndim me emrin Aleksandri i Madh), sundues shembull dhe udhëheqës ushtarak i edukuar mirë, i dijshëm dhe i drejtë, e kishte traditë të thotë: “Babait tim i kam borxh, që po jetoj fizikisht, ndërsa mësuesit tim i kam borxh që po jetoj si njëri i dinjitetshëm”.

Nga këto fjalë shohim sesa ky sundues dhe humanist ka qenë falënderues edhe ndaj prindërit të tij edhe mësuesit të tij, të cilët i kanë dhënë edukatë të mirë dhe arsim të lartë.

Ne të gjithë e dimë se me edukimin e fëmijës duhet filluar akoma në fëmijërinë e hershme të tij. Aq më tepër kujdesi rreth edukimit të drejtë të personalitetit të ardhshëm duhet të filloi edhe më herët sesa fëmija të di për vetën, madje edhe para se ai të lind. Ngase shpirti i cili do vjen në trup, ekziston dhe jeton shumë para lindjes së trupit. E kanë pyetur një plak të urtë: “Kur duhet filluar edukimi i fëmijës”? Ai është përgjigjur: “Njëzetë vjet para lindjes së tij”. Kjo do të thotë se babai dhe nëna duhet të jenë të ndershëm dhe të edukuar, dhe atëherë të shpresohet që edhe fryti i një martese të tillë, të jetë i ndershëm dhe fëmijë i hairit. Andaj duhet çdo njeri para se të martohet, të shikon mirë se kush do të jetë nëna e fëmijëve të tij. Ngase nëna ka më shumë ndikim në fëmijë, sesa që ka babai. Për këtë shkak Pejgamberi ynë i ka rekomanduar atij që do të martohet, që në rend të parë të kërkojë të jetë myslimane e mirë. Me një rast kur e ka pyetur një shok i tij se cilën grua duhet zgjedhur për bashkëshorte, Pejgamberi a.s. është përgjigjur: “Gruaja merret për shkak të bukurisë, ose shkaku i pasurisë, ose shkaku i familjes së saj të famshme. Pastaj i tha por ti djalosh merre atë që është fetare (myslimane e ndershme). Zoti të dhashë mirësi. “Kështu në mënyrë prindërore Pejgamberi a.s. e këshilloi këtë shok.

Fëmijës që rritet dhe shkollohet, krahas edukatës islame, duhet t’i jepet edhe arsimimi i nevojshëm bashkëkohor, që ai fëmijë kur të rritet të mos mbetet prapa kohës dhe të mos vuaj në jetë.

Hazreti Aliu r.a., i cili na ka lënë shumë fjalë të urta, lidhur me këtë ka thënë: “Edukoi fëmijët tuaj për atë kohë, në të cilin ata do të jetojnë, (e jo sipas metodave dhe praktikës që ka mbisunduar në kohën e rinisë tuaj).”

Kohërat ndryshojnë, vijnë rrethanat tjera jetësore, duhet të jetohet nën kushtet tjera, Duhet parashikuar çdo gjë që mund të vijë dhe të sigurohemi, që të përgatitur ta presim çdo furtunë, të cilën jeta e bart me veti. Ai që pajiset me dituri të nevojshme, atë koha nuk e shkel.

Ne, në të kaluarën në këtë pikëpamje kemi gabuar shumë dhe kemi bërë lëshime të mëdha. Pleqtë tonë nuk u kanë dhënë të rinjve shkollim bashkëkohor, andaj bota jonë myslimane, në këtë pikëpamje ka mbetur prapa pjesëtarëve të feve tjera. Për këtë shkak edhe kemi vuajtur shumë. Është dashur të kalojnë disa dekada, dhe të shkundemi nga kjo prapambeturi, ndërsa sot kemi inteligjencën, rininë me arsimim të lartë, e cila është krenaria dhe uzdaja e jonë. Ndërsa shpresojmë që Fakulteti i Studimeve Islame tani do ta plotësojë zbrazëtinë dhe do ta përmirësoj atë që është lëshuar, duke dhënë kuadro të kualifikuara dhe të afta. Amin!

Marrë nga vepra “Izbor hutbi i vazova”, Bot. K.B. Islame në B.H. Sarajevë, 1979. Për botuesin Bilal Hasanoviq

Përktheu nga gjuha boshnjake: Hajrullah Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit