1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Martesa në të drejtën e Sheriatit (2)

Më të lexuarat


Me anë të matesës bashkëshortët ndihmohen në formimin e familjes, në edukimin e fëmijëve dhe në punët e përditshme gjatë jetës, ku secili plotëson punën e tjetrit.

Qëllilmet martesore

Martesa është një lidhje e ndershme dhe e begatshme, të cilën Zoti i Lartësuar e bëri për të mirën dhe dobinë e njeriut. Me lidhjen e martesës sendërtohen edhe lidhjet e forta ndër njerëzore. Me anë të saj formohet familja, arrihen lidhje të ngushta ndërmjet familjeve, shtresave, racave dhe popujve.

Me të, njerëzit do t’i arrijnë qëllimet e tyre të mira dhe do t’i plotësojnë dëshirat që kanë. E drejta e Sheriatit e ka nxitur dhe e ka pëlqyer martesën për shkak të efekteve të saj të dobishme për individin, shoqërinë dhe njerëzimin në përgjithësi.

Disa nga qëllimet kryesore të martesës janë:

a) Ruajtja e gjinisë njerëzore –

Është çështje themelore dhe e pa diskutueshme se martesa nënkupton shtimin e gjinisë njerëzore dhe paraqet faktorin kryesor për vazhdimësinë dhe qenësinë e saj derisa të jetë kjo botë. Edhe në Kuranin e Madhëruar tregohet për rëndësinë shoqërore të saj ku thuhet: “Zoti krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja fëmijë e nipa.”(1)

Edhe profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!), për rëndësinë e shtimit thotë: “Martohuni që të shtoheni. Unë do të mburrem me ju para popujve tjerë.”(2)

Martesa është rruga më e mirë për të lindur fëmijë dhe për t’u shumëzuar me pasardhës, në mënyrë që jeta të vazhdojë. Kështu ruhen lidhjet gjenetike, të cilave e drejta e Sheriatit u ka kushtuar një rendësi të veçantë.(3) Ruajtja e gjinisë njerëzore, e civilizimit dhe e vazhdimësisë së saj në funksion të njeriut si mëkëmbës i Zotit varet nga funksionimi i mekanizmit për lindje dhe shtim. Vazhdimësia e racës në procesin e vet kërkon strukturë, që vepron në mënyrë të organizuar.(4)

b) Formimi dhe ruajtja e familjes –

Me anë të martesës bashkëshortët ndihmohen në formimin e familjes, në edukimin e fëmijëve dhe në punët e përditshme gjatë jetës, ku secili plotëson punën e tjetrir.(5) Po të mos ishte martesa, shoqëria do të mbushej me fëmijë të pa ligjshëm dhe jashtë kujdesit familjar. Pra, gruaja merret me punët e saj dhe me gjithë atë që i përshtatët asaj si femër. Me fjalë të tjera, ajo hyen detyrat e saj ndaj burrit, kujdeset për familjen, për ruajtjen dhe edukimin e fëmijëve. Edhe burri bën punët e veta dhe gjithë atë që i takon natyrës së tij. Të gjitha këto arrihen në saje të gjuhës së përbashkët për ndihmë të ndërsjellë bashkëshortore për formimin e familjes me edukatë dhe themele të shëndosha.(6)

c) Qetësimi shpirtëror –

Marrëdhëniet në familje, ndërmjet të gjithë anëtarëve të saj, janë faktori më i rëndësishëm, veçanërisht ndërmjet burrit dhe gruas, por jo si marrëdhënie të nxitura nga interesi. Ato duhet të jenë marrëdhënie shpirtërore, ndarje e përbashkët e së mirës dhe së keqes, marrëdhënie që kultivon dashuri, mirësjellje, mëshirë dhe ndihmë në momentet vendimtare.(7) Prehja shpirtërore, dashuria dhe mëshira që ndien njeriu ndaj palës tjetër e që nuk mund t’i gjejë jashtë jetës bashkëshortore dhe nga të cilat kurrsesi nuk mund të heqë dorë, konsiderohen nevoja të domosdoshme biopsikike dhe shpirtërore. Kjo mëshirë dhe kjo dashuri specifike mund të arrihet vetëm në jetën bashkëshortore legjitime.(8)

d) Mbrojtja nga e ndaluara (harami) –

Nuk ka dyshim se ndër qëllimet kryesore të martesës është edhe mbrojtja nga lidhjet jashtëmartesore dhe largimi nga amoralitetet e tjera. Martesa është rruga për t’u mbrojtur dhe për të shpëtuar nga dëshirat epshore. Me anë të martesës, njeriu plotëson me rrugë hallall (të lejuara) dëshirën epshore që përmbahet në krijimin e tij.(9) Kënaqja e epsheve është një faktor që mbron nga amoraliteti, mirëpo kjo nuk realizohet ndryshe përveç se me vendosmëri dhe qëllim të pastër. Prandaj ai detyrohet të martohet që ta realizoj epshin e vet me atë që Zoti i Lartësuar e lejoi.

e) Nxitja e dashurisë prindërore –

Me anë të martesës lind dashuria e madhe e prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Kjo shihet qartë në ndikimin e madh që ka dashuria e prindërve te fëmijët dhe në sukseset gjatë përkujdesjes, edukimit, ruajtjes së interesave të tyre për një jetë të mirë dhe ardhmëri të gëzueshme.(10)

Kushtet për lidhjen e martesës

Prej mirësisë të së drejtës së Sheriatit dhe saktësisë së tij në vënien e dispozitave është që për çdo akt, çfarëdo qoftë ai, ka vendosur rregulla me të cilat rregullohen ato dhe përcaktohet vlefshmëria e tyre për t’u zbatuar dhe për të funksionuar. Çdo pune juridike që kryhet duhet t’i paraprijnë disa kushte elementare të caktuara të cilat duhet plotësuar për të qenë valide kontrata. Pasi që edhe martesa është një kontratë e përpiluar me pëlqimin e të dy palëve (burrit dhe gruas) ajo në vete duhet të përmbajë elementet e caktuara të cilat i japin fuqi ligjore. Që të jetë martesa e vlefshme sipas të drejtë së Sheriatit personat që dëshirojnë të lidhin martesë, duhet t’i plotësojnë disa kushte para se të bëhet lidhja e martesës e ato janë:

Propozimi për lidhjen e martesës dhe pranimi i propozimit –

Propozimi mund të bëhet nga cilado palë qoftë, ndërsa pranimin e propozimit e bënë pala të cilës i është bërë propozimi. Kur konrraktohet një martesë, asaj duhet t’i paraprijë një propozim i drejtpërdrejtë, i qartë, i ndjekur nga një pranim përgjegjës nga ana tjetër. Që të dyja elementet, edhe propozimi edhe pranimi, duhet të jenë të qarta dhe të shprehura gojarisht, në qoftë se palët kontraktuese janë vetë të pranishme. Përndryshe, zëvendësimi i të shprehurit gojarisht mund të bëhet me shkrim.(11)

E drejta e Sheriatit i ka vënë këto dy fjalë, propozimin e pranimin, si argument për pajtim, për arsye se pajtimi është çështje shpirtërore, të cilën nuk mund ta kuptojmë përveçse me anë të shprehjes se këtyre fjalëve, propozimit dhe pranimit.(12)

Shprehjet më të mira për kontratën e martesës, për të cilat juristët e të drejtës së Sheriatit janë të një mendimi janë: “e lidhi kurorën me ty” ndërsa nga ana e vajzës “martohem me ty” ose shprehja e kujdestarit të saj “vajzën që e kam në kujdestari e martoj për ty”. Në këto mënyra pala e parë bënë propozimin e martesës, e nëse në atë rast, pala tjetër thotë: “pranova”, martesa konsiderohet e lidhur, por duhet të plotësohen edhe kushtet të tjera.(13)

Kujdestari (veliu) i vajzës –

Për vlefshmërinë e martesës, sipas numrit më të madh të juristëve islam, kusht është pajtimi i kujdestarit (veliut) të vajzës. Shumica e juristëve konsiderojnë se gruaja nuk mund ta martojë vetveten, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Zotit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të!): “Nuk ka martesë, veçse me kujdestar.”(14) Nëse gruaja e marton vetveten e saj, atëherë martesa e saj është e pa vlefshme, pa marrë në konsideratë faktin nëse ky akt u ndërmor në mënyrë direkte nga ajo, apo ia ngarkoi këtë dikujt tjetër. Përjashtim bëjnë juristët e shkollës juridike hanefij,(15) të cilët e lejojnë që gruaja ta martoj veten. Gjithashtu, ajo ka të drejtë ta autorizoj kë të dojë, një person, që do ta martojë atë. Mendimin e vet ata e argumentojnë me fjalët e Zotit të Lartësuar: ” … mos i pengoni që të martohen sërish për burrat e tyre, nëse pajtohen të jetojnë mirë … “(16)

Gjithashtu, për argument i kanë marrë edhe fjalët vijuese të Profetit të Zotit:

“Gruaja ka të drejtë më të madhe (në aspektin e martesës) se kujdestari i saj.”(17)

Kujdestar për femrën konsiderohet ai mashkull i cili e ka arritur moshën e pjekurisë, i shëndosh mendërisht dhe që ka me të lidhje gjaku, por nga ana e babait dhe jo nga farefisi i nënës. Prej atyre që i plotësojnë këto kushte janë: babai, gjyshi nga ana e babait, djali (për vejushën), djali i djalit, vëllai (prej babës dhe nënës), vëllai nga ana e babait, xhaxhai (nuk bën pjesë xhaxhai i cili është vëlla me babanë vetëm nga ana e nënës së tyre), djemtë e xhaxhait dhe djemtë e djemve të tyre.(18)

Nuk marrin pjesë në kujdestarinë e femrës vëllezërit vetëm nga nëna dhe as djemtë e tyre. Po ashtu nuk merr pjesë në kujdestari edhe gjyshi i saj nga ana e nënës dhe dajallarët.(19) Nëse femra nuk ka përgjegjës, apo mungon për një kohë të gjatë, apo nuk pranon që ta martojë me një njeri të denjë, e marton prijësi siç ka ardhur në fjalën e Profetit: “Prijësi është përgjegjës për atë që nuk ka përgjegjës.”(20)

Kjo që ta kemi të njohur se çfarë përgjegjësie ka veliu ndaj atij që Zoti i Lartësuar e ka bërë përgjegjës, ngase kjo punë me të vërtetë është porosi nga Zoti i Lartësuar, e ka obligim të kujdeset për të dhe këtë porosi duhet ta vendosë në vendin e vet. Atij nuk i lejohet të manipulojë më të për qëllime personale ose ta martojë më dikë që nuk përshtatet, për shkak se ai lakmon në diç që i ofrohet për të, sepse kjo konsiderohet tradhti.(21)

Zoti i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, mos e tradhtoni Zotin dhe të dërguarin, e kështu të tradhtoni amanetet tuaja ndërsa e dini sa e keqe është kjo.”(22)

Dëshmia në martesë –

Këtë kusht do ta sqarojmë duke u përqendruar në çështjet e mëposhtme:

a) Statusi i dëshmisë në jurisprudencën islame – Sipas mendimit të shumicës së juristëve islam, martesa nuk mund të lidhet pa prezencën e dy dëshmitarëve nga shkaku se nëpërmjet tyre mbrohen të drejtat dhe konfirmohet marrëveshja. Martesa nuk konsiderohet e vlefshme derisa dëshmitarët të jenë të pranishëm gjatë lidhjes së martesës.(23) Profeti (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka martesë pa praninë e kujdestarit dhe dy dëshmitarëve të drejtë.”(24)

b) Kushtet e dëshmitarëve –

Përveçse martesa nuk mund të jetë e vlefshme pa prezencën e dy dëshmitarëve, është kusht që dëshmitarët të plotësojnë kushte për dëshmi. Nuk mund të jetë çdokush dëshmitar, nëse nuk i plotëson këto kushte:

– Dëshmitari duhet të jetë mençur, ngase dëshmia e të çmendurit nuk vlen për martesë.

Dëshmitari duhet të jetë rnoshërrirur, në pubertet, sepse dëshmia e të miturit nuk pranohet, madje edhe nëse është në gjendje t’i dallojë gjërat.

– Për dëshmi duhet të jenë dy meshkuj, apo në mungesë të tyre, një mashkull dhe dy femra.

– Është kusht që dëshmitarët të jenë të lirë, sepse dëshmia e robit në kontratën e martesës nuk është e vlefshme.

– Dëshmitarët duhet t’i dëgjojnë fjalët e të dy palëve dhe t’i kuptojnë qëllimet e fjalëve dhe gjuhën e tyre. Në këtë aspekt, dëshmia e të përgjumurit, shurdhir, memecit dhe të dehurit është e papranueshme.(25)

c) Kushtëzimi i drejtësisë për dëshmitarët –

Për sa i përket kushtëzimit të drejtësisë për dëshmitarët, hanefitë mendojnë se ky nuk është kusht dhe martesa është e vlefshme edhe me dëshminë e mëkatarëve. Kushdo që pranohet të jetë kujdestar i gruas gjatë aktit të martesës është i vlefshëm të jetë edhe dëshmitar, sepse qëllimi i dëshmisë në martesë është shpallja e saj.(26) Ndërsa juristët e shkollës juridike shafij(27) thonë: Duhet që dëshmitarët të jenë të drejtë duke u bazuar në thënien e sipërpërmendur, në të cilin Profeti (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka martesë pa praninë e kujdestarit dhe dy dëshmitarëve të drejtë.”

Sipas tyre, në qoftë se martesa kryhet me dëshminë e dy të panjohurve (që nuk dihet nëse janë të drejtë apo jo), atëherë kjo dëshmi lejohet.(28)

d) Dëshmia e grave –

Dijetarët e shkollës juridike shafij dhe hanbeli(29) kushtëzojnë që dëshmitarët të jenë burra. Sipas tyre, akti i martesës me dëshminë e një burri dhe dy grave nuk është i vlefshëm. Ata argumentojnë se martesa nuk është kontratë materiale, nuk ka një qëllim të tillë dhe në të marrin pjesë zakonisht vetëm burrat. Për këtë arsye kjo nuk mund të kryhet me dëshminë e grave.(30)

Ndërsa juristët e shkollës juridike hanefij kanë mendim tjetër lidhur me këtë çështje dhe deklarojnë: martesa mund të lidhet me prezencën e dy dëshmitarëve (meshkuj) ose me prezencën e një mashkulli dhe dy femrave.(31)

Barabarësia e dëshmisë së dy grave me dëshminë e një burri nuk do të thotë se burri është më i besueshëm se sa femra, por e drejta e Sheriatit e dallon natyrën e të dy palëve. Sipas parimeve sheriatike nuk preferohet që femra të marrë pjesë në tubimet e meshkujve. Mu për këtë bëhet dallimi në dëshmi ndërmjet gjinisë femërore dhe mashkullore. Mashkulli ka më shumë mundësi se sa femra për ta lajmëruar masën për lidhjen e kësaj kontrate, sepse atij i jepet rasti të kontaktoj më shumë me njerëz neper tubime të ndryshme.(32) Gjykohet kështu ngase dëshmia e kontratës së martesës është thjesht lajmërim e asgjë më tepër.

Zoti i Lartësuar thotë: “Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi i juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra nga dëshmitarët që i pëlqeni.”(33)

_____________

1. En-Nahl, ajeti 72.

2. Hadithin e transmeton Ebu Daudi, hadithi nr:2050.

3. Sejid Sabik, vep. e cit., fq. 89 ..

4. Ahmed Hurshid, Familja dhe lslami, Tiranë 2000 fq. 17.

5. Abdullah N. Ulvan, Rregullat e fejesës e të martesës dhe detyrimet e bashkëshortësisë, Tetovë, 1993. Fq. 9.

6. Ibid. 7. Ahmed Hurshid, vep. e cit., fq. 24.

8. Grup autorësh, vep. e cit. fq. 53.

9. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, E Drejta Islame (FIKH) III. Stamboll. 2013. fq. 10.

10. Abdullah Nasih Ulvan, vep. e cit. fq. 11.

11. Hamude Abdulati, vep. e cit., fq. 60.

12. Abdullah; Nasih Ulvan, vep. e cit .fq.

13. Muhamed Ahmed Kenan, Elementet Themelore të Jetës Bashkëshortore, Gostivar. 2005, fq. 45.

14. Hadithin e transmeton Ebu Davudi kapitulli i martesës, tema: Kujdestari, hadithi me nr: 2085.

15. Hanefitë janë pasuesit e shkollës juridike hanefite (njërës nga katër shkollave juridike të së drejtës islame) të themeluar nga En-Numan bin Thabit, teolog dhe jurist fetar; i njohur me emrin Ebu Hanife. i lindur rreth vitit 699 në Kufe-Irak .. Pas vdekjes së mësuesit të tij të quajtur Hamadit. Ebu Hanife bëhet autoriteti më i madh mbi çështjet e të drejtës islame dhe përfaqësuesi më i njohur i shkollës së Kufes të mendimit juridik. Ai ka pasur shumë nxënës privat, më të njohurit kanë qenë Ebu Jusufi, Muhamedi dhe Zuferi. Ka dhënë mendime juridike me cilësi të këshilltarit juridik privat (myftiut), por nuk ka kryer funksionin e kadiut. Ka vdekur në Bagdad në vitin 767. (Shih: Mr: Fikret Karçiq; “Historia e së drejtës së sheriatit”, fq. 61). Vlen të theksohet se myslimanët e Kosovës janë pasues të mendimit dhe shkollës hanefite në çështjet juridike praktikë që nga depërtimi i fesë islame në keto troje.

16. El-Bekare, ajeti 232.

17. Hadithin e transmetojnë Ebu Daudi, Muslimi dhe Nesahiu.

18. httto://www.studentet.info/modules/ipboard/index.php?snowtopic=39832.

19. Ibid

20. Hadithin e transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi.

21. Muhamed ibn Salih el-Uthejmin, vep. e cit., fq. 4.

22. El-Enfalë – ajeti 27.

23. Sejid Sabik, vep. e cit . f1. 128.

24. Hadithin e transmeton Darakutniu (Hadith Sahih. Sahih: el-Xhami 7557).

25. Grup autorësh. vep. e cit., fq. 68.

26. Sejid Sabik, vep. e cit. fq. 130.

27. Shafitë janë pasuesit e shkollës juridike shafite (njërës nga katër shkollave juridike të së drejtës islame) të themeluar nga Muhamed bin Idris bin Abbas. esh-Shafiu i cili lindi në vitin 767 në Gaza. Mësimet i mori nga shumë dijetarë, njëri prej tyre edhe Imani Maliku. Pas akuzave ndaj tij dërgohet në Bagdad ku shoqërohet me nxënësin e Imam Ebu Hanifes. Muhames esh-Shejbani. Shoqërimi i tij me këtë jurist ndikoi në zhvillimin e mëvonshëm juridik të Shafiut. Mendimi juridik irakian ka zhvilluar te Shafiu qëndrim kritik ndaj tradicionalizmit të Imam Malikut. Vdiq në Egjipt në vitin 819 në moshën 58 vjeçare. (Shih: Mr: Fikret Karçiq, “Hisioria e së drejtës së sheriatit”, .fq.71).

28. Sejid Sabik, vep. e cit; .fq. 130.

29. Hanbelitë janë pasuesit e shkollës juridike Hanbelite (njërës nga katër shkollave juridike, të së drejtës Islame) të themeluar nga Ahmed bin Hanbeli i lindur në Bagdad në vitin 780. Është shkolluar në Bagdad, qendër e atëhershme e shkencave dhe kulturës. Ka dëgjuar ligjërata liga nxënësi i Imam Ebu Hanifes, Ebu Jusufi dhe dijetarë të tjerë. Vdiq në Bagdad në vitin 855. (Shih: Mr: Fikret Karçiq, “Historia e së drejtës së sheriatit”,.fq. 75).

30, Sejid Sabik. vep. i cit., fq. 131.

31. Ahdulhamid Mahmud Tuhmaz, vep. e cit. Fq. 80.

32. Grup autorësh, vep. e cit.,fq. 69.

33. Kuran, El-Bekare, ajeti 282.

LL.M. Argjent Xheladini

Dituria Islame 366

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit