-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Manastiri i Deçanit dhe përkujdesja Osmane ndaj tij

Më të lexuarat

Fahri Avdija

  • Perandoria Osmane demonstroi një përkushtim të jashtëzakonshëm për të nxitur harmoninë midis komuniteteve.
  • Qeveria osmane ndërhyri në mënyrë aktive për të ndërmjetësuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet dhe tensionet fetare që lindën midis komuniteteve të ndryshme fetare.
  • Në vitin 1903 në Manastirin e Deçanit, i cili, gjatë periudhës osmane, ishte nën juridiksionin e sanxhakut të Pejës, dy priftrinj serbë, kishin ardhur në Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ardhja e tyre u ndesh me rezistencën e popullatës ortodokse të fshatit.
  • Për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës, nga autoritet osmane dy priftërinjët e lartëcekur u kërkua që të largoheshin nga Kisha e Deçanit, në të kundërt do të dëboheshin me forcë. 
  • Ky dokument nxjerr në pah argumentin se në periudhën osmane Manastiri i Deçanit konsiderohej vend i shenjtë i besimtarëve ortodoks vendas, dhe assesi një manastir serb.

Gjatë gjithë historisë së saj të gjatë, Perandoria Osmane demonstroi një përkushtim të jashtëzakonshëm për të nxitur harmoninë midis komuniteteve të ndryshme fetare brenda territoreve të saj. Ky përkushtim i palëkundur ilustron qëndrimin aktiv të qeverisë osmane në menaxhimin dhe zbutjen e tensioneve dhe mosmarrëveshjeve fetare që u ngritën në mënyrë të pashmangshme në një shoqëri kaq të larmishme dhe me shumë besime. 

Në qendër të kësaj qasjeje, përveç lirisë së garantuar të besimit, ishte edhe mbrojtja e vendeve të adhurimit, duke përfshirë xhamitë, kishat dhe sinagogat, që u përkisnin myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve. Osmanët i shihnin këto vende të shenjta jo vetëm si struktura fizike, por edhe si simbole të identitetit shpirtëror dhe kulturor të komuniteteve brenda Perandorisë. 

Perandoria Osmane, e shtrirë në tre kontinente dhe duke përfshirë shumë etni dhe përkatësi fetare, e kuptoi rëndësinë e harmonisë fetare në ruajtjen e stabilitetit dhe kohezionit brenda kufijve të saj. Si e tillë, ajo zhvilloi sisteme dhe politika të sofistikuara që synonin mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve të ndryshme fetare dhe faltoreve të tyre. Për rrjedhojë, Perandoria Osmane zbatoi masa të rrepta për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e këtyre institucioneve fetare, pavarësisht nga besimi që përfaqësonin. Për më tepër, qeveria osmane ndërhyri në mënyrë aktive për të ndërmjetësuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet dhe tensionet fetare që lindën midis komuniteteve të ndryshme fetare. Qasje kjo e cila synonte të parandalonte përshkallëzimin e konflikteve dhe të promovonte bashkëjetesën paqësore midis komuniteteve të ndryshme. 

Një shembull i dukshëm i këtij përkushtimi është ngjarja e vitit 1903 në Manastirin e Deçanit, i cili, gjatë periudhës osmane, ishte nën juridiksionin e sanxhakut të Pejës. Në vitin 1903, Platon Veledijovanoviç dhe Jermijokoviç, dy priftrinj, nënshtetas serbë, kishin ardhur në Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ardhja e tyre u ndesh me rezistencën e popullatës ortodokse të fshatit Deçan. Refuzimi i këtyre individëve nxjerr në pah tensionet fetare të rrënjosura thellë në mes besimtarëve ortodoksë vendas dhe atyre serbë. Për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës, nga dy priftërinjët e lartëcekur u kërkua që të largoheshin nga Kisha e Deçanit, dhe në rast se refuzojnë të largohen, ata u informuan se do të dëboheshin me forcë. Ky ultimatum i rrept nënvizon ashpërsinë e ndarjes fetare dhe mundësinë për konflikt më të madh, në rast se mungon ndërhyrja e qeverisë Osmane në zgjidhjen e problemit. 

Sidoqoftë, pas hetimeve të mëtejshme u zbulua se vizita e priftërinjve dyshohet se ishte bazuar në një ftesë nga Nikfur Efendiu, mitropoliti i Prizrinit. Andaj në përpjekje për të zbutur çdo mosmarrëveshje të mëtejshme, u mor vendimi për t’i kthyer priftërinjtë në vendin e tyre. Po ashtu, në një telegram të marrë nga Vilajeti i Kosovës theksohej nevoja për informimin e subjekteve të lartëcekura, që të mos dërgojnë klerikë të huaj në Kishën e Deçanit. 

Më poshtë po sjell edhe përkthimin e dokumentit origjinal me numrin arkivor BEO.002148.161038.001, dërguar Ministrisë së Feve dhe ka të bëjë me incidentin në Manastirin e Deçanit, i cili hedhë  dritë mbi kontekstin historik dhe reagimin e shtetit osman ndaj situatës: 

Ministrisë së Feve

Me datë 27 xhemazijel evel (1)321

Me datë 8 gusht (1)319

“Së fundmi, dy priftrinj serbë të quajtur “Platon Veledijovanoviq” dhe “Jermijokoviç” kanë vizituar kishën e Deçanit, e cila ndodhet brenda Sanxhakut të Pejës dhe i takon të krishterëve ortodoksë vendas. Mirëpo këta priftrinj nuk u pranuan nga popullsia ortodokse e fshatit Deçan, andaj nëse nuk largohen me dëshirë prej andej, do të largohen me dhunë. Pas shqyrtimit të situatës, u kuptua se në fakt këta priftërinj kanë shkuar në kishën e përmendur dhe kanë dashur të qëndrojnë atje pas ftesës që morën nga Nikfur Effendiut, mitropolitit të Prizrinit. Për këtë arsye, për të shmangur çdo parregullsi, priftërinjëve iu kërkua të ktheheshin në vendin e tyre, ndërsa sipas një telegrami të ardhur nga Vilajeti i Kosovës, mësohet se Patrikana më në krye mitropolitin është njoftuar që në të ardhmën të mos sjellë klerikë të huaj në atë vend.”

Ky dokument nxjerr në pah argumentin se në periudhën osmane Manastiri i Deçanit konsiderohej vend i shenjtë i besimtarëve ortodoks vendas, dhe assesi një manastir serb. Ndërsa rasti i “Platon Veledijovanoviqit” dhe “Jermijokoviqit” në Kishën e Deçanit shërben si një përkujtues i sfidave dhe provokimeve të vazhdueshme që shteti Serb ushtron përmes objekteve fetare ortodokse në Kosovë. Si përfundim, angazhimi i jashtëzakonshëm i Perandorisë Osmane për të ruajtur harmoninë midis komuniteteve të ndryshme fetare dhe për të mbrojtur vendet e tyre të adhurimit pasqyron qasjen e saj progresive dhe gjithëpërfshirëse ndaj qeverisjes. 

Duke i dhënë përparësi tolerancës fetare, dialogut dhe respektit të ndërsjellë, osmanët krijuan një precedent për bashkëjetesën paqësore që jehoi ndër shekuj dhe vazhdon të frymëzojë përpjekjet drejt mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërfetar sot. Pra, përderisa qasja e Perandorisë Osmane nënvizon përkushtimin e saj ndaj tolerancës fetare dhe mbrojtjes së hapësirave të shenjta, perspektivat e kundërta dhe angazhimet armiqësore historike shfaqen kur shqyrtohen qëndrimet e shteteve të tjera, veçanërisht të Serbisë, ndaj Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit