4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

LIDERSHIPI EDUKATIV DHE FUSHAT E TIJ NË KUR’ANIN FISNIK- Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

Më të lexuarat

Vendi ku duam të ndalemi është një kapitull Kur’anor sipas të cilit çdo gjë e dobishme për njerëzit, qoftë shpirtërore – fetare a materiale, është e nurshme [1] në vetvete dhe ka rëndësi të veçantë, dhe si e tillë nuk duhet shpërfillur as duhet shpërdorur!

Ky princip është konfirmuar në disa vende në Kur’an ndërsa tek dijetarët, veçmas usulistët[2], njihet si El-kul-lijjat el-hams apo ed-darurijjat el-hams që në shqip mund të përkthehen si pesë objektivat kryesorë të fesë ose pesë gjërat e domosdoshme.

Këto pesë objektiva kryesorë janë:

  1.  ruajtja e fesë,
  2.  ruajtja e jetës,
  3.  ruajtja e pasardhësve,
  4.  ruajtja e mendjes, dhe
  5.  ruajtja e pasuris

Logjikisht, për t’i ruajtur këto pesë qëllime, duhet ekzistuar një organ, një autoritet, ndryshe njerëzit nuk do të kujdeseshin për to dhe as që do të donin të dinin sa të shenjta janë!

Ky organ ose autoritet është Imami, Halifeja, mbreti, presidenti ose i autorizuari për to! Mungesa e tyre do ti sillte shoqërisë shkelje të të drejtave, shtypje, shpërfillje, shkurt do të mbretëronte e keqja dhe kaosi total!

Kjo flet për rëndësinë që ka udhëheqja e drejtë dhe e urtë por dhe përqafimi i saj nga populli.

Për ta funksionalizuar këtë udhëheqje në praktikë, Allahu xh.sh., krijoi Ademin a.s. dhe ia ngarkoi detyrën e Halifes në tokë, në mënyrë që të mbrojë dhe sigurojë këto të drejta si dhe t’ua përcjell brezave të ardhshëm. Për ta rrënjëzuar udhëheqjen e drejtë në shpirtrat dhe zemrat e gjeneratave, Allahu xh.sh. vazhdimisht i dërgoi njerëzimit pejgamberë, nga Nuhu a.s. e deri tek Muhammedi a.s., pastaj sahabet (shokët e Muhamedit) a.s., shokët e tij, gjeneratat pas tyre, Sulltana e liderë të drejtë dhe reformatorë.

Çështja e edukimit [3], udhëzimit dhe arsimimit është më e rëndë nga ç’pandehim! Është amanet hyjnor që na është ngarkuar në raport me familjet tona dhe me shoqërinë, qofshim nëpunës a edukatorë, përgjegjës në institucione arsimore, publike apo  ushtarake. Këtë koncept e gjejmë qartë e bukur në Kur’an. Allahu xh.sh., thotë:

O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por ato i zbatojnë menjëherë.” [Tahrim: 6]

Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin, të jepte zeqatin dhe si i tillë ishte i mirëpritur te Zoti i vet..” [Merjem: 55]]

Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” [Teube:71]

 

Këtë pikpamje e gjejmë dhe në hadithet e Muhammedit a.s. Në hadithin e Abdullah bin Omerit r.a. të shënuar në Sahihun e Buhariut, qëndron se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Secili prej jush është bari (përgjegjës), andaj secili do të japë përgjegjësi për kopenë e vet. Burri është përgjegjës për familjen e tij, ndaj do të japë përgjegjësi për të. Gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të vet, ndaj do të pyetet për të. Shërbëtori është përgjegjës për pasurinë e zotërisë së vet, ndaj do të pyetet për të.” Mendoj se ka thënë edhe: “Burri është përgjegjës për pasurinë e babait të vet, ndaj do të pyetet për të. Pra, secili është bari, ndaj secili do të pyetet për kopenë e vet.[4]

Në versionin e shënuar në Sahihun e Ibn Hibbanit qëndron: “Para Allahut xh.sh. do të japin llogari dhe ata që janë ngarkuar si përgjegjës për punët me përgjëgjësi dhe do të shihet nëse e kanë kryer punën me përgjegjësi a jo. Njëherit do të japin llogari dhe për anëtarët e familjes.[5]

Për ta jetësuar këtë koncept në praktikë, për të përmbushur rolin tonë ekzistencial dhe human me përkushtim ndaj Zotit  tonë,  na  duhet  dituria, përvoja dhe durimi. Kjo është ajo që ka diktuar nevojën e njohjes me sekretet e udhëheqjes dhe lidershipit Kur’anor në edukim dhe udhëzim. Kur’ani na jep shembuj dhe mësime të rëndësishme në këtë aspekt dhe sa për ilustrim, do të përmendnim shembullin e Ibrahimit a.s. me të atin në thirrje dhe këshillim për ta pranuar udhëzimin fetar. Pastaj shembullin e Nuhut a.s. me të birin, shembullin e Llukmanit a.s. me të birin po kështu.

Po të mos kishim frikë monotoninë nga zgjerimi i tepërt, do flisnin për të gjithë, mirpo këtë të fundit, pra shembullin e Llukmanit a.s. në edukimin e të birit me ashk e dashuri do ta shtjellojmë këtu për rëndësinë që ka. Këshillat e tij janë me shumë vlerë dhe duhet patjetër të përvetësohen. Tematikisht, ato mund të klasifikohen në katër fusha:

Fusha e kredos e manifestuar në njëshmërinë e Allahut xh.sh. – monoteizmin

Kur’ani na ka ofruar një metodologji të rrallë dhe të çmuar për trajtimin e problemeve intelektuale, fetare, morale e shoqërore. Është mësim hyjnor ku fillimisht meson të merresh me identifikimin e problemit më pas me terapinë adekuate. Ikja nga këto parime për të përvetësuar mënyra të tjera nënkupton apriori dështim.

Besimi nuk zë vend vetëm në zemër por edhe në mendje, dhe mes tyre nuk ka ndarje. Zemra dhe mendja ndikohen nga çështjet emocionale dhe filozofike (konceptuale) ato e përbëjnë fatin e njeriut. Perceptimi i vërtetë përkitazi me Allahun xh.sh., rububijetin, uluhijetin, emrat [6] dhe tiparet e Tij, për bazë ka zemrën, në varësi të së cilës janë sjelljet dhe veprimet e njeriut.

Më qartë, nëse zemra ndryshon për të mirë, ndryshojnë për të mirë edhe sjelljet e besimtarit. Për këtë shkak, Pejgamberi a.s., ka thënë: “Vini re, në trup është një copë mishi (organ), i cili nëse është i shëndoshë, i shëndoshë është tërë trupi, e nëse është i prishur (sëmurë), i prishur është tërë trupi. Vini re, ajo është zemra. ”[7]

Këtu mbase qëndron sekreti pse i urti Lukman, këshillat dhe udhëzimet e para që ia dha të birit i përqëndroi te besimi në Zot, (monoteizëm), ndërkohë që e urdhëroi të braktiste shirkun(idhujtarinëpolitezimin), sepse me monoteizm adhurohet vetëm Zoti i pastër dhe i dëlirë,  ashtu siç Ai kërkon nga krijesat! Duke na folur për këtë, Allahu xh.sh., thotë:

“(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. [ Llukman: 13]

Llukmani e këshilloi të birin të largohej nga idhujtaria sepse shpirti që mëton lartësim, do pastrimin, ngritje dhe përsosmëri, ndaj duhet patjetër të heq dorë nga veset e këqia, degjenerimi dhe devijimi. Transformimi në bindje dhe në besim nënkupton reformë në vepra dhe në moral.

Figurativisht, nëse besimi dhe bindjet janë trungu, veprat dhe morali janë degët, kështu që përkujdesja për trungun reflekton edhe tek degët.

Edukatorët e mëdhenj të ymetit na kanë mësuar se zhveshja nga të metat duhet të zavendësohet me virtyte të çmuara.

Sa e vlefshme është kjo porosi e Llukmanit na meson dhe shpjegimi i bukur që i bën hoxha dhe dijetari dhe mufessiri, Sa’di –u, Allahu e mëshiroftë!: “ Llukmani i dha një këshillë të birit në të cilën ka urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja dhe të cilat shoqërohen me nxitje dhe frikësim. (Më qartë) e urdhëroi për besim të sinqertë dhe të pastër në Allahun dhe e ndaloi nga idhujtaria duke ia shpjeguar edhe arsyen e kësaj këshille:

“…Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. [Llukman: 13]

Shkaku pse është padrejtësi e madhe qëndron në atë se nuk ka vepër më të shëmtuar dhe më mizore se të barazosh atë që është krijuar nga dheu me Atë që zotëron krijesat, ta barazosh atë që nuk posedon asgjë me Atë që posedon çdo gjë, ta barazosh atë që ka të meta dhe që është i varfër nga çdo aspekt me Atë që është i përsosur dhe i pasur absolut, ta barazosh atë që nuk mund të gëzojë mirëqenie e salltanet vetvetiu me Atë që çdo mirësi e begati që posedojnë njerëzit materiale e fetare, fizike e shpirtërore, e kanë prej Tij dhe se askush pos Tij nuk mund tua largojë të keqen.

Së këndejmi, a ka padrejtësi më e madhe se kjo (që  ti jep Allahu tërë këto të mira e ti ta mohosh)? A ka më të padrejtë se ai që Allahu e krijoi për ta adhuruar dhe për ta besuar sinqerisht ndërsa ai shkon dhe i beson atyre që nuk posedojnë asgjë, duke i bërë vetes kështu padrejtësi të madhe?” [8].

Analiza që ka bërë Hoxha Sa’di është më e mira që mund të bëhet sepse, nga aspekti fetar, nuk përfillen normat dytësore para se të mbillen në zemër bazat e besimit fetar. Në fakt, këtu qëndrojnë dhe principet bazike fetare, në thirrjen e të tjerëve në besim dhe në zhvillimin e mëtejmë të raporteve tona fetare.

Ai që ka bërë shirk (ka rënë në idhujtari), ai ka bërë mëkatin më të pafalshëm, ka injoruar faktet dhe argumentet e panumërta që e rrethojnë, ka shpërdorur dhe përbuzur mirësitë dhe begatitë e shumta që ka, ka mohuar dhuratën nga Zoti – një gjë që nuk do të duhej ta bënte kurrë!

Duke iu referuar ajetit në fjalë, një shpjegim brilant për raportet edukative baba-djalë (prind-fëmijë) dhe për rëndësinë e teuhidit dhe besimit në Allahun ka dhënë edhe komentatori i shquar i Kur’anit prof. Sejid Kutubi: “Pastaj trajtohet çështja e Teuhidit në formë të një këshille të Llukmanit dhënë të birit:

“(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. [Llukman: 13]

Është këshillë, jo akuzë, sepse babai i do fëmijës së vet vetëm më të mirën. Babai është vetëm këshillues, jo mashtrues i fëmijës së vet. Ja, ky është Llukmani i urtë, i cili po e ndalon të birin nga idhujtaria duke ia shpjeguar të birit që kjo ndalesë që shpie në idhujtari është padrejtësi e madhe ndaj vetvetes dhe këtë ia konfirmon dy herë: herën e parë duke e paraprirë ndales dhe duke e ndarë justifikim dhe herën e dytë duke përdorur pjesëzat përforcuese (inne إنّ dhe lamin ل )në ndalesë…

Kjo është e vërteta që Muhammedi a.s. ia prezanton popullit të vet por që polemizojnë rreth saj, që po dyshojnë në qëllimet e tij, që po kanë frikë se mbrapa kësaj fshihet marrja e pushtetit nga duart e tyre dhe shfaqja e epërsisë ndaj tyre. Nëse ata mendojnë ashtu, atëherë çfarë mund të thuhet për këshillën e Llukmanit që ia jep të birit1.

Ajo është e pastër nga çfarëdo dyshimi dhe larg çfarëdo supozimi. Kjo është një e vërtetë e moçme që rrjedh në gjuhën e atyre që Allahu i ka begatuar me urtësi dhe me të cilën synohet vetëm e mira dhe asgjë pos saj…dhe ky ndikimi emocional është pikërisht ai që synohet…

Në Kur’an dhe në porositë e Pejgamberit Muhammed a.s. porosia e fëmijëve për prindërit përsëritet më shpesh në raport me porosinë e prindërve për fëmijët. Kjo e fundit ka ardhur kryesisht me kuptim të dashurisë dhe në rrethana të caktuara sepse është natyra e pastër njerëzore ajo që njeriut ia ngarkon përgjegjësinë e edukimit të fëmijës dhe mbikëqyrjes së tij. Natyrshmëria (instinkti) e shtyn njeriu të përkujdeset për gjeneratën e re që jeta të vazhdojë ashtu siç Allahu dëshiron.

Prindërit do të japin për fëmijën  e  tyre  çdo  gjë  që  kanë,  fizike  e materiale, pa u ndier keq dhe pa u ankuar, madje ndonjëherë dhe krejtësisht pavëmendshëm. Madje e bëjnë me aq dashuri e gëzim sikurse marrin e jo japin (babai dhe nëna). Natyrshmëria mjafton si shtytje për kujdesin ndaj fëmijëve, edhe nëse nuk ka fare këshilla të kësaj natyre. 

Ndërsa fëmija,  ai  ka  nevojë të përhershme për  këshilla  nga më të vjetrit – gjenerata sakrifikuese që i ngriti dhe që  dalëngadalë po largohet nga kjo jetë… Fëmija nuk ka mundësi të shpaguante prindërit edhe po tua kushtonte atyre tërë jetën! Nënës, kuptohet nga vet natyra, i bie barra më e madhe në gjithë këtë process të rritjes dhe formimit…[9]

Interpretimi i prof.Sejid Kutubit jo vetëm që, për nga ana stilistike, është i rrallë dhe i mrekullueshëm, por është edhe logjik dhe real përsa i përket raportit prindër-fëmijë dhe qëllimeve që fshihen prapa këshillave ndaj fëmijëve, sepse prindi nuk do tjetër pos hajrit dhe të mirën për fëmijët. Nëse ndërmjet njerëzve mund të ketë zili dhe hased, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve kjo nuk ndodhë kurrë!

Prindi vetëm të mirën ia do fëmijës dhe asgjë tjetër. Imazh i dashurisë së tij ndaj fëmijës përfshinë dhe ndalimin nga të këqijat, ato që shkaktojnë hidhërimin e Allahut xh.sh.  siç është p.sh. shirku – të dy llojet, shirku i madh (idhujtaria), që të nxjerr tërësisht nga feja dhe shirku i vogël(hipokrizia në fe,mendjemadhësia, vetëmahnitja),  që shkatërron veprat.

Analiza shpirtërore, shoqërore dhe fetare që prof.Sejid Kutubi i bën rrezikut nga idhujtaria dhe rëndësisë së edukates fetare për të rinjtë, ofron argument shtesë dhe për detyrimet e fëmijës karshi prindit. Këtë e thekson edhe Kur’ani ndërsa porositë fëmijët për mirësjellje, respekt dhe bindje ndaj prindërve.

Pas kësaj mund të konkludojmë se metodologjia Kur’anore për transformimin e plotë të njeriut mbështetet tek ana e brendshme dhe ana e jashtme e njeriut. Që njeriu të ndryshojë për të mirë, duhet t’i kushtojë rëndësi dy aspekteve, ndryshe, efekti nuk do të arrihet, përpjekja do të jetë e kotë! Kështu na mëson Kur’ani:

Largohuni nga gjynahet e hapura dhe të fshehta, sepse padyshim mëkatarët do të ndëshkohen për veprat e bëra.” [Kur’ani: En’amë: 120]

Thuaj: Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapura apo të fshehta, gjynahet, dhunimin  pa  të  drejtë,  t’i  shoqërohet  diçka Allahut  (në  adhurim diçka për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” [Kur’ani: A’rafë: 33]

Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); të silleni mirë me prindërit; të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; të mos u afroheni veprave të turpshme, qofshin të hapura apo të fshehta dhe të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.” [Kur’ani: En’amë: 151]

Lidershipi edukativ në Teuhid sipas rrëfimit të Llukmanit shfaqet në këto fusha:

  • Në të qenit të zemrës dhe mendjes bazë e besimit në Allahun xh.sh.
  • Në nevojën e distancimit nga idhujtaria – zhveshjes nga të ligat para stolisjes me virtytet
  • Në të qenit të idhujtarisë tipar i krijesës së dobët që nuk përkon aspak me Krijuesin
  • Në qenien e prindit këshillues besnik ndaj fëmijës dhe dashamir i tij që nuk paramendohet ta xhelozojë
  • Në thirrjen e popullit nga Muhammedi a.s., në Teuhid dhe distancim nga idhujtaria dhe në refuzimin e saj
  • Në kërkesën e ripërsëritur të Kur’anit dhe Sunnetit për respektimin dhe mirësjelljen e fëmijëve me prindër dhe anasjelltas
  • Në natyrën njerëzore e cila e shtyn prindin të kujdeset për fëmijën dhe të sakrifikojë për të çdo gjë, në ndërkohë që fëmija ka nevojë t’i rikujtohet përgjegjësia që ka karshi prindërve
  • Në metodologjinë kur’anore e cila thërret në reformim formal e shpirtëror

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] E  nurshme:  e  dashur,  e  dëshiruar,  simpatike,  plotë dritë, e  këndshme,  atraktive. Përkthyesi.

[2] Imam Shatibiu, sa për shembull, në librin El-muvafekat, ka thënë: “Objektivat e Sheriatit janë shpirti i veprave.” Shih veprën në fjalë, 2/344.

[3] Librin më të mirë që kam mundur ta gjejë në fushën e edukimit të fëmijëveështë ai i hoxhës dhe profesorit të njohur, Dr. Abdullah Nasih Alvan, profesor i studimeve islame në Universitetin Mbreti Abdul Aziz në Xhidde. Libri titullohet Terbijjetu el-evlad fi el-Islam (Edukimi i fëmijëve sipas Islamit). Libri është i botuar. (Ky libër është i përkthyer edhe në shqip. Përkthyesi

[4] Shih hadithin nr. 893.

[5] Shih hadithin nr. 4492.

[6] Shih kuptimin e nocioneve ne fund te librit

[7] Transmeton Buhariu në Sahihun e tij, nr. i hadithit:52, Muslimi në Sahihun e tij, nr.i hadithit:1599, Imam Albani në Sahih el Xhami’e, nr. i hadithit:3193

[8] Shih: Tefsiri i Sa’dit, versioni elektronik: https://furqan.co/saadi/31/13

[9] Shih: Fi dhilal el-Kur’an, versioni elektronik:https://islamweb.net/ar/library, Shih po kështu dhe tefsiret El-bahru el-muhit të Ebu Hajjanit dhe Ettahrir ve ettenvir të Ibn Ashurit, respektivisht versionet elektronike të tyre në: http://mosshaf.com/ar/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit