4.7 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

Libri i njerëzve të mëdhenj, Kurani famëlartë

Më të lexuarat

Nga: Aid Elkarnij

Libri i njerëzve të mëdhenj, Kurani famëlartë.

Falenderimet janë për Zotin, paqa dhe mëshira e Tij, për profetin Muhamed, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
Paqa e Zotit, mëshira dhe bekimet e Tij qofshin mbi ju.
Teleshikues të nderuar! A e dini cili është libri i njerëzve të mëdhenj? A e dini çfarë libri lexojnë ata? A e dini me çfarë libri e kalojnë natën duke e mësuar, studiuar dhe analizuar?
Cili është ai libër që u largon vetminë, i çlodh, u largon shqetësimet dhe proekupimet dhe është si shiu i pranverës për zemrat e tyre?
Padyshim, ai është Kurani… Libri hyjnor dhe mrekullia e përhershme. Thotë Zoti në Kuran:”Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjitha çështjeve në hollësi.” (Hud: 1) “Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” (Bekare: 2) “Ai është një përkujtues për ty dhe popullin tënd, për të cilin do të pyeteni.”
Këto ishin fjalë të Zotit për Librin që shpalli për njerëzimin. Ai është një Libër të cilit nuk mund t’i mvishet e kota, pasi është Libër i Krijuesit të Urtë. Ai është Libër udhëzimi, mëshire, përgëzimi, shprese, drite dhe gjykues i drejtë. Ai udhëzon në më të mirën. Ai është lavdia e këtij umeti, madhështia dhe udhëzuesi i rrugës së drejtë.
Njerëzit e mëdhenj, ishin të ndërgjegjshëm për këto karakteristika të Kuranit, prandaj e bënë atë bashkëshoqëruesin e tyre më të mirë, mikun e tyre më të afërt, duke e lexuar natën dhe ditën. Ata e mësonin përmendësh, i kushtonin rëndësi mësimeve dhe konkluzioneve, kërkonin bereqet nga Zoti nëpërmjet Kuranit dhe i zbatonin porositë e tij në jetë.
 
Si e përjetonin shokët e Profetit a.s Kuranin famëlartë?
Vetë i pari dhe udhëheqësi i tyre, profeti Muhamed a.s, të cilit iu shpall Kuranit, thotë për këtë libër:”Lexojeni Kuranin, pasi ai do të ndërmjetësojë për lexuesit e tij.” Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Më i miri ndër ju, është ai që lexon dhe punon sipas Kuranit.”
Njeriu më i mirë, më i pastër dhe me biografi më të mirë është ai që e lexon Kuranin dhe vepron sipas udhëzimeve të tij. Vetë Profeti a.s dëshironte që të dëgjojë shokët e tij duke lexuar Kuran. Edhe pse atij i ishte shpallur Kurani, edhe pse ishte ai që ua mësonte të tjerëve, atij i pëlqente ta dëgjojë Kuranin nga të tjerët. Një herë, teksa shokët e tij ishin grumbulluar rreth tij, Profeti a.s i tha Ibnu Mesudit:”Më lexo Kuran!” Ibnu Mesudi, i habitur i tha:”Si të lexoj Kuran para teje, kur ty të është shpallur?” Profeti a.s ia ktheu:”Më pëlqen ta dëgjoj nga të tjerët.” Atëherë filloi Ibnu Mesudi të lexojë nga sureja Nisa derisa arriti tek ajeti:”Si do të jetë puna kur të sjellim dëshmitar për çdo umet dhe ty të të sjellim dëshmitar për këta?!”
Ky është një ajet tepër prekës, ku Zoti i drejtohet të dërguarit të Tij duke i kujtuar Ditën e Kijametit, ku çdo popull do të ketë profetët dhe një dëshmitar, kurse profeti Muhamed a.s do të jetë dëshmitar i të gjithëve. Kur Ibnu Mesudi lexoi këto vargje, Profti a.s u prek dhe i përlotur i tha:”Mjaf o Ibnu Mesud.”
Një ditë, Profeti a.s qëndroi duke dëgjuar Ebu Musa El-esh’ari teksa lexonte Kuran. Të nesërmen, ai i tha:”O Ebu Musa, të dëgjova dje teksa lexoje Kuran.” Ebu Musa, i gëzuar e pyeti:”A po më dëgjoje mua o i dërguar i Zotit?!” Profeti a.s iu përgjigj:”Po, për Atë që ka shpirtin tim në dorë, o Ebu Musa.” Ai i tha:”Për Zotin o i dërguar i Allahut, nëse do e dija që ti po më dëgjon, do lexoja me zë më melodioz.” Profeti a.s i tha:”Të është dhënë një nga zërat melodiozë të Daudit a.s.”
Kjo ishte një dëshmi e të dërguarit të Zotit për Ebu Musanë.
Një natë, Profeti a.s doli jashtë për të kontrolluar se kush nga shokët e tij lexonte Kuran apo falte namaz nate. Kur iu afrua një shtëpie të vogël dhe të ngushtë, ai dëgjoi zërin e një gruaje të moshuar duke lexuar Kuran. Ajo vazhdonte të lexojë, pa e ditur se i dërguari i Zotit e dëgjon. Profeti a.s qëndroi para derës së saj, mbështeti kokën në qoshen e derës dhe filloi të dëgjojë zërin e të moshuarës e cila lexonte suren Gashije. Ajo lexonte dhe qante njëkohësisht. Fillimi i kësaj sureje janë fjalë që Zoti i Madhëruar i drejtohet Profetit a.s me pyetjen:”A të erdhi ty lajmi për belanë që kaplon (kijameti)? Atë ditë sheh fytyra të përulura,Të lodhura e të rraskapitura (nga mundimi). (Gashije:1-3)
Në këto ajete, Zoti i kujton të dërguarit të Tij, Ditën e Kijametit, këtë Ditë tronditëse dhe të frikshme. Teksa e moshuara lexonte” A të erdhi ty lajmi për belanë që kaplon (kijameti)?” Profeti a.s përsëriste pas derës:”Po më ka ardhur!”
Kurani, “është një përkujtues për ty dhe popullin tënd, për të cilin do të pyeteni.”
Zoti i thotë të dërguarit të tij që ky Libër, është libër i lavdisë suaj, është libër që do u bëjë të njohur dhe të famshën në të gjithë botën. Është një libër i mbushur me argumente dhe ligje të cilat janë faktorë për bashkimin e të gjithë popujve dhe civilizimeve. Është një libër që qëndron sipër çdo libri tjetër, pasi ai buron nga Zoti i botrave, kurse librat e tjerë janë pjellë e fantazisë së shkrimtarëve.
Të flasësh mbi njerëzit e mëdhenj që erdhën pas të dërguarit të Zotit, është diçka e kollajtë pasi materialet për ta nuk mungojnë. Ata nuk patën biblioteka dhe as nuk ndoqën shkolla dhe kurse trajnimi. Çfarë librash mund të ketë pasur dhe lexuar Ebu Bekri? Cilët ishin profesorët dhe universiteti ku u kualifikua? Cila ishte biblioteka ku studionte Umer ibnul Hattabi? Cilat ishin gazetat dhe reviztat e përditshme me të cilat njoftohej për atë që ndodh? Asgjë nga këto që përmendëm nuk e dispononin këto burra. Libri i vetëm që dispononin, ishte Libri i Zotit Kurani famëlartë. Me këtë Libër, ata bënë sytë të shohin dhe veshët të dëgjojnë të vërtetën hyjnore dhe ngritën qytetërimin e drejtësisë dhe të paqes në botë.
Ebu Bekri, kur lexonte nga ky Libër, i rridhnin lotët pa pushim, saqë Aisheja e kundërshtoi urdhërin e Profetit a.s, kur urdhëroi që Ebu Bekri të udhëhiqte njerëzit në namaz, gjatë sëmundjes së Profetit a.s. Ajo e justifikoi qëndrimin e saj duke i thënë se Ebu Bekri qante shumë në namaz dhe teksa lexon Kuran.
Tregon një nga bashkëkohësit e Ebu Bekrit:”Kur falej Ebu Bekri me muslimanët në xhami, dëgjonim ngashërimat e tij duke qarë. Kjo bënte që e gjithë xhamia të shpërthente në të qarë bashkë me të.”
Në namazin e sabahut, Ebu Bekri lexonte zakonisht suren Jusuf. Kur arrinte në ajetin:”O dëshpërim i im për Jusufin, dhe nga pikëllimi iu zbardhën të dy sytë, nga pikëllimi.” (Jusuf 84) shpërthente në të qara dhe i bënte dhe njerëzit pas tij të qanin me të madhe. Të gjithë e dinin se me të arritur tek ky ajet, Ebu Bekri nuk do e mbante veten dhe do të qante.
Kurse Umeri, kur lexonte pjesën:” Ai (Jakubi) tha: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj All-llahut, e unë di për All-llahun atë që ju nuk e dini”. (Jusuf 86) shpërthente në të qara dhe i bënte dhe të tjerët të qanin.
Vallë çfarë njerëzish ishin këta? Çfarë brezi edukoi profeti Muhamed a.s me Kuranin që iu shpall? Si i pastroi dhe i përjetësoi emrat dhe veprat e tyre?
Uthmani njihej për zemërgjerësinë e tij, leximin e shumtë të Kuranit dhe adhurimin. Kur një nga sahabet e Profetit a.s lexoi ajetin:”Ai që falet në këmbë dhe në sexhde natën, i frikësohet botës tjetër dhe shpreson mëshirën e  Zotit të tij.” Tha:”Ai është Uthman ibnu Affani.”
Kur u vra Uthmani, Hassani tha:”U shkatërrofshi ju që vratë Uthmanin! Si është e mundur që të vrisni një të moshuar të thinjur, që e kalonte natën duke u falur, lexuar Kuran dhe duke qarë nga dashuria që kishte për Zotin?!”
Karakteristika që e dallonte Uthmanin ishte kalimi i natës duke lexuar Kuran.
Imam Ibnu Haxheri transmeton se Uthmani e ka lexuar të gjithë Kuranin, në një natë të vetme, në një rekat të vetëm tek Mekami i Ibrahimit.
Natën, Uthmani ia dedikonte leximit të Kuranit dhe lotëve për hatër të Zotit, kurse ditën ia dedikonte bamirësisë dhe shpenzimit të pasurisë në rrugë të Zotit. Ishte ky Libër shkaku që Zoti i nderoi dhe i përjetësoi emrat e tyre.
Kur një beduin e pyeti të dërguarin e Zotit:”A ka mbetur ndonjë deve e kuqe nga ato të zekatit për mua?” I dërguari i Zotit iu përgjigj:”Nuk kam gjë tjetër për të të dhënë, veç këtij ajeti të rrallë:”E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Zelzele 7-8)
Sufjan El-theuri e kaloi një natë vetëm duke lexuar suren Zelzele. Ai e përsëriste dhe qante, pasi kjo sure të jep një ekspoze të shkurtër mbi atë që do të ndodhë Ditën e Kijametit.
Ata e lexonin me zemër dhe përkushtim këtë Libër, fjalët e të cilit depërtonin thellë në shpirtin e tyre duke u dhënë zemër për punë dhe vepra të mira. Ata nuk e lexonin si shumë muslimanë sot, të shkujdesur dhe të pavëmendshëm mbi atë që lexojnë dhe duke qenë me veprat e tyre larg udhëzimeve dhe porosive të tij.
Tregon Imam Dhehebiu:”Dijatari i njohur Abdullah ibnu Vehb, morri gusul një ditë të xhuma, veshi rrobat e lara dhe u nis për në xhami. Teksa ecte rrugës për në xhami, dëgjon zërin e një fëmijë që lexonte Kuran në shtëpinë e tij. Ishte pikërisht ajeti:” E duke u grindur mes vete në të (zjarr)” (Shuara 96) ajet që tregon gjendjen e banorëve të zjarrit. Me ta dëgjuar Abdullah ibnu Vehbi humbet ndjenjat. Njerëzit e çuan në shtëpi, ku qëndron pa ndjenja për tre ditë dhe ditën e katërt ndërroi jetë.”
Tregon Shejhul Islami, Ibnu Tejmije:”Djali i Fudejl ibnu Ajadit, Aliu, ishte I shquar për përkushtimin dhe adhurimin e tij, saqë thuhet sa ai dallohej dhe nga i ati në këtë fushë. Kur lexonte Kuran, ai humbiste ndjenjat dhe e lagnin me ujë që të përmendej.”
Është ky Kuran që po t’i drejtohej në shkëmbi do të plaste, po t’i drejtohej malit do e çante në mes dhe po t’i drejtohej hekurit do e përthyente.
Është po ky Kuran, për të cilin Zoti thotë:” Sikur të ishte ndonjë Kur’an që me të do të ecnin malet, që me të do të plasej toka, që me të do të flisnin të vdekurit .” Përgjigja do të ishte:”Ai libër është Kurani.”
Ali ibnul Hudejr qëndroi një ditë pas imamit për të falur namazin e sabahut. Imami lexoi ajetin:” Ndalni ata, sepse do të merren në përgjegjësi” (Saffat: 24) Ajet që flet mbi armiqtë e Zotit Ditën e Kijametit, të cilët do të ndalohen për të dhënë llogari. Me ta dëgjuar Ali ibnul Hudejr këtë ajet, ra pa ndjenja dhe të pranishmit e çuan në shtëpi. Atë ditë në mbrëmje, ai ndërroi jetë. 
Ibnu Kethiri në librin e tij Elbidaje ve Nihaje, tregon që Umer ibnul Hattabi dëgjoi në xhami dikë që lexoi:” Ndalni ata, sepse do të merren në përgjegjësi.” (Saffat: 24) menjëherë ai hodhi shkopin që mbante në dorë dhe u ul. Të pranishmit e çuan në shtëpi, ku qëndroi një muaj i sëmurë. Shokët e tij shkonin dhe e vizitonin, pa e ditur shkakun e sëmundjes.
Kjo, pasi ata e kuptonin dhe e përjetonin Kuranin. Jo si shumë muslimanë sot që e kanë braktisur Librin e Zotit dhe lexojnë libra të tjerë, duke i kushtuar këtij Libri vetëm disa minuta. Pasi i mbushin zemrat e tyre me libra dhe gjëra të tjera, ata i kthehen Kuranit të lexojnë prej tij, por Kurani nuk gjen vend në zemrat e tyre.
Prandaj i shohim muslimanët sot të lexojnë Kuran, por që nuk ndikon në jetën e tyre. Libri i vetëm që lexonin dhe vepronin sipas tij ishte Kurani. Ata e shihnin këtë libër dhe besonin se është libri i vetëm të cilin Zoti ia shpalli profetit Muhamed a.s, me qëllim që njerëzit ta lexojnë dhe t’i zbatojnë urdhërat e tij, në jetën e tyre, duke u bërë bereqet për veprat dhe dritë për zemrat e tyre. Për këtë, ata i mbushën zemrat me këtë Libër dhe vepronin sipas udhëzimeve të tij në jetën e përditshme.
Tregon një nga dijetarët bashkëkohorë:”Ndodhesha në një udhëtim me anije në perëndim dhe me ne kishte shumë udhëtarë nga ish-Jugosllavia, të cilët përpiqeshin të shpëtonin nga dhuna e diktatorit të tyre. Me ta ndodhej dhe një grua e cila nuk kuptonte arabisht. Unë bashkë me shokët e tjerë, vendosëm të falim namazin e xhumasë në anije. Pasi mbajta predikimin e rastit, fala dhe namazin e xhuamsë, ku lexova suren A’la dhe Gashije. Gruaja së bashku me të emigrantët e tjerë ishin ulur pranë nesh dhe na shikonin me habi. Pasi përfunduam namazin, gruaja u ngrit dhe pyeti përkthyesin:”Të kujt janë ato fjalë që lexoi ai (për mua)?” Unë i thashë përkthyesit që t’i thotë se janë fjalë të Zotit. Ajo u prek nga kjo dhe filluan t’i rrjedhin lotë dhe tha:”Ato fjalë kishin një ndikim të veçantë dhe nuk ishin fjalë të zakonta.” Tregon dijetari:”Do të doja që ta njihja gjuhën e saj me qëllim që t’i flisja më shumë për islamin, por gjuha dhe koha e shkurtër ishin pengesë. Kurrë nuk do e harroj atë ndodhi, pasi ishte një grua që edhe pse nuk e kuptonte arabishten, e ndjeu se ato fjalë nuk ishin fjalë njerëzore.
Tregon një njeri i mirë:”Po falja namazin e sabahut në xhaminë  e Profetit a.s, ku imami po lexonte suren Vakia. Për Zotin, u ndikova aq shumë saqë fillova të humbas ndjenjat dhe nuk e kuptoja ku ndodhem. Më pas fillova të dridhem dhe të qaj me të madhe.”
Në librin e tij “Nën hijen e Kuranit” Sejid Kutubi thotë:”Isha ulur me shokët e mi, në fillimet e udhëzimit dhe përkushtimit në fe. Ndodheshim të ulur në një shtëpi në Kairo dhe befasisht dëgjojmë një zë të bukur që vinte nga stacioni i radios dhe që lexonte Kuran. Lexuesi këndonte pjesë nga sureja Nexhm.
“Pasha yllin kur ai bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhammedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij.” (Nexhm 1-3)
Të gjithë mbetëm të shtangur, kurse unë fillova ta përjetoj shpirtërisht udhëtimin e Profetit a.s në Isra dhe Miraxh dhe gjëra të tilla. Më pas, trupi filloi të më dridhej saqë nuk e kontrolloja dot veten. Kjo situatë vazhdoi derisa lexuasi arriti ajetin:“E afërta është afruar (kijameti). Pos All-llahut nuk ka kush që mund ta largojë atë (ta pengojë)!” (Nexhm 57-58) Unë gati sa nuk humbja ndjenjat në ato çaste. Vetëm pas atij çasti e kuptova thënien e xhindëve kur dëgjuan Kuranin:”Ne kemi dëgjuar një libër të çuditshëm.”
Xhindët edhe pse nuk e kuptonin gjuhën arabe, kur dëgjuan Kuranin thanë:”Ne kemi dëgjuar një libër të çuditshëm.” Ata e kuptuan se ato fjalë që dëgjuan nga Kurani nuk ishin fjalë të njerëzve. Gjithçka ishte e veçantë në ato fjalë, ndërtimi i tyre, ligjet, elokuenca, rima… Ishte një dëshmi nga ana e xhindëve për mrekullinë dhe vërtetësinë e Kuranit famëlartë.
Ky ishte libri i njerëzve të mëdhenj, libër që çuditi dhe xhindët, mrekulloi njerëzit, befasoi letrarët, mbyti në detin e tij dijetarët, u mbylli gojën poetëve dhe hutoi arabët.
Ky Libër mbresëlënës, është Libri të cilin lexojnë dhe sipas udhëzimeve të tij veprojnë njerëzit e mëdhenj. Kur do të vijë koha që t’i kthehemi këtij libri, që të edukohemi me frymën e tij, ashtu siç u edukuan shokët e Profetit a.s dhe muslimanët e parë? Kur do zërë vend ky libër në jetën tonë, ta lexojmë dhe dëgjojmë me përkushtim, ta lexojmë me ndjenjën që aty ka orientime dhe udhëzime të dobishme, të cilat duhet t’i vëmë në praktikë në jetën tonë?
Ne duhet t’i kthehemi librit të Zotit me sinqeritet dhe ndershmëri, t’i pastrojmë ndërgjegjet tona nga çdo e sëmundje, zemrat tona nga syfaqësia, xhelozia, urrejtja dhe mendjemadhësia, me qëllim që vendi ku do të vendosen fjalët e Zotit, të jetë i pastër.
Ky ishte libri i Zotit të Madhëruar dhe ky ishte libri i njerëzve të mëdhenj, prandaj lexojeni me përkushtim dhe zbatoni porositë e tij o vëllezër dhe motra.
Në fund, u përshëndes me përshëndetjen islame: Esselamu alajkum ve rahmetullah.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit