12.9 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Kush është izraeliti që ndihmoi klinikën “Medicus” të kryejë trafikim organesh në Kosovë?

Më të lexuarat

Pjesë e rrjetit kriminal për trafikim organesh, ishte edhe Moshe Harel, një izraelit i lindur në Turqi, i cili pati rekrutuar donatorët e veshkave dhe udhëtonte me ta për në Kosovë, duke i çuar në Klinikën famëkeqe “Medicus”, në të cilën dyshohet se janë bërë transplantime ilegale të veshkave. Harel, u arrestua të premten në Çipro, për po këto akuza, dhe tani pritet ekstradimi i tij në Kosovë. Express, nga aktakuza e siguruar e EULEX’it, tregon në detaje për veprat e izraelitit në Kosovë

Moshe Harel, një izraelit i lindur në Turqi, dyshohet të jetë në qendër të një rrjeti për trafikim organesh në Kosovë. Të paktën, me këto akuza është i ngarkuar nga Prokuroria Speciale e EULEX’it në Kosovë. Harel, po kërkohej nga Interpoli për trafikim organesh në Kosovë, dhe ai u arrestua të premten në Çipro, shkruan Gazeta Express.

Aktakuza e EULEX’it thotë se Moshe Harel ka luajtur rrol të rëndësishëm në mundësimin dhe organizimin e operacioneve duke identifikuar pacientët potencialë, organizimin e aranzhimeve për udhëtimet e tyre dhe pranimin e pagesës nga pranuesit e veshkës.

Themelorja e Prishtinës më 2013’ën pati shpallur fajtor urologun Lutfi Dervishi, dhe djalin e tij Arban Dervishin si dhe të punësuarin tjetër në këtë klinikë, Sokol Hajdinin. Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar me 8 vjet burg, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.

Vrragët që në sistemin shëndetësor la krimi që u krye në klinikën “Medicus” shumë vite më parë ndihen edhe sot.

Kosova ende nuk ka ligj që e rregullon çështjen e transplantit të organeve dhe për shkak të kësaj, rreth 136 persona kanë kryer transplante të organeve jashtë Kosovës, ndërsa vetëm një operacion i tillë është kryer në Kosovë në vitin 2005. Por, edhe ky operacion është kryer në bazë të ligjeve të Gjermanisë.

Në vitin 2013, kur u arrestuan mjekët që kishin kryer transplante ilegale në Kosovë, EULEX pati ngritur shqetësime për ligjin për transplante të organeve në Kosovë.

Në dokumentin e siguruar nga Express, misioni europian sugjeronte që institucionet shëndetësore private të mos kenë të drejtë transplantimi, pasi kishte përvojë të keqe nga rasti “Medicus”.

Policia zbuloi rrjetin e trafikut të organeve në nëntorin e vitit 2008, kur një 23-vjeçar turk Yilmaz Altun u kap në aeroportin e Prishtinës derisa po priste fluturimin për shtëpi. Kur u mor në pyetje, ai tha se kishte dhënë veshkën për një pacient izraelit.

Altun i tha policisë se ishte hospitalizuar përkrah një 74-vjeçari me emrin Bezalel Shafran i cili kishte paguar 100.000 dollarë për veshkë në tregun e zi. Ky ishte madje operacioni i fundit që ishte kryer në klinikën “Medicus”.

Pasqyrat bankare të Harel’it, të pranuara në bazë të kërkesës për Ndihmë Ligjore Ndërkombëtare nga Turqia, tregojnë se ai ka pranuar pagesat nga disa prej pranuesve të veshkave të shënuar më lartë disa ditë përpara se ata duhej të udhëtonin në Kosovë për operacionet e tyre”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Express ka publikuar edhe emrat e pacientëve që hequr veshkë dhe kanë bërë transplant të tyre.Sipas listës së emrave që gjenden në aktakuzë, donatorët ishin nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia të cilëve iu bën premtime false për 20.000 dollarë kompensim. Organet e tyre u transplantuan në njerëz nga Izraeli, Kanadaja, Gjermania, Polonia dhe vende të tjera.

Prokuroria e EULEX thotë se pagesat e pacientëve i kanë vërtetuar nga karta e kreditit të Harel’it.

“Llogaria e e-mailit të Harel gjithashtu ka qenë e përdorur për komunikim me pacientët lidhur me operacionet dhe për të bërë aranzhimet e udhëtimit”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë klinikë thuhet se operacione ka kryer edhe mjeku i njohur turk, Yusuf Sonmez, i njohur si “Dr. Vampiri”. Ky etiketim i erdhi atij pasi, jo vetëm në Kosovë, por në shumë shtete të tjera ai ka kryer operacione të transplanteve të veshkave.

Gazeta Express po vazhdon ta përcjellë rastin “Medicus”, duke raportuar për dëshmitë e dëshmitarëve për raportet e tyre me mjekët e dënuar dhe zhvillimet në klinikën famëkeqe të Vushtrrisë në kohën për të cilën u zhvilluan hetime për transplant të paligjshëm veshkash.

Edhe raporti i politikanit zviceran, Dik Marti më 2010 akuzonte autoritetet kosovare për përfshirje në trafikim organesh. Kosova është kritikuar edhe nga Komsioni Europian përmes raportit të progresit më 2012 për mungesë të bazës ligjore që rregullon transplantimin e organeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit