15.3 C
Pristina
Sunday, May 12, 2024

Kur shkrimtarit i besohet për historinë

Më të lexuarat

06 Shtator 2011
Blerim Gashani

Gjatë fëmijërisë dëshiroja të bëhëm shkrimtar. Kur u rrita, dëshira nuk u shua, por e kuptova se sa e vështirë dhe gati e paarritshme ishte të bëhëm një shkrimtar i mirë, në këto vise ku duhet të shkruash si u pëlqen të fortëve. Ende i dua shkrimtarët dhe shumicën e kohës së lirë e kaloj duke lexuar atë çfarë shkruajnë ata. Arti i shkrimit është ende zgjedhja ime e parë për kuptimin e botës dhe jetës në të. Megjithatë, jam i bindur se nuk ka mjerim më të madh se sa të jesh pjesëtar i një kombi që shkrimtarin e ka edhe hero, edhe burrështetas, edhe historian, edhe prijës shpirtëror, madje edhe pronar të pakontestueshëm të së vërtetës historike.

Debatet e fundit për historinë (nëse mund të quhen të tilla, disa fyerje të ndërsjella për tema komplekse bashkëkohore – duke shfrytëzuar mendime arkaike), më kanë bindur se mungesa e qartë e historianëve të vërtetë, ka krijuar një brez të tërë shqiptarësh, që historinë kombëtare e mësojnë nga shkrimtarët e gjysmës së dytë të shekullit XX. Dhe duke e ditur background-in e shumicës nga shkrimtarët e “licensuar” të kësaj epoke, a mund të paramendoni shkallën e njohjes së historisë që posedojnë shumë nga analistët, komentatorët, gazetarët, opinionistët “kujdestarë” e “patriotët” vigjilentë, të cilët turren të flasin e të shkruajnë për historinë me fakte që i kanë lexuar (ose i kanë dëgjuar nga dikush që i ka lexuar) në romanet e realizmit socialist?!

Rastin më interesant e paraqet klasa e shqiptarëve që i kanë lexuar disa (!?) nga romanet e Ismail Kadaresë, prej të cilave mendojnë se e kanë nxjerrur të vërtetën historike. Ta themi që në fillim: Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar, që ka jetuar ndonjëherë. Emri i tij i jep nder çdo shqiptari dhe, sidomos, i jep nder një letërsie të vogël (si është shqipja) që ka një shkrimtar kaq të talentuar e të njohur kaq botërisht. Mirëpo, romanet e tij janë fiksion dhe paraqitje (duhet të thuhet: gjeniale) e të vërtetës së tij artistike. Janë botëkuptimi i tij për jetën. Ato nuk janë e vërteta historike. Janë shumë larg nga ajo dhe shpesh janë deformime të qëllimshme, për nevoja artistike dhe, më shpesh, jo artistike. E vërteta historike nuk është arti në romanet e Ismail Kadaresë dhe këtë shqiptarët bëjnë mirë ta kuptojnë sa më shpejt që është e mundshme.

Rastin tjetër e paraqet njëri nga shkrimtarët e njohur në Kosovë, që ligjëron edhe historinë e civilizimit shqiptar. Ende i përgjumur nga hipnoza enveriste e historisë, ky shkrimtar ofron një planprogram origjinal të ligjëratave për studentët e tij. Fillon me ligjërata për një periudhë të “lavdishme” antike shqiptare (pa dhënë asnjë fakt në shumë ligjërata me radhë – por duke folur për gjëra historike me emocione artistike), kalon në fazën e mesjetës (kurrë nuk e kam ditur se kjo periudhë paska qenë aq e ndritur – mirëpo, përsëri, asnjë fakt historik i përmendur), përmend epokën e Skënderbeut (me emocion të shfrenuar “pikturon” skenat e një beteje me shpata kur nga armiqtë qenkan vrarë dhjetëra mijëra aziatikë ndërsa nga tanët vetëm disa dhjetëra trima). Papritmas, në ligjëratat e këtij shkrimtari “civilizimi shqiptar” ka një zbrazëtirë prej katër shekujsh. Nga Skënderbeu, kalohet në Lidhjen e Prizrenit (e cila shpjegohet si një lidhje e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, gjë që do t’i shqyente gazit historianët anglezë që janë marrë me këtë çështje), duke aluduar në mes këtyre katër shekujve, shqiptarët nuk kanë krijuar ndonjë vlerë kulturore dhe civilizuese që vlen bile të përmendet (sic!). E sa për informim, pikërisht janë këta shekujt, kur pararadhësit tanë dhe të tjerët i referohen kësaj etnie me emrin shqiptar. Ta mbani mend: lënda që ky shkrimtar ligjëron e ka emrin “Civilizim Shqiptar”!

Para pak ditësh, një sociologe, në shkrimin e saj shumë “serioz”, tentonte të përçonte argumente shkencore nga analiza e saj duke cituar dialogje nga romani i Skënder Drinit. Kjo është për të vënë kujën dhe nën një shi të akullt, pa ombrellë, i dëshpëruar në kulm, të vajtosh për mërgimin e shkencës nga këto troje! Njëri nga opinionistët më “vigjilentë” në gazetat tona, i cili vrapon të prononcohet për trendet ditore, sikur kjo të ishte e drejtë dhe detyrë e patjetërsueshme e kalibrit të tij, na i tregon faktet e tij historike (të cilat, vetëm të tilla nuk janë), duke cituar romanin e Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, për të cilin referim sigurisht se historiani (atëherë shkrimtari) i njohur së pari do të skuqet e pastaj do të shkulet së qeshuri.

Në këtë farë feje, pra, do të shfaqet historia e shqiptarëve dhe e qytetërimit të tyre, nëse i dëgjojmë shkrimtarët e epokës së socializmit (krejt ndryshe qëndron puna me disa nga figurat poliedrike të traditës së shkrimit shqip, të merremi vesh). Analistët (ah, ky epitet sa i pavlerë që është bërë) që shkruajnë sot, duket se nuk i kanë lexuar historianët e vërtetë (Noel Malcolmin, p.sh.), por “fotografinë” e asaj çfarë ka ndodhur gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, e marrin të gatshme nga fiksioni senil i shkrimtarëve oborrtarë të Enver Hoxhës. Është e mjerueshme kur dëgjon njeriu se turqit (duke identifikuar vetëm një etni nga shumë etnitë që e kanë përbërë perandorinë) na e paskan sjellë hakmarrjen, sepse e kanë lexuar këtë nga goja e Kryeveçilharxhit në romanin “Kështjella”. Këtu, ata jo vetëm që zhvlerësojnë antikitetin e Kanunit (që në mënyrë qesharake i atribuohet Lek Dukagjinit), por na tregojnë edhe më shumë. Këta mendjendritur nuk kanë dëgjuar për Vendetta-n korsikane, por marrin copëza të komplekseve të pashëruara të shkrimtarëve dhe i përdorin këto si argumente në debatin për historinë.

Nga historia, thotë At Zef Pllumi (po parafrazoj një historian të vërtetë këtu), shpesh është më e besueshme ajo çfarë vjen nga tradita gojore e bartjes së një informacioni, se sa historia e shkruar nga historianët që në zyrën e ngrohtë shtojnë subjektivitetin e tyre dhe ideologjinë e atij që i ka futur në “oborr”. Nëse, duke ndjekur këtë margaritar të mendimit, nuk duhet t’u besojmë historianëve me formim enverist (e të tillë janë shumë nga këta, që as nuk e marrin mundimin të hyjnë në debatin “historik” që po vlon), si mund t’u besojmë shkrimtarëve të ideologjisë më të poshtër që ka njohur bota. Dhe, duke udhëtuar më tej me Pllumin, duhet të gjurmohen visaret e kombet, tradita gojore dhe krejt trashëgimia e rrallë e kulturës dhe historisë së popullit tonë dhe në nuancat e saj (jo në formën shpesh primitive e naive që na vjen në dukje të parë), të kuptohet një pjesë e së vërtetës për shekujt e fundit të shqiptarisë.

Sot, kur të gjithë kemi qasje në libra, burime, shkrime e punime shkencore çfarë i duam dhe i çfarë i zgjedhim ne, është e pafalshme ta mësojmë historinë nga fiksioni i artistëve, pa marrë parasysh sa të dashur janë ata për ne. Kjo, sepse ata, në librat e tyre, na e tregojnë botën nga këndi subjektiv. E historia duhet të jetë (apo tenton, së paku) të vërtetat objektive. Shkrimtarët janë plot emocione, historianët janë të ftohtë sikur arkivat, ku të kërrusur e duke shkundur pluhurin e harresës, kalojnë shumicën e jetës së tyre. Është tragjikë e pashembulltë, që njëzet vjet pas perëndimit të një fryme staliniste që ka errësuar mendjen e shqiptarit, të vazhdojmë ta ushqejmë gjeneratën e re me gënjeshtrat më të paturpshme, që mund të ekzistojnë, dhe me deformimin më të madh të historisë jashtë profecisë së Xhorxh Oruellit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit