18.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

KUJTESA ‘E RRËFYEME’E BARLETIT – NGA MITI NË HISTORI – Vehbi Miftari

Më të lexuarat

KUJTESA ‘E RRËFYEME’E BARLETIT –NGA MITI NË HISTORI

Vehbi Miftari

Në epokën e humanizmit vetëdija për “identitetet” ndikoi që historiatë shkruhej sipas pikëvështrimit të rrëfimtarisë. Rrjedhimisht, historitë e shkruara prej humanistëve qenë histori narrative, të cilat parabazën e gjenin në kujtesën e shtresuar të pjesëmarrësve të “të bëmave të mëdha”, ndërsa rrëfeheshin gojarisht. Ky lloj i narrativitetit gojor-historik shërbeu si parabazë edhe për tekstin e parë të shkruar me subjekt shqiptar por në gjuhënlatine, historinë (e stilizuar sipas parimit humanist) të Marin Barletit, Historia e jetës dhe e vepravet të Skënderbeut. Duke e shkruar të rrëfyerën, Barleti e ringjalli kujtesën për madhështinë e të bëmave epike të një epoke dhe, sikur kërkonte Tiesse-ja, e ringjalli hirin epik në letra.

Në librin e tij, Barleti e rrëfeu historinë e kujtuar të popullit të vet, të bëmat epike të tij, ashtu si i kujtoheshin atij, ose, më shpesh madje, siç ia bartnin të tjerët, në trajtë të rrëfimeve gojore, duke e shndërruar edhe vetë heroin e tij epik, Skënderbeun, jo vetëm në hero epik por edhe në hero të diskursit rrëfimtar, të lidhur për substratin etink. Teksti i Barletit, prandaj, e ruan statusin e tekstit historik, të ndërtuar përmbi dëshmitë dhe rrëfimet, në një gjuhë që ishte “gjuha e kohës”. Rrjedhimisht, teksti i tij i përket shkrimtarisë universale, por është e ndërlidhur me letërsinë shqipe përnga subjekti që e trajton. Thelbi i kësaj nyjeje është subjekti dhe jo gjuha, si dëshmi identitare.
Po kështu, edhe nga aspekti çfarësues i gjinisë së shkrimit, teksti i Barletit shfaqet si histori. Pra, në kuptimin referencial, teksti i përshkruan të ndodhurat (ngjarjet reale). Por, pikërisht ky lloj referencialiteti na shtynë ta kërkojmë raportin e tekstit me përshkrimin përtej “së ndodhurës”, në botën e transformimit të historisë në mit dhe të rikthimit të saj nëpërmjet mitesh të rrëfyera. Barleti vetë nënvizonte se po shkruante vepër të diskursit historik. Por, për ta shkruar atë, thoshte se i mungonin modelet:
Unë nuk pata në këtë rrugë asnjë udhëheqës (…) S’pata mundësi të shikoj as analet e vjetra.

Rrëfimi – paradigma mitike
Barleti e krijoi kësisoj mitin e heroit në një tekst referencial. Vepra e tij do të mund të ishte tekst historie po të mos ishin rrëfimet (e dëshmitarëve) dhe të rrëfyerit (barletian), që mbështillen në një paradigmë mitike. Kujtesa është substrati mbi të cilin thuret rrëfimi barletian, me qëllim rishkrimin e historisë së të bëmave të kryeheroit shqiptar. Kjo “histori” shkruhet sipas një modeli, i cili e ripërtërin të vërtetën ashtu si e mbajnë në mend përjetuesit e saj: bashkëluftëtarët e Skënderbeut e banorët e qyteteve të rëna të Epirit. Barleti shfaqet, kësisoj, si mbledhës i rrëfimeve të të tjerëve e rirrëfyes i tyre, duke provuar që kujtimet për ngjarjet e përjetuara, rrëfimet e tyre, t’i lidhte sipas një rendi logjik, për ta krijuar tablonë e plotë të të bëmave të heroit mesjetar: Skënderbeut. Ai nuk u referohet shumë kronikave të kohës, më shpesh i drejtohet kujtesës së banorëve, përfshirë edhe kujtesën e vet personale, si “një spektator jo i huaj” i madhështisë së dikurshme. Pra, të ndodhurat, historitë, na vijnë të shkruara nga Barleti, por në zanafillë ato janë mbledhur e sistemuar si rrëfime gojore të bashkëkohësve të tij. Ato e përbëjnë një fill epik të historisë mesjetare, të cilat Barleti i bart në tekst.

“Iluzioni i historisë”

Kësisoj, Historia e Skënderbeut prek gojëtarinë si zhanër e dokumentaritetin si intencë. Kjo metodë e përcakton edhe diskursin: rrëfimtar, duke e afruar jo rrallë me diskursin letrar gjatë përshkrimit të ngjarjeve ose të përjetimeve të personave, historitë e të cilëve i përshkruan nëlibër.
Teksti i Barletit, sikur e nënvizonte vetë ai, është tekst i cili e synon dokumentaritetin, por i mungojnë mjetet shkencore për ta arritur plotësisht këtë synim. Historia e bartur prej tij, prandaj, është histori e rrëfyer e përjetuesve të madhështisë epike të një kohe dhe të një heroi. Ajo është histori e cila nuk e bart të vërtetën e dokumentuar shumëfish, por të vërtetën e kujtuar, një të vërtetë kujtesore. Ajo e krijon “iluzionin” e historisë në një tekst rrëfimtar. Vetë Barleti thoshte se po e shkruante librin e tij duke u mbështetur në kujtimet e atyre që mund ta kishin jetuar “epokën e Skënderbeut”. Duke qenë se i mungonin referencat, ai i kërkonte dhe i gjen teato në kujtesën e njerëzve për to.
Unë nuk kam shkruar trillime, por ato që m’i kanë treguar me kujdes më të mëdhenjtë dhe ato që kanë parë me sytë e tyre disa që kanë marrë pjesë.

Pra, ai po e ringjallte kujtesën duke i mbledhur copat e rrëfimeve, mbetjet kujtesore, përfytyrimet e luftëtarëve e të bashkëkohësve dhe dëshminë personale. Këtë e bënte me të vetmin qëllim që ta shpëtonte nga bjerrja kujtesore madhështinë arbërore. Ky, sikur u tha, përbën raportin thelbësor mes kujtesës e historisë. Por, ngaqë kujtesa rrëfehet, fiksioni është i pashmangshëm. Historia e Barletit e fton në ndihmë mjetin rrëfimtar krahas kujtesës historike. E, sikur është nënvizuar nga P. Nora, kujtesa i njeh vetëm këto dy trajta të rishpalosjes së saj. Po t’ia shtojmë kësaj edhe praninë e mitit të heroit, si mjet për artikulim historiko-rrëfimtar të madhështisë së kujtuar arbërore, del se Barleti do të shkruante tekst ripërtëritjeje historike nëpërmjet thurjes së iluzionit për të.

Miti barletian: rrëfimi i së kujtuarës

Miti letrar i Skënderbeut, i krijuar prej Barletit, është mit i cili invariantin e gjen në histori, në figurën e Skënderbeut, por i cili është bartur si variant gati-gati letrar i një kujtese historike. Kujtesae sëndodhurës dhe rrëfimi i së kujtuarës, prandaj, janë karakteristike për të e për një tip të mëvonshëm letërsie, e cila rrënjët e saj i fsheh në histori. Në tekstin e Barletit historia dhe letërsia lidhen nyjë në rrëfim.

Duke e ripërtrirë Arbërinë shpirtërore, Skënderbeu e ripërtërinte Arbërinë tokësore, nderin e saj e të etnisë, “nderin e mbretërisë”, si sublimim i idesë për të jetuar të lirë. Kjo mbretëri në konceptin humanist të Barletit ishte e dyfishtë: fizike dhe shpirtërore. Arbëria, territori etnik, ishte mbretëria e trashëguar, e cila i përfshin zotërimet e fiseve arbërore, është le lieux de momoire (sipas P. Noras), nderi i së cilës mbrohej duke e mbrojtur nderin etnik. Në fjalimin e tij para betejës së njohur të Sfetigradit, heroi i Barletit, Skënderbeu, si mjet retorik për t’i motivuar luftëtarët, krahas përmasës së lirisë e thekson përmasën e vendit, me të cilin e lidhte nderin etnik:
Gjer tani ne kemi luftuar për fitoren, për nderin e mbretërisë; tani ju duhet të luftoni për shpëtimin, për lirinë, për muret e atdheut.

Por, përtej saj, ishte mbretëria shpirtërore, së cilës mbretëria arbërore i shërbente si pararojë dhe së cilës ia mbronte nderin nëpërmjet luftrave mbrojtëse kundër osmanëve. Kjo mbretëri qe mbretëria e krishterë. Vlerat shpirtërore e religjioze, kësisoj, krijojnë një marrëdhënie funksionale, e cila e ndjek fillin e pashkëputshëm mes shpirtërores dhe fizikes.

Miti / Kujtesa e përbashkët
Identifikimi i arbërorëve (i fiseve të Arbrit) me kryeheroin nuk e prek vetëm dimensionin historik dhe rolin e tij në krijimin e lidhjes, si besatim rreth një ideje: ripërtëritjen e Arbërisë. Ai lidhet edhe me rolin që ai kishte në përlindjen shpirtërore të arbërorëve. Ai qe “i krishteri” (ngjashëm me arbërorët e tjerë), i cili e njihte territorin, gjuhën dhe traditat si shenja të identitetit (prandaj luftonte për “Arbërinë historike”), ndërsa shpirtërisht i tejkalonte këta kufij dhe e shtrinte mbretërinë e tij brenda mbretërisë së Zotit. Republika për të cilën luftonte ai në rrafshin shpirtëror qe “Republika e Krishtit”, aleanca e krishterë, e cila në pikëshikimin e Barletit qe mbrojtësja e vetme e vlerave qytetëruese të Perëndimit. Skënderbeu qe princi mbrojtës i saj, ndërsa ushtarët e vënë nën urdhrat e tij qenë “ushtarë kryqtarë”, të cilët në njërën anë luftonin për “republikën” historike (ripërtëritjen e Arbërisë historike), ndërsa në anën tjetër për “republikën e Krishtit” (riprtëritjen e qytetërimit perëndimor e të vlerave kulturore të shqiptarëve të kohës). Ai qe personaliteti i cili ia ktheu lavdinë Epirit, ose Arbërisë, si dhe ia mbrojti përhershmërisht fytyrën krishterimit, në njërën nga portat më të sulmuara të saj.

Kruja ishte qyteti qendror i mbretërisë së kujtuar të Gjonit dhe i mbretërisë së rilindun të Gjergjit; ajo qe kujtesa vendësore përreth së cilës do të hartohej projekti i mbretnisë arbërore, sikundërqë do të shërbejë si fortifikatë qendrore e saj.Ajo është vendi i të parëve, vendi i origjinës e i motivimit të madh për t’iu rikthyer kujtesës dhe rrjedhojës së madhe të saj: dashunisë për homeland-in, për vendin e origjinës, i cili nuk është vetëm territori fizik në të cilin zhvillohet kultura e përbashkët, por edhe territor shpirtëror.Krujaështë jo vetëm “qendra e mbretërisë”, por edhe shtytësja e madhe e ruajtjes së saj. Kësisoj, ky qytet shndërrohet në qytet simbolik. Për ta përmbushur këtë kuptim, ai duhej të shihej si i pathyeshëm nga njerëzit dhe i mbrojtur nga perënditë:
Dhe, me të vërtetë, pozita e qytetit (Krujës, v.j.) ishte aqë fort e mbrojtur prej natyre, sa që, edhe sikur qytetarët të rrinin duarkryq, vetë vëndi mund t’ia thyente me lehtësi hundët dhunës.

“Territorilizimi” i kujtesës

Barleti i referohej territorit të Arbërisë / Epirit sikur njërës nga simbolikat e mëdha mbi të cilat qe thurur projekti i “territorializimit të kujtesës”. Skënderbeu e la ushtrinë osmane në log të betejës dhe u nis për në Krujë, për “në vendin e të parëve”, i thirrur sa nga zërat e arbërorëve të tij, të cilët i injoronte publikisht, por i ndrynte në zemër privatisht, sa nga kujtesa e arkivuar për vendin dhe trashëgiminë e të parëve. Pra, në kujtesën e tij qe arkivuar ndjenja e përkatësisë dhe e origjinës, mbi të cilat qe zhvilluar kulti i përkatësisë, ose i ndjenjës se kujt i detyrohemi ne për ekzistimin tonë. Toka e të parëve, babai Gjon, tradita kristiane, tradita familjare, doket, zakonet, gjuha, vendi e farefisnia, përbëjnë “kujtesën e arkivuar” të Skënderbeut, thirrjen e brendshme për t’iu kthyer atyre. “Toka e babës Gjon” është territori i ëndërruar i Skënderbeut, vendi i cili përbën Arbërinë shpirtërore të tij. Në kuptimin material ajo përbën pronë familjare së cilës duhet t’i dalim zot. Porse, në kuptimin simbolik ajo ishte “atdheu i kujtuar nëpërmjet babës Gjon”, pra atdheu shpirtëror, trashëgimia të cilën e ripërtërinte vazhdimisht në kujtesë. Ajo përbën jo vetëm territor, por hapësirë në të cilën shtrihen bashkësi (Barleti i quan popuj) të një gjuhe e një gjaku, të një kulture të përbashkët e të riteve, dokeve e zakoneve të përbashkëta:

Le t’i rifitonin më parë vatrat e të parëve dhe lirinë e gjithë popujve të saj…

Toka në të cilën mbretëronte i ati i Gjergjit, Gjoni, në kujtesën e tij kishte përmasa jo vetëm të vendit të të parëve, pra të “tokës historike”, por edhe të vendit, i cili, duke u rikujtuar merr kuptim simbolik, përtej atij material. Si vend i të parëve ai përbën territor të njohur historikisht (lieux d’histoire), në të cilin kanë jetuar “gjinja” e tij. Rrjedhimisht, ai nuk mund të jetë vetvetiu motivues për lëvizje të reja. Por, kuptimi simbolik e shndërron në vend të kujtuar (leux de mémoire), motivues për rikthim të tij e të gjendjes së tij, sikur të përbënte kthim në esencën e gjërave të cilat na përdallojnë nga të tjerët.
Pa synimin për ta ripërtërirë në kujtesë, leux de mémoire do të mbetej i pandashëm nga lieux d’histoire.

Pra, atdheu fizik shndërrohet lehtësisht në strumbullar të kujtesës për origjinën e përkatësinë. Kuptimi i tij imaterial, shpirtëror e simbolik e ndihmon përlindjen e kultit të origjinës. Ai e përjetëson vetëdijen tonë për të, sikurqë e ndihmon edhe lindjen e mitit (të heroit), i cili mund ta dëshmojë atë.

Arbëria e sajuar

Barleti u referohet raporteve historike dhe përmbi to kërkon ta ripërtërijë identitetin gjuhësor, kulturor e historik, si dhe t’i përfshijë pjesëtarët e një gjaku, kulture e traditash të përbashkëta. Rrjedhimisht, Arbëria e tij (“Arbëria e sajuar” – Schwyzer) është historike. Ajo lind nga kujtesa për “trojet e të parëve”, dimensionet e saj shtrihen gjithandej nga shtrihen fiset e Arbrit dhe është “farefisni” e gjerë në kuptimin që këtij nocioni ia njihnin modernistët. Bashkëkohësve të Barletit ajo u shfaqej si jehonë e të bëmave të mëdha epike të një epoke. Kufijtë e saj qenë të përcaktueshëm jo vetëm mbi bazën e zotërimeve, por edhe të një “qytetërimi arbëror”, i dallueshëm nga qytetërimet e tjera dhe i ngulitur në kujtesën e njerëzve abrërishtfolës e arbërndjesish. Ajo është sajuar si lidhje fisesh të ngulitura në atdheun e shqiptarëve. Pra, mbështetur edhe në premisat moderniste, Arbëria e krijoi lidhjen e njëjtëgjuhësve, njëjtëbesuesve dhe njëjtëkulturësve, duke e krijuar një farefisni, e cila përbën parabazën e fuqishme për krijimin e etnive, të cilat i bashkon gjaku, gjuha, territori dhe kujtesa e përbashkët, qoftë ajo historike, religjioze ose kulturore.

Përfundime

Barleti e sajoi Arbërinë historike, nëpërmjet ringjalljes së vetëdijes për territorin historik të arbërve, si dhe synimit për ripërtëritjen e tij. Pra, ai “e rrëfeu” në tekst të shkruar historinë dhe për të e pati një shtysë të fuqishme, ta letrarizonte njërin ndër mitet më të famshme në Mesjetë, mitin e heroit, i cili mund të pikëpreket me historinë, por gjithsesi është pjellë e rrëfimit. Nëse në letrat shqipe ka pasur një kategorizim të vazhdueshëm të tekstit të Barletit për Skënderbeun si tekst i cili rri në kufirin mes dëshmisë e trillit, kjo ngjet ngaqë ai e rithur mitin për historinë në rrëfim. Barleti trajtohet si “sajuesi” i parë i Arbërisë (Shqipërisë), ai e krijoi atë nëpërmjet mitit të heroit nacional të saj, Skënderbeut.
Te Barleti diskursi historik i nënshtrohet diskursit letrar, sikurqë mitologjia, figurat e shumta retorike dhe vetë stili jo rrallë janë të sajuara prej letrari dhe jo prej historiani. Barleti nuk shkroi në gjuhën shqipe, ngaqë ata që do ta lexonin edhe ashtu qenë të paktë, por në gjuhën e kohës, në atëlatine. Ajo që e ndërlidh me “substratin identitar” është subjekti, i cili shërbeu si parabazë e paramodel për një vistër tekstesh të mëvonshme, letrare e historike, për Skënderbeun e për epokën e tij.

Referenca:

• Barletius, Marinus. Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, pa datë botimi (mendohet se libri është shkruar mes viteve 1508-1510), përkthyer në shqip nga origjinali në latinisht nga: Stefan I. Prifti: Marin Barleti, Historia e jetës dhe e vepravet të Skënderbeut (“Rilindja”, Prishtinë,1989);
• Curtius, Robert Ernst. EuropäischeLiteratur und LateinischesMittelalter(FrenckeVerlag, Bern und München, DritteAuflage, 1961). Cituarsipaspërkthimitnëgjuhënkroate: Ernst Robert Curtius, Evropskaknjiževnostilatinskosrednjovjekovlje, përkthyerngaStjepanMarkuš (“Naprijed”, Zagreb, 1998);
• Hadfield, Andrew. Literature, Politics and National Identity: Reformation and Renaissance (Cambridge University Press, 1994);
• Levi-Strauss, Claude. Myth and Meaning (“Routledge Classics”, London and New York, 2001);
• Myhill, John. Language, Religion and National Identity in Europe and the Middle East: A Historical Study (Amsterdam, John Benjamins Publishing Co., 2006);
• Nora, Pierre. Between Memory and History: Le Lieux de Mèmoire, translated in English by: Marc Roudebush (“Representaion” 26, Spring, 1989);
• Pierre, Nora. Realms of Memory (Columbia University Press, New York, 1996);
• Riza, Selman. Pesë autorë të vjetër (“Toena”, Tiranë, 2002);
• Roques, Mario. Recherches sur les anciens testes albanais (Paris, 1932), në gjuhën shqipe: Gjurmime mbi tekstet e vjetra shqipe e shkrime të tjera (Botimet françeskane, Shkodër, 2011);
• Schwyzer, Philip. Literature, Nationalism and Memory (Cambridge University Press, UK, 2004);
• Segal, Robert A. Myth – A very short introduction (Oxford University Press Inc., New York, 2004);
• Smith, Anthony D. Myths and Memories of the Nation (New York, Oxford University Press, 1999;
• Thiesse, Anne-Marie. La création des identities nationales – Europe XVIII-XX siècle (Éditions de Seuil, Mars 1999). Cituarsipas përkthimit nëgjuhën shqipe: Anne-Marie Thiesse,Krijimiiidentitetevekombëtare – Europa e shekujve XVIII-XX, përkthyernga: EtlevaShiroka (“Dukagjini”, Pejë, 2004);


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit