-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kryekomandanti musliman që spanjollët i ngritën një monument

Më të lexuarat

Kush ishte Ibrahim Ali el-Attar i epokës andaluziane?

Në qendër të qytetit spanjoll Locha, ndodhet një monument (statujë) i madh që u kujton spanjollëve dhe vizitorëve të këtij qyteti trimërinë dhe rezistencën e një prej kryekomandantëve myslimanë më të shquar në Endelus, Ibrahim Ali el-Attar, tw cilin dokumentet spanjolle e përshkruajnë si një “udhëheqës legjendar”, pasi udhëhoqi ushtrinë muslimane të Granada-s kundër ushtrisë kryqtare të Kastiljes, në një përpjekje për të mbrojtur bastionet e fundit muslimane në Endelus, përpara se të martirizohej në Betejën e Lucenës në 1483.

Kush ishte Ibrahim Ali el-Attar?

Data e saktë e lindjes së tij nuk dihet, por disa historianë thonë se ai ka lindur në vitin 1403, pasi u vlerësua të ishte 80 vjeç kur vdiq në 1483. Pak dihet gjithashtu për jetën e tij të hershme, përveç që thuhej se ai ishte tregtar që në moshë të vogël, gjë që e ndihmoi të fitonte një pasuri të madhe përmes tregtisë së erëzave.

Ibrahim Ali el-Attar ishte një musliman i sinqertë, i cili ishte thellësisht i brengosur nga gjendja e vështirë e muslimanëve dhe e shtetit musliman të Granada-s në mesin e adoleshencës, dhe u tmerrua nga masakrat e kryqtarëve ndaj muslimanëve në qytetet andaluziane të pushtuara më parë nga kryqtarët, gjë që e çoi atë të bashkohej me ushtrinë e Granada-s dhe shpejt u bë komandanti i saj.

Lufta i El-Attar-it kundër kryqtarëve të Kastiljes nuk ishte vetëm me shpatë, por ai dha të gjithë pasurinë e tij për të mbrojtur shtetin musliman të Granada-s nga rënia dhe rrënimi. Ndaj, me gjithë pasurinë e madhe që posedonte, Ibrahim Ali el-Attar nuk kishte para për ta pajisur vajzën e tij në ditën e dasmës dhe martesës me sundimtarin e Granadës, Abu Abdullah el-Saghir.

Lidhur me këtë, historiani spanjoll, Miguel La Fuente Alqantara, shkruante: “Ibrahim Ali el-Attar nuk kishte asgjë në dasmën e vajzës së tij për ta pajisur atë, përveç rrobave dhe bizhuterive të huazuara”.

Mbrojti Granada-n dhe me pasuri

Në korrik 1482, ndërsa shteti musliman i Granadës ishte në mes të një përçarjeje dhe lufte për pushtet midis Abu Abdullah al-Sagir dhe babait të tij Abul-Hasan ibn Sa’d, mbreti Ferdinand sulmoi qytetin e Locha-s, që ndodhet në perëndim të Granada-s – që është vendlindja e historianit dhe shkrimtarit të famshëm musliman nga Endelusi, Lisanuddin ibn Hatib (1313 – 1374) – guvernatori i të cilit ishte pikërisht Ibrahim Ali el-Attar.

El-Attar nuk hezitoi aspak, por me vendosmëri dhe guxim e mbrojti qytetin, duke qëndruar para ushtrisë kastiliane me garnizonin e tij prej vetëm tre mijë muxhahedinësh.

Ushtria e kryqëzatave përbëhej nga kalorës nga kalaja e Rabah, përveç një numri kalorësish të famshëm si Pedro Fernandez me 5 mijë kalorës dhe 10 mijë këmbësorë, me artileri për rrethimin dhe mijëra punëtorë për gërmimin e llogoreve dhe ndërtimin e mureve.

Kastilianët, të udhëhequr nga Pedro Fernandez, filluan të ndërtonin kampet e tyre ushtarake në brigjet e lumit Granada në një zonë plot me shkëmbinj, pemishte dhe limane, të cilat paraqisnin një vështirësi dhe sfidë për ta për të zgjedhur vende të favorshme për ushtarët dhe manovrat.

Mirëpo, përpara se ushtria kryqtare të mund të fushonte, El-Attar i sulmoi papritur dhe ia doli t’i mposht, kështu që i detyroi të tërhiqen, pasi iu theu radhët, ua rrëmbeu armët dhe vrau një numër të madh ushtarësh, përfshirë komandantët e ushtrisë.

Pas kësaj, El-Attar u kthye nga një politikë mbrojtëse në një politikë sulmuese, duke e çuar ushtrinë e tij për të pushtuar dhe çliruar kufijtë veriorë të Kastiljas. Ushtarët e El-Attar-it arritën të kapnin kështjellën e Carcabuey-t, ndërsa kastilianët u tërhoqën për të mbrojtur kufijtë e tyre.

Vdekja e El-Attar-it shënoi fillimin e rënies eventuale të shtetit musliman të Granada-s

Më 20 prill 1483, El-Attar, me ushtrinë e tij, e cila numëronte rreth shtatë mijë luftëtarë, nisi një sulm në qytetin e Lucene-s, ku e prisnin tre ushtri të mëdha aleate të krishtera. Për shkak të ndryshimit të madh në forcë dhe numër, muslimanët u detyruan të tërhiqen në periferi të qytetit, por konflikti ishte i pashmangshëm.

Dhe ndërsa ushtria e El-Attar-it po tërhiqej, ajo u ekspozua ndaj një sulmi të befasishëm të kryqëzatave, në të cilin u vranë një numër i madh ushtarësh muslimanë, në mesin e tyre komandanti Ibrahim Ali el-Attar. Ai u vra ndërsa përpiqej të mbronte sundimtarin e Granadës Abu Abdullah al-Sagir.

Për nder të heroizmit dhe guximit të tij të papërshkrueshëm, të krishterët e Kastiljes ruajtën kujtimin e El-Attar-it, i cili u bë simbol i guximit dhe rezistencës, ndaj dhe spanjollët i ngritën një monument të madh Ibrahim Ali el-Attar-it në qytetin e tij Locha.

Sa i përket shtetit musliman të Granada-s, me vdekjen e muxhahedinëve dhe komandantit të tij legjendar, Ibrahim Ali el-Attar, ai në fakt hyri në një fazë shpërbërjeje. Dhjetë vjet pas vdekjes së El-Attar-it, Granada ra në duart e kryqtarëve në 1492, duke mbyllur kështu faqen e fundit të sundimit musliman në Endelus. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit