16.9 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Kronologjia e Xhamisë së fshatit Radoniq

Më të lexuarat

Për shkak të ndërtimit të bazenit artificial akumulues është eksproprijuar nga ana e Kuvendit Komunal të Gjakovës edhe xhamia, dhe është dashur të gjendet një vend tjetër i përshtatshëm, për ndërtimin e xhamisë së re.

Radoniqi, një ndër fshatrat e zonës së Dushkajës që shtrihej nja 10 km. në veri të Gjakovës, qendër administrative dhe kulturore të cilës i takonte. Territori i këtij katundi kufizohet me fshatrat e po kësaj komune: Zhdrellë dhe Janosh ne jug, Neticin e Cërmjanin në lindje, me Gërgocin në verilindje, Rakocin në veri, ndërsa në perëndim me Palabardhin, Gramaçelin dhe Shaptejn. (dy fshatrat e fundit janë të komunës së Deçanit).

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 1971, ky fshat kishte gjithsejtë 494 banorë, prej të cilëve 23 ishin të kombësisë malazeze, ndërsa të gjithë të tjerët shqiptarë.

Për shkak të fillimit të punimeve të bazenit në Hidrosistemin e “Radoniqit”, kah fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80, shihet zvogëlimi i dukshëm i numrit të popullsisë, e cila ishte e shtrënguar – ose e detyruar të gjente strehim në ndonjë vend tjetër. Kështu, sipas rezultateve të vitit 1981, fshati Radoniq kishte vetëm 283 banorë, të gjithë shqiptarë.

Të përmendim se i tërë fshati ishte i ndarë në dy lagje: Mahalla Epër dhe Mahalla Poshtër, siç e quanin banorët e këtushëm.

Banorët e këtij fshati ishin të fiseve: Gash, Thaq, si dhe të disa familjeve të fiseve: Bytyq, siç thuhet të ardhur prej Bytyqit të Malësisë së Gjakovës dhe një familje e fisit Hot, e ardhur nga viset e Hasit të Gjakovës. Sipas tregimit të Haxhi Mulla Ahmet ef.Januzaj (imam i këtij fshati), banorët më të vjetër të fshatit Radoniq kishin qenë thaqjanët e gashjanët dhe ishin të shpërndarë në këto dy mëhallë.

Ky fshat kishte edhe xhaminë e vet, e cila kishte filluar të ndërtohet në vitin 1830. Ndërtimi kishte zgjatur 2 vjet, d.m.th., kishte përfunduar së ndërtuari në vitin 1832. Xhamia në fjalë nuk kishte minare. Imami i kësaj xhamie kishte qenë Mulla Ahmet ef.Januzi, i cili njëherit kishte qenë edhe iniciatori për ndërtimin e saj. Ndërsa trualli në të cilin ishte ndërtuar xhamia ishte pronë e familjes së Cenve të këtij fshati. Kjo familje, kryesisht e kishte ndihmuar ndërtimin e xhamisë. Familja, e cila sot jeton në Pejë, i posedon edhe tapitë (turke) të xhamisë. Pas tij vjen i biri Mulla Hasan ef.Januzi, të cilin, në atë kohë e kishin arrestuar malazezët, me pretekst të posedimit të armëve, bashkë me disa xhematlinj, pas torturave, mundimeve dhe rrahjeve i kanë sjell në Gjakovë dhe te fabrika e tjegullave (cerphana – karshi fabrikës së tekstilit “Emin Duraku” – saktësisht te vendi i quajtur “Shlaku”), i kanë pushkatuar. Më pas vjen djali tjetër i tij Mulla Ahmet ef.Januzi, gjer në vitin 1965. Pas tij vjen djali i tij Mulla Ismajl ef.Januzi, i cili ende vazhdon ta kryej detyrën e imamit, por në xhaminë e fshatit Shqiponjë – ish Jabllanicë.

Siç e përmendëm më lartë, për shkak të ndërtimit të bazenit artificial akumulues është eksproprijuar nga ana e Kuvendit Komunal të Gjakovës edhe xhamia, dhe u desh të gjendet një vend tjetër i përshtatshëm, për ndërtimin e xhamisë së re.

Mjetet financiare që u dhanë në emër të eksproprijimit të xhamisë së Radoniqit, që do të përmbytej, në bazë të vendimit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës dhe pëlqimit të xhematlinjve të territorit të kësaj xhamie, u vendos që xhamia e re të ndërtohet në fshatin Shqiponjë – ish Jabllanicë të Dushkajës.

Xhamia e re filloi të ndërtohet në vitin 1986 dhe ka përfunduar në vitin 1988. Gjatë luftës 1998-99 kjo xhami ishte dëmtuar pjesërisht dhe është rinovuar në nga një shoqatë Amerikane. Pos renovimit është ndërtuar minarja prej themelit dhe janë shtuar 3 kupola të vogla, është ndërtuar shatërvani, është hapur bunari dhe është instaluar ujësjellësi.

Hidrosistemi i “Radoniqit”, ka rëndësi të madhe ekonomike. Me ndërtimin e këtij hidrosistemi sot ujiten 21.1000 hektarë. Ky Hidrosistem është objekt kapital për komunën e Gjakovës, Rahavecit dhe pjesërisht të Prizrenit, sepse mundëson furnizimin me ujë të pijes, të ujitjes dhe të industrisë. Uji kryesisht bartet prej Bistricës së Deçanit, me anë të kanalit, i cili është i gjatë 8.600 m.

Përgatiti:

Esat ef.Rexha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit