Pas Malit të Zi, Kosova ka pjesëmarrjen më të lartë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në ngrohje dhe ftohje në vitin 2021, theksojnë të dhënat e Eurostat për vitin 2021.
Përveç sistemeve tjera të ripërtëritshme dhe pa ndotje, këto të dhëna përfshijnë edhe drurin, peletin si dhe burime tjera me emetime, që digjen për ngrohjen e shtëpive dhe hapësirave, dhe që konsiderohen të ripërtëritshme.
Këtë vit, pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë për ngrohje dhe ftohje është shënuar në 53.4%, ndërsa në Mal të Zi, 63.5%.
Vendet | Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në ngrohje dhe ftohje |
---|---|
Mali i Zi | 63.5% |
Kosova | 53.4% |
Serbia | 35.5% |
Maqedonia e Veriut | 32.3% |
Shqipëria | 21.2% |
Bosnja dhe Hercegovina | Nuk ka të dhëna |
Në vitin 2021, burimet e ripërtëritshme përbënin 22,9% të burimeve të energjisë së përdorur për ngrohje dhe ftohje në BE, tregues ky dukshëm më i lartë krahasuar me vitin 2004, kur ishte 11.7%.
Zhvillimet industrial, të shërbimeve dhe amvisëritë kanë kontribuar kryesisht në këtë rritje, thekson raporti i Eurostat, raporton Kosovo.Energy.
Në listën e vendeve anëtare të BE-së, pjesëmarrja e BRE-ve në ngrohje dhe ftohje ishte më e larta në Suedi (68.6%), pasuar nga Estonia (61.3%), Latvia (57.4%) dhe Finlanda (52.6%).
Në anën tjetër, pjesëmarrja më e ulët e BRE-ve në ngrohje dhe ftohje është shënuar në Irlandë (5.2%), Holandë (7.7%) dhe Belgjikë (9.2%)./kosovo.energy/