1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kontrata e sigurimit sipas jurisprudencës islame (1)

Më të lexuarat

Shkruan: Prof. Jusuf ZIMERI

Hyrje

Sistemi i sigurimeve në kohën bashkëkohore është shtrirë në të gjitha poret e jetës dhe është bërë pjesë përbërëse e jetës së njeriut. Ky sistem përmes kontratave të sigurimit ka depërtuar thellë në fushën e tregtisë, ndërtimtarisë, në bujqësi, shëndetësi kudo tjetër. Ky sistem është zgjeruar edhe në elementet dhe mjetet që i përdorë njeriu siç janë automjetet etj. Në disa vende është bërë edhe i domosdoshëm përmes ligjeve që kanë sjellë ligjvënësit për disa sferat të caktuara. Megjithatë kjo problematikë domosdo kërkon edhe zgjedhje dhe qëndrim të islamit ndaj sistemit të sigurimit, andaj mendoj se ky punim ka edhe peshën e vet për besimtarët islam.

 

Përhapja e këtij sistemi të sigurimit në botë, i nxiti edhe juristët islam për të përkufizuar këtë sistem, studiuar dhe analizuar dhe në fund për të gjetur zgjidhje për besimtarët islam. Prandaj ne në vazhdim do të bëjmë përpjekje maksimale që përmes këtij punimi të paraqesim analizat dhe qëndrimet e juristëve islam, pavarësisht se angazhimi dhe studimi i tyre ka qenë individual, apo grupor përmes debateve dhe konferencave të ndryshme të organizuara nga institucione dhe akademi islame.

Mirëpo, gjithsesi për t’i kuptuar çështjet juridike islame në thellësi dhe në detaje, detyrimisht dhe në vazhdimësi duhet pasur parasysh një çështje shumë esenciale, që është, se sistemi juridik islam, ndryshon nga sistemet pozitive në esencë, ku përfshihen ndryshmet në qëllime, veprime, natyrshmëri, terminologji si dhe në rregullat dhe disiplinat e saja. Sistemi juridik islam, është sistem i veçantë, nuk është i bazuar e as i ndikuar as nga sistemi i së drejtës romake, e as nga sistemi i quajtur anglosakson. Nëse këtë nuk kemi arritur ta kuptojmë qartë, atëherë paqartësitë do të na shoqërojnë në vazhdimësi.

Prandaj do të bëjmë përpjekje që para se të lëshohemi në paraqitjen e dispozitës islame për sigurimin, fillimisht të paraqesim një historik të shkurtë sigurimit, pastaj të bëjmë përkufizimin e tij si dhe intencat e këtij sistemi apo kë kontratave të sigurimit.

 Historiku i zhvillimit të sistemit të sigurimit

Nëse sistemin e sigurimit e kundrojmë nga aspekti i bashkëpunimit dhe solidaritetit të individëve për ballë ndonjë rreziku të caktuar, atëherë juristët i gjejmë të ndarë për momentet e lindjes së idesë së sigurimeve. Sipas disa juristëve sigurimi si formë e solidaritetit dhe humanizmit e ka shoqëruar qenien njerëzore në të gjitha fazat e tij të zhvillimit që nga njeriu i parë e këndej. Sigurimi në kuptim të humanizmit dhe ndihmës reciproke ishte edhe thirrje e të gjithë pejgambereve dhe e të gjitha sistemeve në shoqërinë njerëzore. Këtë sistem në mënyrë praktike e gjejmë edhe te egjiptianët e lashtë, e cila zbatohej pikërisht përmes disa shoqatave apo organizatave që ishin formuar për ndihmën dhe solidarizimin në rastet e varrimit të të vdekurve, sepse procedura e varrimit sipas traditave të kohës ishte shumë e shtrenjtë dhe vështirësuese. Varrimi i të vdekurve të tyre i shtrenjtë dhe i vështirësuar buronte nga besimi i tyre që kishin mbi besimin në botën tjetër. Sipas besimit të tyre, që të mund që shpirti të rikthehet sërish në trupin ku ka qenë, kushtëzohej që trupi të jetë i pa dëmtuar, e për këtë kërkoheshin shpenzime të mëdha.[1] Kjo vështirësi i nxiti egjiptianët që të mendojnë për ndihmën e mjaftueshme të familjeve që kishin raste për varrim.[2]

Sipas disa juristëve tjerë, format e para të sigurimit i takojmë qysh nga bashkësitë e para njerëzore, në kuadër të fiseve, e më vonë edhe në familje. Elementet e sigurimeve lajmërohen te Kinezet me rastin e transporti të mallrave nëpërmjet Jang Cek Jangut, si dhe në Babiloni qysh para mijë vitesh.[3] Edhe në kulturën dhe civilizimin kinez njihej parimi i shpërndarjes së rrezikut kur tregtonin mallrat e tyre përmes lumenjve. Nëse fundosej ndonjë anije me mall dhe shpëtonin të tjerat, atëherë dëmi shpërndahej mes tregtarëve dhe ata e mbulonin humbjen[4].

Gjurmët të shkruara në lidhje me sigurimet ekzistojnë edhe në ligjin e Hamurabit[5] nga viti 2250 p.e.r. ku në formë urdhërese në lidhje me obligimet e ndërsjella të pjesëmarrësve të karvanëve tregtare për të kompensuar dëmet të cilat mund të ndodhin me rastin e vjedhjes. Neni 23 i këtij ligji përmban elemente të sigurimeve shtetërore dhe thotë: Nëse grabitësit nuk arrihet të kapen, i grabituri duhet që para Zotit të kërkojë çdo gjë që i është marrë. Atëherë banorët dhe udhëheqësi i vendbanimit në tokën në të cilën është kryer grabitja do ti kompensojë të gjithë pasurinë që i është grabitur.[6]

Historianët dëshmojë se idenë e sigurimeve e njihnin dhe zbatonin edhe arabët kur niseshin me karvanët e tyre për tregti. Kur niseshin me karvanët e tyre, ata bënin marrëveshje mes veti, se nëse ndonjë karvan goditet me ndonjë fatkeqësi apo humbet, dëmin e humbjes do ta shpërndanin mes veti. Nivelin e kompensimit e ndanin ose në bazë të fitimit që kishte çdo anëtar i karvanit, ose në bazë të kapitalit, por me rëndësi se ideja e sigurimit ekzistonte edhe në mesin e tyre.

Nëse kontratën e sigurimit e kundrojmë nga aspekti i bashkëpunimit, tolerancës, solidaritetit dhe ndihmës vëllazërore, për të eliminuar dëmet dhe efektet e fatkeqësive, atëherë me lehtësi konstatojmë se kjo kontratë te myslimanët për herë të parë është praktikuar në rastin e shpërnguljes së myslimanëve nga Meka në Medine. Kur myslimanët e Mekës ishin dëbuar nga Meka dhe pas veti kishin lënë shtëpitë e tyre, pasuritë, familjet, vendin dhe gjithçka që posedonin, kjo vërtetë ishte fatkeqësi e rëndë njerëzore. Ata kishin ardhur në Medine vetëm me trupat dhe shpirtrat e tyre. Muslimanët e Medinës, i kishin pranuar në shtëpitë e tyre, u kishin dhuruar strehim, ushqim dhe veshmbathje, për ti tejkaluar dhembjet e fatkeqësisë. Kur një Ensar (besimtar i Medinës) një dit kishte pa një mysliman nga Mekja, se në belin e tij kishte lidhur gurë, për të drejtpeshuar boshtin e tij kurrizor nga uria, nuk mundi të duroj më por erdhi te Pejgamberi [Alejhis-selam] dhe i tha: O i dërguari i Allahut, Ndaje tokën tonë përgjysmë me vëllezërit tanë muhaxhir nga Meka! Pejgamberi [Alejhis-selam] tha: ”Jo, por siguroi atyre ushqim dhe ndani frutat, e toka është toka e juaj” Thanë: jemi të kënaqur me këtë vendim, pastaj zbriti ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

وَالَّذِينَ تَبَوَّءُوا الدَّارَ وَالْإِيمَانَ مِنْ قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَنْ يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

Edhe ata që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin te ata dhe nuk ndiejnë në gjokset e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar”. El hashr :09

Mirëpo, shfaqja e sistemit të sigurimeve si kontrata të rregulluara sipas kodit civil, në historinë e njerëzimit janë relativisht kontrata të reja, si produkt i zhvillimit ekonomik dhe shoqërorë. Juristët dhe historianët janë të mendimit se kontrata e parë e ruajtur e sigurimeve daton nga viti 1347 në Gjenovë të Italisë[7], ku ishte arritur një kontratë sigurimi për një anije e quajtur Santa Clara” cila transportonte mall nga Gjenova për në Majorka të Spanjë[8] Në këtë kontratë janë përfshirë karakteristikat e sigurimeve në kuptimin e bartjes së rrezikut , ndodhjes së dëmit dhe elementet tjera. Sigurimi i asaj kohe përfshinte vetëm sigurimin e mallit që e transportonin anijet, e në te nuk përfshihej sigurimi i udhëtarëve e as i detarëve.

Nuk ka dilemë mes studiuesve se sigurimi detar është sigurimi i parë që ka dalë në skenë në historinë e sigurimeve, kurse ligjin e parë i cili njihet me emrin sigurimi detar është sigurimi që njihet me emrin porositë e Barcelonës në vitin 1435.

Ndërsa polisa e parë e sigurimeve është lëshuar ne Pizza të Italisë vitin 1385 në gjuhën italiane nga e cila edhe rrjedh fjala polisa (police) apo “polizza” e që ndërlidhet me kuptimin e fjalës premtim.

Në anën tjetër, sa i përket sigurimeve të pasurive tokësore, për herë të parë u shfaqën në Britani vitin 1666 kur në Londër nga neglizhenca është shfaqur një zjarr[9] prej një furre buke dhe si pasojë pas veti la të djegura 13.200 shtëpi, 84 kisha e katedrale, 44 halla të fabrikave, ndërsa 460 janë zhdukur plotësisht. Nga këtu u shfaq nevoja e solidarizimit dhe ndihmës ku një vit pas zjarrit Dr. Nicholas Barbon ka ndihmuar në formimin e shoqërisë së parë siguruese nën emrin “zyra e sigurimeve” e cila gjendej pas berëzës së Londrës[10]. Kjo zyrë konsiderohet zanafilla e zhvillimit të sigurimeve ndaj zjarreve, kurse shoqëria e parë për sigurim të ndërsjellë u formua në vitin 1684 e cila ka mbuluar edhe sigurimet nga zjarri ndërsa shoqëria për sigurime të ndërsjella u formua vitin 1694 me emrin “hand in hand” dorë në dorë, e më pas u formuan edhe shumë shoqëri tjera të sigurimit nëpër botë.

Pas kësaj ngjarjeje në shekullin tetëmbëdhjetë (XVIII) sigurimet i përhapën edhe në shtetet fqinje jashtë Anglisë, si Gjermania, Franca e deri në Kombet e Bashkuara të Amerikës. Ligji i parë që u nxor për rregullimin e sigurimeve, është në Gjermani në vitin 1901, që është ligji për sistemin dhe parandalimin e humbjes me kompensimit. Ky sistem është kur një numër individësh bien dakord mes veti të paguajnë një shumë specifike për të siguruar, në mënyrë që ato të holla kompensohen kur humbja e ndonjë pasurie për shkak të zjarrit, aksidenteve, vdekjes, ose arsye të tjera.[11] Gjatë shekullit njëzet u paraqitën edhe forma tjera të sigurimit, siç janë sigurimi nga vjedhja e sendeve, sigurimi nga katastrofat natyrore të bereqeteve tokësore, sigurimi i mjeteve mekanike, sigurimi nga ngordhja e kafshëve, sigurimi nga rreziqet e luftës, pastaj sigurimi i përgjegjësive siç janë sigurimi i mjekëve gjatë operimeve, sigurimi i borxheve etj.

Nga kjo që thamë në pika të shkurta se historiku i sistemit të sigurimeve është një histori relativisht e shkurtë që zanafillën e saj e zë diku nga fillimi i shekullit katërmbëdhjetë, kurse sistemi i sigurimit në këtë formë, në botën islame nuk njihej fare deri para dy shekujve, e që më pas u njoh edhe ky sistem përmes shkëmbimit të tregtisë mes lindjes dhe perëndimit. Prandaj, dijetarët e mëhershëm mysliman dhe muxhtehidët e hershëm nuk ishin marrë me këtë problematikë, andaj nuk gjejmë ndonjë tekst nga ata që të jetë ballafaquar me këtë problematikë dhe të ketë dhënë vendim ligjor për të. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se në legjislacionin islam nuk mund të gjejmë bazë juridike për dispozitën e saj. Dijetari i parë islam që u mor me studimin e sistemit të sigurimit dhe që foli për dispozitën e sigurimit ishte gjiganti i madh i Shamit dhe bartësi i medhhebit Hanefij Muhamed Emin Ibni Abidin[12], në Hashijen e tij të quajtur “Redul muhar[13] ala durril muhtar” ku ekspozoi idenë e kontratës së sigurimit në kapitullin “babul muste’min” ku thotë: “Imami (udhëheqësi islam) ka për obligim të ndihmojë Muste’minin[14] përderisa janë në shtetin islam, prandaj myslimanit nuk i lejohet që të kontraktoj muste’minin përveç ato kontrata që i lejohen me myslimanin. Gjithashtu nuk lejohet për myslimanin që të marrë diçka nga muste’mini që nuk e detyron ligji (sheriati) edhe nëse e lejon tradita[15].

Juristi dhe usulisti i njohur islam Abdulkerim Zejdani[16] kur e ka shtjelluar çështjen e kontratës së sigurimit thotë: “Edhe pse kjo kontratë është e re dhe për këtë nuk kanë folur dijetarët e vjetër islam kjo nuk nënkupton se islami nuk ka zgjidhje edhe për të. Metodologjia e saktë e njohjes së kontratës së re është njohja e përmbajtjes së saj, pastaj eksplorimi i saj në kuptimet, rregullat dhe parimet e përgjithshme të sheriatit islam. Prandaj nëse ajo përputhet me rregullat dhe parimet e përgjithshme të sheriatit, ose së paku nuk kundërshtohet me to, atëherë edhe kjo kontratë është e pranuar dhe e vlefshme sipas sheriatit islam, duke u nisur nga rregulli ku thotë “në esencë kontratat dhe kushte janë të lejuara”[17]

Që nga ajo kohë e më pas e veçanërisht në shekullin e fundit, janë bërë shumë studime dhe debate rreth çështjes së legjitimitetit juridik islam të kontratës së sigurimit. Mes dijetarëve bashkëkohor musliman janë hapur debate të shumta për këtë problematikë ku dhe janë dhënë edhe fetva dhe përgjigje të ndryshme. Për shqyrtim të kësaj çështjeje, u organizuan debate, seminare dhe konferenca të vazhdueshme shkencore siç është rasti i konferencës më viti 1955 në Egjipt, pastaj në Damask në vitin 1961, pastaj në Meke, Kuvajt, Dubai etj. Marrë parasysh se çështja nuk është aq e thjeshtë e as e lehtë, porse ka përgjegjësi të dyfishtë, përgjegjësi para Allahut, dhe përgjegjësi pra shoqërisë myslimane, edhe dijetarët bashkëkohorë bënë përpjekje të vazhdueshme për të shkoqitur këtë çështje mbi baza të shëndosha islame dhe shkencore. Sigurisht se në vazhdim do të bëjmë përpjekje për të paraqitur mendimet dhe analizat shkencore si dhe argumentet e dijetarëve bashkëkohorë rreth çështjes së kontratës së sigurimeve .

Intenca dhe roli i kontratës së sigurimit

Nuk ka dilemë se sigurimi dhe kontratat e sigurimit në kohën bashkëkohore janë bërë një domosdoshmëri në jetën shoqërore si dhe në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike globale. Kontratat e sigurimit si dhe organizatat e sigurimit, nga dita në ditë po vazhdojnë në zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Disa nga këto kontrata kanë karakter detyrues që do të thotë se detyrojnë personin qoftë ai person fizik apo juridik që të sigurohet, por ekzistojnë edhe disa kontrata sigurimi që janë kontrata sigurimi vullnetare, siç janë sigurimet e makinave p.sh.. Kompanitë e sigurimit disa prej tyre janë themeluar në emër të shtetit dhe menaxhohen nga institucionet e shtetit, e disa prej tyre janë formuar edhe si institucione private, pra që organizohen dhe menaxhohen nga shoqëria civile.

Sipas asaj që nënkupton nocioni te’min – sigurim intenca e saj do të ishte qetësia dhe rehatia që do prodhonte kjo kontratë mes njerëzve, përmirësimi dhe ndihma e solidariteti mes tyre dhe sigurimi i pasurisë nga dora e huaj me pa të drejtë, mirëpo, meqë kompanitë e sigurimit janë si rezultat e sistemit kapitalist, atëherë vetvetiu kuptohet dhe duhet theksuar se intenca kryesore e të gjitha këtyre kompanive të sigurimit, pavarësisht se janë të menaxhuara nga sektori privat është grumbullimi i pasurisë dhe fitimi. Kjo nënkupton se kompanitë e sigurimit kur është në pyetje interesi material dhe ekonomik nuk çajnë kokën as për aspektin moral (etik) as njerëzor e as për lejim dhe ndalim (hallall dhe haram), edhe pse në disa raste tentojnë të mbulohen pas vlerave morale, humane dhe njerëzore.

Nga këtu, disa juristë duke qenë mirë të informuar dhe duke u njohur edhe me sekrete e veprimtarisë së kompanive të sigurimit, kanë konstatuar se fitimtarë të vërtetë nga sigurimet janë vetëm udhëheqësit e kompanive, kurse palët e siguruara vetëm se janë humbës të pasurisë me ndonjë përjashtim të vogël.

Përkufizimi i kontratës së sigurimit

Që në fillim të theksojmë se përkufizimi i sigurimit si sistem ndryshon nga përkufizimi i sigurimit si kontratë[18].

Përkufizimi i sigurimit si sistem

Juristët me sigurimin si sistem kanë për qëllim “Ndihmën e sistemuar me një sistem preciz mes njerëzve të cilët i janë ekspozuar një rreziku të përbashkët. Nëse e godet një pjesë atëherë tërë shoqëria ndihmon në përballim me rrezikun duke sakrifikuar çdo kush një pjesë të vogël të pasurisë së tyre me të cilën mbulohen dëmet e atyre që janë goditur.[19]

Profesor Mustafa Ez-Zerka[20] sistemin e sigurimit e përkufizon si: “Koncepti i ndërtuar në mendjen e juristëve se, sistemi i sigurimit është sistem bashkëpunimi dhe solidariteti që shpien në copëzimin e rreziqeve dhe fatkeqësive që shpërndahet mes të siguruarve përmes kompensimit të dëmit që i bëhet të goditurit nga fatkeqësia nëse ka paguar primin, nga pasuria e përgjithshme në mënyrë që i dëmtuari të mos ngelë vetëm[21], ose: “Sistem kontraktues i ngritur mbi bazën e kompensimit që synon ndihmën për riparimin e dëmeve emergjente përmes organiza-tave me të cilat ekzistojnë kontrata dhe rregulla të qarta.[22]

Përmes këtij përkufizimi Dr. Mustafa Ez-Zerka bënë dallimin mes sigurimit si sistem dhe mes kontratave të sigurimit. Kjo nënkupton se Mustafa Ez-Zerka në parim lejon sistemin e sigurimit, e sa i përket kontratave të sigurimit, secila kontratë ka specifikat e saja dhe dispozitën e saj të veçantë.

Sistemin e sigurimit në parim e lejuan edhe juristë tjerë islam, sepse nëse vërtetë intenca e sistemit të sigurimit është ndihma dhe humanizmi mes njerëzve, atëherë s’ka dilemë se Islami që nga fillimi ka ftuar në ndihmë dhe reciprocitet mes shoqërisë njerëzore. Sistemi islam në bërthamë ka sistemin e humanizmit dhe bujarisë. Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë:

وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَىٰ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ وَاتَّقُوا اللَّـهَ إِنَّ اللَّـهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ

“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mos u ndihmoni në mëkate e armiqësi. Kini frikë dënimit të Allahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë.[23]

Për ndihmë mes veti të shoqërisë njerëzore, islami ka rregulluar një sërë sistemesh që shpijnë në drejtim të kësaj çështje, siç janë:

  1. Sistemi i pagesës së dijes akile, kur shpagimin e gjakut për veprën penale të vrasjes me gabim që duhet dije, e ka shpërndarë si detyrim të familjes së dorasësit.
  2. Sistemi i intervenimit me pasurinë e zekatit për ata që janë të ngulfatur në borxhe,
  3. Sistemi i intervenimit nga pasuria e zekatit për ata që janë udhëtar dhe kanë ngelur pa pasuri,
  4. Sistemi i shpenzimeve mes të afërmve dhe familjarëve që kanë nevojë,
  5. Sistemi i kefareteve (shpagimeve) dhe ndihmave tjera vullnetare, etj.

Pra të gjitha këto lloje të veprimeve gërshetojnë një sistem shumë funksional dhe shumë frytdhënës në sistemin e përgjithshëm të sistemit të sigurimit.

Përkufizimi i sigurimit si kontratë sigurimi

Kontrata e sigurimit (ar. Akdu et-te’min). Për ta pasur sa më të qartë këtë nocion që përbëhet prej dy fjalëve fillimisht do të bëjmë përkufizimin e fjalës “akdun – kontratë” e më pas edhe të fjalës “te’min – sigurim”.

Nocioni “ar. el akdu” në aspektin gjuhësor, është infinitivi i foljes “akade” që do të thotë: besë, premtim, kontratë, marrëveshje, traktat, nyje, lidhje, shtrëngim etj. pavarësisht se kjo lidhje mund të jetë materiale apo vetëm kuptimore.[24] Nocioni “El akdu” në aspektin gjuhësor nënkupton edhe bashkimin e dy skajeve të një sendi.

Në të drejtën kontraktuese pozitive terminologjia e përcaktimit të kontratës nuk është unike[25], sepse përveç termit kontratë përdoren edhe termat: konventë[26], traktat[27], pakt[28], takordim, dhe marrëveshje.

Juristët islam janë të mendimit se kuptimi linguistik i nocionit “el akdu” përfshihet edhe në kuptimin terminologjik të jurisprudencës islame, andaj sipas tyre nocioni “el akdu” (kontratë) mund të përdoret në dy kuptime, që janë

Kuptimi i përgjithshëm. Kuptimi i përgjithshëm i nocionit “el akdu” është më afër kuptimit linguistik. Në kuptimin e përgjithshëm me këtë shprehje nënkuptojmë “Çdo veprim që ka vendosur njeriu ta bëjë, pavarësisht se veprimi manifeston vetëm vullnetin personal, siç është rasti me shkurorëzimin, apo patjetër në të të manifestohet edhe vullneti i palës tjetër, siç është rasti me kontratën e shitblerjes, qirasë etj.

Kuptimi i veçantë. Në kuptimin e veçantë, të cilin do ta kemi edhe objekt të studimit tonë, me nocionin “el akdu” nënkuptojmë: “lidhjen (pajtueshmërinë e plotë) mes ofertës dhe pranimit në mënyrë të ligjshme ku vërtetohen detyrimet me lidhjen e saj (kontratës)” ose me fjalë tjera: lidhja, harmonizimi mes fjalëve të njërës palë kontraktuese me palën tjetër, për një marrëveshje që juridikisht është e lejuar dhe detyrimet vërtetohen me lidhjen e kësaj kontrate.[29]

Nocioni “Et-te’min – التَّأْمِين“ është infinitivi i foljes “ ar. emmene – juemminu” që do të thotë: qetësim, sigurim, e kundërta e frikës, qetësi zemërore[30]. Nocioni “ar. Te’min” në kuptim të qetësisë, sigurisë, qetësisë zemërore dhe shpirtërore, përmendet disa herë në Kur’anin fisnik, e në mesin e tyre ajetet kur’anore ku Allahu xh.sh. thotë:

الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ

“I cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike”![31] pastaj ajeti:

الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ أُولَـٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُم مُّهْتَدُونَ

“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”.

Në përdorimin e mëtutjeshëm kjo shprehje u shndërrua në kuptimin e një kontrate të veçantë që lidhet nga kompanitë e sigurimit për sigurimin e pasurisë në rastet e fatkeqësive.

Prandaj juristë kontratën e sigurimit e definuan: Kontratë midis dy palëve, njëra quhet kompania e sigurimit dhe tjetra përfituese e sigurimeve sipas të cilës siguruesi (kompania e sigurimit) merr për sipër të paguajë përfituesit të sigurimit një shumë parash në rast të rrezikut të veçantë, në këmbim të detyrimit të të siguruarit për të paguar një shumë të caktuar parash.[32]

Ky përkufizim i kontratës së sigurimit mbulon vetëm kompanitë tregtare të sigurimeve. Nga kjo vërehet se fitimet e kompanive të sigurimit lindin nga diferenca midis kompensimit për përfituesit e sigurimit kur ndodh aksidenti dhe primet e paguara nga përfituesit për kompaninë e sigurimeve. Nga përkufizimi i sigurimit, gjithashtu mund të vërehet se kontrata e sigurimit është një nga kontratat e tregtimit të bazuar në rrezik, domethënë një kontratë përfundimi i së cilës është i panjohur, pasi që asnjë palë nuk di sa do të japë apo sa do të marrë.

[1] Rexhep Abdutevab Kedvani, Nadharijetu et-te’min et-teavunij fi esh-sheriatil islamije vel kanunil vad’ij- dirse mukarene (rivale dukura) f. 28.

[2] Dr. Mushri Radije, Muhadirat fi kanuni Et-te’min, f. 3.

[3] MSc. Agron Berisha, Sigurimet dhe Zhvillimi Ekonomik në Kosovë

[4] Dr. Mushri Radije, Muhadirat fi kanuni Et-te’min, f. 3.

[5] Hamurabi ishte mbreti i gjashtë i Babilonisë (do të thotë i Dinastisë së parë Babilonase) nga viti 1792 deri vitin 1750 p.e.r. Hamurabi njihet për një grumbull ligjesh të përmbledhura në kodin e Hamurabit një nga kodet e para të shkruara në historinë njerëzore (por jo edhe i pari). Ligji i Hamurabit kishte gjithsej 282 Nene i shkruar në tabela guri me gjatësi 2.25 metra të gjata. Kopjen e këtij ligji e zbuloi francesi Gustav Jequier në Huzistan të Iranit vitin 1901, i cili edhe sot e kësaj dite ruhet në muzeun e Parisit. (Shih:

https://arz.wikipedia.org/wiki/قوانين_حمورابى dhe https://sq.wikipedia.org/wiki/ Hamurabi.

[6] MSc. Agron Berisha, Sigurimet dhe Zhvillimi Ekonomik në Kosovë.

[7] Po aty.

[8] Dr. Mushri Radije, Muhadirat fi kanuni Et-te’min, f. 5,.

[9] Po aty, f.5

[10] [10] MSc. Agron Berisha, Sigurimet dhe Zhvillimi Ekonomik në Kosovë.

[11] Prof. Dr. Alij Ebu Basal, Akdu et-te’min ve hukmuhu si esh-sheriatil islamijeti, (https://www.alukah.net/web/abulbasl/0/98570/

[12] Muhamed Emin b. Omer b. Abdulaziz b. Abidin Ed-dimeshkij fikhist i Shamit dhe udhëheqësi i hanefive në kohën e tij. Ka lindur në Damask dhe është rritur në prehrin e babait të tij. Qysh si i vogël e kishte mësuar Kur’anin përmendësh, dhe e shoqëronte babain e tij për tregti. Nga Shejh Seid el Hameviu kishte mësuar gjuhën arabe, sintaksën dhe morfologjinë si dhe fikhun e imam Shafiut. Fikhun Hanefij, Shkencat e logjikës, tefsirin dhe hadithin e kishte mësuar nga Muhamed Shakir Es-selmiju. Ibni Abidini ishte mendjehollë, talent, punëtorë dhe shumë i devotshëm. Imam Abidini ka vdekur në Damask dhe është varrosur në varrezat “Babus-sagir”. Ai ishte gjigant në shkrime, ngase kishte filluar të shkruaj që nga mosha shtatëmbëdhjetë vjeçare, andaj kishte shkruar më se pesëdhjetë vepra, kurse veprat më të njohura janë: “Hashijetu redil muhtar ala ed-duril muhtar” vepër kjo me pesë vëllime, e cila njihet me emrin “Hashijetu ibni Abidin”. Vepra tjetër është: “El ukud ed-durrije fi tenkih el fetava el hamidije”, e botuar në dy vëllime, “Usulul menar” nga lëmia e usuli fikhut, “Err-rrehikul mahtum sherh kalaidul mendhum” nga trashëgimia, “Ukudul ali fil esanid el Avali” në shkencat e hadithit, si dhe shumë vepra tjera të njohura në medhhebin hanefij.

[13] Ibni Abidin, redul muhtar 6/281-292.

[14] Muste’min quhet jomyslimani që jeton në shtetin joislam, por që gjendet përkohësisht në shtetin islam me leje të organeve kompetente.

[15] Abdullah Nasih Ulvani, hulmul islam fi et-te’min, f.9

[16] Zejdani Abdulkerim ka lindur në Bagdad – Irak vitin 1917. Njihet si Fekih i Irakut dhe konsiderohet njëri nga dijetarët më eminent i Ehli sunetit në Irak, veçanërisht në lëminë e shkencave të sheriatit. Zejdani kishte mësuar nga shumë dijetar të Irakut dhe të Egjiptit, por më të njohurit janë: Shejh Emxhed Ez-Zehavi, Shejh Abdulkader Hatibi, Shejh Nexhmudin Vaidhi, Shejh Muhamed Mahmud Savvafi, Shejh Ebu Zehre, Shejh Hasan Me’muni etj Titullin shkencor Doktor i shkencave të sheriatit e kishte marrë nga universiteti i Kajros vitin 1962. Zejdani kishte shkruar edhe shumë vepra, e në mesin e tyre janë: “Usulu ed-da’ve” “Ahkamu edhimmijin vel muste’minin fi daril islam” “El medhal li diraseti esh-sheriatil islamijeti” “El Vexhizu fi usulil fikh” “Hukm akdu ete’min fi esh-sheriatil islamijeti”etj. Ka vdekur më 27 Janar 2014 në San’a të Jemenit në moshën 97 vjeçare. Kufoma e tij u transferua në Bagdad ku dhe u varros.

[17] Abdulkerim Zejdani, Hukmu akkdu et-te’min fi esh-sheriatil islamijeti.

[18] Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 81.

[19] Es-Senhuri, el vestu fi sherhi el kanunin medenij, 7/1080, Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 82.

[20] Dr. Mustafa Ahmed Ez-Zerka ka lindur në Halep të Sirisë vitin 1322h = 1904 m. Babai i tij ishte dijetari i madh Ahmed Zerka, autor i veprës “Sherh kavaidul Fikhije”, por edhe gjyshi i tij ishte nga dijetarët e mëdhenj Muhamed Zerkai, zinxhir ky të cilin Dr. Jusuf Kardavi e ka quajtur Zinxhiri i artë në dituri.

[21] Dr. Husejn Hamid Hasan, Hukmu esh-sheriatil islamijeti fi ukudi et-te’min f. 10, në studimin që e ka paraqitur në në festivalin Ditët e Ibni Tejmijes, Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 82.

[22] Mustafa Ez-Zerka, Nidhamu et-te’min, f.19.

[23] Suretu El maide :02

[24] Sulejman Tomçini, Fjalor Arabisht-shqip, Isituti shqiptar i mendimit dhe qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë 2009, Muhamed Revas Kal’axhi dhe Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhem lugatul fukara Arabij-inglizi, daru en-nefais, botimi dytë 1998, Bejrul-Liban

[25] Dr.sc. Nerxhivane Dauti, E drejta kontraktuese – praktikum-Universiteti i Prishtinës, Fakulteti juridik –Prishtinë, 2003.

[26] Termi konventë (convention) përdoret si sinonim i termit kontratë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve kur lidhen konventa të ndryshme për rregullimin e çështjeve midis dy apo më shumë shteteve, (shih Dr. Nerxhivane Dauti f.17)

[27] Traktat konsiderohet çdo pajtim i vullnetit ndërmjet shteteve me qëllim të ndryshimit ose të ndërprerjes së ndonjë raporti juridik reciprok. (po aty).

[28] Fjala pakt sot përdoret më së shumti për të drejtën ndërkombëtare, edhe pse në të drejtën romake përdorej për kontratën mes dy e më shumë palëve mbi bazën e vullnetit të tyre. Paktet janë marrëveshje shumë solemne që u referohen çështjeve të ndryshme politike. (po aty)

[29] Jusuf Zimeri, Kontrata mbi shitblerjen, f. 10-11, Shkup, 2017, Dr. Vehbe Zuhejli, el fikhul islami ve edil-letuhu 4/80. Darul Fikri. (neni 1003-104 nga Mexhel-le el ahkamul adlijeti, red-dul muhar, Ibni Abidin 2/355.)

[30] Kal’xhi Muhamed Revas, Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhem lugatul fukara arabi inglizi, Daru en-nefais, tabatul ula 1405/ 1985. Bejrut, Liban.

[31] Suretu Kurejsh : 04

[32] Muhamed Revas Kalabij, Mebahith fil iktisadil islami fi usulil fikh, f.131. Mr. Zijad Ljakić 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit