4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Aftësia për të komunikuar dhe zgjidhur problemet në familje

Më të lexuarat

Sado që aftësia e komunikimit të jetë faktor themelor në rregullimin e sistemit familjar, edhe një cilësi tjetër shumë e rëndësishme që duhet të ketë personi është “aftësia për të zgjidhur problemet”.

Nëse pjesëtarët e familjes nuk kanë aftësinë e zgjidhjes së problemeve, edhe pse kanë aftësinë e komunikimit dhe, nëse nuk bien në konsensus duke folur apo duke shfaqur vullnetin për të arritur zgjidhjen, atëherë problemet hyjnë në një qorrsokak tjetër.

Për shembull; një zonjë e cila përjeton vazhdimisht probleme me vjehrrën e saj, komunikimi i mirë që ka me bashkëshortin, nuk nënkupton zgjidhjen e këtij problemi. Madje në shumicën e rasteve, ndërkohë që komunikimi përmirësohet, edhe personat presin më shumë nga njëri-tjetri.

Kur bashkëshortja arrin t’ia shprehë bashkëshortit qartë dhe me një mënyrë të drejtë komunikimi problemin që përjeton me vjehrrën, ajo që pret nga bashkëshorti është zgjidhja e këtij problemi. Ndërsa zgjidhja që do të dalë në pah, duhet të përmbajë për të dy palët kushtin e “pranimit”. Ja, arritja në përfundimin e këtij “pranimi”, ka të bëjë vetëm me aftësinë e personave për të zgjidhur problemin.

“Aftësia për të komunikuar” është binjake me “aftësinë për të zgjidhur problemin”. Pa ekzistuar njëri, tjetri shpeshherë nuk mund të shprehë kuptime të thella, sepse aftësia për të hyrë në komunikim është “pasive”, ndërsa aftësia për të zgjidhur problemet është “aktive”. Nëse aftësitë pasive nuk aktivizohen në kohën e duhur, e humbin seriozitetin nga bashkëbiseduesi dhe mund të bëhen shkak për lodhjen e trurit.

Kjo gjendje është përmbledhur në një fjalë të urtë turke: “Pasqyra e njeriut është puna, ndërsa fjalët e tij nuk kanë shumë rëndësi”.

Për këtë arsye shumë çifte të cilët duhen pafund me njëri-tjetrin dhe arrijnë të formojnë një komunikim të mirë mes tyre, ngaqë janë të dobët në zgjidhjen e problemeve me të cilët përballen dhe nuk prodhojnë “zgjidhje të përbashkëta” të problemeve, burgosen në një jetë të shqetësuar familjare. Përfundimi i natyrshëm i një jete të tillë familjare të paqetë, bëhet shkak për verbimin e “aftësisë së komunikimit pozitiv” që individët kishin në fillim dhe në vend të saj zhvillohen “mënyrat e komunikimit negativ”, domethënë, mënyrat e komunikimit që mbështeten në “dhunë”.

Kur thuhet komunikim me bazë dhunën, nuk duhet të na vijë menjëherë në mendje dhuna “fizike”, sepse përvojat tregojnë se dhuna që shikohet më shpesh brenda familjes, është ajo “emocionale” dhe “psikologjike”. Për shembull; bashkëshortët të cilët i humbin aftësitë e komunikimit, zakonisht e gjejnë zgjidhjen e problemeve që i hasin kohë pas kohe duke kufizuar dashurinë dhe interesimin ndaj njëri-tjetrit, për të cilin kanë shumë nevojë.

Në shumë shoqëri, tradicionalisht vihet re se shumë herë, detyrën e zgjidhjes së problemeve në familje, e merr përsipër një individ i vetëm.

Edhe pse në shumë familje funksionon komunikimi i hapur brenda tyre, problemet akumulohen mbi një person të vetëm dhe pjesëtarët e familjes gjithmonë i drejtohen këtij personi për zgjidhjen e problemeve. Një gjendje e tillë bëhet shkak që një person në familje të jetë gjithmonë aktiv dhe të tjerët të ngelin pasivë.

Por, sa më aktivë që individët të jenë në familje dhe sa më shumë të ndihmojnë në jetën familjare e në zgjidhjen e problemeve, aq më në harmoni vazhdon edhe jeta në familje. Individët brenda familjes, duke dashur t’i zgjidhin të vetëm problemet, ndoshta mund t’i qetësojnë sadopak individët e tjerë, por mund të lodhen dhe të mërziten duke u përballur të vetëm me problemin. Përkundrazi, lumturia e vërtetë është lumturia kolektive e familjes. Nëse është i lumtur vetëm individi, kjo nuk do të thotë se është e lumtur e gjithë familja.

Lumturia brenda familjes ngjan me “gjendjen e enëve të bashkuara mbi njëra-tjetrën”. Që lumturia të përhapet në familje dhe të përdoret në pjesë të përbashkëta, së pari duhet të jenë të hapura rrugët e komunikimit ndërmjet bashkëshortëve dhe kjo lidhet me aktivitetin e gjithë individëve brenda familjes. Në familje të cilat nuk i kanë të hapura dhe aktive linjat e komunikimit, sado të lartë që ta ketë koeficientin e lumturisë njëri nga anëtarët e familjes, nëse një anëtar tjetër nuk përjeton lumturi, pas një kohe kjo do t’i mërzisë edhe individët e tjerë të cilët përjetojnë një çast gëzim.

Meqë lumturi a familjare bëhet e vërtetë vetëm nëse është një lumturi e përbashkët, atëherë individët brenda familjes duhet të jenë përgjegjës të përbashkët për jetën familjare.

Në shumë kultura lokale, ngaqë kryesia e familjes i është dhënë burrit, “sikur” nënkupton se e gjithë përgjegjësia e familjes është lënë vetëm mbi atë person.

Veçanërisht fakti që në zonën e Detit Mesdhe fitimet e “kryetarit të familjes” dhe autoriteti përgjegjës kalon vetëm te meshkujt, bëhet shkak për mbylljen e rrugëve të komunikimit brenda familjes. Përkundrazi, nëse familja është një institucion me përgjegjësi të përbashkëta, ajo nuk drejtohet nga vendimet që merr vetëm një individ, por duhet të drejtohet me vendime që merren në mënyrë të përbashkët.

Si duhet të drejtohet familja? Me vendime individuale apo të përbashkëta?

Me gjithë ndikimin e madh të Islamit në formimin e qytetërimit oriental, udhëheqja individuale brenda familjes është bërë një zakon.

Nëse shohim qytetërimin islam, administrimi i familjes nuk bëhet vetëm me përpjekjet e një personi, por përkundrazi me konsultime reciproke dhe vendime të përbashkëta. Vendimet që merren në një familje, strategjitë që zbatohen dhe aktivitetet që zhvillohen, nuk janë vendime që mund të merren vetëm nga një person i vetëm, por diçka që duhet të strukturohet me vendime të përbashkëta. Me një fjalë, drejtimi i familjes duhet të bëhet me mbledhje brenda familjes dhe me mekanizmin që formon konsultimi brenda familjes.

Për shembull: “Pejgamberi, (a.s.), mblidhej çdo ditë me gratë e Tij në kohën mes iqindisë dhe akshamit, bisedonte me to, me një fjalë bënte mbledhje familjare. Këto takime, biseda, diskutime dhe mbledhje që Pejgamberi (a.s.), bënte brenda familjes, ndikuan aq shumë në edukimin e Nënave tona (gratë e Pejgamberit), saqë ato zunë vend mes sahabëve më të ditur.”

Mbledhjet brenda familjes, ashtu siç formojnë një pikë të mesme për zgjidhjen e problemeve në familje, ua bëjnë të lehtë anëtarëve të familjes posedimin e një bote të përbashkët sentimentale. Që bashkëshortët të njohin njëri-tjetrin, të njohin karakterin e tyre dhe të japin personalisht këshilla për zgjidhjen, kjo mund të ndodhë vetëm me mbledhjet familjare.

Për më shumë, marrja në mënyrë të përbashkët e vendimeve përgatit një terren të përshtatshëm për zgjidhjet në mënyrë të përbashkët të problemeve me të cilat mund të përballen. Kjo veçanërisht mundëson një kontribut të madh për zhvillimin e personalitetit dhe karakterit të fëmijëve. Fëmijët, kur shohin se gjatë mbledhjeve familjare mendimet e tyre vlerësohen, fjala e tyre merret seriozisht nga ana e prindërve dhe se ata bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve familjare, ndjejnë krenari.

Kur gjatë mbledhjeve familjare pjesëtarët e familjes komunikojnë natyrshëm me njëri-tjetrin, me këtë komunikim të ndjeshëm do të shtohet edhe dashuria mes tyre.

Adem Gynysh

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit