3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Komuna e Prishtinës ndërton tualete publike para objektit të Qeverisë

Më të lexuarat

Tualetet publike, të cilat i mungojnë prej vitesh kryeqytetit, kanë nisur së ndërtuari mu para objektit të Qeverisë së Kosovës. Por, Ministria e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor nuk është pajtuar me planin e autoriteteve komunale dhe ka bërë të ditur se për një veprim të tillë është dashur konsultë me nivelin qendror.

Megjithatë, Komuna e Prishtinës për ndërtimin e këtyre tualeteve ka miratuar një vendim në Kuvendin Komunal.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë deklaruar se projekti për rregullimin e sheshit të pagëzuar me emrin e ish-presidentit “Ibrahim Rugova”, që tualetet publike të vendosen aty, po punohet bazuar në planin e miratuar në Kuvendin Komunal, dhe se ndërtimi i tyre në këtë hapësirë nuk po bëhet për inat të askujt.

“Këto tualete nuk po ndërtohen aty për inati të askujt, as të Qeverisë, as të kryeministrit dhe as të ndonjë ministri, sepse ata janë vetëm mandatorë në këto poste dhe nesër në to mund të jemi ne vetë, kështu që aty nuk ka asgjë tendencioze”, ka deklaruar zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj.

Ai ka shtuar se edhe ashtu tualetet publike para luftës kanë qenë të vendosura shumë afër hapësirës ku tani do të ndërtohen sërish ato.

Osaj ka sqaruar se tualetet publike do të ndërtohen në një hapësirë nëntokësore, menjëherë pas shtatores së Skënderbeut, e cila kësaj here do të ngrihet mbi nivelin e sheshit, që ndryshe njihet edhe si sheshi “Skënderbeu”.

“Ndonëse tualetet publike në fakt do t’i bie të jenë mu para derës së hyrjes në objektin e Qeverisë, ato nuk do ta pengojnë askënd, as qarkullimin e qytetarëve e as të zyrtarëve të ekzekutivit, sepse krejt janë nën tokë”, ka theksuar Osaj. Ai disa herë ka potencuar se projekti për krejt sheshin “Ibrahim Rugova” ka kaluar nëpër Kuvendin Komunal dhe është miratuar.

Burime të “Kohës Ditore” brenda Komunës së Prishtinës kanë deklaruar për gazetën se Qeveria i ka dërguar selam Komunës përmes Ministrisë së Ambientit në lidhje me ndërtimin e tualeteve në këtë hapësirë, duke reaguar dhe kritikuar Komunën për krejt projektin.

“Ata na kanë kritikuar në lidhje me ndërtimin e sheshit, ndër të tjera duke thënë se këtë po e bëjmë pa një plan rregullues, pa i pyetur ata, dhe se hapësira para Qeverisë nuk është vendi adekuat për tualete publike”, ka thënë ky burim i gazetës.

Sipas këtij burimi, ky reagim i Qeverisë nuk është i formës së shkruar, por është bërë në mënyrë verbale dhe përmes reagimit publik kundër projektit.

Kostoja e rregullimit të këtij sheshi kap vlerën e 4 milionë e 366 mijë eurove, kurse

tenderin e ka fituar kompania konsorciumi i përbërë nga dy kompani “ABC” dhe “Allzone” nga Gjermania.

Diametri i shtrirjes së sheshit “Ibrahim Rugova” përfshin 18 mijë metra katrorë dhe shtihet në hapësirën prapa Kuvendit të Kosovës, duke inkorporuar edhe oborrin e Kuvendit, hapësirën e Qeverisë së Kosovës së bashku me atë të Ministrisë së Infrastrukturës, hapësirën te plateja e Teatrit Kombëtar, hapësirën rreth shtatores së Skënderbeut, si dhe pritet të vazhdojë deri te ndërlidhja me sheshin “Nëna Terezë”.

Në këtë shesh 30 për qind e hapësirës totale do të jetë hapësirë e gjelbëruar, kurse pjesa tjetër do të shtrohet me granit, si dhe do të modifikohen disa pjesë të hapësirave. Kësisoj, është paraparë që brenda sheshit “Ibrahim Rugova” shtatorja e Skënderbeut të rimodelohet së bashku me hapësirën përreth. Përballë Teatrit Kombëtar do të ngrihet një fontanë, e cila përveç kësaj do të mund të shndërrohej edhe në pistë defilimi. Në mes dy institucioneve, atij legjislativ dhe ekzekutiv, do të ngrihet shtatorja e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Në shesh do të ngrihet edhe këndi i të pagjeturve. Përgjatë gjithë sheshit do të këtë ulëse të zakonshme për qytetarët. Ndërsa në të gjithsej do të ketë tri fontana me madhësi të ndryshme dhe ndriçim shumëngjyrësh./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit