14.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Koment – Procesi gjyqësor i NSU-së dhe racizmi në rritje në Evropë

Më të lexuarat

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara…

 

*Can ACUN

Edhe procesi gjyqësor kundër organizatës terroriste NSU përfundoi pas një periudhe 5-vjeçare mund të themi se ende vazhdojnë dyshimet dhe paqartësitë në lidhje me këtë rast. Ndërkaq në qeverinë dhe shoqërinë gjermane, të cilat pretendojnë se do të nxjerrin mësime nga organizata terroriste NSU, është duke u përhapur racizmi dhe islamofobia çdo ditë e më shumë.

Tani ka përfunduar edhe gjykimi i organizatës terroriste Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU), e cila akuzohej për krimet e vrasjes së 10 personave, në mesin e të cilëve 8 qytetarë turq, plaçkitje të bankës dhe sulme me bomba. Gjatë procesit gjyqësor që zgjati afërisht 5 vite, Gjykata e Lartë e Landit të Munihut krahas të pandehurës, Beate Zschaepe, gjykoi edhe 4 të pandehur të tjerë të akuzuar për ndihmë të kësaj organizate. E pandehura kryesore, Beate Zschaepe u dënua me burgim të përjetshëm. Ndërkaq 4 të pandehurit të tjerë u ndëshkuar me burgim në kohëzgjatje të ndryshme.

Prokuroria dhe njësitë gjermane të sigurisë bënë të ditur se organizata terroriste NSU përbëhej prej 3 personave. Krahas Beate  Zschaepe, anëtarët e tjerë të kësaj organizate, Uwe Bohnhard dhe Uwe Mundlos, pas plaçkitjes së një banke ishin gjetur të vdekur në një furgon ku ishin fshehur. Pretendimi se këta të fundit kanë kryer vetëvrasje shkaktuan dyshime të shumta. Gjithashtu vetëdorëzimi i të pandehurës kryesore të procesit të NSU-së, Beate Zschaepe disa ditë pas zjarrit të vënë në shtëpinë celulë të përdorur nga anëtarët e kësaj organizate dhe pretendimet për lidhjen e NSU-së me Agjencinë për Mbrojtjen e Kushtetutës së Gjermanisë bëri që të rritet dyshimi dhe që disa anë të këtij procesi të mbeten të fshehta. Posaçërisht shkatërrimi i 130 dosjeve të NSU-së nga ana e Agjencisë për Mbrojtjen e Kushtetutës, që është një shërbim i brendshëm i inteligjencës në Gjermani, garantoi që kurrë të mos zbulohet e vërteta prapa NSU-së. Kështu që avokatët mbrojtës nuk besojnë se organizata terroriste NSU përbëhet vetëm prej tre personave.

 

Edhe pse tani ka përfunduar procesi i gjykimit të NSU-së, ende nuk është dhënë ndonjë përgjigje se çfarë dinë njësitë e sigurisë, posaçërisht Agjencia për Mbrojtjen e Kushtetutës në lidhje me NSU-në. Në vrasjet e NSU-së, njësitë gjermane të sigurisë fillimisht dyshuan në familjet e viktimave dhe mohuan mundësinë që këto vrasje të jenë kryer me motive raciste. Ndërkaq mediat gjermane para daljes në skenë të organizatës terroriste NSU këto vrasje i kishte cilësuar si “vrasje të donerit”. Për shkak të neglizhencës së njësive gjermane të sigurisë dhe të gjitha njësive të inteligjencës se në prapavijën e këtyre vrasjeve mund të jetë një organizatë terroriste raciste, NSU-ja gjeti rastin që të vazhdojë me vrasje për vite me radhë dhe kështu mori jetët e 10 personave.

Me përfundimin e procesit gjyqësor kundër organizatës terroriste raciste NSU në të njëjtën kohë është rritur edhe racizmi dhe islamofobia. Sipas sondazheve, një tregues tjetër i rëndësishëm i rritjes së racizmit dhe islamofobisë në Gjermani është edhe ngritja në vendin e dytë e Partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), që është një parti e ekstremit të djathtë. Së bashku me ngritjen e Partisë AfD në vendin e dytë në mesin e partive më të mëdha të Gjermanisë, mund të themi se në politikën dhe shoqërinë gjermane është vendosur racizmi dhe islamofobia. Ksenofobia dhe armiqësia ndaj islamit, të cilat për një kohë të gjatë ishin të pranishme në shoqërinë gjermane, tani me anë të Partisë AfD janë bërë edhe më të dukshme.

Mirëpo ndryshimi i Gjermanisë nuk shfaqet vetëm me Partinë AfD, në të njëjtën kohë ndryshimi shfaqet edhe me qëndrimin e ngjashëm të Partisë së Unionit Socialist të Krishterë (CSU) që është partnere e koalicionit qeverisës, e cila bën retorika që nxisin ksenofobinë dhe islamofobinë. Prej Luftës së Dytë Botërore e këtej kjo është hera e parë që në shoqërinë gjermane të shfaqen në mënyrë kaq të dukshme racizmi dhe armiqësia ndaj një feje të caktuar.

Një tregues tjetër i rëndësishëm i ndryshimit në shoqërinë gjermane është edhe skuadra kombëtare e futbollit e Gjermanisë. Kjo skuadër, e cila fitoi titullin e Kampionit Botëror në vitin 2014, për një kohë të gjatë paraqitej si suksesi i integrimit dhe i jetës multikulturore. Një numër i madh i futbollistëve me origjinë emigrante si Mesud Ozil, Ilkay Gundogan, Sami Khedira, Lukas Podolski, Jerome Boateng janë në përfaqësuesen kombëtare të Gjermanisë. Mirëpo edhe përfaqësuesja gjermane në futboll është ndikuar nga racizmi. Skandali i parë i madh erdhi prej kryetarit të Partisë AfD, Alexander Gauland, i cili kishte thënë se “Populli nuk e do Boateng-un për fqinj”. Ndërsa skandali i dytë ishte me fotografinë e futbollistëve me origjinë turke Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan të bërë me Presidentin Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës në Londër. Kështu që përgjegjës për eliminimin e kombëtares Gjermane në Kampionatin Botëror në futboll në Rusi u mbajt fotografia e Mesud Ozil-it me Presidentin Erdogan.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit