16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

KMSH pengon projektin e Xhamisë së Kokonozit

Më të lexuarat

KMSH është tërhequr nga një projekt shumë i rëndësishm për Xhaminë e Kokonozit në Pazarin e Ri. Bëhet fjalë për një projekt infrastrukturor, për rehabilitimin e Tregut dhe ndërtesave rreth tij, ku Bashkia e Tiranës ka qenë e gatshme të ndërhyjë në përmirësimin e fasadës dhe zhvillimin e hapësirës edhe në xhaminë e Kokonozit, duke e konsideruar pjesë integrale të të gjithë këtij kompleksi. Punimet rehabilituese dhe restaurimi i ndërtesave duket se ka hyrë tashmë në fazën përfundimtarë, dhe një numër biznesesh që kishin pezulluar përkohësisht aktivitetin kanë rifilluar punën. E vetmja ndërtesë që nuk u prek nga punimet restauruese të zonës duket se është Xhamia e Kokonozit dhe anekset e saj, ndërkohë punimet përreth kanë përmirsuar radikalisht gjendjen e amortizuar të shumicës së ndërtesave me funksion tregtar ose social.

Ka qenë një iniciativë e inxhinjerëve dhe koordinatorëve të projektit, të cilët u ofruan për të përfshirë edhe xhaminë si një nga ndërtesat monumentale në ansamblin arkitektonik të zonës, duke pritur me dashamirësi sygjerime për detajet e ndërhyrjes. Burime që kanë qenë të pranishme gjatë negociatave informale mes palëve, bëjnë me dije se KMSH e refuzoi projektin e ofruar, me arsyetimin se nuk ishte e gatshme të sakrifikonte një prej dyqaneve përbri territorit të xhamisë, të cilin projekti i ri, parashikonte ta shndërronte në hyrjen e xhamisë, në mënyrë që ajo të kishte komunikim drejtpërdrejt me sheshin e tregut.

Argumenti përfundimtar i cili bllokoi përfshirjen e Xhamisë së Kokonozit në risistemimet e ndërtesave të tregut, edhe pse në pamje të parë duket banal, është fakti që KMSH, nuk do të përfitonte qeratë e këtyre dyqaneve, gjë që do ti shkaktonte një dëm financiar krejt minimal. Për institucionin që përfaqëson dhe menaxhon jetën fetare të myslimanëve, vlera e kesaj qeraje është më e rëndësishme se mundësia zhvillimore e objektit të kultit, i cili do të ndikonte ndjeshëm përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese në favor të jetës fetare të besimtarëve të zonës. Pakuptimsia e këtij pretendimi burokratik e thellon absurditetin, kur dhjetra metra larg Pazarit të Ri, në projektin e Namazgjasë, KMSH po shpenzon miliona euro në një investim, i cili përveç xhamisë, parashikon edhe dhjetra dyqane dhe hapsira shërbimesh, që në një të ardhme të shpejtë, do të shtojnë ndjeshëm financat e institucionit.

Të njëjtat burime treguan për Ezanin se projekti zhvillimor në kompleksin e xhamisë përfshinte një numër ndërhyrjesh transformuese dhe rehabilituese. Pjesa më emblematike e këtij plani ishte hapja e një porte hyrëse në pjesën perëndimore të xhamisë, aty ku dikur ka qenë dhe hyrja e hershme që kujtojnë të moshuarit dhe që dëshmohet në foto dhe planimetri të viteve ‘30. Pikërisht këtu hasi rezistencë dhe ky plan, pasi në kufirin perëndimor të xhamisë, aty kur dikur ishte porta hyrëse e saj, në vitet e diktaturës u ndërtuan një varg njësish shërbimi që sot jepen me qera për dyqane nga KMSH. Këto dyqane bllokojnë fizikisht aksesin e natyrshëm të tregut drejt xhamisë dhe fshehin fasadën e saj, që, së bashku me ndërtesat e tjera kufitare, plotësojnë përfundimisht rrethim fizik të xhamisë.

Pas rihapjes së objekteve të kultit në vend, hyrja e xhamisë së Kokonozit ka mbetur e pandryshuar në një kënd të papërshtatshëm dhe jo të denjë për një objekt kulti. Projekti përfshinte gjithashtu prishjen e amortizuar të shtesës në krahun lindor të xhamisë e cila do të rindërtohej me kostruksione hekuri të mbuluara me xham, ngjashëm me strukturen qëndrore aktuale në treg, e cila mund të shtrihej drejt oborrit verior duke e kthyer në një hapësirë komode për faljet masive të ditës së premte. Lokali ku besimtarët marrin abdes parashikohej të rindërtohej nga e para duke rifituar hapsira shtesë për shërbime të tjera ndaj besimtarëve. Projekti parashikonte dhe një ndërhyrje restauruese në sallën kryesore të lutjes, kupola e së cilës ka domosdoshmërisht nevojë për një shërbim të tillë.

Xhamia e Kokonozit është një ndërtesë monumentale, ndër të parat e ndërtuara në vitet 30’ të shekullit të njëzet në kompleksin e Pazarin të Ri. Xhamia ka një stil arkitektonik që reflekton frymën e transformimeve kulturore të kohës së monarkisë, me detaje tejet origjinale të cilat i mbijetojnë shijeve të sotme moderne. Pas ndalimit të fesë dhe mbylljes së objekteve të kultit gjatë diktaturës, ndërtesa e xhamisë u shndërrua në magazinë duhani dhe mallrash të tjera në funksion të dinamikës të tregut përbri. Me ndryshimet demokratike, kur u ligjërua zyrtarisht dhe feja në publik, Xhamia e Kokonozit u rihap nga të parat në Tiranë, megjithëse amortizimi i skajshëm e vështirsontë mirëfunksionimin e saj. Këto 27 vjet pas rihapjes së saj, xhamia dhe anekset janë restauruar disa herë, gjthnjë me fondet e xhematit të saj dhe të dashamirësve të tjerë, të cilët mundësuan edhe rindërtimin e minares së shkatërruar.

Xhamia e Kokonozit ka dhe një rëndësi të veçantë për historinë e re institucionale të KMSh. Ajo ka shërbyer si selia e saj e parë në Tiranë, kur instiucioni u zhvendos nga Shkodra në 1991. Gjithashtu në të njëjtën përiudhë, ambjentet e saj kanë shërbyer edhe si klasa të Medresesë së Tiranës së rihapur, pasi ndërtesa historike e saj, në atë kohë ende administrohej nga shteti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit