Ekspertët thonë se reagimi i SHBA-së mund t’i përshkallëzojë tensionet midis dy vendeve
Duke protestuar për rrëzimin e mjetit ajror civil pa pilot nga ushtria amerikane, Ministria kineze e Mbrojtjes e quajti këtë veprim “reagim të tepruar”, transmeton Anadolu.
SHBA-ja rrëzoi balonën e dyshuar kineze të “spiunazhit” të shtunën, pasi ishte parë mbi hapësirën ajrore amerikane, në brigjet e shtetit të Karolinës së Jugut.
Megjithatë, Pekini tha se mjeti ajror hyri pa qëllim në hapësirën ajrore të SHBA-së për shkak të “forcës madhore”.
Sulmi i SHBA-së ndaj avionin civil kinez pa pilot është reagim i dukshëm i tepruar, tha në një deklaratë sot koloneli i lartë Tan Kefei, zëdhënës në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Kinës.
Deklarata erdhi pasi një avion luftarak F-22 i Forcave Ajrore të SHBA-së qëlloi një raketë ajër-ajër AIM-9X dhe e rrëzoi balonën, sipas Pentagonit, i cili, megjithatë, pranoi se balona nuk përbënte kërcënim ushtarak apo fizik, raportoi e përditshmja kineze Global Times.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se vendimi u mor me udhëzimin e presidentit amerikan Joe Biden.
Duke cituar ekspertë të paidentifikuar, Global Times tha se reagimi i SHBA-së mund të përshkallëzojë tensionet midis ushtrive të dy vendeve.