8.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

KËSHILLI I EVROPËS – 64 VJETORI I THEMELIMIT

Më të lexuarat

Qëllimi i kësaj organizate, që është formuar në shkallë evropiane në vitin 1949, është mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe mbisundimit të ligjit, e thënë ndryshe të bëhet ndërgjegjja e Kontinentit të Vjetër.

Këshilli i Evropës është institucioni që i ngatërrohet emri ndoshta më shumë në Evropë.

Prandaj së pari duhet eliminuar konfuzioni rreth emrit.

I quajtur Council of Europe në anglisht ose Conseil de L’Europe në frëngjisht, për fat të keq Këshilli i Evropës ngatërrohet shpeshherë me Këshillin Evropian, që është European Council në anglisht apo Conseil Europeen në frëngjisht.

Emri i Këshillit të Evropës ka një ngjashmëri mjaft të madhe me atë të Këshillit Evropian, që është një organ i Bashkimit Evropian, madje ata përdorin të njëjtin flamur.

I pari mbart në gjirin e tij 47 vende të Evropës, ndërsa i dyti formohet nga mbledhja e rregullt vjetore e kryetarëve të shteteve ose qeverive të BE-së, që ka 27 vende anëtare.

Cili është kuptimi i Këshillit të Evropës, brenda emrit të të cilit kalon fjala Evropë dhe që tërheq vëmendjen e vizitorëve të qytetit Strasburg të Francës me godinën e tij madhështore, për njerëzit që jetojnë në Kontinentin e Vjetër?

Qëllimi i kësaj organizate, që është formuar në shkallë evropiane në vitin 1949, është mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe mbisundimit të ligjit.

Misioni i Këshillit të Evropës është të mbrojë të drejtat e njeriut, e thënë ndryshe të bëhet ndërgjegjja e Kontinentit të Vjetër. Në këtë kontekst mjaft shpesh na takon të dëgjojmë të flitet edhe për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila është një organ i Këshillit të Evropës.

Koncepti i të drejtave të njeriut, përgjithësisht, mund të përcaktohet si tërësia e të drejtave të qenësishme në natyrën tonë dhe pa të cilat ne nuk mund të jetojmë si qenie njerëzore. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut na japin mundësinë të zhvillojmë dhe të përdorim tërësisht cilësitë tona njerëzore, inteligjencën tonë, aftësitë dhe vetëdijen tonë, si dhe të kënaqim kërkesat tona shpirtërore dhe nevojat e tjera. Ato janë themelore për kërkesat gjithnjë në rritje të njerëzimit për një jetë që të respektojë dhe të mbrojë dinjitetin dhe veprat e çdo qenieje njerëzore. Këto të drejta, me kuptimin e gjerë të fjalës, përfshijnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore publike që përcaktohen nga kushtetuta e një vendi, por edhe të drejtat që parashikohen dhe mbrohen nga e drejta ndërkombëtare. Duke qenë se u interesojnë nga afër të gjithë njerëzve, ka lindur nevoja që këto të drejta të merren nën mbrojtje në arenë ndërkombëtare. Punimet e para për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar kanë filluan në fund të shekullit të 19-të dhe në të 20-in. Por inkuadrimi i përgjithshëm i të drejtave të njeriut në të drejtën ndërkombëtare është realizuar më datë 10 dhjetor të vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi dhe shpalli Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, që u hartua nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut pranë Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së. Duke qenë se kjo deklaratë është një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk kanë cilësi detyruese, si dhe nuk vë në lëvizje ndonjë mekanizëm garantues, zhvillimet pas deklaratës kanë synuar eliminimin e mangësive në fjalë. Në këtë kuadër janë bërë rregullime të reja në dy nivele. Këto rregullime janë realizuar në nivel universal me “Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike” dhe “Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore”, ndërsa në shkallë rajonale me “Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, “Konventën Amerikane për të Drejtat e Njeriut” dhe “Kartën Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve”.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është ndryshe nga paktet e tjera. Ajo konsiderohet si kushtetuta e të drejtave të njeriut. Veçoria që e bën atë të dallohet nga konventat e tjera simotra, është teksti me nene të sqaruara në detaje, të prera dhe të zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë.

A ka arritur Këshilli i Evropës, i cili sot (5 maj) feston 64-vjetorin e themelimit dhe ka gjithashtu një gjykatë si organ mbrojtës të të drejtave të njeriut, të bëhet ndërgjegjja e Kontinentit të Vjetër?

Shpjegimi i pranisë së disa shteteve, që njihen me shkeljen e të drejtave të njeriut, në mesin e anëtareve të një organizate, e cila si qëllim parësor të themelimit ka mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, është pothuajse i pamundur. Këtu duhet të theksojmë po ashtu se në këtë kontekst organizata akuzohet për një qëndrim jo aq të ashpër sa duhet.

Qenia e Këshillit të Evropës ndërgjegjja e Kontinentit të Vjetër mund të jetë një temë e diskutueshme, por për politikanin norvegjez Thorbjorn Jagland, i cili në vitin 2009 u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës për një mandat 5-vjeçar, në këtë pikë nuk ka aspak vend për diskutim. Ai e paralajmëron Evropën, që në këto ditë po lufton kundër vështirësive ekonomike, për një problem shumë herë më të rëndësishëm. Sipas tij, problemi esencial është ksenofobia dhe racizmi. Plotësisht i vetëdijshëm mbi këtë situatë, Jagland apelon me këto fjalë: “Emigrantët janë burimi i energjive të reja dhe ideve të freskëta, për të cilat Evropa ka nevojë që të qëndrojë konkurruese në botë.”[1]

Në intervistën e publikuar në portalin informativ “humanrightseurope.org” të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland nënvizon se larmia etnike dhe fetare është një vlerë që duhet përqafuar.

“Sot njerëzit kërkojnë të kenë më shumë se një identitet. Shoqëritë duhet ta përqafojnë diversitetin dhe të pranojnë që dikush mund të jetë ‘gjysmevropian’ – turk-gjerman, afrikanoverior-francez apo aziatik-anglez – ashtu siç dikush mund të jetë afro- apo italoamerikan”, thotë ai, duke paraqitur kështu ndoshta zgjidhjen më të thjeshtë të zbatueshme për të parandaluar racizmin dhe ksenofobinë në Evropë.

“Për ta përqafuar shumëllojshmërinë siç duhet, rezidentët për një kohë të gjatë duhen pajisur me nënshtetësi. Individët – pa marrë parasysh besimin, kulturën apo përkatësinë e tyre etnike – duhet të trajtohen të barabartë përpara ligjeve, institucioneve dhe qytetarëve të tjerë. Po ashtu, çdo individ duhet të respektojë sundimin e ligjit dhe vlerat e përbashkëta, që përbëjnë identitetin e Evropës. E gjithë kjo ndihmon që kufijtë të zhduken në interes të së mirës së përbashkët”, shton Jagland.

Sekretari i Përgjithshëm, pa kompromis me liderët politikë të Evropës, u bën thirrje atyre për t’u përballur me ksenofobinë dhe për t’i “treguar të vërtetën” elektoratit të tyre.

“Ne duhet të sfidojmë fuqizimin e partive kundër imigracionit dhe antievropiane. Ne duhet të sfidojmë liderët politikë, që dështojnë të veprojnë kundër racizmit dhe ata që dështojnë për të përqafuar të mirat e diversitetit. Liderët e Evropës kanë një përgjegjësi për t’u treguar të vërtetën qytetarëve të tyre. Kjo do të thotë se shoqëritë tona pluraliste dhe multikulturore janë këtu për të qëndruar. Evropa ka qenë gjithmonë një kontinent i shumë feve dhe grupeve etnike, por nuk mjafton thjesht ta pranojmë mozaikun shumëkulturor të kontinentit tonë. Ne duhet ta përqafojmë atë”, përfundon Jagland.

E çfarë mund të thuhet më shumë se kaq!

Të gjithë e dinë se dosjet e çështjeve të akumuluara në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk kanë për t’i ndryshuar shtetet evropiane dhe s’kanë për t’u dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut brenda një kohe të shkurtër.

Gjithkush e di se edhe institucionet ndërkombëtare, në krye të së cilave renditet Organizata e Kombeve të Bashkuara, kanë probleme brenda tyre, madje edhe se disa shtete të caktuara, si rezultat i fuqisë që posedojnë, “kanë më shumë të drejtë”.

Por edhe ne duam të shpresojmë se fjalët e mësipërme të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, kanë ende mundësi të krijojnë efekt.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit