1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kërkesat e shqiptarëve për shkollimin në gjuhën amtare (2)

Më të lexuarat

Çështja e alfabetit dhe mosmarrëveshjet lidhur me shkronjat turke (arabe) dhe ato latine

Valiu i Janinës Ferik Hilmi në telegrafin e shifruar më 11 shtator 1908 drejtuar Portës, njofton për këtë se mësimi i shqipes me germa latine në sanxhakun e Gjirokastrës e ka vënë një pjesë të popullatës përballë pjesës tjetër. Masat e ndërmarra nga ana e Vilajetit lidhur me këtë çështje nuk janë të mjaftueshme.

Shkollat të cilat kanë filluar të rregullohen, por që ende nuk janë përfunduar në Sanxhakun e Gjirokastrës, duhet të fillojnë të punojnë sa më parë, meqenëse banorët tashmë i kanë ndërprerë ndihmat. Për këtë shkak 1500 lirat e ndara nga buxheti i shtetit duket se mjaftojnë. Hilmi Beu këtë çështje ia ka përcjellë edhe Ministrisë së Arsimit. Në disa pjesë të Vilajetit të Janinës kërkohet hapja e shkollave shqipe. Lidhur me këtë, një pjesë e shqiptarëve e cila nuk e pëlqen përdorimin e shkronjave latine për mësimin në shqip, është duke iu kundërvënë atyre që e parapëlqejnë përdorimin e shkronjave latine. Për këtë shkak janë duke u paraparë disa masa për parandalimin e fraksioneve në popull.(1)

Ministri i Brendshëm Ibrahim Beu, në bazë të informatave të drejtorit të Arsimit dhe Valiut të Janinës, në njoftimin drejtuar Ministrisë së Arsimit thekson se është duke u takuar me autoritetet lokale për të marrë opinionet e tyre. Për rregullimin e shkollave në Gjirokastër dhe shkollat që kanë mbetur pa u ndërtuar mendon që nevojitet një buxhet prej 1.500 lirash.

Drejtori i Arsimit të Janinës në telegrafin e drejtuar Ministrisë së Arsimit më 27 Janar 1910 tregon për dilemën e drejtorisë së shkollës, respektivisht Liceut të Prishtinës pasi nga banorët kërkohet që mësimi në shqip të kryhet me shkronja turke.(2)

Në një telegraf të datës 1 shkurt 1910 dërguar nga Manastiri për Ministrinë e Arsimit, tregohet për interesimin e Drejtorisë së shkollës në Korçë se çfarë drejtimi duhet marrë lidhur me përcaktimin e shumicës së banorëve të Manastirit për vijimin e shkollave shqipe me shkronja arabe.(3)

Në telegrafin e Komisionit të Arsimit në Margaliç (rrethi i Prevezës) të datës 15 shkurt 1910 dërguar Drejtorisë së Arsimit të Janinës, anëtari i Komisionit Hysein Hysni Beu, kërkon dërgimin e mësuesve për mësimin në shqip pasi drejtuesit e fshatrave dhe imamët me parinë e vendit pas takimit që patën, vendosën që mësimi në shqip të vijojë me shkronja arabe.(4)

Shihet që Ministria e Arsimit u përgjigjet pozitivisht këtyre dhe kërkesave të ngjashme; vlerësohet si i përshtatshëm mësimi shqip me shkronja arabe për ata që duan të mësojnë me shkronja arabe, ndërsa ata që preferojnë mësim me shkronja latine të jetë me shkronja latine. Nëse kërkohet një mësues i gjuhës së dytë në shkollat zyrtare që ofrojnë arsim në gjuhën shqipe, do të ndahet paga për ta. Në varësi të këtyre zhvillimeve, drejtori i arsimit të Janinës Mehmet Tevfik Beu kërkon leje nëpërmjet telegrafit të datës 18 shkurt 1910, duke deklaruar se kërkesa të ngjashme nga kazatë e ndryshme në Margaliç do të vlerësohen në të njëjtin drejtim.(5)

Pozicioni shtetit osman

Mosmarrëveshja kryesore ndër shqiptarët ishte çështja e alfabetit dhe pasi nuk mund të merreshin vesh, problemi u rrit dhe u bë fushë e manipulimeve të forcave të jashtme(6), posaçërisht e misionarëve të huaj. Kjo gjendje e thelloi edhe më tepër ndasinë midis shqiptarëve(7)

Pushteti qendror osman e kishte kuptuar situatën delikate qoftë nga ankesat e paraqitura nga telegrame t, qoftë nga njoftimet e autoriteteve lokale. Kështu në çështjen e mësimit të shqipes me shkronja latine ekzistonte një mosmarrëveshje. Në regjionin e Shqipërisë së Jugut një shumicë dërrmuese e shihte të arsyeshëm formimin e një alfabeti me shkronja latine, ndërsa në regjionin e Shqipërisë së Veriut arsimin sipas alfabetit me shkronja latine nuk e shihnin të përshtatshëm, ndërsa formimin e alfabetit me shkronja turke e shihnin të përshtatshëm. Prandaj shteti e shihte se refuzimi i një të drejte siç ishte ajo për shkollimin në shqip e që rrjedh nga kushtetuta do të hapte rrugën drejt problemeve të mëdha.

Parashihej që lejimi i arsimit shqip dhe liria e alfabetit vetëm në arsimin fillor do të parandalonte problemet e mundshme. Informacioni i dhënë nga ministri i Ministrisë së Arsimit më 14 janar 1909, në një pjesë të telegramit në vijim, tregon se kjo çështje është ekzaminuar dhe është përcaktuar plotësisht në raportet e inspektorit.(8)

Megjithëse pretendimi se shqiptarët janë të privuar nga liria e arsimit në gjuhën e tyre siç e kanë jomyslimanët, nuk e pasqyron plotësisht të vërtetën, është raportuar se do të ishte e përshtatshme që në shkollat private të lejohet arsimi në alfabetin e dëshiruar sipas kërkesave gjuhësore në seksionin e arsimit fillor. Është miratuar kërkesa për të bërë rregullim et e nevojshme për alfabetin në veri të Shqipërisë.(9)

Në letrën e datës 7 shkurt 1910, dërguar nga Ministria e Arsimit në Vilajetin e Manastirit, flitet për ndikimin e kësaj çështjeje në politikën shtetërore dhe për neutralitetin e shtetit në këtë çështje.(10)

Sipas kësaj shteti nuk do të përzihet në përzgjedhjen e shkronjave dhe nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim konkret dhe do të pranojë çfarëdo rezultati.

Por nëse kjo situatë reflekton në politikën shtetërore, atëherë shteti do të intervenojë në atë situatë. Në bazë të rrjedhës së ngjarjeve, parashikimi i shtetit për këtë çështje është se përdorimi i shkronjave arabe do të pranohet me një shumicë absolute. Prej telegrafëve që vijnë vazhdimisht, si në Vilajetin e Kosovës ashtu edhe në atë të Manastirit, shkronjat arabe janë pranuar pothuajse me konsensus. Në mjediset si Kosova dhe Manastiri ku është arritur konsensusi, mësimi në shqip ishte dashur të bëhej me shkronja arabe.(11)

Disa ditë më vonë (12 shkurt 1910) një informatë e ngjashme është dërguar përveç në Vilajetin e Manastirit edhe në vilajetet e Selanikut, Kosovës, Janinës dhe Shkodrës. Në disa shkolla zyrtare ku ka filluar të zhvillohet mësimi në shqip, disa bashkatdhetarë kërkojnë zhvillimin e mësimit me shkronja latine e disa të tjerë me shkronja arabe.

Shihet se ka vepra të shkruara me shkronja arabe, si dhe vepra shqipe me shkronja latine, por nuk do të ketë ndërhyrje të shtetit osman në këtë fazë, pasi fjalët e një gjuhe duhet të lihen në zgjedhjen e njerëzve që do t’i përdorin ato. Do t’u sigurohet mësimi me shkronja arabe atyre të cilët e dëshirojnë këtë, sikurse që do t’u sigurohet mësimi me shkronja latine atyre që e dëshirojnë këtë dhe, nëqoftëse nevojitet, do të caktohet edhe një mësues tjetër i gjuhës, i cili do të paguhet dhe se janë ndërmarrë hapa për këtë.(12)

Përkundër masave të ndërmarra nga pushteti, mund të vërehen ankesat e popullit ndaj kësaj çështjeje. Valiu i Janinës Mustafa Zihni në njoftimin që ia bën Ministrisë së Arsimit më 1 prill 1910 e vlerëson si shumë problem të rëndësishëm çështjen e shkronjave për Vilajetin e janinës.(13)

Sipas njoftimit të Valiut, qyteza e Prevezës(14), gjysma e kazasë së Margaliçit, banorët e Pargës, Ajdonatit, Filatit, Himarës dhe Pogonit, kërkojnë që shqipja të mësohet me shkronja arabe, ndërsa Konica, Leskoviku, Miçova, gjysma tjetër e Margaliçit, pjesët e sanxhakut të Gjirokastrës, Sanxhaku i Beratit dhe kazatë e Prevezës me përjashtim të Pogonit dhe Himarës ishin për përdorimin e shkronjave latine, kështu që përbënin shumicën në tërësinë e Vilajetit.

Megjithëse Vilajeti i Janinës deklaroi se në parim do të qëndrojë neutral, prej atij u kërkua informacioni se çfarë masash të merren për disa zyrtarë dhe administratorë që janë në një pozitë të rëndësishme nëse ia mbajnë kah njëra anë dhe nuk qëndrojnë neutralë.(15)

I njëjti vali i drejtohet Ministrisë së Brendshme me një telegraf të shifruar duke shpjeguar se mosmarrëveshjet në alfabet po transformohen në raportet sunitebektashiane. Sipas observimit të tij sunitët janë për alfabet arab, ndërsa bektashinjtë për atë latin dhe që për zgjidhjen e këtij problemi do të ishte e udhës që qeveria të merrte një vendim. Me qëllim të evitimit të debateve dhe konflikteve në arsimin shqip, parasheh heqjen nga përdorimi te shkronjave shqipe në shkollat zyrtare, ndërsa në shkollat private të përdoren shkronjat të cilat parapëlqehen, kurse ndaj veprimeve në kundërshtim me rendin të merren masa të nevojshme.(16)

Kuptohet që çështja e shkronjave mbahet gjallë nëpërmes takimeve(17) dhe reagimeve individuale.(18) Madje më 9 shkurt 1909 Ministria e Arsimit e njoftonte Inspektoratin e Rumelisë se janë disa lajme për shfaqjen e bandave në jug të Shqipërisë lidhur me alfabetin shqiptar (shih MF _MKT_ 01076_ 00021_030_ 001).

Njerëzit e Prevezës kërkuan të mësonin shqip me shkronja arabe në shkolla të mesme, por në radhë të parë disa prindër të studentëve donin të mësonin shqip me shkronja latine. Lidhur me këtë drejtori i Arsimit të ]aninës Mehmet Beu në telegrafin që ia dërgon Ministrisë së Arsimit, kërkon leje që të mundësohet mësimi me germa latine nga mësuesi aktual, ndërsa për mësim me shkronja arabe të angazhohet një mësues tjetër i gjuhës me pagën që do t’i caktohet ( shih MF_MKT_01076_00021_ 030_ 001).

Një muaj më vonë, më 9 maj 1910 në një telegraf tjetër në bazë të burimeve të Ministrisë së Arsimit, mësohet që, në licetë në Prevezë, Gjirokastër dhe Berat ka filluar mësimi në gjuhën shqipe. Lajmi se në Prevezë mësimi do të zhvillohet me shkronja arabe pasi njerëzit aty janë ithtarë të mësimit me shkronja arabe, pas hetimit në vitin shkollor, u vërtetua se hëpërhë ky është lajm i rrejshëm, por që në bazë të gjendjes ekzistuese është i mundshëm.(19)

Përkundër krejt këtyre zhvillimeve, shteti nuk u tërhoq nga politika e neurralitetit. Bile u sfiduan disa zyrtarë që mbanin anë – letra e shkruar nga qeveria, në emër të ministrit të Brendshëm, këshilltari Ali Fuad, më 1 maj 1910).(20)

Njëra nga korrespondencat më të rëndësishme është vendimi i marrë në Parlament (Mexhlisi Mebusan) lidhur me arsimin në gjuhët e tjera përveç turqishtes. Mirëpo sipas nesh, më i rëndësishëm është qëndrimi neutral i udhëheqësve shtetërorë dhe veprimi i tyre. Sipas kësaj:

Në varësi të zbatimit të skemës së arsimit në nivelin e shkollës fillore të ofruar nga Parlamenti – për fëmijët osmanë gjuha amtare e të cilëve nuk është turqisht ja, arsimi do të jepet në gjuhën e tyre në shkolla në nivelin fillor.

Në këtë drejtim nga Ministria e Arsimit kërkohet informata se a ka mësues të mjaftueshëm për mësim në gjuhën shqipe apo shkolla për trajnim të mësuesve për të përmbushur nevojat e krahinave të Manastirit, Kosovës, Shkodrës dhe Janinës për të shkruar me shkronja arabe apo për të përkthyer tekstet mësimore. Për më tepër, kërkohet që Ministria e Arsimit të informojë me urgjencë nëse librat shqip janë përgatitur apo jo në nivelin e shkollës fillore dhe nëse jo, atëherë, të informojë nëse ka autorë apo njerëz kompetentë për r’i përkthyer ato.

Përgatitjet për tekste dhe alfabet

Derisa në njërën anë vazhdonin debatet për alfabetin dhe pikëpamjet e ndryshme në popull, shteti nga ana tjetër kishte hyrë në përgatitjen e mësimit shqip me shkronja arabe ose latine.

Në realitet shqiptarët e kishin themeluar “Diturinë e Komunitetit Shqiptar”me lejen që e kishin marrë nga Abdylhamidi II. Qëllimi i Komunitetit ishte që, duke bashkuar të folmen dhe dialektet, ta bënte shqipen një gjuhë standarde, ta zhvillonte dhe ta përhapte. Sami Frashëri i cili e kishte përpiluar njërin nga fjalorët më të rëndësishëm të gjuhës turke, dha kontribut të madh për gjuhën shqipe duke përgatitur alfabetin kombëtar.(21)

Në këtë drejtim Ministri i Brendshëm Hysein Hilmi Beu e njoftonte Ministrinë e Arsimit më 25 janar 1909 se njëri nga sekretarët e Inspektoratit të Rumelisë, Arif Hikmet Efendiu(22), në fondacionin e gjuhës shqipe, e ka përgatitur një alfabet shqip me shkronja turke.(23)

Sipas njoftimit të Valiut të Manastirit të datës 2 shkurt 1911 për Ministrinë e Arsimit, në Manastir ekziston mundësia që të sigurohen arsimtarët për mësim të shqipes me shkronja arabe. Myftiu i Manastirit Rexhep Efendiu ka aftësi për të shkruar dhe për të përkthyer tekstet në shqip.(24)

Në mënyrë të ngjashme, sipas guvernatorit të Shkupit, Halilit, i cili më 7 shkurt 1911 i raportonte Ministrisë së Arsimit se ekziston vetëm një mësues me emrin Hafiz Sherif Efendi që mund të sigurojë arsim dhe aftësim në Shkup e që është në gjendje të shkruajë dhe të lexojë shqip me shkronja arabe. Librat shkollorë dhe punimet e përgatitura në nivelin e shkollës fillore nuk janë në dispozicion.(25)

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Arsimit të Shkodrës për Ministrinë e Arsimit, në Sanxhakun e Shkodrës dhe atë të Durrësit nuk është askush që mund të përkthente dhe shkruante tekstet shkollore edhe nëse dikush gjendet që eventualisht mund të jepte mësimin shqip me shkronja arabe.(26)

Është e qartë që përkrah mësimit me shkronja arabe, nga ana e shtetit osman, janë bërë po ashtu përgatitjet për mësim me shkronja latine. Letra e shkruar nga Ministria e Arsimit në 25 dhjetor 1911 drejtuar Drejtorisë së Shtypshkronjës ka të bëjë me këtë temë. “Në përputhje me rrethanat, blerja e librave dhe revistave për shkollat fillore në Shqipëri të kërkuara për shtypje me shkronja latine, pë r treqind kilogramë të nevojshëm, që kanë koston deri në pesë mijë groshë, të blihen menjëherë pa asnjë zbritje, ndërsa nëse kushton më shumë se pesë mijë groshë, at ë herë të konsultohet Porta.”(27)

Konkludim

Popujt ku strukturat etnike si në Greqi, Bullgari dhe Serbi, përkojnë me elementet fetare, nuk kanë pasur vështirësi në procesin e vendosjes së kombeve-shteteve, por për popullin shqiptar ku ekzistonin tre sisteme të ndryshme të besimit, edhe pse origjina e tyre etnike ishte e njëjtë, shekulli XIX ka qenë mjaft i vështirë. Në sistemin osman të “miletit” Shqiptarët i gëzonin të gjitha të drejtat si popujt e tjerë, ndërsa me lindjen e nacionalizmit dhe vendosjes së shtetit komb, për shqiptarët me tri përkatësi fetare dolën në pah rezultatet negative.(28) Nuk ishte e mundur që shqiptarët, njëri nga popujt më autoktonë të gjeografisë së Ballkanit dhe të cilët jetonin kryesisht në krahinat e Kosovës, Shkodrës, Manastirit(29) dhe Janinës, të mos prekeshin nga lëvizjet separatiste në Ballkan. Megjithëse nuk mund të thuhet që pati ndonjë ndryshim në lidhjen dhe besnikërinë e shqiptarëve myslimanë ndaj shtetit dhe Halifatit, situata me të krishterët ishte ndryshe. Gjatë luftës ruso-osmane 1877 -78 dhe lufërave Ballkanike, klasa e shqiptarëve si pronarë të mëdhenj të tokave, u përndjek nga shtetet pushtuese ballkanike dhe një pjesë e shqiptarëve mërguan në tokat osmane. Në fund të këtyre luftërave nacionalistët shqiptarë të cilët “nuk mund të bënin as me të e as pa të” vendosën të shkëputen nga shteti osman.(30)

Shteti osman, edhe nëse nuk ka mundur t’i plotësonte aq shpejt kërkesat e shqiptarëve për shkollim në gjuhën amtare sikurse serbëve, bullgarëve e grekëve, nuk mbeti indiferent dhe kësaj çështjeje iu afrua pozitivisht.

Është shumë me rëndësi që udhëheqësit konstitucionistë shkollimin në gjuhën amtare e shikonin si një kusht të kushtetutës dhe në bazë të asaj i kryen rregullativat e nevojshme.

Edhe pse shqiptarët e arritën shkollimin në gjuhë amtare më vonë se serbët, bullgarët, grekët, përmbushja e kërkesës së tyre dhe vlerësimi i kësaj si një e drejtë kushtetuese, në kushtet e asaj epoke, paraqet një qasje tejet demokratike. Po ashtu duhet të vlerësohet qëndrimi neutral i autoriteteve qendrore në të ashtuquajturën çështje e shkronjave (hurufat meselesi) gjatë mosunitetit të shqiptarëve rreth përdorimit të shkronjave arabe dhe atyre latine. Gjatë këtij procesi udhëheqja shtetërore nuk mbeti veshshurdhër ndaj aspiratave të popullit. Megjithatë, të gjitha këto përpjekje nuk mundën ta ndalonin shkëputjen e shqiptarëve nga shteti osman.

________________

1. MF_MKT _01132_00058_005_001.

2. Shih. MF_MKT_01076_00021_040_001.

3. Shih:MF_MKT _01076_00021_038_001.

4. Shih. MF_MKT 01076_00021_033_001

5. Shih: MF_MKT-01076_0002C034_001.

6.Said Olgun, “Avusturya-Macaristan Imparatorlugu Konsoloslarinin Amavutluk Cografyasindaki ‘Muzir Faaliyetlerine’ Bazz Ornekler”, Uluslararasi Sosyal Arastirmalar Dergisi, C: X, Sayz: 50, Haziran 2017.

7. Engin Yilmaz, “Osmanli Devleti Arnavutçayt Yasaklai Mi?”, Turkish Studies- International Periodical For The Languages, Literature and History of Turkish on Turkic, C: IX Sayi: 7, Yaz 2014, s.10.

8. Shih MF_MKT _01076_00021_034_001.

9. Shih MF_MKT _01076_00021_018_001.

10. Shih MF_MKT _01076_00021_048_001

11. Shih MF_MKT _01076_00021_046_001.

12. Shih MF_MKT_01076_00021_032_001.

13. Përdorimi i shkronjaue latine në disa vende po kundërshtohet dhe autoritetet e Brendshme kanë organizuar disa takime lidhur me këtë temë.

14. Shih MF_MKT _01152_00025_002_001.

15. Shih MF_MKT _01076_00021_035_001.

16. Shih MF_MKT_01076_00021_036_001.

17. Shih MF_MKT _01152_00034_002_001.

18. Shih MF_MKT _01076_00021_051_001.

19. Shih MF_MKT _01152_00025_004_001.

20. Shih MF_MKT _01152_00025_003_001.

21. Necati Demir, a.g.m., s.7.

22. MF_MKT_ 01076_00021_030_001.

23. MF_MKT __ 01076_00029_016_001.

24. MF_MKT __ 01168_00070_003_001.

25. MF_MKT __ 01168_00070_002_001.

26. MF_MKL_ 01168_00070_004_001.

27. MF_MKT_01177_00007_001_001.

28. Eduart Caka, “Osmanli Millet Sisteminde Arnavutlarin Konumu (XVII-XIX Asirlar)”, Balkan Arasttrrnalart Dergisi, https://www.academia.edu/25629631/,Erisim tarihi 14.2.2018.

29. Në fillim të shekullit të 20-të, shqiptarët muslimanë në Manastir përbënin vetëm 30% të popullsisë. Shikoni, Ozcan,po aty, f.405.

30. Lëvizja separatiste që kishte marrë hov në 1908, në v. 1912 u kurorëzua me shpalijen e pavarësisë. Mirëpo pavarësia nuk i dha fond pasigurisë dhe jostabilitetit politik në Shqipëri. “Edhe përkundër nostalgjisë së një pjese për Perandorinë dhe ‘bashkësinë e lumtur’ kthim prapa nuk mund të kishte. Po t’i pyetje shqiptarët për shkaktarët e qorrsokakut dhe fundin e gjendjes së krijuar, ata do të thoshin se fajtor është nacionalizmi turk i xhon turqëve. Ndërkaq sipas xhon turqëve shqiptarët ishin ata që tradhtuan në një moment kritik për Perandorinë.

ismail Yucedag, Nurgiin Koç

Përktheu: Sezai Sylejmani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit