10.9 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Fëmija, stolia më e bukur e familjes

Më të lexuarat


Fëmija, burimi i lumturisë dhe stolia e vatrës së familjes, është amaneti që Zoti xh.sh. u ka dhënë prindërve të tij. Ata janë përgjegjësit kryesorë para Zotit xh.sh. dhe shoqërisë në lidhje me edukimin e tyre.

Nëse njeriu fillon t’i regjistrojë punët më të rëndësishme të jetës së tij, atëherë do t’i bëhej një listë shumë e gjatë.

Mirëpo, nëse ato fillon t’i rendisë sipas rëndësisë dhe përparësisë, sigurisht se në krye të listës do të jenë fëmijët dhe familja e tij. Në Kuranin fisnik thuhet: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra e shumë gra. Dhe kini frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës për ju.”(1)

Familja dhe fëmijët janë më të vlefshme se rehatia dhe se pasuria e njeriut, ngase është fakt se kur fëmija sëmuret, prindi mbete pa gjumë, ndoshta udhëton prej një vendi në tjetrin, harxhon prej pasurisë së tij, madje nëse nuk ka merr edhe borxh, vetëm e vetëm që fëmija t’i shërohet. Ndaj, kur ai bisedon me fëmijën e vet, e këshillon dhe është shumë i sinqertë.

Në një hadith thuhet: “E kanë pyetur Pejgamberin a.s., se kujt duhet t’i kushtohet më shumë kujdes? Ai është përgjigjur: “Nënës”. E pastaj kujt? – e pyeten shokët e Pejgamberit a.s.. “Nënës” – u përgjigj prapë ai. E pastaj kujt? – pyetën prapë shokët. “Nënës” – u përgjigje prapë ai. E pastaj? – pyetën sahabët. “Babait” – u përgjigj Pejgamberi a.s..

Nga kjo shohim se roli i nënës në formimin e njeriut në aspektin shpirtëror e fizik është shumë i rëndësishëm. Ajo i jep fëmijës një pjesë të saj ende sa është në mitrën e saj, gjatë zhvillimit embrional. Pas lindjes e ushqen me qumështin e saj dhe prapë ia jep një pjesë të saj. Kontributi i saj në formimin e anës shpirtërore të qenies njerëzore është shumë i madh. Nëna është ajo e cila në shpirtin e fëmijës mbjell gjithë atë që është e ndershme, e bukur dhe e vlefshme. Ajo u bë infermierja jote, kuzhinierja jote, shërbëtorja jote, mësuesja jote e shoqja jote më e mirë. Të gjithë përreth teje mund të të lënë, përveç nënës e cila është me ty dhe për ty.

Dashuria e saj është e fortë, e pastër dhe e qëndrueshme, edhe kur ajo është e zemëruar me ty. Kjo është nëna, të cilës nuk i ngjan askush, as nuk mund ta zëvendësojë askush vendin e saj. Ajo tërë jetën lufton për ty, qan për ty, e vendos veten në vendin e dytë, shpreson më të mirën për ty, ndonjëherë mërzitet shumë nga shqetësimet tua, por kurrë, ama kurrë nuk do të kërkojë asgjë në këmbim, ngase ajo të do shumë.

Përgjegjësitë tona për fëmijët

Fëmija, burimi i lumturisë dhe stolia e vatrës së familjes, është amaneti që Zoti xh.sh. u ka dhënë prindërve të tij. Ata janë përgjegjësit kryesorë para Zotit xh.sh. dhe shoqërisë në lidhje me edukimin e tyre. Pra, përgjegjësitë kryesore janë: të kujdesen për mbarëvajtjen e rritjes së fëmijës, duke iu siguruar atyre ushqim, të kujdesen për shëndetin fizik e shpirtëror të tyre,

të mos i ushqejnë fëmijët e tyre me të ndaluarën etj.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Paratë që kanë sevapin (shpërblimin) më të madh nga pasuria e shpenzuar në rrugën e Allahut, janë ato që

shpenzohen për individët e familjes.”

Ai na ka paralajmëruar: “Do t’i shkruhet njeriut për gjynah, në qoftë se lë pas dore anëtarët e familjes së tij, për të cilët është i detyruar që të kujdeset.”

T’i vërë emër të bukur fëmijës së tij. “Më ka treguar Is’hak bin Nasër, e këtij Usameja nga Burejda, e ai nga Ebu Burde, se Ebu Musa ka thënë: “Kur lindi gruaja ime, e çova fëmijën tim te Pejgamberi a.s. dhe ai ia vuri emrin Ibrahim. I bëri “tahnik” me hurmë dhe e bekoi, e mandej ma dha mua.”(2)

Ta edukojë fëmijën e tij dhe të bëhet shembulli më i mirë për të nga aspekti moral. Pejgamberi ynë a.s. na ka treguar qartë për rëndësinë e edukimit të fëmijës, duke na thënë: “Asnjë baba nuk mund t’i bëjë dhuratë më të vyer fëmijës së tij, sesa edukata e mirë që do t’ia mësonte atij.”

T’ia mësojë fëmijës faljen e namazit, si dhe detyrat fetare e morale. Ta shkollojë fëmijën e tij dhe t’i japë atij një edukim të mirëfilltë. T’i duam fëmijët tanë, sepse ata kanë nevojë për dashuri, po aq sa kanë nevojë për ushqim dhe veshmbathje. Pejgamberi a.s. i donte shumë fëmijët dhe interesohej shumë për ta. Të mos bëjmë dalim ndërmjet fëmijëve, kur shfaqim dashurinë për ta apo edhe kur ndajmë dhurata, të sillemi me barazi dhe drejtësi ndërmjet tyre. Koha do të kalonte gjithsesi, trupi njëlloj do të plaket, por e gjitha kjo do të kalonte pa ndonjë qëllim, nëse qëllimi nuk është dikush për të cilin ia vlen të luftosh, të punosh e të jetosh. Sheh se hap pas hapi, vit pas viti, pas jetës tënde që sa vjen e zvogëlohet, jetë të tjera zmadhohen, ndriçohen jetë të ardhme për të cilat t’i ndihesh me shumë fat.

1. En-Nisa,1.

2. Sahihul-l-Buhari në gjuhën shqipe, Libri 11. Hadithet:5351 6226,përktheu nga gjuha arabe dr.Feti Mehdiu, Prishtinë, 2014, fq.63

Mihana Goga-Bekteshi

Dituria Islame 372-373

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit