4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kërkesat e fëmijës – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Përpjekja për realizimin e kërkesave të fëmijës është gjë e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme për një zhvillim sa më të mirë të fëmijës në të gjitha aspektet.

Kjo përfshin tërë personalitetin e fëmijës, duke filluar nga ai fizik, logjik, moral dhe shoqëror. Kështu, nëse nuk përmbushen kërkesat fiziologjike të fëmijës si: ushqimi, tualeti, gjumi etj., kjo do të shkaktojë një destabilizim në kërkesat kryesore të fëmijës, që lidhen ngushtë me zhvillimin e personalitetit fizik, logjik dhe moral të fëmijës, e kjo quhet siguri. Gjithashtu mosplotësimi i kërkesave të fëmijës duke e neglizhuar atë dhe duke mos i ofruar dashuri prindërore e duke përdorur mënyra të gabuara në edukimin e tij si: kërcënimi, rrahja etj., ndikojnë drejtpërsëdrejti në mbjelljen e pasigurisë dhe në moszhvillimin fizik, logjik dhe moral të fëmijës.

Kërkesat e fëmijës përgjithësisht janë këto:

1. Ushqimi

Fëmija assesi nuk bën të privohet nga ushqimi apo të ndëshkohet me pengim nga ushqimi ose të urdhërohet të agjërojë kur ai është në moshë shumë të re, sepse ushqimi luan rol kyç në zhvillimin dhe pajisjen e fëmijës me imunitet të mjaftueshëm, i cili ndihmon në rregullimin e qelizave të vdekura dhe formimin e qelizave të reja; gjithashtu ai ndihmon në mbrojtjen e trupit nga sëmundjet e ndryshme. Nëse fëmija privohet nga ushqimi, kjo mund të shkaktojë gjendjen që ai të shohë nga fëmijët e tjerë dhe kjo gjë drejtpërsëdrejti mbjell tek ai urrejtje, xhelozi apo ndodh që edhe ta bëjë shprehi të vjedhë. Kjo gjë mund të shkaktojë tek fëmija edhe gjëra të tjera si:

– inteligjencë të dobët dhe mossuksese në mësime;

– plogështi, molisje dhe mosinteresim;

– pamundësi përqendrimi;

– kjo gjë ndikon gjithashtu që fëmija të mos jetë aktiv.

Ushqimi që i ofrohet fëmijës, duhet medoemos të jetë: i pastër dhe i fërguar mirë, që të jetë sa më i lehtë përdorimi i tij. Kur t’ia ofrojmë fëmijës ushqimin, duhet t’ia ofrojmë sa më qetë dhe assesi të mos e detyrojmë në mënyrë të dhunshme që ta hajë.

2. Jashtëqitja

Në javët e para të jetës së foshnjës, jashtëqitja është shumë e shpeshtë. Pas një kohe, jashtëqitja tek fëmija dalëngadalë fillon të pakësohet, ndërkohë që sasia e urinimit fillon gradualisht të shpeshtohet. Pas stabilizimit të muskujve të shpinës, pasi fëmija të ketë mundësi të qëndrojë ulur dhe pasi t’i ketë mbushur gjashtë

muaj, nëna duhet ta ushtrojë gradualisht se si duhet të kryhet jashtëqitja.

Nëna, në kohën që e di se fëmija do të kryejë jashtëqitjen, duhet të marrë një enë që ka formën e vendit special për jashtëqitje dhe me butësi të provojë ta ulë fëmijën në të. Në këtë rast nëna duhet ta adaptojë fëmijën e saj, që në kohën kur ai ka nevojë për jashtëqitje, t’i japë sinjal nënës me një shprehje të veçantë, jo siç veprojnë fëmijët e paedukuar, të cilët në kohën e jashtëqitjes, me zë të lartë dhe para të gjithë të pranishmëve, përdorin shprehje të çoroditura që sinjalizojnë jashtëqitjen. Po qe se fëmija urinon ose ka jashtëqitje pa dashje, atëherë nëna nuk duhet ta kërcënojë ose ta rrahë, sepse kjo mund të ketë efekt negativ te fëmija. Fëmijën që urinon ose ka jashtëqitje pa dashje, nëna, me butësi dhe pa i ekzagjeruar gjërat, duhet ta mësojë sa më mirë, që fëmijës më pastaj kjo gjendje të mos i zgjasë… po trajnimi i nënës me butësi të ketë efekt pozitiv tek fëmija.

3. Veshmbathja

Prej kërkesave të fëmijës, të cilat hyjnë në grupin e atyre më kryesoreve, bën pjesë edhe veshmbathja. Fëmija duhet të vishet me rroba të përshtatshme për motin që mbretëron, kështu që rrobat e trasha natyrisht duhet t’i vishen fëmijës kur moti është i ftohtë që t’i ofrojnë fëmijës ngrohtësi, ndërsa rrobat e holla duhet t’i vishen kur moti është i nxehtë, në mënyrë që të mos thithin rrezet e diellit. Fëmijës nuk duhet ti vishen rroba pa masë, që të mos ndihet se në trupin e tij të vogël janë shtuar kilogramët që nuk ka mundësi t’i bartë. Po qe se fëmijës i vishen rroba pa masë(të mëdha), tek ai shkaktojnë djersitje, sidomos nëse fëmija është tepër “i gjallë’, i lëvizshëm. Fëmija, i cili është në zhvillim e sipër dhe të pandërprerë, dëshiron të varet nga vetvetja në kryerjen e shumë aktiviteteve gjatë ditës. Në grupin e këtyre aktiviteteve hyn edhe veshja e mbathja, veprime që ai dëshiron t’i kryejë pa ndihmën e të tjerëve. Prandaj, e ëma duhet t’ia përgatisë rrobat që dëshiron t’ia veshë fëmijës dhe ato duhet të mos jenë shumë të ngatërruara, në mënyrë që fëmija të ketë mundësi t’i veshë e t’i zhveshë pa ndihmën e nënës.

4. Banimi komfort

Për të qenë sa më komfort, banimi duhet t’i plotësojë disa kushte, prej të cilave: Ajri duhet të jetë sa më i pastër, rrezet e diellit duhet të jenë të mjaftueshme. Gjithashtu, që të jetë sa më i përshtatshëm, vendi i banimit duhet të ketë patjetër qetësi.

Në saje të kësaj, mund të themi se fëmijët që jetojnë nëpër fshatra dhe afër bregdetit, zhvillohen më shpejt sesa fëmijët që jetojnë në qytete me popullatë të dendur.

Statistikat tregojnë se përqindja e fëmijëve të sëmurë nga frymëmarrja, arrin në 46%. Kjo për arsye se shumica e tyre jetojnë në vende ku ambienti është i ndotur dhe mungojnë rrezet ultraviolete, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e shpejtë të fëmijës, dhe gjithashtu janë burim kryesor i vitaminës D, e cila e mbron fëmijën nga sëmundja e paralizës.

Hulumtimet tregojnë se dielli i paradites (diku nga ora dhjetë) përmban të gjitha vitaminat dhe substancat e nevojshme që ndikojnë në zhvillimin e shpejtë të trupit. Ato gjithashtu ndikojnë edhe në mbrojtjen dhe shërimin e trupit nga shumë sëmundje të ndryshme.

Për sa i përket banimit në vende me zhurmë, është vërtetuar se zhurma ndikon drejtpërsëdrejti në shqetësimin dhe hutimin e fëmijës, dhe sidomos nëse ka zhurmë gjatë natës, kur fëmija është në gjumë.

5. Mbrojtja dhe kurimi

Koha e fëmijërisë është koha më e ndjeshme, sepse gjatë kësaj kohe ai përballet me sëmundje të ndryshme për shkak se është jo imun dhe për shkak të dobësisë së sistemit nervor, që nuk ka mundësi të përballojë sëmundjet.

Mjekësia moderne ofron metoda të ndryshme nëpërmjet të cilave kemi mundësi ta mbrojmë fëmijën nga sëmundje të ndryshme. Këto metoda i gjejmë nëtitujt: Këshilla mjekësore, të cilat janë të shumta, por ne do të përpiqemi t’i praktikojmë disa prej tyre, që janë:

Në vendin tonë kohët e fundit është rritur dukshëm numri i atyre që shërbejnë në spitale dhe ordinanca mjekësore. Pa pasur njohuri të mjaftueshme në aspektin mjekësor, ata dhe ato kryejnë shërbime mjekësore, madje pa vëmendje

dhe me përtaci të madhe. Papastërtia është shumë e madhe, sidomos kur jepet materie ushqyese (infuzion) dhe, në raste mungese të asaj materieje ushqyese, gjysma i jepet një fëmije e gjysma tjetër, me të njëjtën gjilpërë, i jepet një

fëmije tjetër, ndoshta edhe një fëmije të tretë. Ndodh që me të njëjtin mjet, stomatologu t’ i kontrollojë një fëmije dhëmbin, dhe, pa e pastruar atë, të kontrollojë fëmijën tjetër. Ndodh që pacienti me fëmijën e tij të sëmurë, në raste urgjence, të paraqitet te mjeku, i cili me cigare në gojë, i thotë pacientit të presë se do ta kontrollojë, sa kohë që fëmija mund të vdesë për shkak të pakujdesisë së mjekut. Rasti më i çuditshëm që ka ndodhur nga pakujdesia dhe përtacia, është rasti i vdekjes së mësueses vitin e kaluar në spitalin gjinekologjik, ku kishte shkuar

për të lindur. Pas qëndrimit të saj për disa ditë, një ditë ajo vërejti se i erdhi koha për të lindur dhe kërkoi nga personeli mjekësor që ta merrte në përkujdesje, po mjeku i paska thënë se ata e dinin më mirë kohën se kur do të lindte ajo. Mësuesja

e gjorë, nga dhimbjet që kishte, paska shkuar në tualet për të pirë ujë, dhe atje i paskësh ndodhur më e tmerrshmja, si për nënën ashtu edhe për foshnjën: nëna ishte alivanosur dhe kishte rënë me kokë në pllaka për të vdekur aty për aty. Kjo gjë nuk është vetëm rastësi, por ka filluar të bëhet një dukuri, posaçërisht në ato spitale ku është i përhapur ryshfeti. Nëse jep, shpëton jetën tënde dhe të fëmijës tënd, e nëse nuk jep, vdes vetë dhe fëmija yt. Këtë e kemi parë dhe e dëgjojmë shpesh, prandaj i këshillojmë prindërit dhe infermieret që të bëjnë sa më shumë që është e mundur, në mënyrë që fëmijët e tyre t’i kurojnë në ato spitale dhe ordinanca ku shërbimi mjekësor është i mirë.

Është vërtetuar se djemtë pësojnë më shumë aksidente se vajzat; kjo ndodh më shumë kur ata janë në moshën parashkollore. Gjithashtu kjo ndodh më shumë edhe nëpër familje të hyrat e të cilave janë minimale. Gjithashtu është vërtetuar se ekzistojnë lidhje të ngushta në mes aksidentit dhe rrethit ku jeton fëmija, kështu që mbytjet në ujë ndodhin më shumë në vendet bregdetare, kurse vdekja a fëmijëve në aksidente trafiku ndodh më shumë në vendet me trafik më të dendur. Nga ne kërkohet që fëmijëve tanë t’ua mësojmë edukatën qytetare, për t’u mbrojtur nga rreziqet, pastaj t’i lirojmë ata të dalin dhe të mos i pengojmë tepër, sepse gjithçka është e caktuar nga All-llahu i Madhërishëm. Kemi dëgjuar për një njeri i cili e kishte ngujuar djalin e tij që të mos dilte jashtë, sepse paskësh parë ëndërr se fëmija do t’i mbytej në ujë, kështu që çdo herë ia ofronte ushqimin dhe ujin brenda e nuk lejonte të dilte jashtë. Megjithatë, një ditë ndodhi paracaktimi i All-llahut dhe, kur babai hyri në dhomën e djalit të tij, e gjeti të vdekur. Djaloshi kishte vdekur pikërisht nga ajo që babai kishte ëndërruar, kishte plasur nga uji.

6. Gjumi

Fëmija ka nevojë të bjerë në gjumë herët dhe të bëjë gjumë të qetë. Ai gjithashtu ka nevojë të flejë në kohën e drekës (diku prej orës një deri në orën katër). Fëmija nuk duhet të rrihet për shkak se nuk fle ose për shkak se ai fle pak.

Fëmijën nuk duhet ta zgjojmë nga gjumi për çkado, sepse kjo ndikon drejtpërsëdrejti në zemrën e tij. Ai nuk duhet të zgjohet nga gjumi për të urinuar, dhe as babai që ka qenë gjatë tërë ditës në punë, kur të kthehet vonë nga puna, nuk bën ta zgjojë fëmijën për ta rrahur për gabimet që mund të ketë bërë ai gjatë ditës. Fëmija duhet të flejë aq sa i nevojitet gjumë. Këshillohet të mos flihet më pak se shtatë orë, po edhe të mos jetë më tepër se shtatë orë, sepse pagjumësia, si edhe gjumi i tepërt ndikojnë negativisht, si në trurin e të rriturit po ashtu edhe në trurin e fëmijës.

7. Lozja

Kjo është njëra nga kërkesat që në vete përmban rëndësinë e saj të posaçme. Kjo rëndësi lidhet ngushtë me zhvillimin e fëmijës, sepse kur ai loz dhe lëviz pandërprerë, zhvillohet si fizikisht e moralisht, po ashtu edhe mendësisht. Ky zhvillim vetëm sa vjen e shtohet atëherë kur fëmija ka terren të përshtatshëm për lozje dhe lozja e tij nuk e dëmton atë. Kështu, fëmija nuk duhet privuar asnjëherë nga e drejta për të luajtur, pa shkak, po edhe nëse privohet për shkak të edukimit, atëherë kjo kohë të mos zgjasë. Fëmija nuk duhet të detyrohet të luajë lojëra të posaçme, sepse në realitet ai është duke luajtur e nuk është duke kryer ndonjë obligim të tij dhe me pak këshilla se si të luhet, loja do të ketë efekt pozitiv tek fëmija.

8. Hulumtimi dhe njohja e sendeve

Fëmija nga vetë natyra e tij, anon nga hulumtimi dhe njohja e sendeve. Ai , me anë të hulumtimit dhe njohjes së sendeve, merr njohuri dhe zhvillon trurin e tij. Pasi nuk ka përvojë për gjërat që e rrethojnë, ai dëshiron që për çdo gjë që e rrethon, të dijë se çfarë funksioni ka, andaj edhe ndodhin gjëra jo të dëshirueshme,po edhe të rrezikshme, kur fëmija i përdor ato. Kështu, kur fëmija dëshiron të dijë diçka rreth zërave dhe para vetes ka një shishe nga qelqi, ai e merr atë dhe e hedh përtokë nga dëshira e tij për të ditur se çfarë tingujsh do të dalin nga ajo, edhe pse ajo thyhet. Ai gjithashtu dëshiron të dijë se ç’përmban një kasetë, qoftë e radios a e televizionit, dhe provon të nxjerrë jashtë shiritin, ose dëshiron të dijë se si flet njeriu brenda në televizor, dhe përpiqet ta hapë atë, ose fut dorën në ventilator kur ai është i aktivizuar, apo në ujë të nxehtë vetëm për të ditur se ç’do të ndodhë më pastaj. Edhe nëse ndodh ndonjë e keqe shumë e madhe nga këto gabime që bën fëmija, duhet ditur se ai nuk vepron ashtu për asgjë tjetër veçse për hulumtim dhe njohje të sendeve derisa të fitojë përvojë, nga e cila kurrë më nuk do të veprojë diçka të ngjashme, sidomos nëse merr ndonjë qortim të vogël nga ata që janë përreth. Kështu, pra, nëse vërejmë se fëmija dëshiron të bëjë ndonjë gabim, të mos e qortojmë duke e rrahur, po ta lëmë atë të lirë duke e këshilluar që ai të ketë mundësi t’i plotësojë nevojat e tij që ka për hulumtimin dhe njohjen e sendeve. Kjo ndihmon shumë në zhvillimin e intelektit të fëmijës.

9. Dashuria

Ndër kërkesat e fëmijës është edhe dashuria, për se fëmija ndien nevojë të jashtëzakonshme. Kjo dashuri duhet t’i ofrohet fëmijës së pari nga prindërit e pastaj edhe nga mësuesi dhe nga rrethi ku jeton, kështu që edhe kur fëmija të gabojë, prindi duhet ta trajtojë në mënyrën më të qetë, duke i ofruar dashuri. Fëmija më së shumi ka nevojë për një dashuri të ngrohtë, e cila do t’i dhurohet nga prindërit e tij. Që këtu i këshillojmë të gjithë prindërit që nuk janë të zënë me punë, që për fëmijët e tyre të kujdesen vetë ata dhe jo mamia ose të dërgohen në çerdhe, sepse dashurinë që i dhuron fëmijës prindi, nuk ka mundësi t’ia dhurojë askush tjetër.

10. Siguria

Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më shumë shtohet nevoja për siguri, kështu që kur nëna e tij është afër, ai patjetër duhet të ndihet i sigurt, sepse ka ardhur në një botë të panjohur për të. Edhe babai i tij duhet të luajë me të dhe ta afrojë pranë vetes, që fëmija të ndihet sa më i sigurt. Zilia dhe urrejtja zakonisht mbillen në mes të atyre fëmijëve prindërit e të cilëve gjithmonë kanë probleme familjare, dhe sidomos kur ndodh ndarja e prindërve. Ndjenja për siguri dhe qetësim është më se e nevojshme për fëmijën, dhe kjo ndodh në shumë raste, siç janë: kur fëmija bërtet dhe nëna i përgjigjet aty për aty; e ngroh kur ai ka nevojë për ngrohje; i jep gji ose e ushqen kur ai ka nevojë. Nëna nuk duhet ta rrahë fëmijën assesi, nëse e shqetëson gjatë natës dhe i prish gjumin, duke qarë ose pse fëmija nuk fle. Po qe se fëmija derdh ujë apo ndonjë lëng ose diç tjetër që përlyen rrobat ose shtëpinë, ajo me butësi duhet ta këshillojë se ajo që vepron, është e keqe. Nëse nëna e qorton fëmijën në mënyrë të vrazhdë dhe me britmë, atëherë ai edhe më do të insistojë të bëjë gabime. Fëmija gjithashtu i humb ndjenjat e tij për siguri kur prindi e lë tërë ditën në çerdhe ose me shërbëtore, kështu që fëmija ndihet i pasigurt kur ai nuk e di se kë ka nënë, sepse atij i ngatërrohen nëna me shërbëtoren, dhe sidomos kur çdo muaj në shtëpinë e tij ndërrohet nga një shërbëtore e re.

11- Pranimi i fëmijës ashtu siç është

Fëmija ka nevojë që prindërit dhe rrethi ku jeton, ta pranojnë ashtu siç është, të pranohet si fëmijë, pa marrë parasysh nëse është mashkull apo femër, është i zi apo i bardhë, i lëvizshëm apo i palëvizshëm, i aftë për të parë apo i verbër. Fëmija assesi nuk bën të trajtohet me urrejtje apo të lihet pa përkujdesje ose të nxitet fëmija më i madh kundër të voglit, sepse e tërë kjo mbjell në brendi të fëmijës urrejtjen dhe sjelljen e keqe. Prindërit duhet ta përqafojnë shpesh fëmijën e tyre dhe të paktën t’i kushtojnë një kohë për të luajtur bashkë me të, dhe ta trajtojnë në mënyrën më të butë kur gabon, veçse edhe ta shpërblejnë kur ai vepron mirë. Prindi assesi nuk duhet të bëjë ndarje në mes fëmijëve të tij, ta dojë më shumë të voglin se të madhin, ose ta dojë më shumë djalin se vajzën. Po qe se prindi, dashurinë që ka ndaj fëmijëve të tij, e ndan për të gjithë njësoj, fëmijët do të fitojnë një siguri në vete dhe në brendinë e tyre do të formohen mirësjellja e dashuria, me të cilat do të krijojnë marrëdhënie të mira me rrethin dhe

shoqërinë ku jetojnë.

12- Entuziazmi

Fëmija gjithmonë duhet të trajtohet nga prindërit dhe nga rrethi ku jeton, në atë mënyrë që të ndihet sa më entuziast. Ai gjithmonë duhet të trajtohet si fëmijë i pavarur dhe duhet t’i mundësohet të inkuadrohet në kryerjen e disa punëve të vogla, ose të kërkohet ndonjë shërbim i vogël prej tij, si të sjellë një gotë apo ta lërë në vendin e saj, ose të pastrojë pluhurin e ndonjë tavoline etj. Prindi assesi nuk bën t’i thotë fëmijës të tij: Largohu nga unë më, lër të qetë të kryej punët e mia, sepse ti ende je i vogël, dhe mos fol më shumë sesa kërkohet nga ti. Ndodh që fëmija t’i afrohet vëllait të tij më të madh për të lozur, e ai t’i thotë: Mos luaj me mua, sepse ti ende je i vogël; kur të rritesh, eja e luaj me mua. Ky largim dhe moskujdes ndaj fëmijës, e detyron atë të shkojë dhe të luajë me fëmijët e paedukuar të rrethit ku jeton, ose të luajë me mësuesin e tij dhe ai të jetë shembulli më i mirë për të, sepse ai e trajton në mënyrë të butë, kurse prindi

dhe vëllai, të cilët nuk përfillën kërkesën e tij, ai nuk dëshiron t’i pranojë si të familjes.

13- Suksesi

Ndër kërkesat e fëmijës është edhe suksesi për të cilin ai ka nevojë. Sa herë që fëmija korr ndonjë sukses sado të vogël, ai doemos do ta shpjerë drejt një suksesi më të madh, dhe sa herë që fëmija të harxhojë energji e të korrë sukses, ai çdo herë do të jetë i lumtur. E tërë kjo e bën fëmijën që të fitojë besim në vetvete dhe të ndihet më i sigurt për të vazhduar më tutje në përmirësimin e vet moral dhe për të fituar përvoja të ndryshme në të gjitha aspektet. Për këtë arsye, fëmija asnjëherë nuk duhet të ngarkohet me gjëra që nuk mund të përballojë, sepse, nëse këto gjëra i kalojnë mundësitë e tij dhe nuk ka mundësi t’i kryejë, ai gjithmonë ndien në vete një dështim dhe nuk do të insistojë që të vazhdojë më aktivitete të mëtutjeshme. Zoti as ne të rriturit nuk na ka ngarkuar me ato që nuk kemi mundësi t’i kryejmë, për se, në Librin e Tij fisnik thotë: “All-llahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta” dhe thotë në një ajet tjetër: “Nënshtrojuni Zotit sa të keni mundësi”. Edhe nëse fëmija nuk korr sukses të plotë, që është shumë normale, ngase i mungon përvoja dhe fuqia e duhur, nuk bën të tallemi me të dhe ta poshtërojmë, veçse duhet t’i japim kurajë edhe më tepër dhe t’i themi: Kjo që bëre, është shumë e mirë, por si thua, nëse do të vepronim kështu, a do të ishte më mirë. Kështu pra, në mënyrë tërthortë, t’i tregojmë se kështu është më mirë të veprosh dhe kjo do ta bëjë fëmijën të ndihet se, megjithatë, pati sukses në veprën e tij.

14- Liria

Fëmija gjithherë ka nevojë për liri të lëvizjes, si në të ecur ashtu edhe kur vrapon, kur flet, kur ngjitet, kur gropon, kur monton dhe çmonton gjëra, kur luan në përgjithësi, si me fëmijët e vegjël ashtu edhe me të rriturit, qoftë në shkollë apo në shtëpi. Nuk bën ta privojmë fëmijën nga liria e tij, prej frikës se mos po i ndodh diçka e papëlqyeshme. Edhe kur rritet, gjithmonë duhet ta lëmë të lëvizë dhe të

shprehë mendimin e tij të lirë, që më pastaj, nëse është gabim, t’i tregojmë dhe ta mësojmë për veprime të drejta dhe për të mirë. Po ta privojmë, kjo mund të ndikojë negativisht në aktivitetet e tij dhe ta kaplojë atë një plogështi e përtaci. Fëmija, nëse pengohet për të luajtur me fëmijët e tjerë ashtu si ai dëshiron, nga frika se mos po i ndodh ndonjë e keqe ose mos bashkëmoshatarët e tij do ta sulmojnë, ose nëse nëna gjithherë insiston ta ushqejë, t’ia veshë rrobat, t’ia lajë fytyrën, t’ia krehë flokët e t’ia rregullojë atij lodrat, pa kërkuar asnjëherë nga fëmija i saj që ai vetë të kryejë ndonjë nga këto detyra, – nga e tërë kjo fëmija do të ndiejë një plogështi dhe një pasiguri në vetvete. Ai gjithmonë do t’i shmanget përgjegjësisë dhe gjithashtu nuk do të pëlqejë asnjëherë as me shokët e tij po as me prindërit. Nga kjo rezulton që fëmija të mos pranojë asnjëherë gabimin e tij, po gjithherë të grindet me prindër duke insistuar për gabime dhe, po qe se i tërhiqet vërejtja për gabimin e bërë, ai ngre zërin dhe nervozohet vetëm e vetëm t’i plotësuar dëshirat e tij. Prandaj për prindërit mbetet detyra që fëmijëve të tyre t’u japin liri dhe sa më shumë liri, të mbikëqyrur dhe me udhëzime, në mënyrë që me këso veprimesh të bëhen edukues dhe mësues dhe kurrsesi jo armiq e të dhunshëm.

Përktheu e përshtati nga arabishtja,

Avdyl Rrahmani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit