2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Israja dhe Miraxhi, drita e shpresës dhe e përgëzimit

Më të lexuarat

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Atij, që njeriun e krijoi në formën më të përsosur, e bëri mëkëmbësin e Tij në tokë, për ta ndërtuar dhe gjallëruar atë me udhëzimin e Tij hyjnor.

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, zotërisë së bijve të Ademit, Muhamedit a.s., i cili u begatua me mrekullitë e Israsë dhe Miraxhit, në një natë të paqtë, ku u obligua falja e pesë namazeve ditore për umetin mysliman, deri në Ditën e Kiametit.

Ndërkohë që ndodhemi në prag të një nate, e cila mbart njërën prej mrekullive më të mëdha që i është dhënë të Dërguarit të Allahut, udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, le të ndalemi pak e të flasim për këtë mrekulli, që me të drejtë mund të quhet drita e shpresës dhe e përgëzimit.

Kishte afro 12 vite që Profeti Muhamed a.s. predikonte fenë islame, i ftonte banorët e Mekës dhe të rrethinave të besonin në një Zot të Vetëm e ta adhuronin Atë. Parimet që po predikonte, normat e larta morale që po praktikonte dhe hapat e vegjël, por të sigurt e të suksesshëm, që kishte hedhur në formimin e një grupi shoqëror të përkushtuar dhe solid besimtarësh, bëri që në zonën e Mekës të lëkundeshin qartësisht zakonet dhe marrëdhëniet sociale të ndërtuara mbi bazën e skllavërimit, rrëmbimit të pasurisë, forcës së pushtetit me pa të drejtë, besëtytnive dhe veseve (kumari, alkooli, imoraliteti, falli), konflikteve ndërfisnore, dhunimit dhe nënçmimit të skajshëm të femrës, të fukarenjve e shtresave në nevojë.

Paria mekase, duke ndjerë valën që po i përmbyste të ardhmen, kundërveproi mjaft ashpër ndaj profetit Muhamed dhe përkrahësve të tij: pengonte faljen e besimtarëve në Qabe; nuk lejonte kumtimin e besimit islam në mjedise të ndryshme publike; fyente, përndiqte e persekutonte besimtarët. Në këto kushte represioni, një grup myslimanësh u detyrua të merrte rrugën e emigrimit në Abisini. Pjesa tjetër që qëndroi në Mekë, u gjend në situatën e përballimit të sakrificave që sjell izolimi shoqëror-ekonomik për rreth 3 vite, i cili quhet dhe periudha e bojkotit.

Profeti Muhamed a.s. bëri përpjekje të gjente shpresë në Taif (një zonë afër Mekës), por edhe atje e dëbuan në mënyrë të dhunshme. Dëshpërimi i tij u shumëfishua me vdekjen e bashkëshortes Hatixhe dhe xhaxhait Ebu Talib, dy njerëzit që më së shumti e përkrahën dhe e mbrojtën. Ky vit quhet edhe “viti i hidhërimit”.

Pikërisht atëherë kur në planin e shkaqeve të kësaj bote çdo gjë dukej e pamundur dhe pa shpresë; Profeti a.s. kishte ngritur duart dhe i lutej Allahut:

“O Zot, unë ankohem te Ti për gjendjen time të dobët, për mundësitë e pakta që kam dhe pamundësinë time për njerëzit. Ti je Zoti i botëve, Ti je Zoti i të dobëtëve, Ti je Zoti im. Në dorë të kujt më le, o Zot? Në dorë të një të largëti të ngrysur apo në dorë të një të afërti, të cilit ia ke lënë në dorë çështjen time. Nëse nuk je i zemëruar me mua, nuk më intereson asgjë tjetër. Kërkoj mbrojtje nga drita Jote, e cila ka ndriçuar errësirat dhe që me të është rregulluar çështja e kësaj bote dhe e botës tjetër, që të mos bjerë mbi mua zemërimi Yt dhe pakënaqësia Jote. Te ti pendohem derisa të kënaqesh dhe nuk ka forcë përveç forcës Tënde.”

Po o i Dërguari i Allahut, Ai është Zoti, i cili i di më së miri gjendjen e çdokujt. E si mund të ndodhte ndryshe veç se t’i kthente përgjigje kësaj duaje… dhe përgjigjja ishte ftesa për udhëtimin në qiejt e pafundësisë, i cili quhet Isra dhe Miraxh…

Në këtë situatë tejet të rënduar, Allahu e ftoi pranë, për t’ia bërë me dije se, atëherë kur heqin dorë njerëzit në tokë, vjen ndihma nga qielli. Ja pra, pas 12 vitesh sprova, qëndrueshmërie, vendosmërie e durimi të lartë, tashmë kishte ardhur koha që Vetë Krijuesi i Gjithëmëshirshëm ta ftonte në takim të drejtpërdrejtë të dërguarin e Tij për gjithë njerëzimin, Muhamedin e Nderuar. Allahu, Krijues i universit dhe ligjeve të tij, ia mundësoi profetit Muhamed a.s. të kryejë udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit. Në suren Isra, Allahu i Lartësuar thotë kështu:

“I Madhëruar është Allahu që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës nga Mesxhidi Harami (prej Qabes) në Mesxhidi Aksa (xhamia Aksa në Jerusalem), mjedisin e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai dëgjon dhe sheh çdo gjë.”[1]

Ky udhëtim i Pejgamberit a.s., sipas shumicës së dijetarëve, ka ndodhur në natën e 27 të muajit Rexheb, 18 muaj para Hixhretit. Mi’raxhi konsiderohet si nata më e bekuar pas natës së Kadrit, ngjarja e fundit në Mekë para Hixhretit dhe një përgatitje për periudhën pas tij. Shikoni sa bukur na e sjell autori i mevludit me vargjet e tij këtë histori:

Eja ndigjo, ndër qiellna si është ngjitë,

N’qofsh ashik, n’zjarrm t’ashkut mos u digj!

Sa çel e mbyll sytë, menjëherë ai Padisha,

N’Kudsi Sherif erdh, ia mbrrini e pa.

Shpirtrat e pejgamberëve gjithë kur e panë,

Para i dolën dhe shumë ikram i banë.

 

Doli në mihrab, të gjithë tabi iu banë,

Gjithë atyne iu prini e iu bë imam.

Zoti urdhënoj e tha t’vijn me pa,

Arsh e Qyrs, hem edhe Mue, ja Mustafa!

Ty të kallzon sonte gjithë çka jeretisë,

Dhe të diftohet Xhemali i Perëndisë[2].

Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit është shprehje e nderit më të lartë që Zoti ia kishte caktuar vetëm Muhamedit a.s. Ai do të përshkonte me burakun (njëbrirëshin) hapësirat e universit që s’mund të arrihen në aspektin fizik, do ngjitej deri në ato lartësi, që Allahu i ka caktuar si kufij të fundit, që nuk i ka arritur ndonjë krijesë përveç profetit Muhamed a.s.

Në hadithet që gjenden në koleksionet e Buhariut dhe të Muslimit, Profeti a.s. e tregon qartë këtë udhëtim në të cilin ai do të shohë një sërë mrekullish si bukuritë e xhenetit, ndëshkimet në xhehenem, do të takohet me shumë Profetë të kaluar si Ademi, Jusufi, Isai, Musai, Ibrahimi a.s. dhe do të shkojë deri në Sidretul Munteha ku do të bisedonte me Allahun e Lartësuar më nga afër se asnjëherë tjetër.

Ky udhëtim më tepër se sa një dhuratë për Profetin a.s., është një dritë shprese dhe shpëtimi për gjithë njerëzimin, sepse Allahu i Lartësuar, veç të gjitha ngjarjeve të veçanta të cilat përjetoi Profeti a.s. në këtë udhëtim, i dhuron atij edhe shumë dhurata, ndër këto tre më të rëndësishmet janë:

  1. Tri ajetet e fundit të sures Bekare, në të cilët tregohen shumë parime të rëndësishme për besimtarët.
  2. Premtimi me Xhenetin për ata që janë pasuesit e Muhamedit a.s., e që Allahut nuk i shoqërojnë dikë tjetër.

Ky premtim është dritë shpëtimi dhe shprese për të gjithë ata të cilët jetën e tyre e kanë mbushur me gabime e padrejtësi, me gabimet që kanë nxirë zemrën e që janë shtyrë drejt një tuneli në fund të të cilit shikohet vetëm errësirë e pashpresë. Por Allahu i Lartësuar duke i dhënë këtë dhuratë kaq të çmuar mbretit të zemrave njerëzore na orienton edhe njëherë të trokasim në derën e mëshirës së Tij të pafund duke na thënë:

“Thuaj: “O njerëzit e mi, të cilët keni bërë gabim ndaj vetes, mos e humbisni shpresën te mëshira e Allahut! Allahu, me siguri, do t’ua falë të tëra mëkatet; Ai, njëmend, fal shumë dhe është i mëshirshëm.”[3]

  1. Falja e pesë namazeve gjatë ditës

Natyrshëm, takimet e rëndësishme kanë edhe mesazhe madhore për krijesën njerëzore. Allahu urdhëroi faljen e 5 kohëve namaz, si akti më i përsosur, më i plotë, më universal dhe më harmoniku. Namazi është përkufizuar si shtylla kryesore e Islamit, adhurimi i vetëm i obliguar në qiell ndërsa zekati, agjërimi dhe haxhi, dhe të gjitha adhurimet tjera, janë obliguar në tokë, për këtë arsye Profeti Muhamed a.s. e ka cilësuar namazin si “Miraxhi i besimtarit”. Namazi është ngritje, afrim tek Allahu, veprimi që i mundëson gjithkujt të përjetojë lartësimin shpirtëror, është forma më e përkryer për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimet Allahut Mëshirëplotë.

E lusim Allahun të na bëjë prej besimtarëve të devotshëm, të cilët ndjekin këshillat dhe traditën e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të.

Lauren Luli

[1]. Isra, 1.

[2]. Pjesë e shkëputur nga Mevludi në gjuhën shqipe.

 

[3]. Zumer, 53.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit