7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Vlerësojini fëmijët tuaj!

Më të lexuarat

Nëse në një shoqëri janë shkatërruar vlerat e bërthamës themelore të saj, familjes, nëse nuk ekziston më dashuria e respekti mes anëtarëve të saj atëherë mund të paralajmërojmë një shthurje morale. Pas këtyre ekzistenca dhe vazhdimësia e një populli bëhet tepër e vështirë. Në çdo ambient qoftë në shkollë, në punë, mes miqve, etj., marrëdhëniet bazohen mbi interesin dhe si rrjedhojë dalin në pah vese si hipokrizia, xhelozia, thashethemet, tallja, etj.

Në të kundërt të asaj që këshillon feja, fëmijët e rritur nën ndikimin e programeve televizive janë të prirur t’i drejtohen sjelljeve të pamoralshme, përdorimit të alkoolit dhe drogës, të bëhen më agresivë.

Ky problem nuk vihet re vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në fshatra apo komuna të vogla. Prindërit nuk tregojnë interesin dhe përkujdesjen e duhur ndaj fëmijëve. Familjet nuk janë në dijeni të zakoneve të fituara të fëmijëve të tyre. Familjet nuk ndjekin shokët apo shoqet me të cilët fëmija kalon një pjesë të madhe të kohës.

Një fëmijë i qetë dhe i respektuar në ambientin familjar mund të shndërrohet në një karakter krejt tjetër në ambientin shoqëror. Fëmijët kanë dëshirë të duken më të mirë para shokëve të tyre. I pandjeshëm ndaj shumë gjërave që ndodhin përreth shpeshherë i riu (adoleshenti) vuan kur shoku i tij mban një tabletë dhe ai nuk e ka. Ose vuan kur shoku i tij ka një telefon, kjo është e mjaftueshme për t’u ndjerë i mërzitur. Të rinjtë janë në garë me njëri-tjetrin. Janë të ndikuar nga telenovela të shthurura, nga karakteret apo personazhet e dobët dhe mundohen t’i imitojnë ato.

Çfarë duhet bërë?

Zoti i madhëruar e ka krijuar njeriun në natyrën e pastër, në natyrën e të besuarit në Zot. Psikologët perëndimorë kanë përdorur koncepte tjera si proces natyror fetar, prirje dhe ndjenja fetare, farat e besimit fetar, potenciali fetar, të cilat në fenë islame përkthehen si ndjenjë e lindur e besimit.

Themeli i besimit është morali i mirë. Baza e njeriut është morali, i cili formësohet në periudhën e fëmijërisë. Individë të cilët, në emër të modernizmit apo principeve të tjera, preferojnë të mos u mësojnë fëmijëve asgjë rreth besimit veprojnë në mënyrë të gabuar. Besimi është gjëja më e rëndësishme dhe më e domosdoshmja për t’u mësuar.

Fëmija i rritur me besim është më i ekuilibruar nga ana emocionale. Ai i lidh gjërat përgjigjet e të cilave nuk i gjen dhe nuk i kupton me një fuqi të paparë. Ajo fuqi ndonjëherë është një karakter të cilin e sheh në një film vizatimor e ndonjëherë është Zoti i madhëruar. Atëherë fëmijës i cili mendon rreth fuqisë misterioze i duhet dhënë një përgjigje e vetme.

Që nga momenti i ardhjes në këtë botë fëmija vjen i pajisur me ndjenjën e kërkimit dhe zbulimit, ai është i uritur ndaj informacionit. Prandaj gjëja e parë që duhet të bëjnë prindërit është ta mësojnë fëmijën të dojë Zotin dhe të ketë frikë nga humbja e dashurisë së Tij. Fëmijës i duhet folur rreth ekzistencës, madhështisë dhe fuqisë absolute të Zotit. Të nxitet rreth gjetjes së Krijuesit të vërtetë të çdo gjëje që e rrethon, të ajrit që thith, ushqimeve që ha, zemrës që mban, etj.

Fëmija duhet ta kuptojë se Zoti krijon çdo gjë dhe e krijon në formën më të bukur, kur sëmuret është Ai që e shëron, është Ai që ia dëgjon e ia pranon lutjet dhe i vetmi mik e ndihmës i tij.

Një fëmijë i rritur me besim sado i vogël të jetë do të ketë një mendje dhe moral të maturuar, nuk do të dëshpërohet në mënyrë depresive përballë rënieve  të brendshme emocionale, nuk do të qajë kur të përballet me diçka që nuk i pëlqen, do ta kuptojë se ngjarjet janë nën kontrollin e Zotit, do të bindet, sillet mirë dhe ç’është më e rëndësishmja, do të jetë më i ndërgjegjshëm.

Nëse nëna dhe babai pasqyrojnë modelin e një myslimani të mirë për nga karakteri dhe veçoritë e tij, atëherë ata përbëjnë një shembull të mirë për fëmijën duke ia transmetuar edhe atij këto cilësi me anë të sjelljes së tyre.

Një nga gurët më të fortë për të ardhmen e një shoqërie është shumimi i familjeve të cilat përbëhen nga njerëz që kanë frikë mos humbasin mëshirën, kënaqësinë dhe shpërblimin e Zotit, kanë frikë të bëjnë punë për të cilat nuk mund të japin llogari para Zotit.

Vlerësojini fëmijët tuaj, mësojuni atyre moralin e mirë dhe kërkoni falje te Zoti për ta.

AISA KOKIÇI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit