15.3 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Islami në Bibël

Më të lexuarat

Shkruan: Burim Sogojeva

 

 

Pas shkrimit të mëparshëm Të bëjmë davet – të ftojmë në Islam – pra këtu mund të lexohet ky shkrim, ku vetëm pjesërisht e kam prekur këtë temë, tani me lejen e Allahut Mëshirëplotë dua të thellohem pak më tepër me argumente shtesë, të cilat pikërisht e dëshmojnë, se me gjithë devijimet e falsifikimet që i janë bërë nga dora e njeriut Tevratit dhe Inxhilit, megjithatë në to ka mbetur dhe ka ende Islam, madje sa të duash.

Kështu që fillimisht duhet ta dimë për vete e pastaj duhet të ua përkujtojmë të tjerëve, e sidomos të krishterëve, me të cilët po bashkëjetojmë nëpër vende të ndryshme të tokës së Allahut të Gjithëpushtetshëm.

Sidomos duhet ta dimë, se fjala Islam nuk përmendet në Bibël, porse domethënia e saj, e që është NËNSHTRIM, pra ndaj Allahut Madhështor dhe ndaj askujt tjetër, si psh. Kur’an 3,19 dhe 2,132-3.

Pikërisht para pak kohe – si gjithmonë, duke u munduar për t’i ftuar jomuslimanët në Islam – në një diskutim me një koleg të punës, i cili është i besimit të krishterë, i thashë që të shikojë në Biblën e tij në shtëpi, vetëm dy vargje të cilat dëshmojnë pikërisht të kundërtën e besimit të krishterë përkatësisht teuhidin/njëshmërinë e Zotit tonë të Pashoq dhe të cilat janë shumë të qarta dhe nuk lënë aspak vend për interpretime.

Pra në Biblën e të krishterëve, në Dhiatën e re, përkatësisht në Ungjillin e tyre zyrtar, vetë Isai/Jezusi a.s. citohet të ketë thënë si vijon:

Mateu 4,10: „Zotit tënd nënshtroju/ bjeri Atij në sexhde, VETËM ATIJ LUTJU DHE ASKUJT TJETËR“

Marku 12,29: „Urdhri më i rëndësishëm është: Dëgjoni o ju izraelit, Zoti, HYJI JONË, ËSHTË NJË ZOT I VETËM“

Pra edhe në Bibël po shkruan pra se

NUK KA ZOT TJETËR POS ALLAHUT TË LARTËSUAR.

Pikërisht këto dy vargje i gjejmë edhe në Kur’an 5,72-73.

Të nesërmen e pyeta se a i ka lexuar këto dy vargje, dhe ai më tha se po, porse sipas tij, Isai as. me të vërtetë paska thënë kështu, por se ai ka menduar ndryshe. SubhanAllah! Pra ky si edhe shumë të tjerë, po duan ta dinë se çka ka menduar Isai as. para 2000 vjetëve, madje edhe më mirë se ai vetë.

Njerëz të tillë janë me të vërtetë pikërisht ashtu siç i ka përshkruar Ai i Gjithëdijshmi në Kur’an 2,171 dhe 7,179.

Megjithatë ne duhet ta provojmë dhe të mos paragjykojmë që nga fillimi, se ky e ai nuk bindet, pra duke mos u munduar fare, meqë ky është obligimi ynë para Krijuesit tonë Bujar. E në fund të fundit çdokush e ka për vete, porse të mos e lëmë punën, që në Ditën e Gjykimit të vijnë mohuesit/kufarët e të ankohen para Gjykuesit të Lartë, se ne nuk i paskemi paralajmëruar ata, se atëherë vajë halli për ne!

Pra pos argumenteve të përmendura te shkresa e lartpërmendur, le t’i qasemi edhe këtyre tjerave pak më në detaje.

Pra të shikojmë citate nga Bibla:

Që të gjithë të dërguarit e Allahut të Lartësuar kanë falë namaz dhe atë pikërisht ashtu qysh e bëjmë ne, së paku pesë herë në ditë, pra duke rënë me fytyrë për dhe, dhe duke bërë sexhde. Madje edhe Isai as. vetë, të cilin të krishterët e adhurojnë si zot apo si të birin e Tij. Estagfirull-llah! Prandaj po filloj pikërisht me Isain as.

Mateu 26,36-9: Atëherë Jezusi mbërriti me nxënësit e tij në një kopsht, që quhej Gjetsemani dhe u tha atyre: Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje e të lutem; … Pastaj u largua pakëz, ra ME FYTYRË PËR DHE e lutej

Markusi 1,35: Herët në mëngjes, ende pa lindur dielli u çua Jezusi dhe shkoi në një vend të pabanuar dhe lutej.

Markusi 14,35: (Jezusi) u largua pak, RA PËRMBYS PËR DHE e lutej

Luka 5,16: E Jezusi tërhiqej në vende të vetmuara e lutej.

Luka 6,12: Ndër ato ditë Jezusi shkoj në një mal për t’u lutur. Tërë natën e kaloi duke iu lutur Zotit.

Pastaj me të dërguarit tjerë para tij …

Zanafilla 17,3: Abrahami/Ibrahimi ra me fytyrë për dhe!

Dalja/Eksodi 34,7-9: Menjëherë ra Moisiu/Musai ME FYTYRË PËR DHE

Numrat 20,6: Moisiu/Musai dhe Aroni/Haruni u larguan nga populli dhe shkuan në hyrje të tendës së shenjtë dhe RANË ME FYTYRË PËR DHE.

Libri i dytë i Samuelit 12,20: Atëherë Davidi/Davudi u ngrit nga toka, u pastrua, u lye e i ndërroi petkat. Pastaj hyri në shtëpinë e Zotit dhe RA PARA TIJ PËR TOKË

Ijobi 1,20-21: Ijobi/Ejubi u ngrit në këmbë, i shqeu petkat e veta, e rroi kryet dhe RA ME FYTYRË PËR DHE, dhe tha: Lakuriq erdha në këtë botë dhe lakuriq do të dalë prej saj, Zoti jep çdo gjë dhe i merr ato. Unë do ta adhuroj Atë, çkado që të bëjë Ai

Danieli 6,11-2: Danieli… në tri kohët e ditës në drejtim të Jerusalemit binte në gjunjë dhe e adhuronte dhe e falënderonte Zotin e tij

Pastaj që nuk ka Zot tjetër pos Allahut të Lartësuar, pos atyre të lartpërmendura i gjejmë edhe këto në Bibël:

Dalja/Eksodi 20,2-3: Urdhri i parë: Unë jam Zoti, Hyji yt që të nxora nga Egjipti, të lirova nga skllavëria. PËRVEÇ MEJE NUK KA ZOT.

Marku 10,17-18: (Jezusi) kur doli në rrugë, një njeri iu lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur/ahiretin; Jezusi iu përgjigj: Pse më thua i mirë? Askush s’është i mirë, përveç NJË HYJI TË VETËM.

Gjoni 17,3: E kjo është jeta e pasosur, që të të njohim Ty, NJË TË VETMIN, ZOTIN E VËRTETË dhe të dërguarin e Tij, Jezusin.

Letra e parë e Timoteut 6,16: Vetëm Ai (Zoti) është i Pavdekshëm. Ai jeton pas një drite të padepërtueshme. Asnjë njeri kurrë nuk e ka parë Atë dhe kurrë nuk mund ta shoh. Atij i takon nderi dhe pushteti i përjetshëm/amshueshëm.

Përpos kësaj të fundit, Bibla e vërteton, se Isai as. nuk është hyjnor, por vetëm një njeri dhe i dërguar sikurse ata që ishin para tij. Këtë mund ta shohim më së miri edhe përmes tabelës së mëposhtme krahasuese, në mes të cilësive të Allahut Madhështor dhe Isait as. të nxjerra pra pikërisht nga Bibla:

Cilësitë e Allahut të Lartësuar

Cilësitë e Isait as.

Timoteu 6,16

nuk vdes kurrë

Gjoni 19,33

krijesë e vdekshme

Jesaja 42,8-9

i gjithëdijshëm

Mateu 24,36

nuk dinte çdo gjë

Zanafilla 17,1

i gjithëpushtetshëm

Gjoni 5, 30-1 dhe 8,28

pa ndihmën e Zotit të Lartësuar s’mund të bënte asgjë

Jesaja 40,28

nuk lodhet kurrë

Gjoni 4,66

lodhej

Dalja/Eksodi 33,20

i padukshëm

Mateu 13,55

i dukshëm

Numrat 23,19

nuk jeton në tokë

Luka 23, 47

bir njeriu nga mishi dhe gjaku

Mateu 4,8-11

Dalja/Eksodi 20,1-17

veç Ai guxon të adhurohet

Mateu 15,8-9 +

Zbulesa e Gjonit 19,10

… lutjet tjera janë të kota …

… një njeri (Isai as.) nuk guxon të adhurohet …

Jakobi 1, 13

nuk mund të sprovohet

Mateu 4, 1

u sprovua nga djalli i mallkuar

Përfundimisht pra, askund në Bibël nuk thirret të adhurohet dikush a diçka tjetër pos Allahut Madhështor. Pra këtë nuk e thotë në të as Isai as., pra as ai nuk thërret në asnjë mënyrë që të adhurohet ai, porse veç Allahu i Lartësuar.

Përkundrazi këtë ia kanë veshur hebrenjtë, ashtu siç e kanë pasur traditë në fjalorin e tyre, që në mënyrë metaforike t’i quajnë njerëzit si zota edhe pse edhe ata e besonin një Zot të vetëm, Allahun e Lartësuar.

Formulime të tilla gjenden më shumë se mjaftueshëm në Bibël, madje edhe në Dhiatën e vjetër përkatësisht në Tevratin e falsifikuar nga hebrenjtë vetë, të cilin ata edhe sot e kanë zyrtarisht. Për këtë të shikojmë si më poshtë:

Zanafilla 6,2+4: “Bijtë e Zotit”, kur i panë bijat e njerëzve se ishin shumë të bukura, i morën ato për gra, të gjithat që iu pëlqyen; Në atë kohë, por edhe më vonë, kishte mbi tokë viganë, kur “bijtë e Zotit” martoheshin me bijat e njerëzve …

Dalja/Eksodi 4,22: Dhe thuaju atyre: Kështu thotë Zoti: Izraeli/Jakubi është “biri Im” i parëlindur.

Psalmet 2,7: Unë do ta shpall vendimin e Zotit. Ai më tha: “Ti je Im bir, Unë sot të linda”

Jeremia 31,9: … pasi që “Unë jam babi i Izraelit/Jakubit”, kështu që Efraimi është “biri Im” i madh/ i parë

Psalmet 82,6: E pra unë thashë: “Ju të gjithë jeni zota, bij të më të Lartit”

Kjo e fundit është jashtëzakonisht e tmerrshme. Këtu në mënyrë të qartë flitet për zota, porse me këtë fjalë mendohen njerëzit. SubhanAllah, i pastër është Allahu nga shpifjet e njerëzve!

Po e njëjta gjë gjendet edhe në Dhiatën e re përkatësisht në Ungjillin zyrtar të të krishterëve, pra përveç në raport me Isain a.s. si vijon:

Romakët 8,14: Pasi që “bijtë e Zotit” janë ata, të cilët i udhëheq shpirti i Zotit

Letra e parë e Gjonit 3,1+9; 4,7 dhe 5,1: “Fëmijët e Zotit” duhet të quhemi dhe jemi …; … Kush “ka lindur nga Zoti”, ai nuk mëkaton, pasi që fara e Tij mbetet tek ai, kështu që nuk mund të mëkatoj, pasi që ai është “i lindur nga Zoti”; … secili që ka dashuri “ka lindur prej Zotit” dhe e njeh Atë…;  Jo, të krishterët e sinqertë nuk mëkatojnë, pasi që ata janë “fëmijët e Zotit”. Kush beson se Jezusi është Mesihu, është “i lindur nga Zoti”

Këtu madje thuhet pra se të gjithë të krishterët janë “fëmijët e Zotit” të Lartësuar. SubhanAllah! Estagfirullah!

Mirëpo pikërisht kjo gjë kundërshtohet dhe qortohet ashpër në Kur’an:

5,18: Jehuditë dhe të krishterët thanë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. Thuaju: “E pse pra Ai ju dënon me mëkatet tuaja?” Jo, ju jeni njerëz që Ai ju krijoi. Ai i falë atij që do dhe e dënon atë që do. Sundimi i qiejve, i tokës dhe i gjithë ç’ka në mes tyre është vetëm i Allahut dhe vetëm te Ai është e ardhmja.

Në të njëjtën mënyrë metaforike ka mbetur edhe shprehja e të krishterëve për Zotin e Lartësuar, duke iu drejtuar Atij, si At përkatësisht Ati, pra Babai, duke e interpretuar pastaj pra pa të drejtë, Atë, si të Atin e Isait a.s.

Si At përmendet Allahu i Lartësuar pothuajse tërë kohën në Dhiatën e re përkatësisht në Ungjillin e të krishterëve. Mirëpo kjo nuk guxon të kuptohet bukfalisht, meqë edhe vetë Isai/Jezusi a.s. sipas po këtij Ungjilli u thotë nxënësve të tij se Zoti i tij dhe i tyre është Babai i tij dhe i tyre, pra nuk thotë veç për vete.

Këtë mund ta gjejmë edhe te këto vargje:

Mateu 6,14-15: Vërtet, nëse ju ua falni njerëzve gabimet/mëkatet e tyre, edhe “Ati juaj qiellor“ do të ua falë juve. Por nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as “Ati juaj qiellor” nuk do t’jua falë gabimet tuaja.

Mateu 23,9: Përmbi tokë mos e thirrni askënd At/Baba, sepse keni vetëm një At, atë që është në qiell.

Gjoni 20,17: Jezusi tha: … ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem TEK ATI IM E ATI JUAJ, TEK ZOTI IM DHE ZOTI JUAJ

Kjo e fundit është jashtëzakonisht e rëndësishme, meqë po bëhet 100% e qartë, se fjala At është veç një shprehje për Zotin, Allahun e vetëm Madhështor.

P.S. Të gjitha këto citate i kam marrë kryesisht nga përkthimi i Biblës në gjermanisht, meqë ajo në shqip ka nganjëherë përshtatje tmerrësisht të gabuara/devijuara, si p.sh. te Gjoni 17,3, të cilin po ta citoja këtu ashtu siç shkruan aty, do të dilte krejt ndryshe. E njëjta gjë vlen edhe p.sh. për “Ijobi 1,20-21”, e kështu me radhë.

Kështu që në fund nuk më mbetet gjë tjetër, pos të dëshmoj atë për çka janë dërguar të gjithë të zgjedhurit e Zotit tonë Bujar e Mëshirëplotë.

Pra dëshmoj me tërë qenien time para Krijuesit tim Përdëllimtar dhe çdo kujt tjetër se:

Nuk ka Zot të vërtetë pos një Allahu të Vetëm, të Gjithëdijshëm, i Cili nuk është i lindur dhe s’ka lindur askënd, që është i Përjetshëm dhe askush e asgjë nuk i shëmbëllen Atij … dhe se Muhammedi (paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut Bujar qofshin mbi të) është i dërguari i Tij i fundit.

Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut Madhështor qofshin me juve!

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit