0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Islami dhe fanatizmi

Më të lexuarat

“Islami dhe Fanatizmi” me të drejtë mund të konsiderohet ‘çështja e ditës’. Këtë pasdite jemi mbledhur për të diskutuar mbi problemin e fanatizmit ndërkohë që pothuajse e gjithë bota perëndimore është mbërthyer nga dhuna, kur shohim se në shumë vende perëndimore instrumentet e bindjes paqësore janë zëvendësuar nga mjetet e dhunës, madje kur edhe në një vend i cili është konsideruar si vendlindja e demokracisë, shprehen hapur dyshime mbi dobinë dhe postulatet e traditës themelore të demokracisë.

Pikë së pari, çfarë është fanatizmi? Është një term i cili përdoret shumë dhe me të cilin abuzohet po aq shumë, dhe jo vetëm nga shkrimtarët dhe studiuesit e sotëm. Shfrytëzimi i këtij termi ndeshet thellë në të kaluarën historike. Është përdorur për t’i detyruar të heshtin kundërshtarët politikë. Është përdorur për të emërtuar sekte të ndryshme fetare si përhapës të dhunës, me të drejtë apo gabimisht. Është një nga termat që gjithmonë janë përdorur nga grupe të ndryshëm njerëzish. Për sa i përket kësaj duhet të jemi mjaft të qartë për domethënien që ka.

Ekzistojnë tre pika kryesore që duhet të kihen parasysh. Së pari, unë do ta trajtoja si fanatik dikë që nuk është i hapur ndaj arsyes, i cili nuk është i përgatitur të mendojë dhe të debatojë, i cili në vend të logjikës së argumentit do të shfrytëzonte përdorimin arbitrar të autoritetit.

Së dyti, problemi i dhunës është thelbësor për vlerësimin e asaj që është me të vërtetë fanatizmi. Duke përdorur ato mjete, ato metoda, ato teknika të cilat krijojnë çrregullime, urrejtje dhe dhunë: metoda të tilla mund të konsiderohen si pjesë e pandashme e natyrës së fanatizmit. Vetëm përdorimi i forcës nuk është dhunë. Edhe polici përdor forcën, por kjo nuk mund të konsiderohet dhunë përderisa nuk kalohen disa kufij të caktuar. Prindërit, të moshuarit, madje edhe miqtë mund ta përdorin forcën deri në një shkallë të caktuar ndaj dikujt, por ajo nuk do të ishte dhunë. Dhuna është ai përdorim i forcës i cili cenon një sërë parimesh të pranuara në përgjithësi.

Kjo na sjell në pikën e tretë. Thelbësore për fanatizmin është dhunimi i atyre vlerave të cilat janë pranuar nga njerëzimi si kodi themelor i sjelljes – pushteti i ligjit, parimet e drejtësisë, drejtësia natyrale dhe drejtësia sociale.

Standarde të dyfishta

Çështja bëhet disi më e koklavitur. Të jesh i vendosur në bindjet e tua nuk është fanatizëm sipas domethënies së fjalës në të folurën e përditshme. Të besosh në vlera të caktuara, të jetosh për to, të punosh për to, të përpiqesh për to nuk është fanatizëm.

Jetojmë në një botë të çuditshme të standardeve të dyfishta, ato që Xhorxh Oruelli dikur i ka përshkruar si ‘mendime të dyfishta’ dhe ‘e folur e dyfishtë’. Me të vërtetë që është e habitshme që nëse një socialist është i vendosur në çështjen e tij kjo emërtohet si zell revolucionar. Nëse një mysliman punon për Islamin kjo është fanatizëm. Nëse një demokrat shkon deri në atë pikë që të shprehet, ashtu siç janë shprehur jo pak intelektualë në perëndim, se ata që duan të ndryshojnë sistemin demokratik nëpërmjet mjeteve demokratike janë rebelë dhe konsiderohen të përgjegjshëm për përhapjen e dhunës… kjo nuk konsiderohet si fanatizëm.

Në këtë epokë të ‘fjalëve të dyfishta’ dhe ‘mendimi të dyfishtë’, të jesh i vendosur në idealet e tua, të besosh se në to ekziston aftësia bindëse nuk është fanatizëm.

Argumenti se në emër të tolerancës duhet të tolerohet gjithçka është një argument krejtësisht i pathemeltë. Toleranca është diçka e vërtetë dhe e çmuar. Toleranca është një virtyt i madh kulturor, por nuk është një vlerë absolute. Nuk mund të tolerohet personi i cili parkon në anën e gabuar të rrugës. Nuk mund të tolerohet në asnjë mënyrë dikush që shkel ligjin, duke vepruar kundër mirëqenies dhe normave të shoqërisë. Toleranca duhet të ketë kufijtë e saj. Dhe këtu qëndron dallimi ndërmjet idealizmit dhe fanatizmit. Bindja dhe kokëfortësia nuk janë e njëjta gjë. Edhe një njeri me bindje beson, por ai beson në bazë të arsyes dhe argumentit dhe është i përgatitur për ta mbrojtur çështjen e tij.

Një kokëfortë nuk është i përgatitur të dëgjojë asgjë që shkon kundër pikëpamjeve të tij.

Ngatërrimi i idealizmit me fanatizmin

Është fatkeqësi që shkrimtarët perëndimorë, madje edhe studiuesit e tyre më të njohur, dhe rendi i gazetarëve, kanë rënë pre e ngatërrimit të këtyre dy koncepteve dhe e kanë emërtuar si fanatizëm idealizmin tonë dhe fjalën fanatizëm e kanë pandehur si idealizëm. Për rreth 400 vjet, shkrimtarët perëndimorë e kanë akuzuar Islamin sikur të ishte fanatik, apo jo-tolerant, si një fe që është përhapur me shpatë e kështu më tutje.

Aktualisht gjenealogjia e deklarimeve shkon edhe më tej. Në fakt, kjo çështje fillimisht lindi në lidhje me qëndrimin e Kishës Katolike në epokën e Mesjetës. Pikërisht gjatë kësaj periudhe Islami lindi si një forcë revolucionare.

Kur bota perëndimore ra në kontakt me botën islame, menjëherë ato deklarime u zhvendosën nga dera e Krishterimit në derën e Islamit. Dhe ironia është se shkrimtarët kristianë, misionarët si edhe orientalistët kanë pasur rolin kryesor në këtë lojë të ndyrë.

Asnjë fe si e tillë nuk ka prodhuar fanatizëm apo intolerancë. Përvoja e kombeve perëndimore është tërësisht e kufizuar vetëm në një lloj të veçantë qëndrimi të pasqyruar nga Kisha. Mbi bazat e kësaj përvoje të kufizuar disa studiues kanë përgjithësuar se kjo është prirja e fesë si e tillë.

Askush nuk e vë në dyshim se sjellja e Kishës në periudhën e Mesjetës ishte mjaft e padenjë në disa aspekte të caktuara. Ekzistojnë edhe ekzagjerime, por edhe nëse bëhet një sy qorr dhe një vesh shurdh, Kristianizmi ashtu siç u zhvillua në Evropë, përvetësoi një qëndrim të theksuar jo-tolerant kundrejt vetë popullit të vet, për të mos folur për të tjerë.

Është e ditur se hebrenjtë, çfarëdo që mund të jetë mosmirënjohja ndaj atyre që i kanë siguruar mbrojtje, ishin njerëzit më të persekutuar në të gjithë botën kristiane për gati më shumë se 100 vjet dhe nëse do të kërkonin mbrojtje diku kjo ishte bota myslimane.

Myslimanët i ofruan atyre të gjithë mbrojtjen e mundshme, ligjore, politike, ekonomike, sociale dhe fetare. Qëndrimi i kristianizmit kundrejt vetë ithtarëve të tij gjithashtu është karakterizuar nga një intolerancë e theksuar.

Kisha kërkonte një lloj konformiteti i cili nuk është në përputhje me natyrën dhe dinjitetin njerëzor. Vendosi një kontroll të rreptë ndaj mënyrës së të menduarit, (angl: imposed thought-control) dhe poshtërime të tjera fetare dhe sociale.

Historia e inkuizicionit dëshmon se qindra mijëra njerëz janë persekutuar vetëm për shkak të opinioneve të tyre të cilat nuk i shkonin për shtat pikëpamjeve të Kishës. Unë i pranoj të gjitha këto si fakte historike, por në bazë të kësaj njohurie të kufizuar do të pyesja se sa e drejtë dhe sa e arsyeshme do të ishte të përgjithësohej që të gjitha fetë janë dhe duhet të jenë intolerante dhe fanatike. Jo një, por shumë historianë janë të mendimit, dhe me të drejtë, se ky qëndrim i etur për gjak nuk ia detyron veten mësimeve origjinale të profetëve.

Nëse studiohet historia politiko-historike e Evropës do të gjendet se fillesat e këtij qëndrimi ndeshen në Perandorinë Greko-Romake. Lloji grek qëndron në rrënjët e qytetërimeve që lindën në Evropë. Perëndimi modern brendësoi po të njëjtin qëndrim. Tojnbi, Rasëll, të gjithë mendojnë se intoleranca dhe fanatizmi i Kristianizmit i dedikohet këtij lloji të veçantë Greko-Romak. Të tjerët asnjëherë nuk kanë qenë kaq jotolerantë apo kaq fanatikë më përpara.

Një këndvështrim tjetër

Në historinë islame do të gjenit një këndvështrim të një tjetër natyre. Kur romakët pushtonin ndonjë vend, gjëja e parë që bënin ishte masakra masive. Kur myslimanët zgjeroheshin në ndonjë vend, ata do të deklaronin garanci për jetën, pronën, dhe nderin për të gjithë ata që nuk luftonin kundër tyre.

Madje edhe në luftë myslimanit nuk i lejohet të godasë një person të moshuar, një grua, fëmijë, dhe të sakatuarit apo të pamundurit.

Vetëm kur vringëllin shpata, atëherë hekuri duhet të takohet me hekur. Jo vetëm kaq, por edhe pemët nuk duhet të priten dhe të korrat nuk duhet të digjen. E gjithë historia islame nuk e njeh konceptin e një masakre masive.

Për tregues të praktikës perëndimore, nuk ka nevojë që të kthehemi shumë prapa. Në vitin 1945 kur ishte duke u vendosur fati i Gjermanisë nga fuqitë fitimtare, ideja mbizotëruese ishte se Gjermania nuk duhet të lejohej të ekzistonte fare por e ndarë në katër pjesë dhe e asimiluar plotësisht nga fuqitë aleate.

Komanda supreme gjithashtu planifikoi se ajo që sot është Japonia moderne nuk duhej të ekzistonte, por plani u prish nga ndryshimi i rrymave në diplomacinë botërore. Kjo është mënyra se si trajtonin ata pas fitores.

Vini re tani mënyrën se si Profeti hyn si fitimtar në Mekë. Për gjithkënd u deklarua falje e plotë. Kur Kalifi Umer hyri në Jeruzalem ai nuk ishte madje, as i përgatitur që të falej në një kishë duke pasur frikë se ata që do të vinin pas tij do ta trajtonin atë vend si xhami dhe do të përpiqeshin për t’ua marrë kristianëve. Por kur qyteti i Jeruzalemit u pushtua nga kryqtarët ndodhi një masakër e përgjithshme e popullatës.

Si vepruan në Spanjë? As edhe një mysliman i vetëm nuk u la pa ekzekutuar dhe internuar. E njëjta gjë ndodhi në Siçili ku u shkatërruan të gjitha xhamitë. Madje edhe në shekullin e XIX dhe të XX u përvetësuan të njëjtat praktika. Në Greqi e gjithë popullata myslimane ose u asgjësua fizikisht ose u përzunë jashtë nga vendi i tyre drejt rajoneve ku myslimanët përbënin një shumicë të theksuar, dhe nuk u mjaftuan vetëm me rrënimin e pozitës së tyre politike madje edhe ekzistenca e tyre fizike nuk tolerohej.

Historiani Robert Brifault, në veprën e tij “Formimi i Njerëzimit” shtjellon disa studime mbi historinë e evolucionit social të njerëzimit. Me terma mjaft të qartë ai shprehet se roli i teokracisë (i përdorur si sinonim për një shtet fetar) ka qenë mjaft i ndryshëm në botën myslimane nga ai në Evropë. Në botën kristiane, teokracia ishte mishërimi i shtypjes. Në botën islame nuk ndeshet ndonjë dukuri e tillë.

Gjatë gjithë historisë së Islamit nuk mund të gjendet madje as edhe një shembull i vetëm i ndonjë inkuizicioni. Më lejoni të shtoj se nëse ka ekzistuar ndonjë shtypje nëpërmjet ligjit apo ndonjë padrejtësi në historinë myslimane, kjo ka lindur duke pasur si shkaktarë ata që besojnë në të ashtuquajturin liberalizëm apo modernizëm dhe në shënjestrën e dhunës kanë qenë ata që qëndronin për mësimet e pastra, të pandryshuara e të kthjellëta të Islamit.

Një pyetje e thjeshtë

Në lidhje me pretendimet se feja lind intolerancë dhe fanatizëm, do të dëshiroja të shtroja një pyetje të thjeshtë dhe logjike: Nëse feja do të konsiderohej e përgjegjshme për të gjitha këto, pasi feja u shmang me mbizotërimin e sekularizmit dhe materializmit, a nuk do të kishte ekzistuar paqja e vërtetë dhe toleranca në botë?

A ka ndodhur me të vërtetë kështu? Cilat janë bëmat e kombeve moderne të cilat asnjëherë nuk lodhen së foluri për paqe dhe tolerancë? A mund të harrohet ajo që bënë forcat franceze në Afrikë dhe në Azinë juglindore ndërkohë që Parisi gumëzhinte nga sloganet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë?

Kur demokracia e famshme ishte duke u formësuar në Britani, si veprohej nga Anglia dhe forcat britanike në Indi, Kinë, në Amerikën Latine dhe në vendet afrikane?

Madje edhe sot disa nuk janë të aftë të tolerojnë të tjerë, ngjyra e lëkurës e të cilëve është e ndryshme nga ajo e tyrja. Ata nuk janë të përgatitur të tolerojnë edhe ata që besojnë në vlera të tjera. Ata nuk mund të tolerojnë as ata që jetojnë në vende të tjera, apo sipas terminologjisë së tyre, i përkasin kombësive të ndryshme.

Toka evropiane është e përmbytur nga gjaku i derdhur në emër të nacionalizmit në luftëra përgjatë këtyre 150 viteve. Vetëm në dy luftërat botërore në shekullin e XX janë vrarë më shumë persona se sa në të gjitha luftërat e shekullit të XIX. A është ky një shekull paqeje dhe tolerance apo është shekulli i luftërave dhe intolerancës, dhunës dhe gjakderdhjes?

Por ky nuk është i vetmi profil. Epoka moderne ka zhvilluar metoda gjeniale të ushtrimit të dhunës mbi njerëzit. Ky qytetërim e ka të pamundur të tolerojë kultura apo qytetërime të tjera të çfarëdolloj forme. Ata janë përpjekur që t’i detyrojnë njerëzit në skllavëri nëpërmjet përdorimit të hapur të forcës. Nëse Islami është zgjeruar me anë të forcës, me çfarë u përhap imperializmi atëherë?

Qytetërimi modern e ka zbatuar torturën fizike jo vetëm në një vend, por në rajone të tëra. Dihet se në Rusi dhe Gjermani tortura ishte pjesë përbërëse e mënyrës së jetesës dhe po ashtu nuk ishte ndryshe edhe për Britaninë dhe Amerikën. Në të ka një dërrmim psikologjik të personalitetit dhe shkaktohet një vdekje për së gjalli.

Njerëzit çrrënjosen nga kultura e tyre dhe lihen pa vlera ashtu si kashta në ujë. Kjo realizohet nëpërmjet instrumenteve të edukimit dhe medias së komunikimit me rininë e botës myslimane, të vendeve afrikane dhe kombeve të tjera.

Hidhini një sy botës intelektuale, deri më sot Perëndimi nuk ka pranuar që të na thërrasë me emrin tonë të vërtetë. Ata Islamin e quajnë Muhamedanizëm dhe një mysliman e thërrasin si Muhamedan.

Profetit tonë do t’i bashkëngjiteshin çfarëdolloj emrash madje edhe të tillë poshtërues.

Këto ndeshen edhe në kryeveprat më të mirësajuara të tyre. Edhe në sfera të tjera shembuj të kësaj intolerance intelektuale janë pa kufij. Atëherë, a mund të thuhet se periudha e sekularizmit apo e anti-fesë ka prodhuar në ndonjë mënyrë barazi apo tolerancë? Nëse kjo nuk ka ndodhur, ku qëndron dobia e pretendimeve se feja lind intolerancë? Veçanërisht në rastin e Islamit, këto pretendime janë të pabaza.

Në Islam padyshim që ekzistojnë përgjegjësi. Janë përgjegjësi që e fisnikërojnë njeriun. Kur përmendet kjo, nuk do të thotë se ne dëshirojmë t’i bëjmë të detyrueshme këto përgjegjësi edhe për të tjerët, nëpërmjet dhunës apo pushtetit arbitrar. Nëse do të ishte kështu, Allahu i Madhëruar kishte fuqi të mjaftueshme për t’i kthyer të gjithë njerëzit në Islam, por Ai nuk e bëri këtë.

Ai e ka zbuluar të vërtetën dhe i ka dhënë njeriut mundësinë dhe lirinë për të zgjedhur. A mund të përfytyrohet një liri më e madhe se kjo, në të cilën je i lirë të pranosh apo të refuzosh Krijuesin? Kjo është rruga drejt Allahut dhe pasi të pranohet do të kuptohet se përdorimi i dhunës nuk mund të përshtatet në këtë skemë. Kjo është arsyeja që në Kur’an gjejmë: “Nuk ka dhunë në fe. Është dalluar e vërteta nga e gënjeshtërta.”

Të dyja rrugët janë të hapura dhe njeriu është në pozicionin për të zgjedhur. Për më tepër, sipas ligjit Islam, pranimi i një diçkaje nën dhunë është i papranueshëm. E si mundet Imani (besimi), një diçka kaq delikate t’i nënshtrohet këtij trajtimi? Nuk mund të quhet më Iman nëse ushtrohet dhunë. Tani jemi duke e diskutuar problemin mbi një plan krejtësisht tjetër.

Plani kafshëror mbi të cilin mendojnë të tjerët është shumë më poshtë se plani racional, ndërsa Islami e shtron këtë problem në planin shpirtëror. Koncepti i mirëfilltë i “U dallua e vërteta nga e gënjeshtër-ta” është një koncept revolucionar. Komentuesi i madh mysliman Imam Raziu duke e shtjelluar këtë verset të Kur’anit thotë se urtësia e ajetit – nuk ka dhunë në fe – qëndron në pjesën tjetër – u dallua e vërteta nga e gënjeshtërta. Kur vlerësohet kjo atëherë mund të kuptohet se ç’bukuri ka në brendësi.

Islami prezanton konceptin se të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta dhe kjo sepse të gjithë ne jemi krijesa të Zotit, pa dallim ngjyre, race apo kombësie, ose fisi dhe klani apo gjithçkaje tjetër. Pas një analize të hollësishme do të shihet se fanatizmi lind si pasojë e këtyre paragjykimeve të gënjeshtërta, kur ekziston përpjekja për ta ndarë njerëzimin në kallëpe. Nuk mund të ndryshohet ngjyra e lëkurës, nuk mund të ndryshohet vendi i lindjes.

Nëse besoni në ndonjë prej këtyre standardeve, atëherë bashkëjetesa e racës njerëzore është e pamundur dhe këtu lind intoleranca kundrejt të tjerëve.

Në Islam bashkëjetesa është e mundshme për çdo fis nga i cili keni prejardhjen, nga çdo racë, çfarëdolloj ngjyre të lëkurës që mund të keni, në çfarëdo territori që jeni lindur, çfarëdolloj gjuhe që flisni, ju jeni vetëm një, mund të jeni vetëm një. I përkisni vetëm një familjeje. Jeni një vëllazëri.

Psikologjikisht, një tjetër burim i fanatizmit është një kompleks inferioriteti ku një e pavërtetë maskohet si e vërtetë, pasi nuk mund të përballet me armikun e saj në planin e arsyes dhe argumentit.

Në Islam nuk ekziston një kompleks i tillë. Një prej arsyeve që shoqëria islame ka ekzistuar gjithmonë si një shoqëri tolerante ekziston si pasojë e mirëbesimit të ushqyer te myslimanët nga këto vlera të Islamit.

Qëllimi nuk justifikon mjetin

Një tjetër pikë e rëndësishme është se Islami e thekson qartë dhe me forcë deklarimin se qëllimi nuk e justifikon mjetin. Një burim nga i cili mjaft shpesh ka rrjedhur fanatizmi dhe intoleranca është besimi i gabuar se qëllimi justifikon mjetin. Kjo do të thotë se për të arritur qëllime të drejta mund t’i drejtohesh edhe mjeteve të padrejta. Parimi të cilin e ka shpallur Islami është që: “E mira dhe e keqja nuk janë njësoj. Zëvendësojeni të keqen me të mirën.”

Nëse mashtrimi luftohet me mashtrim atëherë fiton mashtrimi. Nëse vesi zëvendësohet me ves atëherë triumfon vesi. Nëse e keqja ndryshohet me një të keqe, atëherë e keqja del fitimtare.

Islami thotë se e keqja duhet të eliminohet me të mirën. Nëse ndiqet kjo mënyrë atëherë vetëm pasuesit e saj mund të jenë të aftë të përhapin mirësi, drejtësi, paqe dhe ndjeshmëri për të tjerët në këtë botë.

 

Islami e godet fanatizmin në rrënjë

Nëse reflektoni mbi sistemin që ofron Islami, do të gjeni se nuk është fanatizmi që ka vend në të, por se idealizmi është frymëmarrja e tij.

Në Kur’an është përmendur se misioni për të cilin është krijuar umeti mysliman është që të ftohen njerëzit për mirësi, të ndalojnë nga e keqja dhe të urdhërojnë në të mirën dhe të drejtën. Duhet të jetë një mesazh dhe një thirrje. Nuk mund të jetë detyrimi i njerëzve në mirësi.

Në këtë synim duhet të jemi të pajisur me dy gjëra: njëra është se do të duhet të përballesh me shtypjen, do të përballesh me tiraninë, dhe me pengesa të ndryshme. Do të duhet të ballafaqohesh me ata që nuk ju lejojnë të veproni. Për sa i përket të keqes, jeni të lejuar ta eliminoni atë. Për sa i përket të vërtetës dhe virtytit, këto nuk duhet të vendosen me forcë.

Kjo është arsyeja që i shtyu myslimanët që kudo që shkuan dhe në çfarëdo vendesh që u zgjeruan asnjëherë nuk i detyruan njerëzit të ndërronin fenë. Çfarë shembulli më të madh mund të tregoj nëse jo atë të nën-kontinentit Indo-Pakistanez? Atje myslimanët drejtuan për më se 900 vjet dhe kur në vitin 1947 u desh që të ndahej, myslimanët ishin një pakicë. Sigurisht që më duhet ta pranoj që gjatë kësaj periudhe myslimanët dështuan edhe për sa i përket predikimit të duhur. Por kjo është një çështje tjetër. Ata asnjëherë nuk i detyruan të tjerët për të pranuar mënyrën e tyre të jetesës. Kështu pra, gjejmë që juristët dhe komentuesit janë shprehur se përdorimi i forcës në eliminimin e pengesave është lejuar, por pasi të jetë realizuar kjo, nuk mund të përdoret forca për t’i detyruar të tjerët të ndërrojnë fenë. Ky është qëndrimi i Islamit.

Fare lehtë mund të vihet re se Islami e ka bërë më se të qartë dallimin ndërmjet fanatizmit dhe idealizmit. Është përpjekur me gjithçka që brenda nesh të lindë një idealizëm i mirëfilltë, një idealizëm fisnik dhe i virtytshëm dhe për të na mbrojtur nga e keqja e ndikimit të fanatizmit. Profeti Muhamed a.s. ka thënë se Islami është një fe e rrugës së mesme.

Kur’ani e quan bashkësinë myslimane si “Ummet el-Vusta”, njerëzit e mesit, ata që ruajnë ekuilibrin dhe drejtpeshimin në të gjitha çështjet e tyre.

Pasimi i idealizmit, mbrojtja e vetvetes dhe shmangia e ekstremeve të fanatizmit – kjo është rruga e mesme dhe është kjo rruga në të cilën Islami fton të gjithë njerëzimin.[1]

Kurshid Ahmed

[1] Eseja është shkruar në vitin 1968.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit