2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

I MUNDURI ËSHTË I PASIONUAR ME PASIMIN E SUPERIORIT – Hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

Sociologu dhe historani arab Ibën Halduni thotë:

“Kapitulli XXIII se i munduri është përherë i pasionuar me pasimin e superiorit në simbole, veshje, ideologji, sjellje dhe zakone.

Si shkak është bindja e njeriut se superiori të cilit i është gjunjëzuar është i përkryer, i shtyrë ose nga vështrimi mbivlerësues dhe admirimi që ka për të, ose nga iluzioni se gjunjëzimi i tij nuk është rrjedhojë e shkaqeve natyrore, po është rrjedhojë e përsosmërisë së tij. Kur njeriun e mbërthejnë kësisoj iluzionesh dhe krijon kësisoj bindjesh, ai e ndjek dhe i përngjason superiorit në çdo gjë. Pikërisht ky është realiteti i imitimit.

Shkak mund të jetë e Allahu është më i ditur se njeriu mund të kujtojë se hegjemonia e superiorit nuk vjen si shkak i përkrahjes (asabijetit) dhe fuqisë, por si shkak i zakoneve dhe normave që i forti pason, duke shkarë kështu në iluzione. Në fund të fundit edhe ky shkak kthehet te shkaku i parë.

Për këtë arsye inferiorin e gjen kurdoherë të imitojë të fortin në veshje, në mjete transporti, në armatim, në mënyrën e mbajtjes së tyre dhe në çdo gjë tjetër.

Vëre fëmijët me prindërit e tyre, si i imitojnë ata përherë, pikërisht për shkak të bindjes se ata janë të përkryer. Vëre çdo vend në botë, si përhapet zakonisht në mesin e tyre stili i veshjes së oborrtarëve dhe ushtarëve të sundimtarit, sepse ata janë mbizotërues.

Madje edhe kur një popull jeton në fqinjësinë e një populli tjetër që është dominues, preket fort mirë nga ky përngjasim dhe imitim. Kjo ndodh edhe në Andaluzinë e kohës sonë me popujt galicianë. Andaluzianët i imitojnë ata në veshje, simbole dhe shumë zakone të tjera, gjer në pikturat murale, punishtet dhe shtëpitë e tyre, në atë masë sa një vëzhgues i urtë mund të dalë në përfundim se ata tashmë janë pushtuar prej tyre dhe çështja është vetëm në dorë të Allahut.

Medito thellë për të kuptuar edhe sekretin e fjalës së tyre: “Populli është në fenë e mbretit”, pasi ajo i takon pikërisht kësaj teme. Kjo ndodh për faktin se mbreti është mbizotërues ndaj atyre që i sundon dhe të sunduarit e pasojnë atë të bindur se ai është i përkryer, njësoj si bindja që fëmijët kanë për prindërit e tyre dhe nxënësit për mësuesit e tyre. Allahu ai është i dituri i urtë dhe vetëm prej tij vjen suksesi.” Mbaroi fjala e Ibën Haldunit.

Hoxhë Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit