17.8 C
Pristina
Saturday, May 11, 2024

Gjuha është armë për mirë ose për keq

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Ebu Hurejra ka thënë: kam dëgjuar profetin a.s. të thotë:
“Një njeri thotë një fjalë që e kënaq Allahun pa i kushtuar rëndësi, ajo fjalë bëhet shkak që Allahu ta fusë në xhenet. Por një njeri thotë fjalë që e zemërojnë Allahun  pa i kushtuar rëndësi, bëhet shkak ajo fjalë që ai të hidhet në zjarrin e xhehenemit.”[1]
 
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Është e vërtetë se gjuha është një thikë me dy presa. Ajo është prej mirësive më të mëdha që Allahu i ka dhënë njeriut nëse e përdor për të kujtuar Allahun, për të thënë të vërtetën e për të rregulluar mardhëniet mes njerëzve. Por gjithashtu ajo është prej belave më të rrezikshme që të shpie në zjarr nëse e lë të lirë të flasë keq e të shajë të tjerët.
Në një transmetim tjetër të këtij hadithi thuhet: “Një njeri flet me një fjalë që e kënaq Allahun pa menduar shumë gjatë se çfarë përfundimi të mirë ka. Nëpërmjet kësaj fjale Allahu shkruan për të kënaqësinë e Tij deri në ditën kur njeriu do të takohet me Të. Por një njeri flet një fjalë që e zemëron Allahun pa u menduar gjatë se çfarë pasoje të keqe ka. Nëpërmjet kësaj fjale Allahu shkruan për të zemërimin e Tij deri kur njeriu do të takohet me Të.”[2] Për këtë arsye profeti a.s. i tha Muadhit: “A nuk i hedh në zjarr me fytyra poshtë njerëzit, vetëm se të korrat e gjuhëve të tyre?!”[3]
Gjuha e keqe shuan veprat e mira ashtu si kosa që korr dhe shkul të mbjellat.
Sa ndryshim të madh ka ndërmjet të korrave të mira nga gjuha që përmend Allahun e Lartësuar e ruajtur nga fjalët e pahijshme dhe të këqia dhe ndërmjet atij të cilit gjuha i është bërë kamë që godet çdokënd që ka përreth me fjalët më të shëmtuara dhe me shprehjet më të këqia.
O vëlla musliman! Duhet të përdorësh gjithmonë fjalë të mira që të ngrejnë në gradë të lartë tek Allahu i Lartësuar. Ndoshta një fjalë e mirë, këshillë apo fjalë për të rregulluar mardhëniet mes njerëzve, nuk e kupton rëndësinë dhe vlerën e saj të madhe, ajo bëhet shkak që të fitosh kënaqësinë e Allahut dhe xhenetin.
Vlerësoje atë, kur i gëzuar dhe i lumtur ditën që do të marrësh librin e veprave të mira nga dora e djathtë do të gjesh se ajo fjalë e mirë ka patur një peshë të rëndë dhe të ka ngritur në gradë të lartë.
Ata të cilët i kanë ruajtur gjuhët e tyre nga fjalët e këqia dhe i kanë përdorur vetëm për fjalë të mira, Allahu i Lartësuar u ka premtuar gradë të lartë. Allahu thotë në Kur’an: “Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç kur këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. Kush i bën këto duke patur për qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim në botën tjetër shpërblim të madh.”[4]
Ndërsa përsa i përket atij njeriu që flet pa kriter, të ketë shumë kujdes se mos gjuha e tij mos nxjerrë ndonjë fjalë të cilës nuk i kushton vëmendje dhe rëndësi rrezikut të saj, e ajo fjalë është shkak që t’i dëmtojë të tjerët, apo të ketë një rol në propagandimin e të keqes, humbjes dhe degradimit, e kështu njeriu në fjalë meriton të hidhet në zjarrin e xhehenemit, Allahu na ruajtë prej tij.
Sa e rrezikshme është gjuha, e sa të shumtë janë njerëzit që e marrin me të lehtë këtë punë, kur një ditë ata do të pendohen.
Imam Ibnu El Kajm ka thënë: “Pasuesit e rrugës së drejtë i kanë ndaluar gjuhët e tyre që të flasin keq. Por i kanë lënë të lira që dobia e tyre të kthehet në Ahiret. Nuk i shikon ata që të flasin me ndonjë fjalë që të shkojë kot, pa ndonjë dobi, e jo më që ajo fjalë të ndikojë negativisht për ta në Ahiret. Në ditën e gjykimit njeriu do të vijë me vepra të mira sa një mal, por gjuha e tij ka për t’i shkatërruar të gjitha. Do të vijë me vepra të këqia sa një mal, por gjuha do t’i asgjesojë të gjitha për shkak se ai ka qenë që shumë e ka përmendur Allahun dhe ka përdorur fjalë të mira.”[5]
Imam Neveviu ka thënë: “Dije se çdo njeri duhet ta ruajë gjuhën nga çdo fjalë, përveç fjalëve që janë të dobishme. Kur thënia e fjalës dhe mosthënia e saj kanë një vlerë, nuk lind nevoja që ajo të thuhet, sepse fjala që është mubah të shpie në haram dhe mekruh. Kjo gjë ndodh shpesh.”[6]
Argument për këtë është hadithi profetik që e transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi nga Ebu Hurejra se profeti a.s. ka thënë: “Ai i cili beson tek Allahu dhe në ditën e gjykimit, të thotë fjaltë të mira ose përndryshe duhet të pushojë.”
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Rreziku që sjell gjuha dhe domosdoshmëria e ruajtjes së saj nga fjalët e këqia dhe dëmi që u shkakton të tjerëve.
2- Rëndësia e fjalës së mirë dhe vlera që ka ajo tek Allahu i Lartësuar, sidomos në ato raste kur ajo ndikon tek të tjerët pozitivisht, si psh: kur urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja apo kur i orienton njerëzit aty ku ata gjejnë dobi.
3- Domosdoshmëria e gjykimit të vetvetes. Kujdesi nga mbizotërimi i dëshirave shfrenuese që të çojnë në grindje e armiqsi. Fjala e keqe e thënë nga njeriu e zemëron Allahun.
4- Të pushosh është më mirë se të flasësh fjalë që nuk kanë dobi, sepse fjalët e shumta janë një humnerë që të shpien që të përdorësh fjalë të këqia.
[1]  Transmetojne imam Buhariu:6478 dhe imam Muslimi: 2988 [2]  transmeton imam Ahmedi. Hadithi eshte i sakte. [3]  Transmeton imam Tirmidhiu. Hadithi eshte i sakte. [4]  Sure En Nisa: 114 [5]  marre nga libri “El Xhevab El Kafi” [6]  marre nga libri “Rijadus Salihin”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit