17.8 C
Pristina
Saturday, May 11, 2024

Ëndrra e dashur dhe ëndrra e papëlqyeshme

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Ebu Katade ka thënë: kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:
“Ëndrra e mirë është prej Allahut dhe ëndrra e keqe është prej shejtanit. Nëse dikush prej jush shikon ndonjë ëndërr që e urren, atëherë le të pështyjë tre herë nga krahu i majtë e të kërkojë mbrojtje nga Allahu prej shejtanit, sepse ajo nuk ka për t’i bërë dëm”.[1]
 
Kuptimi i disa shprehjeve:
Pështyjë: pështymë e lehtë e jo të nxjerrë lëng.
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Ka shumë raste, kur njeriu shikon ëndrra, që nuk i pëlqejnë. Përsa i përket këtyre ëndrrave, ka njerëz të cilët bëjnë njëmijë llogari, shqetësohen, dëshpërohen e dridhen nga frika se mos realizohen në realitet. Kjo gjë as që mund t’i shkojë në mend muslimanit, sepse kjo është në kundërshtim me dorëzimin e asaj që ka caktuar Allahu. Për këtë arsye transmetuesi i këtij hadithi Ebu Seleme pasi e ka dëgjuar nga sahabiju i nderuar ka thënë: “Kam pasë parë ëndrra të këqija, të cilat më rëndonin sa pesha e një mali, ose sëmuresha prej tyre, por qysh kur dëgjova këtë hadith, nuk u jap më rëndësi atyre”. D.m.th nuk demoralizohem sado e papëlqyeshme që të jetë.
Transmetime të ndryshme të haditheve profetike tregojnë, se çfarë duhet të bëjë muslimani, kur të shikojë ëndrra të papëlqyeshme.
1- Pështyn tre herë nga krahu i majtë për të larguar shejtanin dhe për ta poshtëruar.
2- Kërkon mbrojtje nga Allahu prej shejtanit të mallkuar.
3- Kthehet nga krahu tjetër për të fjetur, ashtu siç është transmetuar: “le të ndryshojë krahun”.
4- Të çohet, të falet duke kërkuar strehim tek Allahu, e të mos ia tregojë asnjërit, sepse ndokush mund t’ia komentojë duke ia shtuar frikën akoma më tepër, ashtu siç transmetohet: “kur ndonjëri prej jush shikon një ëndërr që nuk i pëlqen, atëherë le të çohet e të falet dhe të mos ua komunikojë atë njerëzve”.
Një arab erdhi tek i dërguari i Allahut dhe i tha: “Kam parë në ëndërr sikur koka më ishtë prerë dhe unë po e ndiqja. Profeti a.s e qortoi dhe i tha: “mos i thuaj askujt për lojën e shejtanit me ëndrrën që pe”. E në një transmetim tjetër thuhet: “nëse shejtani loz me ju në ëndërr, atëherë mos ua tregoni atë njerëzve”.[2]
Imam Ibnu Sirin, komentuesi i ëndrrave, është pyetur për të shpjeguar njëqind ëndrra. Ai nuk i komentonte, por përgjigjej duke thënë: “Ki frikë Allahun e puno mirë kur je syçelë, ndërsa ajo që ke parë në ëndërr nuk të dëmton”. Gjithashtu përgjigjej dhe thoshte: “Mendoj kështu, mendimi mund të jetë i gabuar ose i saktë”.
Për këtë arsye muslimani nuk duhet t’i besojë ata, të cilët sot pretendojnë se shpjegojnë ëndrrat, duke futur frikën dhe tmerrin në zemrat e njerëzve me komentet e tyre të imagjinuara, për të lëkundur besimin e muslimanit në caktimin e Zotit e për të futur dyshim, merak e tension në shpirt. 
 
Ëndrra e mirë:
Ëndrra e mirë është një myzhde për besimtarët, nder dhe përgëzim për të mirat, që do të fitojë në këtë botë dhe në botën tjetër. Ebu Hurejra transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Tashmë nga profecia kanë ngelur vetëm gjërat inkurajuese. “Cilat janë gjërat inkurajuese?” – pyetën disa. Ai tha: “Ëndrra e mirë”.[3]
 Kur Ebu Darda është pyetur rreth ajetit kur’anor: “Atyre u jepen myzhde në jetën e kësaj bote”, ai ka thënë: “Këtë pyetje nuk ma ka bërë askush, qysh kur kam pyetur të dërguarin e Allahut, i cili ka thënë: “Ajo është ëndrra e mirë, që e shikon muslimani”.[4]
Ubadeh ibnu Samid transmeton, se i dërguari i Allahut ka thënë: “Ëndrra e mirë, që shikon besimtari është një e dyzet e gjashta pjesë e profecisë”.[5]
Ebu Seid El Hudrij ka dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë: “Kur dikush prej jush shikon një ëndërr që i pëlqen, le ta dijë, që ajo është nga Allahu e për këtë duhet të falenderojë Atë e mund t’ua thotë atë njerëzve”.[6]
Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Le të gëzohet dhe të njoftojë për të vetëm atë që dëshiron”.
E gjithë kjo tregon për keqardhjen e madhe që ka profeti (a.s) për popullin e tij. Ai i cili shikon një ëndërr të mirë, duhet t’ia thotë atë vetëm atij që dëshiron, sepse ai që të do, gëzohet për të mirat dhe përgëzimet, që do të vijnë, ndërsa ai i cili të urren, ka zili për këtë mirësi tënden dhe ndoshta ëndrrës së mirë i jep një kuptim, që nuk të pëlqen për të të shkaktuar dëm, sepse nuk ta do të mirën.
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Madhështia e fuqisë së Allahut të Lartësuar dhe përgëzimi, që u jep besimtarëve nëpërmjet ëndrrës së mirë, për t’u realizuar në realitet.
2- Ëndrra e mirë vjen si rezultat i besimit dhe devotshmërisë, me të cilën besimtari gëzohet dhe është i qetë në të gjitha problemet e jetës.
3- Prej udhëzime profetike mësojmë se një njeri, kur shikon ndonjë ëndër që nuk i pëlqen, ajo nuk e dëmton, por bëhet shkak që të mbrohet nga ajo gjë e urren.
4- Keqardhja e profetit a.s për popullin e tij. Orientimi i tyre drejt së mirës, qetësisë shpirtërore dhe shpëtimin e tyre nga ngacmimet e shejtanit.    
[1] Transmetojnë imam Buhariu: 6584 dhe imam Muslimi: 2261 [2] Transmeton imam Muslimi:2268 [3] Transmeton imam Buhariu: 6990 [4] Transmeton imam Tirmidhiu:2263 [5] Transmetojne imam Buhariu: 6586 dhe imam Muslimi:2264 [6] Transmeton imam Muslimi: 2261Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit