13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

“Gjermania duhet të reformojë ligjet e saj të emigracionit”

Më të lexuarat

Profesori Panu Poutvaara shpjegon se numri i atyre që dalin në pension është më i madh se numri i atyre që hynë në tregun e punës dhe sipas tij pa emigracion ekoonomia gjermane mund të përballet me probleme të mëdha

Sipas një eksperti të çështjes së imigracionit, Gjermania duhet të reformojë ligjet e shtetësisë dhe emigracionit në mënyrë që të tërheq më shumë punëtorë të kualifikuar nga jashtë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), profesori Panu Poutvaara, drejtor i ‘Institutit ifo’ për hulumtimin e emigracionit me bazë në Mynih, shpjegon se numri i atyre që dalin në pension është më i madh se numri i atyre që hynë në tregun e punës dhe sipas tij pa emigracion ekonomia gjermane mund të përballet me probleme të mëdha.

Poutvaara thekson se duke u bazuar në vlerësimet zyrtare Gjermanisë për çdo vit i nevojiten 400 mijë punëtorë të kualifikuar për të përmbushur kërkesat e tregut të punës.

Ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian (BE) aktualisht po përballet me një mungesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorët e teknologjisë së informacionit, energjisë së rinovueshme, ndërtimit, inxhinierisë dhe mjekësisë.

Poutvaara thotë se reformat e planifikuara të qeverisë gjermane për ligjin e emigracionit mund ta ndihmojnë vendin të adresojë sfidat demografike dhe të mbetet konkurrues.

“Në përgjithësi, ky është një ligj shumë modern dhe mund të jetë shumë mirë që është më moderne. Një pyetje e madhe është sa i butë do të jetë zbatimi, veçanërisht pritjet në ambasada dhe konsullata”, shprehet Poutvaara.

Ai paralajmëron se ligji i ri i emigracionit varet shumë nga zbatimi i tij dhe shkurtimi i çështjeve të burokracisë, pasi siç thekson ai, nëse pritjet në ambasada dhe konsullata mund të shkurtohen mjaftueshëm atëherë ligji ka “potencial të madh”.

“Një problem tjetër që Gjermania ka dhe që mund ta adresojë është burokracia. Kështu, për shembull, kur bëhet fjalë për njohjen e aftësive të infermierëve, në Gjermani kjo merr shumë kohë dhe përshpejtimi i proceseve të tilla administrative është pjesa më e rëndësishme e ligjit të ri të emigracionit”, thotë Poutvaara.

– Gjermania po afrohet me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar

Sipas planit, Gjermania në vitin 2023 do të miratojë një sistem të ri të emigracionit, i ngjashëm me modelin kanadez, i cili do të lejojë qytetarët e mirë-kualifikuar jashtë vendeve të BE-së të vijnë dhe të kërkojnë punë në Gjermani.

Reforma gjithashtu parashikon thjeshtimin e procedurave administrative për njohjen e kualifikimeve profesionale të emigrantëve dhe lehtësimin e tyre për të sjellë anëtarët e familjes.

Shoqatat dhe kompanitë e industrisë gjermane prej kohësh kanë bërë thirrje për reformat, duke theksuar se vendi ka mbetur prapa vendeve tradicionale emigrante në tërheqjen e emigrantëve të aftë dhe në ofrimin e mundësive.

“Nuk do të thoja se Gjermania ka qenë jo-popullore. Aktualisht, Gjermania është pas SHBA-së, vendi që ka numrin më të madh të emigrantëve në mbarë botën. Por është e vërtetë që kur bëhet fjalë për tërheqjen, le të themi për shembull profesionistë të IT-së, mjekë apo infermierë, atëherë Gjermania është në një pozitë më të dobët se SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar ose Kanadaja”, thotë Poutvaara.

Siç thekson ai, “një pjesë e madhe e kësaj është gjuha, pasi vendet anglisht-folëse kanë një avantazh sepse shumë emigrantë të mundshëm flasin gjuhën angleze, si gjuhë amtare ose e kanë studiuar atë në shkollë”.

Reformat e planifikuar të Gjermanisë do t’u mundësojnë emigrantëve të kenë shtetësi të dyfishtë ose shtetësi të shumëfishtë, gjë që aktualisht nuk është e mundur për emigrantët nga disa vende të caktuara.

Poutvaara reformën e konsideron një hap pozitiv dhe që do të përmirësojë integrimin e emigrantëve dhe fëmijëve të tyre.

“Do të thosha padyshim se të qenit në gjendje të fitosh shtetësinë më shpejt ndihmon në integrim. Marrja e shtetësisë i bën njerëzit më të integruar dhe veçanërisht fëmijëve u jep stimuj më të fortë për të investuar në aftësitë specifike të vendit”, thekson ai, duke iu referuar aftësive gjuhësore dhe njohurive kulturore.

Sipas tij, “ka kuptim të kërkohen aftësi gjuhësore dhe teste për shtetësinë, sepse nëse nuk do të kishte test për të vërtetuar aftësitë gjuhësore atëherë do të kishte më pak nxitje për të investuar në mësimin e gjuhës”.

– Shkurtimi i pritjes

Qeveria gjermane e koalicionit të qendrës së majtë-liberale në javët e ardhshme planifikon të finalizojë punën për ndryshimet legjislative dhe t’i paraqesë ato në parlament për miratim në gjysmën e parë të vitit 2023.

Social-demokratët e kancelarit Olaf Scholz, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit u zotuan se do të reformojnë ligjet e shtetësisë dhe emigracionit kur nënshkruan marrëveshjen e tyre të koalicionit në dhjetor të vitit 2021.

Në kuadër të reformave të emigracionit, ata që tashmë kanë jetuar në Gjermani prej disa vitesh, me gjasë do të bëhen më lehtë qytetarë gjermanë. Në vend të tetë viteve, siç ndodh aktualisht, shtetësia do të mund të merret pas vetëm pesë viteve qëndrimi në Gjermani.

Në rastin e “arritjeve të veçanta të integrimit”, marrja e shtetësisë do të mund të merret pas tre viteve qëndrimi në Gjermani, për shembull nëse emigrantët kanë treguar arritje të veçanta akademike, profesionale, angazhim vullnetar ose kanë aftësi veçanërisht të mira gjuhësore.

Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj duhet automatikisht të bëhen qytetarë gjermanë nëse njëri prind ka “qëndrim të rregullt të ligjshëm” në Gjermani për pesë vite. Deri më tani, kjo ka ndodhur vetëm pas tetë viteve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit