14.7 C
Pristina
Monday, May 13, 2024

Gashi prezanton raportin mbi tekstet historike, munguan historianët…

Më të lexuarat

Prezantimi i raportit: Historia e Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë, Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni’ i Shkëlzen Gashit, ka zgjuar interesim mjaft të madh në qarqet e ndryshme intelektuale në Prishtinë e më gjerë, por jo edhe të diplomuarve në histori. Prezantimi në fjalë, u bë sot në ambientet e Hotelit Swis Diamond në Prishtinë, i organizuar në formën e një diskutimi, ku panelistë, veç autorit Gashi ishin edhe: Ermal Hasimja – Dr. Pedagog, Universiteti i Nju Jorkut, Tiranë dhe Bekim Blakaj – Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë. Panelin e moderoi Luan Shllaku nga KFOS.

Duke mos pasur kurajë që të ballafaqoheshin me të, siç u tha, në një diskutim të hapur, disa nga historianët që përfaqësojnë linjën zyrtare institucionale në Kosovë, kanë lënë të kuptohet që disa nga temat që i rrokë raporti, janë ende tabu për ta.

Raporti në fjalë merr në shqyrtim të gjitha tekstet e historisë, tekste mësimore në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni, respektivisht kapitujt që kanë të bëjnë me Kosovën. Thënë më saktë, ‹‹…raporti trajton periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës duke bënë në pah shpërputhjet mes historiografive në fjalë, por edhe falsifikimet përkatëse të cilësdo palë. Në mënyrë të tërthortë raporti nxjerr në pah edhe se çfarë marrëdhëniesh ndërfqinjësore po u sugjerojnë qeveritë e këtyre vendeve brezave që po i arsimojnë nëpërmjet këtyre teksteve.››

Luan Shllaku, organizatori dhe njëkohësisht moderatori i diskutimit, duke ju referuar teksteve historike tha si me shaka se: ‹‹Si duket ekziston një konsensus ndërmjet vendeve të Ballkanit, ku secili për vete mendon se ka të drejtë››. Pastaj bëri me dije që organizatorët u kanë dërguar ftesa akademikëve, profesorëve të historisë, përfaqësuesve të institucioneve arsimore relevante por asnjë nuk i është përgjigjur ftesës.

Më pas, Shkëlzen Gashi, prezantoi raportin duke u ndalur në pikat më problematike që i trajton ai. Ai nuk vuri në dukje vetëm dallimin e madh ndërmjet dy tendencave, që njëra përfaqësohej nga autorët e Kosovës dhe Shqipërisë, e në anën tjetër ata të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, por edhe periudhat e pambuluara historike, falsifikimet, qasjen joprofesionale dhe dukurinë e propagandës nacionale, kundër nacionaliteteve relevante.

Pjesëmarrësit e tjerë Bekim Blakaj e Ermal Hasimja, e çmuan punën e Gashit, duke e cilësuar veç tjerash edhe si një akt të guximshëm. Për më tepër Hasimja reflektoi mbi mendësinë e cila dominon edhe sot e kësaj dite në shoqëritë shqiptare dhe ballkanike gjithandej. Sipas tij, paragjykimet ndërmjet fqinjëve janë aq thellë të rrënjosura, sa rrezikon çdo pretendim për ndërtimin e një paqeje afatgjatë në Ballkan.

Disa nga të pranishmit që ishin pjesë e audiencës, treguan interes të madh për raportin, duke shtruar pyetje të ndryshme që kishin të bënin me të.

Këtë projekt e kanë mbështetur Ambasada e Holandës, Zvicrës dhe Kosovo Foundation for Open Society (KFOS), Instituti Georg Eckert në Gjermani, Instituti Alter Habitus etj.

Raporti në fjalë, pritet të ngjallë debate jo vetëm për sa u përket teksteve të historisë ose fushave që ndërlidhen me historinë, por edhe rreth cilësisë së ulët të arsimit në Kosovë, që në mënyrë indirekte preket nga ky raport.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit