16.2 C
Pristina
Saturday, July 27, 2024

E vërteta është më e vjetër – Justinian Topulli

Më të lexuarat


Parimi primar, me të cilin çdokush që kërkon të njohë të vërtetën, nuk duhet të bëjë kompromis është: të jetë gjithmonë koherent dhe i hapur në kërkimin e së vërtetës dhe jo domosdoshmërisht koherent me qëndrimet e tij.
Askush prej njerëzve nuk zotëron dijen absolute të Zotit, ndaj dhe njohja e të vërtetave të ndryshme është gjithmonë një proces, që për njerëzit e zakonshëm kërkon kohë dhe shpesh një rrugë të gjatë përpjekjeje.
Kush pretendon se e ka njohur të gjithë të vërtetën, për çdo gjë, që në fillim dhe njëherë e përgjithmonë, apo me një herë të vetme, i bie të pretendojë se është profet, ose përndryshe, është i metë ose me shumë gjasa egoist e mendjemadh dhe aspak i hapur për të pranuar të vërtetën ashtu siç është, dhe jo siç dëshiron ai.
Shpesh, shihet si virtyt koherenca e qëndrimeve, ndërkohë që nuk bëhet dallim mes qëndrimeve koherente, që bazohen mbi parime të qarta morale e të vërteta të njohura qartësisht, dhe ndryshimit të qëndrimeve që lidhen me ndryshimin e situatave apo ato që kushtëzohen nga dalja në skenë e të dhënave të panjohura më parë.
Vetë i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kush betohet (për diçka) dhe ndërkohë sheh (më pas), se diçka tjetër është më e mirë sesa ajo (për të cilën u betua), atëherë le të shlyejë betimin e tij dhe ta veprojë atë gjë.” (Muslimi nr. 1650)
Ndërkohë, këto fjalë të tij, ai i ka zbatuar edhe vetë në praktikë, siç tregohet në hadithin që përcjell Ebu Musa el-Eshari. (Buhariu nr. 6623, Muslimi nr. 1649)
E njëjta gjë përcillet edhe për Ebu Bekrin (radijAllahu anhu), se kur ai shihte diçka më të mirë sesa ajo, për të cilën qe betuar të vepronte, e thyente betimin dhe e shlyente atë, dhe ndërkohë vepronte atë që ishte më e mirë. (Buhariu nr. 6621)
Dhe këtu bëhet fjalë për qëndrime, të cilat vlerësoheshin më pas si më të mira, e jo më për atë që del se është e vërtetë dhe e drejtë, që është më parësore se çdo gjë tjetër për t’u ndjekur.
Po kështu, Umer ibn Hatabi (radijAllahu anhu) në letrën, me të cilën këshillon Ebu Musën (radijAllahu anhu) se si duhet të veprojë në çështjet e gjykimit, thotë:
“Mos u pengo nga një gjykim që ke dhënë sot, në të cilin e ke rishikuar mendimin tënd dhe je udhëzuar në të drejtën që t’i kthehesh të vërtetës, sepse e vërteta është e vjetër dhe asgjë nuk e zhvlerëson atë, ndërkohë që t’i kthehesh të vërtetës është më mirë, sesa të këmbëngulësh në të kotën.” (Bejhaki nr. 20398)
Është e qartë pra se, ndryshimet e gjykimeve, qëndrimeve dhe mendimeve që bazohen në çdo moment mbi ndjekjen e së vërtetës dhe objektivitetit, nuk janë dobësi, mangësi dhe as turp, por virtyt që tregon se, njeriu para egos dhe krenarisë së tij personale, vendos të vërtetën.
Ndërkohë, sigurisht këtu nuk përfshihen ata që ndryshimin e kanë sport dhe lojë dhe e bazojnë mbi tekat personale apo interesat e çastit, apo ata që kanë inate dhe mllefe të mbartura më herët, të cilat ua errësojnë sytë, duke hedhur pas shpine të vërtetën që pranonin dikur.
Sigurisht që e vërteta absolute, ajo e vërtetë që është e tillë tek Zoti, nuk garantohet zbulimi i saj absolut nga përpjekja njerëzore, ndaj dhe afrimi me të është gjithashtu dhuratë e udhëzimit hyjnor, i cili nuk mund të merret me arrogancë dhe pretendime, por me përulësi dhe adhurim. Dhe ndërkohë, Allahu udhëzon kë të dojë tek e vërteta e Tij.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit