12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Franca dhe afera e saj e dashurisë me kokë-prerjen

Më të lexuarat

Joseph Massad*

Fernand Meyssonnier ishte ekzekutuesi i fundit zyrtat i ngarkuar me ekzekutimin e algjerianëve me gijotinë. Shërbeu në këtë detyrë nga viti 1947 deri në 1958, një periudhë në të cilën ai pretendon se ka ekzekutuar 200 algjerianë. Urdhëri për ekzekutimin e 45 prej tyre kish ardhur prej vetë ministrit socialist të drejtësisë, François Mitterrand. Babai i Meyssonnier, i quajtur Maurice, ishte komunist dhe pronar i një bari. Ai kish qenë krye-ekzekutor në Algjeri pas Luftës së Dytë Botërore. Kumbari i tij, Henri Roch, kish qenë krye-ekzekutues përpara luftës, dhe vinte prej një gjenealogjie të gjatë ekzekutuesish që shkon pas gjer në shekullin e 16-të. Sipas të gjitha gjasave, në Francë ky konsiderohej një zanat i nderuar.

Meyssonnier u largua nga Algjeria pas pavarsisë dhe u vendos në Tahiti, një tjetër koloni franceze, ku dhe hapi një bar, një tjetër zanat ky që trashëgoi nga i ati. U kthye në Francë në vitin 1992, dhe pasi kish mbledhur një pasuri të konsiderueshme, hapi në fshatin Provencal të Fontaine-de-Vaucluse një muzeum për drejtësinë dhe dënimin. Po aty edhe doli në pension. Ai botoi një libër ku tregoi historinë e tij, të titulluar Paroles de bourreau: témoignage unique d’un exécuteur des arrêts criminels (Fjalët e një ekzekutuesi: një dëshmi e rrallë e një ekzekutuesi të verdikteve kriminale). Ai tregon se nuk kish patur ndonjëherë “keqardhje” për viktimat e tij, të cilët sipas tij ishin të gjithë fajtorë për krime të tmerrshme, por shtoi gjithashtu se luftëtarët nacionalistë algjerianë ishin ata që tregonin më shumë kurajo përpara ekzekutimit. Ai vdiq në 2008.

Afera e dashurisë së Francës me kokë-prerjen nuk ishte evidente vetëm në Algjerinë e kolonizuar, por edhe në kolonitë e tjera. Rezistenca anti-koloniale shpërtheu në Kaledoninë e Re në 1878. Ajo ishte kolonizuar nga francezët në 1854, kur edhe filloi të mbushej me kolonë (veçanërisht me communasd-ët që kishin mbijetuar dhe kishin marrë arratinë). Qeveria franceze burgosi vendasit Kanakë në rezervate dhe ju dha tokën kolonëve. Revolta anti-koloniale e vendasve shpërtheu e udhëhequr nga Kreu i Madh Kanak, Ataï. Administratorët kolonialë francez, kolonët dhe ato pak kolaboracionistë vendas e shtypën revoltën dhe i prenë kokën Kreut Ataï dhe dy djemve të tij. Kokat e prera u ruajtën në formaldehyde nga Shoqata e Antropologëve Francezë e u vendosën më pas në stendat e Muzeut të Historisë së Natyrës. Francezët e përshkruan rezistence e Kanakëve kundra vjedhjes së tokës së tyre si “shtazëri kundra civilizimit.” Në vitin 2014, pas 135 viteve, qeveria franceze ktheu kokën e Ataït në Kaledoninë e Re.

Hamida Djandoubi lindi në Tunizi në 1949, kur vendi ishte ende koloni franceze, dhe emigroi në Francë në 1968, ku punoi në bujqsi.  Punoi fillimisht në Marsejë, në shtëpinë e një çifti francez, që kishin qenë kolonë në Tunizi përpara pavarësisë. Në vitin 1971, në moshën 22 vjeçare, si rezultat i neglizhencës së punëdhënësit të tij, traktori u rrokullis duke i marë këmbën nga gjuri e poshtë. Ai nuk ishte më i njëjti njeri, dhe gjendja e tij mendore nuk ishte më e stabilizuar. Shokët nuk e kuptonin më dhe kurrë nuk e mori veten nga trauma fizike dhe psikologjike. Në vitin 1974 ai rrëmbeu, torturoi, dhe vrau të dashurën e tij të bardhë, franceze, të cilën e kish takuar në spital kur i kishin prerë këmbën. Të tre psikiatrët që e vizituan me urdhër të gjykatës konkluduan se Djandoubi e kish perceptuar amputimin e këmbës si kastracion. Me gjithë apelimin e avokatit mbrojtës në bazë të gjendjes mendore, gjykata e dënoi me vdekje, me prerje koke. Djandoubi ishte njeriu i fundit të cilit ju pre koka në Francë me gijotinë, në vitin 1977. Në atë kohë, Kryeministri Jacques Chirac mbështeti vendimin e dënimit me vdekje.

Në të njëjtën javë të gjykimit të Djandoubi, Jean-Baptiste Dorkel, një francez i bardhë me krahë të amputuar, u gjykua për vrasjen e një gruaje dhe tentativën për të vrarë edhe tre të tjera. Për të publiku tregoi keqardhje dhe në dallim nga Djandoubi, Dorkel u dënua me 18 vjet burgim.

Racizmi francez dhe demonstrimi i supremacisë racore nuk përfundoi me sundimin terrorizues të kolonive, apo me kokë-prerjet e popujve të kolonizuar brenda dhe jashtë Francës, por ka vazhduar dhe më tej. Shprehja e tronditjes dhe tmerrimit të Ministrit aktual të Brendshëm, Gérard Darmanin, ndaj mundësisë që supermarketet franceze të mbajnë ushqim Hallall është në harmoni me racizmin zyrtar dhe dominant në shoqëri. Ky racizëm është i shtresëzuar në spektrin politik nga ai i ekstremit të djathtë tek ai i majtë, e ky racizëm nuk është zvetënuar. Për shembull, shpërthimi racist i Chirac në 1991, ku habitej se si mund të duronin punëtorët e dedikuar të bardhë francezë “erën dhe zhurmën” e emigrantëve dembelë arabë dhe afrikanë, u pasua me duartrokitje të hareshme nga audienca e bardhë, dhe mori mbështetjen e plotë të udhëheqësit racist të së djathtës ekstreme të Frontit Nacional, Jean-Marie Le Pen. I njëjti intensitet racist mbështetje pritet ndaj deklarimeve të tilla edhe sot.

Prerja e neveritshme e kokës kohët e fundit të një mësuesi francez nga një emigrant 18-vjeçar çeçen, meqënëse viktima mbrojti sekularizmin francez dhe racizmin zyrtar anti-Musliman, ka tmerruar publikun francez, të bardhë e jo të bardhë, të Krishterë, Muslimanë apo pa fe, siç ka tmerruar njerëzit anembanë botës. E megjithatë, reagimi i Presidentit Emmanuel Macron dhe i supremacistëve racistë francez ndaj krimit ka qenë po aq tmerrues për gjashtë milionë qytetarët francezë të besimit musliman, ashtu si dhe për njerëzit jashtë Francës së izoluar të racizmit të bardhë.

Kësaj mund t’i shtojmë faktin se, qysh në 2014, fushata imperialiste franceze ka sulmuar supozitivisht islamistë në regjionin Afrikan Sahel e ka marë jetën e qindra muslimanëve. Në esencë, kjo është një fushatë për të mbrojtur interesat komerciale të minierave të uraniumit si dhe diktatorët lokalë nga oponentët e tyre. Kjo fushatë vazhdon edhe sot me mbi 5000 trupa franceze të vendosura në rajon. Përgjigjja e Macron ndaj akuzave për krime franceze në rajon ishte akuza ndaj Rusisë për një “fushatë disinformacioni” anti-franceze.

Reagimi zyrtar ndaj vrasjes së urryer të mësuesit nuk ka qenë vetëm në lidhje me zgjerimin e fushatës ekzistuese të Islamofobisë zyrtare (mbyllja e xhamive ka qenë vetëm një nga masat e marra), por për më tepër, reagimi supremacist racor ka përfshirë vendimin e ministrit të brendshëm Darmian për të mbyllur edhe organizatën që monitoron Islamofobinë franceze, Collectif contre l’islamophobie en France (CCIF). Kjo do të thotë që nga qeveria franceze dhe publiku racist supremacist do vazhdojnë aktet dhe krimet islamofobe, por nuk do të ketë asnjë organizatë që do të lejohet të mbledhë të dhënat dhe të regjistrojë këto dhunime të të drejtave të qytetarëve francezë muslimanë.

Macron ka insistuar kohët e fundit se muslimanët francezë duhet të heqin dorë nga traditat e tyre që të bëhen qytetarë të vërtetë francezë. Ai ka propozuar një ligj për të prodhuar një “Islam francez” me qëllim për të luftuar atë që ai ka quajtur “separatizëm” musliman. Ky është një reagim kristiano-centrist dhe laik – pra tërësisht francez – ndaj bashkësive jo të krishtera në vend. Duhet kujtuar se në 1806, Napoleon Bonaparte mblodhi një asamble të krerëve hebrenjë për t’i marë në pyetje rreth besimeve dhe traditave të tyre – përfshi poligaminë, divorcin, dhe martesat ndërfetare me të krishterët — për tu siguruar që ata mund të bëhen qytetarë me të drejta të plota ashtu si dhe francezët e krishterë. Ai u kërkoi hebrenjve që të denoncojnë traditat e tyre dhe i pyeti bazuar në perceptimin e tij rreth separatizmit dhe mungesës së lojalitetit të supozuar hebre, në mënyrë që të vlersonte nëse ata do të mund të ishin qytetarë lojalë të Francës, do të mbronin Francën dhe do t’i binden ligjeve të saj. Krerët hebrenjë themeluan një koncil dhe siguruan në përgjigjen e tyre Napoleonin se mënyra e jetesës së hebrenjve është tërësisht në harmoni me vlerat franceze, duke qenë se të gjitha aspektet e Judaizmit dhe të mënyrës hebreje të jetesës që nuk përputhen me vlerat franceze janë ndërkaq spastruar nga bashkësia, përfshi poligaminë. Ata theksuan gjithashtu se një hebreu “i kërkohet të konsiderojë vendin e tij të lindjes apo të adoptuar si atdheun e vet, dhe ta dojë e ta mbrojë atë kur t’i kërkohet.”

Dorëzimi ndaj Napoleonit nuk i shpëtoi hebrenjtë francezë nga anti-semitizmi që vazhdoi edhe përgjatë çështjes Dreyfus në fund të shekullit të 19të dhe qeverisë Vichy gjatë Luftë së Dytë Botërore, apo qoftë edhe nga anti-semitizmi aktual i të djathtës ekstreme. Ideja pra këtu është se edhe nëse Dreyfus do të kish qenë fajtor, e sigurisht ai nuk ishte, anti-semitizmi francez do fajësonte të gjithë hebrenjtë për tradhtinë e tij të supozuar.

Sot Macron kërkon të de-islamizojë muslimanët francezë, ashtu si Napoleoni de-hebreizoi hebrenjtë francezë si kusht për të drejtat e tyre qytetare, ose t’i kriminalizojë ata e të lëshojë shtetin dhe racistët francezë në sulm kundër tyre. Sulmet me thika ndaj dy grave muslimane në Paris pak ditë më parë është vetëm një shembull i asaj që racistët francezë mund të bëjnë. Fajësimi i të gjithë muslimanëve francezë dhe i vetë Islamit për vrasjen e mësuesit është në vetvete kulminacion i islamofobisë zyrtare franceze.

A do ishte e drejtë që në bazë të terrorit të ushtruar nga qeveria franceze ndaj qytetarëve të saj muslimanë të fajësohej çdo individ francez? A do ishte e drejtë të fajësohej çdo individ francez për krimet që qeveria e vet ka kryer mbi popullsitë e shtypura të racave të tjera qysh nga shekulli i 18-të e në vazhdim, përfshi prerjen e kokave të popujve të racave të ndryshme në tërë botën? Nëse krimi i tmerrshëm i emigrantit çeçen do të duhej të na kujtojë ndonjë gjë është fakti se kokë-prerja është element thelbësor i traditës politike franceze. Fushata raciste anti-muslimane, më shumë se ndjenjë tmerri e francezëve ndaj kokë-prerjes, është ndjenjë tmerri që viktima ishte një francez i bardhë. Ekzekutorët e bardhë kanë qenë të vetmit kokë-prerës legjitimë në historinë moderne të Francës. Në këtë kontekst, pra, është e arsyeshme dhe jo tërësisht abuzive të sugjerohet se përkundër asaj që thotë Macron, se ky ishte një tjetër akt musliman që kërkon “shkatërrimin e republikës”, vrasja makabre e Samuel Paty nga një emigrant çeçen tregoi se kishte të paktën një musliman në Francë që ishte tërësisht i asimiluar në kulturën e përgjakur të Republikës.

*Joseph Massad është profesor në Universitetin Columbia në New York, ShBA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit