1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Fejesa dhe dispozitat e saj (2)

Më të lexuarat

Islami ndaloi shikimin e grave të huaja, pa marrë parasysh se a bëhet ky shikim me epsh a pa epsh, për arsye se shikimi është ngacmues i epshit, është faktor i cili personin e shpie në amoralitet, për këtë arsye Pejgamberi a.s., atë e quajti “shigjetë nga shigjetat e shejtanit”.

Në Kur’anin fisnik Allahu xh.sh., i urdhëron besimtarët të jenë të kujdesshëm lidhur me shikimin, duke u thënë: “Thuaju (O Muhamed) besimtarëve të ulin shikimin e tyre“. Gjithashtu i Dërguari i Allahut thotë: “Çdo myslimani që shikon (befas) bukuritë e një femre, dhe më pastaj ul shikimin e tij, Allahu do t’ia zëvendësojë këtë (vepër të mirë) me një adhurim, shijen e të cilit do ta gjejë në zemrën e tij” . Në anën tjetër, lejohet shikimi i një gruaje me qëllim të fejesës, sepse kjo ndikon në lumturinë dhe vazhdimësinë e jetës bashkëshortore.

Duke e shikuar, personi do ta njohë gruan dhe bukurinë e saj, që do ta motivojnë për t’u fejuar, ose do ta largojnë nga fejesa. Shikimi është element praktik dhe real para fejesës, sepse mund të ndodhë që pas fejesës dhe pas njohjes midis familjeve, e edhe pas shpenzimeve që bëhen zakonisht, të pasojë ndarja si shkak i mosnjohjes së çiftit më herët. Prandaj, i urtë dhe i mençur është ai që nuk vendos për një çështje, derisa nuk i ka të qarta të mirat dhe të ligat e asaj çështjeje. Të shikuarit para fejesës nuk është element që kërkohet vetëm nga mashkulli, por kjo kërkohet edhe nga gruaja, sepse asaj mund t’i pëlqejë ose të mos i pëlqejë i fejuari, prandaj edhe ajo për këtë zgjedhje ka të drejtë sikur mashkulli. Zaten edhe Omeri r.a., këshilloi besimtarët t’ua mundësonin vajzave të tyre që të shihnin të fejuarin e ardhshëm, sepse siç tha ai: “Atyre (grave) u pëlqen nga ata, ajo që u pëlqen (burrave) nga ato”.

Argumentet që nxisin besimtarët për t’u parë para fejesës, janë të shumta, prandaj, sa për ilustrim, do të cekim disa prej tyre:

a- Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju dëshiron të fejojë një grua, le të shohë çfarë e nxit për martesën e saj”. Thotë Xhabiri r.a.,: Kam fejuar një grua dhe fshihesha në mënyrë që të kisha mundësi ta shikoja atë, derisa pashë tek ajo tipare që më nxitën për t’u martuar me të.

b- Transmetohet nga Ebu Hurejre se një burrë (nga muhaxhirët, sh.p.) kishte fejuar një grua nga ensarët, ndërsa i Dërguari i Allahut e kishte pyetur burrin: A e ke parë (gruan)? Burri tha: Jo. E i Dërguari i Allahut i tha: Shko shikoje, sepse në sytë e ensarëve ka diçka”.(d.m.th. nuk i kanë sytë të mëdhenj, që është një shenjë e bukurisë, – sh.p.)

c- Po ashtu transmetohet nga Mugire ibn Shu’be se kishte fejuar një grua, e i Dërguari i Allahut e pyeti: A e ke parë? Mugire i tha: Jo. Ndërsa i Dërguari i Allahut –paqja dhe shpëtimi qofshin për të- i tha: Shko shihe, sepse kjo

ju afron, ju bashkon më shumë.

Nga hadithet e cekura më lart, kuptojmë se personi mund ta shikojë gruan që dëshiron ta fejojë, me dijen ose pa dijen e saj, dhe po ashtu lejohet ta shikojë disa herë, nëse dëshiron. Mirëpo nuk lejohet të shohë përveç fytyrës dhe shuplakave të dorës, për arsye se të shikuarit konsiderohet domosdoshmëri e fejesës, e domosdoshmëria caktohet sipas nevojës. Sikur dihet, fytyra është tregues i bukurisë së femrës, ndërsa duart janë tregues i trashësisë dhe ngjyrës së lëkurës. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Porse ka një transmetim nga Ahmedi dhe Evzaiu, se lejohet të shihen ato pjesë të trupit që rëndom janë të zbuluara, kur gruaja qëndron në shtëpi gjatë kryerjes së punëve të shtëpisë, siç janë: fytyra, qafa, duart, këmbët deri tek “zogu i këmbës” dhe flokët. Ata argumentojnë me faktin se i Dërguari i Allahut -paqja dhe shpëtimi qofshin për të- lejoi për ta parë gruan që dëshiron ta fejojë dikush, pa dijen e saj, e kjo aludon pamjen e atyre pjesëve që zakonisht shihen tek gratë, kur janë në prani të familjarëve.

Vetmimi me të fejuarën

Në fillim kemi cekur se fejesa është vetëm premtim i një çifti se do të martohen në të ardhmen. Prandaj nuk lejohet që të fejuarit të vetmohen në një shtëpi, ose edhe në vende publike, pa praninë e të afërmve të së fejuarës. Nuk ka asnjë argument nga Kur’ani dhe Syneti që lejojnë vetmimin e të fejuarve. Përkundrazi, ka mjaft argumente që ndalojnë vetmimin, siç është hadithi: “Të mos vetmohet asnjëri nga ju me një grua të huaj, përveçse në praninë e të afermve të saj. I fejuari në këto kushte konsiderohet i huaj për të fejuarën, përderisa të mos lidhet kontrata e martesës.

Çështje serioze dhe aktuale të të fejuarve

Çështja e parë: Disa mendojnë dhe pretendojnë se i fejuari duhet ta njohë të fejuarën, moralin dhe sjelljet e saj, gjë që është shumë normale. Mirëpo defekti qëndron në faktin se, sipas këtij grupi, “për ta njohur sa më mirë njëri-tjetrin të fejuarit, duhet të vetmohen, të takohen më shpesh dhe të qëndrojnë së bashku për një kohë, dhe kjo është mënyra e vetme për njohjen e njëritjetrit”. Ata që mendojnë kështu dhe u lejojnë vajzave të tyre të vetmohen me të fejuarit e tyre, pa asnjë kontroll, sigurisht që janë të gabuar. Si rezultat i këtij mendimi, femra u ekspozohet problemeve dhe vështirësive të ndryshme, siç është humbja e nderit, çrregullimi i personalitetit, demoralizimi, frika nga martesa etj.. Po ashtu, jemi dëshmitarë të krimeve të rënda, vrasjeve dhe vetëvrasjeve, që ndodhin në jetën e përditshme, si pasojë e prishjes së fejesës të të fejuarve që do të jenë vetmuar dhe do të kenë zbuluar sekretet më të ndjeshme ndaj njëri tjetrit. Kësaj i shtohet edhe fakti se të fejuarit, në këtë periudhë, jetojnë si njerëzit më të lumtur, ndërsa prishja e fejesës, pasi të kenë marrë çështjen më të shenjtë nga njëri-tjetri, pa dyshim

që lë pasoja të paparashikueshme në personalitetin dhe të ardhmen e tyre.

Çështja e dytë: Ndryshe nga grupi i parë, ka disa persona të ngurtë, të cilët i ka kapluar xhelozia (e xhelozia, nëse nuk ka ndonjë shkak të duhur, është e nënçmuar), të cilët nuk lejojnë që dikush të shohë vajzat e tyre para fejesës, dhe as pas fejesës. Të tillët, sidomos më herët, nuk lejonin që i fejuari të shihte vajzën e tij, më konkretisht të fejuarën, përveçse në natën e martesës. Po, takimi për herë të parë në këtë kohë apo në këtë natë, mund të sjellë probleme të ndryshme, prandaj as kjo nuk përkon me konditat islame, sepse lejohet të vizitohet e fejuara në praninë e të afërmve të saj.

Çështja e tretë: Në mes këtyre dy ekstremeve qëndron grupi i tretë, të cilët veprojnë, kinse në emër të Islamit. Këta, pasi të jenë fejuar, lidhin kontratën e martesës, e më pastaj qëndrojnë një kohë të gjatë ashtu të pamartuar (formalisht), për arsye të ndryshme, si mundësitë financiare, arsimimi, punësimi etj. Në thelb, në këtë veprim nuk ka ndonjë të metë, pasi me lidhjen e kontratës së martesës, të fejuarit konsiderohen bashkëshortë legjitimë. Mirëpo, me dije apo pa dije, kjo formë zbeh rëndësinë e martesës, e cila është esenciale, e fejesën në këtë formë e bën më me vlerë dhe më të rëndësishme sesa martesën. Konkretisht, mund të themi se kjo formë ia ka humbur vlerën reale martesës, sepse këta “të fejuar” kanë zbuluar të gjitha sekretet që kanë në mes tyre. Përveç kësaj, kjo kontratë martese, e cila realisht është martesë legjitime, ka të drejtat e saj, siç është mbulimi i shpenzimeve të bashkëshortes, sigurimi i vendbanimit, mehri, trashëgimia në rast të vdekjes së ndonjërit prej tyre etj.. Po këto kushte nuk plotësohen po të ndodhin raste të tilla. Prandaj, shfrytëzoj rastin që t’i këshilloj besimtarët që veprojnë kështu, që të martohen sa më parë, të mos qëndrojnë “të fejuar” një kohë të gjatë, dhe, së fundi, të mos sjellin risi në fe dhe në traditë, në emër të zbatimit të dispozitave islame.

Prishja e fejesës dhe rregullat e saj

Martesa nuk është e detyrueshme për të fejuarit, prandaj të fejuarit kanë të drejtë të prishin fejesën, nëse konsiderojnë se ajo është më mirë për ta. Natyrisht, kjo nuk bëhet për arsye të thjeshta, dhe sidomos kur kemi parasysh se fejesa është premtim për martesë, sa kohë që besimtari i drejtë e mban premtimin e tij, duke pas parasysh fjalët e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe shpëtimi qofshin për të-: “Shenjat e hipokritit janë tri: Nëse flet – gënjen, nëse premton – të mashtron dhe nëse i beson – të tradhton”. Kështu, besimtari, duke mos dashur të jetë pjesë e këtij hadithi, duhet të japë maksimumin e tij për të ruajtur fejesën, dhe nuk e prish atë përveçse për ndonjë arsye të fortë dhe reale. Në rastet e fejesës kur jepet mehri i tërë ose një pjesë e tij, me prishjen e fejesës, kthehet mehri i dhënë ose kundërvlera e tij. Ndërsa dhuratat që jepen me rastin e fejesës, duhet të kthehen, nëse janë të ruajtura. Mirëpo, nëse nuk janë ruajtur për ndonjë arsye, si kanë humbur, janë shpenzuar, p.sh. kanë qenë të holla ose ushqim dhe janë shpenzuar, ose kanë pësuar ndryshime, si psh. ka qenë stof dhe janë qepur rroba, – në këso rastesh dhuratat nuk duhet të kthehen.

1- Transmeton Ahmedi

2- Subuli selam, 3 / 112.

3-Sahih Muslim.

4- Nilul evtar, 6 /109.

5- Dijetarët e medhhebit Hanefij konsiderojnë se lejohet të shihen fytyra, shuplakat e dorës dhe shputat e këmbës. Shiko: Fikhul hanefij fi thevbil xhedid 2 / 54. Mugni muhtaxh, 3 /128. Kavanin fikhije, f. 193.

6- Mugni , 6 /552. Keshful kina’, 5 /13 .

7- Mutefekun alejhi.8- Redul muhtar, 2 /600.

Mr. Sabri Jonuzi

Dituria Islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit