1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Fejesa dhe dispozitat e saj

Më të lexuarat

Mr. Sabri Jonuzi

Islami i kushtoi rëndësi të veçantë jetës bashkëshortore, e cila bazohet në zgjedhje të mirë dhe të përshtatshme të bashkëshortes ose bashkëshortit. Fejesa është hapi i parë që bën myslimani për zgjedhjen e bashkëshortes, po këtij hapi duhet doemos t’i paraprijnë disa kritere të larta, në mënyrë që të mos ketë pasoja më vonë, ose që ato të jenë sa më të vogla. I Dërguari i Allahut sqaroi se cili duhet të jetë kriteri kyç e themelor në zgjedhjen e bashkëshortes.

Ai thotë: “Gruaja zgjidhet për katër çështje: për pasurinë e saj, për pozitën e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Prandaj zgjidhe (gruan) për fenë e saj, të lumshin duart”. Nga kjo këshillë e të Dërguarit të Allahut, kuptojmë se njerëzit bashkëshortet e tyre i zgjedhin zakonisht për këto katër kritere, kurse myslimani i sinqertë, duhet të ketë kriter kryesor për zgjedhjen e bashkëshortes, fenë dhe moralin e saj. Përmes kësaj zgjedhjeje arrihet harmonia dhe lumturia bashkëshortore, madje ndikimi i fesë dhe moralit të mirë nuk humb asnjëherë, po vetëm shtohet, me kalimin e kohës, duke zbukuruar jetën familjare.

Ndërkaq, pasuria, pozita dhe bukuria kanë ndikim të përkohshëm, si dhe nuk janë kritere që realizojnë harmoni të vazhdueshme në jetën bashkëshortore; ato zakonisht janë çështje që nxisin për mendjemadhësi dhe lavdata.

Personin që interesohet për bashkëshorte, disa dijetarë e këshillojnë që ai të pyesë së pari për pasurinë, pozitën ose bukurinë e femrës. Nëse jemi të kënaqur lidhur me këto kritere, atëherë të pyesim për fenë e saj, dhe, nëse edhe për këtë jemi të kënaqur, nuk mbetet tjetër veçse të zgjedhim fejesën. Pra, ata nuk këshillojnë të interesohemi së pari për fenë e gruas, e më pastaj për të tri kriteret e tjera, për arsye, se nëse marrim përgjigje pozitive për sa i përket çështjes fetare, dhe më pastaj negative për ndonjë nga veçoritë e tjera (p. sh. Për bukurinë), e nuk vendosim për fejesë, atëherë kjo lë të kuptohet se çështja e fesë së gruas nuk është parësore për këtë person.

Koncepti dhe urtësia e fejesës

Fejesë domethënë: Ofertë për martesë me një grua të caktuar, dhe paraqitja e kësaj oferte, gruas ose kujdestarit të saj, drejtpërdrejt nga kandidati për t’u fejuar ose familja e tij . Urtësia e këtij veprimi qëndron në faktin se fejesa është formë dhe mënyrë përmes së cilës të fejuarit kanë mundësi të njohin edukatën, moralin, animet, dëshirat dhe besimin e njëri-tjetrit, përbrenda kufijve të dispozitave islame. Prandaj, nëse ka përputhshmëri dhe përshtatshmëri në mes tyre, çelet rruga për hapin e ardhshëm, martesën, e cila konsiderohet lidhje e përhershme jetese. Në këtë mënyrë, gjatë fejesës, të fejuarit relaksohen dhe qetësohen psikikisht, binden se mund të jetojnë të qetë dhe të sigurt, në harmoni dhe lumturi, e ky, së fundi, është synimi i çdo myslimani dhe myslimaneje, madje edhe i familjeve të tyre.

Dispozita e fejesës

Fejesa është marrëveshje dhe premtim për martesë, po nuk është martesë. Prandaj të fejuarve nuk u lejohet që të vetmohen dhe po ashtu vajzës (së fejuarës) nuk i lejohet të zbulojë nga trupi i saj përveç fytyrës, shuplakave të duarve dhe shputave të këmbëve. Fejesa bëhet me dëshirë dhe vullnet të plotë nga të dy palët, gjegjësisht nga i fejuari dhe e fejuara. Nuk lejohet të vendosë askush për fejesën e vajzës ose të djalit, përveçse me lejen e tyre .

Llojet e fejesës

Fejesa bëhet në dy mënyra:

1. Drejtpërdrejt, duke paraqitur kërkesën në formë të qartë se dëshiron të fejohet me atë grua duke thënë: “Dëshiroj të fejohem me filanen”.

2. Tërthorazi, duke paraqitur kërkesën në formë alegorike ose tërthorazi se dëshiron të fejohet me atë grua duke i thënë: “Kërkoj një vajzë të përshtatshme për fejesë sikurse ti”, ose ”I lumtur është ai që do të ketë një grua si ti”. Këtu, gjithashtu bën pjesë paraqitja e kërkesës përmes një ndërmjetësuesi, i cili do të merrte përsipër se do t’i paraqiste ofertën gruas së caktuar nga ana e ofertuesit.

Me kë lejohet fejesa?

Në esencë, lejohet fejesa e çdo gruaje, e cila plotëson dy kushte. Kushti i parë: Të mos ketë ndonjë pengesë që ndalon fejesën. Ka pengesa të përhershme dhe të përkohshme, që ndalojnë bashkimin e një çifti, prandaj kushtëzohet që gruaja të mos ketë asnjërën palë prej tyre. Pengesa të përhershme konsiderohen afria nga gjaku, gjidhënia dhe miqësia, ndërsa të përkohshme konsiderohen motra e bashkëshortes, gruaja e martuar ose e fejuar, gruaja që është ende në idet, gruaja që nuk është pasuese e librave të zbritur nga Zoti. (Fejesa e gruas që është në idet)

Dijetarët islamë janë në ujdi që ndalohet në formë të prerë fejesa e gruas që është në idet, duke u bazuar në versetin kuranor: “Nuk është mëkat për ju, nëse mundoheni tërthorazi për ndonjë rast për fejesë, ose nëse e fshihni në vetvete. Allahu e di se ju do t’i kujtoni ato, por mos u premtoni për lidhje në fshehtësi, vetëm nëse u flisni ndonjë fjalë të ndershme. Dhe mos e përfundoni martesën derisa të plotësohet koha e duhur”. Paraqitja e ofertës për fejesë drejtpërdrejt, ndalohet për arsye se të drejtat bashkëshortore nuk kanë përfunduar gjersa gruaja është në idet. Po ashtu, kjo mund ta shtyjë gruan që të gënjejë për përfundimin e idetit të saj para kohe.

Ndërkaq, për sa i përket kërkesës në mënyrë të tërthortë, duke i thënë gruas që është në idet: “Ti je shumë e bukur” ose “do të jetë fatlum ai që të fejon” etj. , ka këto dispozita:

1. Nëse gruaja është në idet për shkak të vdekjes së bashkëshortit të saj, atëherë lejohet paraqitja e ofertës drejtpërdrejt, për arsye se, me vdekjen e bashkëshortit, ka përfunduar lidhja martesore, kështu që nuk ka gjasa për ribashkimin e tyre, dhe poashtu me këtë kërkesë nuk ka ndërhyrje në të drejtën e bashkëshortit.

2. Nëse gruaja është në idet nga shkurorëzimi me të drejtë kthimi (rexh’ij), atëherë ndalohet paraqitja e ofertës drejtpërdrejt, sipas mendimit të të gjithë juristëve islamë (fukahenjve). Kjo për faktin se bashkëshorti ka të drejtë ende për ta rikthyer bashkëshorten në periudhën e idetit, dhe kjo paraqitje konsiderohet po ashtu ndërhyrje në të drejtat e bashkëshortit.

3. Nëse gruaja është në idet nga shkurorëzimi pa të drejtë kthimi (bain), po ashtu ndalohet paraqitja e ofertës së drejtpërdrejtë për fejesë, për shkak të dyshimit se gruaja mund të gënjejë duke përshpejtuar përfundimin e idetit të saj. Shkak tjetër i ndalesës është që të pengohet rikthimi i gruas tek bashkëshorti, nëse ajo e dëshiron një gjë të tillë, si dhe të mos mendojë ndokush se ofertuesi për fejesë, të ishte shkaku i prishjes së raporteve bashkëshortore, ose edhe të martesës. Duhet të kemi parasysh që, nëse ndodh që dikush të fejojë ndonjë grua gjatë kohës së idetit të saj, fejesa e tillë është e brishtë, nuk është e vlefshme, për shkak se i Dërguari i Allahut a. s. Ka ndaluar një gjë të tillë, duke thënë : “Të mos fejojë askush të fejuarën e vëllait të tij”.

Kushti i dytë: Të mos jetë e fejuar

Nuk lejohet të fejohet një grua e cila është e fejuar me dikë tjetër, duke u bazuar në hadithin ” Të mos fejojë askush të fejuarën e vëllait të tij, derisa ai ta lërë atë (vajzë), ose të lejojë fejesën me të (për shkak të ndarjes).

Juristët islamë janë të një mendjeje, se nuk lejohet dhe ndalohet rreptësisht të bëhet kërkesa për fejesë nga personi i dytë, një gruaje sa kohë që ajo të jetë e fejuar.

Nëse ndodh një çështje e tillë, atëherë ky person është mëkatar tek Allahu i Lartmadhëruar, duke u bazuar në hadithin e cekur më lart. Madje, kjo vepër fut armiqësi dhe urrejtje në mesin e njerëzve, e Islami parandaloi të gjitha shkaqet që fusin armiqësi dhe mosmarrëveshje në mesin e besimtarëve. Këtu kemi të bëjmë edhe me një problematikë aktuale, pikërisht nëse i lejohet ndonjërit të kërkojë për të fejuar një vajzë, gjersa ajo të jetë në bisedime për t’u fejuar me një tjetër?

Juristët islamë kanë shfaqur dy mendime lidhur me këtë çështje:

Mendimi i parë: Është e urryer (mekruh) shfaqja e personit të dytë a të tretë për fejesën e një vajze, përderisa personi apo ofertuesi i parë ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare prej saj. Ky është mendimi i juristëve të shkollës hanefite. Ata argumentojnë me hadithin “Të mos fejojë askush të fejuarën e vëllait të tij, derisa ai ta lërë atë”. Nga hadithi kuptohet se edhe ndërhyrja me kërkesën për fejesë nga dikush tjetër, është e ndaluar. Gjithashtu, kjo ndërhyrje është e ndaluar për arsye se mund të sjellë armiqësi në mesin e myslimanëve.

Mendimi i dytë: Nuk është e urryer, dhe lejohet shfaqja e disa ofertuesve në të njëjtën kohë. Ky është mendimi i juristëve të shkollës së malikinjve, shafiinjve dhe hanbelinjve. Ata argumentojnë me rastin e Fatime bint Kajs-it, e cila kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut- Paqja dhe shpëtimi qofshin për të- të këshillohej, kur Muaviu dhe Ebu Xhehmi i bënë ofertën për fejesë, kurse i Dërguari i Allahut kishte thënë: “Muaviu është i varfër, nuk ka pasuri, ndërsa Ebu Xhehmi nuk e lëshon shkopin nga supet e tij (shenjë e ashpërsisë,sh. p. ), prandaj martohu me Usame ibn Zejdin”. Nga ky rast shihet se Fatime bint Kajs, pati më shumë se një ofertues për fejesë në të njëjtën kohë, dhe ata i Dërguari i Allahut nuk i kishte qortuar për këtë veprim. Sido që të jetë, edukata islame na këshillon dhe mëson që të jemi durimtarë, të mos ndërhyjmë në kohën kur një grua dhe familja e saj, shqyrtojnë ose janë në bisedime lidhur me ndonjë ofertë a kërkesë për fejesë, përderisa të mos jepet përgjigjja përfundimtare.

Islami ndaloi shikimin e grave të huaja, pa marrë parasysh se a bëhet ky shikim me epsh a pa epsh, për arsye se shikimi është ngacmues i epshit, është faktor i cili personin e shpie në amoralitet, për këtë arsye Pejgamberi a.s., atë e quajti “shigjetë nga shigjetat e shejtanit”. Në Kur’anin fisnik Allahu xh.sh., i urdhëron besimtarët të jenë të kujdesshëm lidhur me shikimin, duke u thënë: “Thuaju (O Muhamed) besimtarëve të ulin shikimin e tyre“. Gjithashtu i Dërguari i Allahut thotë: “Çdo myslimani që shikon (befas) bukuritë e një femre, dhe më pastaj ul shikimin e tij, Allahu do t’ia zëvendësojë këtë (vepër të mirë) me një adhurim, shijen e të cilit do ta gjejë në zemrën e tij” . Në anën tjetër, lejohet shikimi i një gruaje me qëllim të fejesës, sepse kjo ndikon në lumturinë dhe vazhdimësinë e jetës bashkëshortore.

Duke e shikuar, personi do ta njohë gruan dhe bukurinë e saj, që do ta motivojnë për t’u fejuar, ose do ta largojnë nga fejesa. Shikimi është element praktik dhe real para fejesës, sepse mund të ndodhë që pas fejesës dhe pas njohjes midis familjeve, e edhe pas shpenzimeve që bëhen zakonisht, të pasojë ndarja si shkak i mosnjohjes së çiftit më herët. Prandaj, i urtë dhe i mençur është ai që nuk vendos për një çështje, derisa nuk i ka të qarta të mirat dhe të ligat e asaj çështjeje. Të shikuarit para fejesës nuk është element që kërkohet vetëm nga mashkulli, por kjo kërkohet edhe nga gruaja, sepse asaj mund t’i pëlqejë ose të mos i pëlqejë i fejuari, prandaj edhe ajo për këtë zgjedhje ka të drejtë sikur mashkulli. Zaten edhe Omeri Allahu r.a.,këshilloi besimtarët t’ua mundësonin vajzave të tyre që të shihnin të fejuarin e ardhshëm, sepse siç tha ai: “Atyre (grave) u pëlqen nga ata, ajo që u pëlqen (burrave) nga ato”. Argumentet që nxisin besimtarët për t’u parë para fejesës, janë të shumta, prandaj, sa për ilustrim, do të cekim disa prej tyre:

a- Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahi se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju dëshiron të fejojë një grua, le të shohë çfarë e nxit për martesën e saj”. Thotë Xhabiri r.a.,: Kam fejuar një grua dhe fshihesha në mënyrë që të kisha mundësi ta shikoja atë, derisa pashë tek ajo tipare që më nxitën për t’u martuar me të.

b- Transmetohet nga Ebu Hurejre se një burrë (nga muhaxhirët, sh.p.) kishte fejuar një grua nga ensarët, ndërsa i Dërguari i Allahut e kishte pyetur burrin: A e ke parë (gruan)? Burri tha: Jo. E i Dërguari i Allahut i tha: Shko shikoje, sepse në sytë e ensarëve ka diçka”.(d. m.th.nuk i kanë sytë të mëdhenj, që është një shenjë e bukurisë, – sh.p.)

c- Po ashtu transmetohet nga Mugire ibn Shu’be se kishte fejuar një grua, e i Dërguari i Allahut e pyeti: A e ke parë? Mugire i tha: Jo. Ndërsa i Dërguari i Allahut –paqja dhe shpëtimi qofshin për të- i tha: Shko shihe, sepse kjo ju afron, ju bashkon më shumë. Nga hadithet e cekura më lart, kuptojmë se personi mund ta shikojë gruan që dëshiron ta fejojë, me dijen ose pa dijen e saj, dhe po ashtu lejohet ta shikojë disa herë, nëse dëshiron. Mirëpo nuk lejohet të shohë përveç fytyrës dhe shuplakave të dorës, për arsye se të shikuarit konsiderohet domosdoshmëri e fejesës, e domosdoshmëria caktohet sipas nevojës. Sikur dihet, fytyra është tregues i bukurisë së femrës, ndërsa duart janë tregues i trashësisë dhe ngjyrës së lëkurës. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve . Porse ka një transmetim nga Ahmedi dhe Evzaiu, se lejohet të shihen ato pjesë të trupit që rëndom janë të zbuluara, kur gruaja qëndron në shtëpi gjatë kryerjes së punëve të shtëpisë, siç janë: fytyra, qafa, duart, këmbët deri tek “zogu i këmbës” dhe flokët. Ata argumentojnë me faktin se i Dërguari i Allahut -paqja dhe shpëtimi qofshin për të- lejoi për ta parë gruan që dëshiron ta fejojë dikush, pa dijen e saj, e kjo aludon pamjen e atyre pjesëve që zakonisht shihen tek gratë, kur janë në prani të familjarëve .

Vetmimi me të fejuarën

Në fillim kemi cekur se fejesa është vetëm premtim i një çifti se do të martohen në të ardhmen. Prandaj nuk lejohet që të fejuarit të vetmohen në një shtëpi, ose edhe në vende publike, pa praninë e të afërmve të së fejuarës. Nuk ka asnjë argument nga Kur’ani dhe Syneti që lejojnë vetmimin e të fejuarve. Përkundrazi, ka mjaft argumente që ndalojnë vetmimin, siç është hadithi: “Të mos vetmohet asnjëri nga ju me një grua të huaj, përveçse në praninë e të afermve të saj . I fejuari në këto kushte konsiderohet i huaj për të fejuarën, përderisa të mos lidhet kontrata e martesës.

Çështje serioze dhe aktuale të të fejuarve

Çështja e parë: Disa mendojnë dhe pretendojnë se i fejuari duhet ta njohë të fejuarën, moralin dhe sjelljet e saj, gjë që është shumë normale. Mirëpo defekti qëndron në faktin se, sipas këtij grupi, “për ta njohur sa më mirë njëri-tjetrin të fejuarit, duhet të vetmohen, të takohen më shpesh dhe të qëndrojnë së bashku për një kohë, dhe kjo është mënyra e vetme për njohjen e njëritjetrit”. Ata që mendojnë kështu dhe u lejojnë vajzave të tyre të vetmohen me të fejuarit e tyre, pa asnjë kontroll, sigurisht që janë të gabuar. Si rezultat i këtij mendimi, femra u ekspozohet problemeve dhe vështirësive të ndryshme, siç është humbja e nderit, çrregullimi i personalitetit, demoralizimi, frika nga martesa etj..

Po ashtu, jemi dëshmitarë të krimeve të rënda, vrasjeve dhe vetëvrasjeve, që ndodhin në jetën e përditshme, si pasojë e prishjes së fejesës të të fejuarve që do të jenë vetmuar dhe do të kenë zbuluar sekretet më të ndjeshme ndaj njëri-tjetrit. Kësaj i shtohet edhe fakti se të fejuarit, në këtë periudhë, jetojnë si njerëzit më të lumtur, ndërsa prishja e fejesës, pasi të kenë marrë çështjen më të shenjtë nga njëri-tjetri, pa dyshim që lë pasoja të paparashikueshme në personalitetin dhe të ardhmen e tyre.

Çështja e dytë: Ndryshe nga grupi i parë, ka disa persona të ngurtë, të cilët i ka kapluar xhelozia (e xhelozia, nëse nuk ka ndonjë shkak të duhur, është e nënçmuar), të cilët nuk lejojnë që dikush të shohë vajzat e tyre para fejesës, dhe as pas fejesës. Të tillët, sidomos më herët, nuk lejonin që i fejuari të shihte vajzën e tij, më konkretisht të fejuarën, përveçse në natën e martesës. Po, takimi për herë të parë në këtë kohë apo në këtë natë, mund të sjellë probleme të ndryshme, prandaj as kjo nuk përkon me konditat islame, sepse lejohet të vizitohet e fejuara në praninë e të afërmve të saj.

Çështja e tretë: Në mes këtyre dy ekstremeve qëndron grupi i tretë, të cilët veprojnë, kinse në emër të Islamit. Këta, pasi të jenë fejuar, lidhin kontratën e martesës, e më pastaj qëndrojnë një kohë të gjatë ashtu të pamartuar (formalisht), për arsye të ndryshme, si mundësitë financiare, arsimimi, punësimi etj. Në thelb, në këtë veprim nuk ka ndonjë të metë, pasi me lidhjen e kontratës së martesës, të fejuarit konsiderohen bashkëshortë legjitimë. Mirëpo, me dije apo pa dije, kjo formë zbeh rëndësinë e martesës, e cila është esenciale, e fejesën në këtë formë e bën më me vlerë dhe më të rëndësishme sesa martesën. Konkretisht, mund të themi se kjo formë ia ka humbur vlerën reale martesës, sepse këta “të fejuar” kanë zbuluar të gjitha sekretet që kanë në mes tyre. Përveç kësaj, kjo kontratë martese, e cila realisht është martesë legjitime, ka të drejtat e saj, siç është mbulimi i shpenzimeve të bashkëshortes, sigurimi i vendbanimit, mehri, trashëgimia në rast të vdekjes së ndonjërit prej tyre etj.. Po këto kushte nuk plotësohen po të ndodhin raste të tilla. Prandaj, shfrytëzoj rastin që t’i këshilloj besimtarët që veprojnë kështu, që të martohen sa më parë, të mos qëndrojnë “të fejuar” një kohë të gjatë, dhe, së fundi, të mos sjellin risi në fe dhe në traditë, në emër të zbatimit të dispozitave islame.

Prishja e fejesës dhe rregullat e saj

Martesa nuk është e detyrueshme për të fejuarit, prandaj të fejuarit kanë të drejtë të prishin fejesën, nëse konsiderojnë se ajo është më mirë për ta. Natyrisht,kjo nuk bëhet për arsye të thjeshta, dhe sidomos kur kemi parasysh se fejesa është premtim për martesë, sa kohë që besimtari i drejtë e mban premtimin e tij, duke pas parasysh fjalët e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe shpëtimi qofshin për të-: “Shenjat e hipokritit janë tri: Nëse flet – gënjen, nëse premton – të mashtron dhe nëse i beson – të tradhton”. Kështu, besimtari, duke mos dashur të jetë pjesë e këtij hadithi, duhet të japë maksimumin e tij për të ruajtur fejesën, dhe nuk e prish atë përveçse për ndonjë arsye të fortë dhe reale.

Në rastet e fejesës kur jepet mehri i tërë ose një pjesë e tij, me prishjen e fejesës, kthehet mehri i dhënë ose kundërvlera e tij. Ndërsa dhuratat që jepen me rastin e fejesës, duhet të kthehen, nëse janë të ruajtura. Mirëpo, nëse nuk janë ruajtur për ndonjë arsye, si kanë humbur, janë shpenzuar, p.sh. kanë qenë të holla ose ushqim dhe janë shpenzuar, ose kanë pësuar ndryshime, si psh. ka qenë stof dhe janë qepur rroba, – në këso rastesh dhuratat nuk duhet të kthehen.

1. Sabik , Fikhu suneh, 2 /152. Zuhejli, Fikhul islam ve ediletuhu,10 / 7.

2. Ideti është kohë e pritjes, e caktuar për gruan në rast shkurorëzimi,që zgjat sa tri pastrime nga cikli mujor.

3. El-Kasani, Bedai sanai, 2 / 268.

4. Fjala është për vëllazërinë islame, e jo për vëllain nga ana e gjakut ose

gjidhënia.

5. Shevkani, Nilul evtar, 5/167.

6. Muhtesar Tahavi,f. 178.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit