1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Familja në perspektivën e realitetit

Më të lexuarat

Formimi i familjes

Qenia njerëzore vjen në jetë nëpërmjet formimit të familjes nga paraardhësit e saj, në themel të së cilës qëndron institucioni i martesës.

Martesa është institucioni legal që lidh, bashkon një burrë dhe një grua në lidhje martesore, duke iu mundësuar të jetojnë si bashkëshortë, çka iu jep të drejtën të kenë edhe pasardhës, të cilët nga ana e tyre, në një stad të caktuar të jetës do të jenë protagonistë të formimit të një familjeje të re.

Që të mbërrihet deri në formimin e familjes, paraprakisht individët e dy gjinive të kundërta duhet të kenë rënë dakord që të bashkohen në një lidhje legjitime. Ky është një hap i rëndësishëm dhe bazik, pasi që gjithë rrjedha e ngjarjeve të mëpasshme në familje dhe më gjerë, merr trajtën dhe ngjyresat që përftohen nga veprimi i personaliteteve të burrit dhe gruas.

Nuk është e rëndësishme që thjesht dhe vetëm të bashkohen një burrë dhe një grua, në një martesë dhe ja, e formuam familjen. Pyetja më e rëndësishme që shtrojmë këtu, është se çfarë personaliteti kanë burri dhe gruaja që do të bashkohen në martesë, për të formuar familjen? E shtrojmë këtë pyetje, sepse formimi dhe edukimi i pasardhësve, pavarësisht faktorëve të tjerë që implikohen në formimin dhe edukimin e fëmijëve, varet në masën kryesore nga mjedisi familjar. Prandaj është e rëndësishme që protagonistët e formimit të familjes së ardhshme të bëjnë një vlerësim respekttiv të personalitetit të njëri-tjetrit, para se të marrin vendimin përfundimtar për t’u bashkuar në martesë, për të shmangur me aq sa është e mundur të shmangen, pasojat e padëshirueshme, të cilat mund të kenë një influencë negative në raportet e familjes së re.

Shtruam çështjen e personalitetit si më të rëndësishmen, pasi jeta njerëzore asnjëherë nuk mund të ketë ecuri konstante. Herë-herë rrjedh e qetë, aq sa të krijohet përshtypja se punët ecin vaj, herë-herë dallgëzohet dhe të përfund nën shkrimet e saj e herë-herë të vërvit në lartësira të rrezikshme. E në gjithë këtë ecuri oshilative, ata të cilët durojnë dhe mbeten, janë personalitetet e edukuara dhe të ndriçuara nga sistemi i vlerave që burojnë nga parimet e epërme, edukim që ka arritur deri në thellësinë e zemrës, e jo vetëm si shfaqje përjashtësore e bindjes ndaj këtyre parimeve.

Njeriu di çfarë ka kaluar, por kurrë nuk mund të dijë se çfarë surprizash i ka rezervuar fati në të ardhmen. Gjithsesi mbetet të themi që ekzistenca e personaliteteve të mirëfillta dhe përfshirja e tyre në martesë, është një premisë qenësore, për mënyrën se si do të operojë familja e re në përballimin e surprizave që fati iu ka rezervuar. Nuk duhet të lëmë jashtë vëmendjes rolin e personalitetit prindëror në ndihmën që duhet t’u ofrojë pasardhësve të vet, në momente të tilla deçizive, pasi shpesh aktorët e formimit të familjes së re, duke qenë të përfshirë nga situata emocionale të forta dhe ndoshta nga një vlerësim përjashtësor i gjërave, mund të vendosin nën efektin e emocionalitetit dhe ndjesive momentale, ndaj personit të gjinisë së kundërt, me të cilin apo me të cilën dëshirojnë të formojnë një familje, duke anashkaluar pjesërisht apo tërësisht këshillat e personalitetit prindëror.

Familja përballë sfidave

Njeriu lind, rritet, zhvillohet, formohet, edukohet në mjedisin e tij familjar. Aty mëson fjalët e para, aty hedh hapat e parë, aty ndjen dhe përjeton përkëdheljet e para, shprehjen e dashurisë dhe vëmendjes ndaj tij, aty ndjen dhe përjeton edhe “ndëshkimet” e para. Por, mbi të gjitha, aty përballet drejtpërdrejt me modelet, me shembujt e parë të sjelljes dhe qëndrimeve të prindërve apo gjyshërve të tij, në qoftë se familja është paksa e zgjeruar, lloj në zhdukje e sipër kjo e fundit. Sidoqoftë, nuk është e rëndësishme që thjesht të kesh pasardhës biologjikë, që do të vijojnë trungun e pemës gjenealogjike të familjes. Çështja nuk është thjesht të kesh, por si do t’i përdorësh ato që ke, duke mbajtur gjithmonë në konsideratë qëllimin, përse? Në lidhje me çështjen në fjalë, nuk është çështja thjesht të kesh pasardhës, por mbi të gjitha si do t’i edukosh ata, çfarë shembulli dhe modeli do t’u ofrosh atyre për t’i sendërtuar si personalitete të qëndrueshëm përballë oscilacioneve të jetës dhe sfidave të kohës në të cilën jetojmë? Prandaj edhe i rikthehemi rëndësisë që ka personaliteti prindëror si premisë për edukimin e pasardhësve, sepse, në qoftë se njeriu nuk ka, atëherë nuk ka as çfarë të japë, përveçse aq sa ka prej personalitetit apo impersonalitetit. E çështja e të qenit ose jo personalitet i mirëfilltë, mbetet një sfidë e hapur ndaj njeriut, për aq sa ecën dhe merr frymë mbi sipërfaqen e dheut.

Çdokush që bën një zgjedhje, mban një përgjegjësi e, bashkë me të edhe pasojat që shkakton vendimmarrja. Kushdo që merr vendimin për të formuar familje apo për të pasur pasardhës, duhet të dijë se është përgjegjës direkt mbi atë çfarë ka marrë përsipër të jetësojë. Kjo nuk do të thotë që kush vepron të kundërtën i ka shpëtuar përgjegjësisë, pasi në çdo moment të jetës, njeriut i duhet të zgjedhë, i duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me jetën e tij apo të atyre që i ka nën përgjegjësinë e tij. Më sipër përmendëm se, përveç mjedisit familjar në sendërtimin e njeriut si personalitet ose jo, përveç familjes, implikohen aktorë të tjerë, herë eksplicitë e herë implicitë e askush nuk mund të shmanget ndaj kësaj përballjeje, sepse njeriu është i rrethuar përçdoanshëm me përballje. E në qoftë se njeriu i shmanget kësaj përballjeje, a thua nuk do të përballet me ikjen nga përballja? Le të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe jo duke u endur ëndërrimeve që përvidhen si hije në natën e errët, për të demoralizuar njeriun nga përballja me të vërtetën e realitetit në të cilin gjendet dhe me të cilin jeton, e ta kundrojmë realitetin më një vështrim depërtues, deri në thellësinë e tij, për të njohur dhe kuptuar sfidat, të cilat na qëndrojnë përkundruall, si për të na thënë se ku janë fjalët e bukura dhe teorizimet? A kanë buruar prej thellësisë së zemrës së sinqertë apo kanë qenë shtrembërim i këtij sinqeriteti dhe mbulojë e deformimeve të personalitetit e, duke shkuar më tej, na thonë se ne jemi vlerësuesit tuaj se çfarë në të vërtetë jeni ju.

Dinamika e zhvillimeve në ditët që jetojmë është kaq intensive, saqë tendosja tradicionale për ta mbajtur familjen të bashkuar dhe nën disa rregulla të caktuara, ku në rend të parë ishte morali, jo i përkthyer thjesht në çështje ndershmërie, qenësore për mbajtjen në këmbë të familjes, është duke u bjerrur dita më ditë. Familja tradicionale, jo në kuptimin e atij përfytyrimi negativ të patriarkut fisnor që ushtron përdhunshëm autoritarizmin e tij ndaj atyre që i ka nën pushtetin e tij, është gjendur dhe vazhdon të gjendet nën trysninë e disa ideve të caktuara, të cilat duke u shfaqur si tepër rrezëllitëse përsëjashtmi, kanë mikluar dhe joshur jo pak brezin e ri, duke krijuar më së pari kundërvënien mes brezave, duke e prezantuar si një kundërvënie mes të resë dhe të vjetrës, e cila duhet të hiqet, përballë zhvillimit dhe emancipimit të së resë, që gjithmonë merr salutime pa fund, për rezistencën dhe luftën që zhvillon ndaj gjërave të vjetruara. Kjo mendësi e kundërvënies mes brezave, gjeneron konflikte pa fund mes atyre familjeve ku janë prezentë dhe gjyshërit me gjyshet, aq sa respekti dhe mëshira ndaj këtyre të fundit janë përkthyer në urrejtje të papërmbajtshme, ndaj normave të tyre të vjetruara e të dala boje. Kësisoj, thyhet uniteti familjar dhe ekzistenca e një familjeje të bashkuar e raportet brenda familjare janë të rrezikuara paq.

Një tjetër ide mjaft ndezullitëse, për të mos thënë më ndezullitsja që qarkullon dendur, është barazia gjinore, e cila merr ngjyrime dhe interpretime sipas kahjes së interesave që mëton të yshtë. Përballë kësaj ideje, më të impresionuara ndihen femrat, të cilat kërkojnë të rivalizojnë me burrat në çdo fushë të jetës. Megjithatë, le të kthehemi tek çështja e familjes. Askush nuk e mohon rëndësinë që ka respekti ndaj gruas në familje, madje duhet ta theksojmë fort se familja është një unitet mes burrit dhe gruas, pasiqë secili prej tyre shpërfaq natyrë krejt tjetër nga gjinia e kundërt dhe këto kundërti shkrihen e bëhen një në familje. Barazia gjinore nuk mëton të respektojë këtë diversitet të shkrirë mrekullisht në unison prej institucionit të martesës, madje ajo ecën në kahje krejt të kundërt. Nëpërmjet përpjekjeve përjetësimin e kësaj ideje, ngjarjet brenda familjes rrjedhin me një mbrapshtkthim që gjeneron konflikte mes vetë bashkëshortëve, pasiqë gratë kërkojnë të njëjtën pozitë dhe status me burrat, duke dalë nga natyrshmëria e natyrës në të cilën janë krijuar, a thua se do të arrijnë të dalin përtej kufijve që iu janë përcaktuar të mos i kalojnë kurrsesi. Dhe një mjedis konfliktual nuk është kurrsesi një mjedis model dhe shembull i mirëfilltë për brezin që rritet në këtë lloj mjedisi familjar. Ky konflikt është forcuar, pasi është i ndihmuar edhe nga punësimi i grave jashtë familjes, si rezultati nevojës për të përballuar financiarisht jetesën.

Nuk është se jemi kundër punësimit të grave në tërësi, por duhet ditur që rolin e nënës në edukimin e pasardhësve do ta marrë në rastin më të mirë gjyshja dhe gjyshi dhe kjo është ajo që kërkohet, por në mungesë të tyre, sepse nuk jetohet me ata që prodhojnë vjetërsi erëmykëse, edukimi i fëmijëve mbetet në dorën e zinxhirit të mekanizmave që sistemi ka ofruar, për të lehtësuar barrën e nënave prej fëmijëve të tyre.

Pavarësimi ekonomik i gruas e bën më kapriçoze dhe ndoshta e vetëvlerëson vetveten më tepër nga sa e meriton ta vlerësojë e, si rrjedhojë rebelohet ndaj autoritetit dhe jo autoritarizmit të burrit. Kur nuk kuptohen gjërat sipas natyrshmërisë së tyre edhe veprimet do të kryhen po sipas denatyrshmërisë. Kësisoj, duke dalë nga rendi natyror i gjërave, përplasjet brenda familjare, forca e tyre dhe pasojat varen nga shkalla e denatyrshmërisë dhe thellësia e saj. E çfarë iu prezantohet fëmijëve në kësilloj situatash? Ideja e barazisë ka bërë që njerëzit të mos njohin asnjë lloj autoriteti, sepse të gjithë janë të barabartë pa dallim e, si rrjedhojë, humbet respekti për më të vjetrit, gjyshin dhe gjyshen, për babanë dhe nënën, duke minuar së brendshmi unitetin familjar. Nuk ndërmendim aspak ta kategorizojmë gruan në gjendjen e një statusi fare të papërfillshëm, në raport me statusin e burrit, madje na duhet të pranojmë që, pas edukimit të burrave dhe grave të së ardhmes, qëndron personaliteti i nënës. Kjo do të thotë që, në qoftë se do që t’i vjedhësh personalitetin brezit të ardhshëm, atëherë duhet t’u shkatërrosh personalitetin prindërve dhe kryesisht nënës, pasi në pikëpamjen tradicionale, nëna ka pjesën më të madhe në edukimin e fëmijëve. E civilizimi bashkëkohor pikërisht këtë ka realizuar.

Civilizimi e shpalli amësinë robëri dhe femrës i premtoi ta lirojë. Me mburrje ai jep të dhëna se sa gra i ndau (i liroi, thotë ai) nga familja dhe fëmijët, për t’i bërë nëpunëse. Përkundër kësaj, e tërë kultura, që nga lashtësia e deri më sot, është në shenjën e apologjisë së nënës. Nga nëna ajo bëri simbol, mister, shenjtëri. Vargjet më të bukura, tonet më tronditëse dhe pikturat e skulpturat më të dalluara, ia kushtoi nënës. Gjersa në botën e civilizimit vazhdon agonia e nënës.

Picasso krijon pikturën e vet madhështore Amësia – dhe me këtë himn të mrekullueshëm për nënën, shpall se për kulturën, nëna është ende gjallë. (Izetbegoviç, A. (2000) Islami ndërmjet Lindjes dhe perëndimit. Shkup: Furkan ISM: 233)

Duke yshtur jetësimin e të tilla mendësive, medoemos që pasojat nuk do të vonojnë të rëndojnë mbi ata që shihen me optimizëm si brezi i së ardhmes. Këto mendësi kanë prodhuar brezin e çakërrqejfit, prindër flamurbardhë përballë forcës rinore të pasardhësve të tyre, dhe shprishje të personalitetit njerëzor, si pasojë e keqedukimit që origjinën prej mendësisë: një jetë kemi dhe njëherë do ta jetojmë. E në këtë mjedis që nxit dhe prodhon konfliktualitet, vështirësohet komunikimi prindër-fëmijë dhe si rezultat i moskomunikimit të hapur dhe konstruktiv, këta të fundit gjejnë prehje ne mjedisin social, duke zëvendësuar dashurinë dhe ngrohtësinë familjare me “dorën e ngrohtë” të këtij mjedisi. Prandaj është e rëndësishme të kuptohen drejt çështjet që kërcënojnë stabilitetin dhe shprishjen e familjes si fole e dashurisë, ngrohtësisë, harmonisë dhe tolerancës mes anëtarëve të saj, në mënyrë që të krijohet një mjedis familjar i shëndetshëm, për të dhënë fryte me personalitet të shëndetshëm.

E së fundi, le të mos harrojmë se më i miri prej nesh, është ai që është më i miri me familjen e tij.

Nuredin Nazarko

Etika 51

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit