2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Familja e shëndoshë për një shoqëri të shëndoshë

Më të lexuarat

Familja është grupi shoqëror më i vjetër dhe më i qëndrueshëm, i bazuar në lidhjet bioriprodhuese, biosociale, socio-mbrojtëse dhe socio-ekonomike të burrit dhe gruas dhe fëmijëve të tyre, të cilat janë të ndërlidhura nga formimi i familjes.(1)

Vlera dhe rëndësia e familjes gjithnjë e më shumë vije duke u bërë më e dukshme, dhe ajo shfaqet si një domosdoshmëri në kohën moderne. Për të, do të duhej që të gjithë anëtarët e shoqërisë të kujdesen, e veçanërisht duhet përkujdesje edhe nga shteti, duke e ndihmuar sendërtimin e saj moralisht dhe materialisht. Sot, kur të gjitha vlerat njerëzore, pra edhe ato fetare, nga themeli janë lëkundur dhe kur as familja nuk është kursyer, dëftohet nevoja e veçantë që vlera e saj të theksohet e të ndriçohet te të gjitha shtresat e shoqërisë.(2)

Koncepti edukativo-islam i bashkëjetesës harmonike e sheh familjen si faktor stabiliteti dhe insiston me të gjitha mekanizmat në formimin e saj si celulë themelore dhe të shëndoshë të një brezi shoqëror. Asaj, i kushton vëmendje të veçantë, si dhe përcakton bazat themelore mbi të cilat ajo duhet të zhvillohet. Vetëm në këtë mënyrë njerëzit do të përmbushin kuptimin e ekzistencës së tyre njerëzore në këtë botë dhe të arrijnë lumturinë e natyrshme njerëzore. Kështu, ata pastaj do të ndjejnë mëshirën, ngrohtësinë dhe dashurinë familjare dhe rrjedhimisht do të kalojnë një jetë të dinjitetshme, siç i ka hije krijesës më të përsosur të Zotit, njeriut. Në këtë mënyrë na mëson edhe Zoti Mëshirëplotë, se familja dhe shtëpia si vendbanim i rëndomtë i saj është vendprehje për njeriun. Ai në Kuranin Fisnik na tha: “Dhe njëri prej argumenteve të Tij, është që prej jush janë krijuar femrat, që të qetësoheni pranë tyre, dhe që në mes jush të lind (vendoset) dashuria dhe mëshira. Me të vërtetë, në këtë, ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Err-Rrum, 21). Pra, mund të shohim që Zoti Mëshirëplotë e ka vendosur familjen mes dukurive më të bukura dhe më madhështore brenda këtij universi dhe e ka konsideruar shenjë prej shenjave të madhërisë së Tij.

Shtëpia është simboli i qetësisë dhe rahatisë. Me këtë, sikurse Zoti na thotë që nëse kërkoni qetësinë dhe rahatinë, atë e gjeni në shtëpitë tuaja me familje.(3) Shumë sociologë e konsiderojnë familjen si fondamentin themelor të të gjitha shoqërive. Ajo përbën njësinë bazë të organizimit shoqëror dhe është e vështirë të imagjinohet se si shoqëria njerëzore mund të funksiononte pa familje.(4)

Në të gjitha shoqëritë perëndimore, por jo vetëm, shohim rënie të shkallës së lindshmërisë, në kontrast, ne shohim një gjendje pak më premtuese në shoqëritë myslimane. Kjo, ngase Islami, feja e Zotit i inkurajon njerëzit të shtohen e të kenë fëmijë dhe kështu ta vendosin themelin e fortë të familjes.

Zoti u ka premtuar prindërve shumë shpërblime për preokupimin dhe punën e tyre të lodhshme si dhe për sakrificat që i bëjnë në rritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe familjes së tyre. Islami i konsideron si shpenzimet – sadakatë më të mira shpenzimet që prindi i bën për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e familjes, dhe për këto premton shpërblime të mëdha.(5) E mbi të gjithë, të kujtojmë faktin se, Zoti Mëshirëplotë, fëmijët i përshkruan si stolitë dhe pasuria më e bukur e kësaj bote, të cilët vijnë në jetë vetëm si fryt dhe rezultat i martesës, pra jetës familjare: “Fëmijët janë stoli të kësaj bote …” (Kehf, 46).

Humoristja e njohur amerikane, Erma Louise Bombeck, për fëmijët dhe rolin e tyre për një shoqëri të shëndoshë dhe të lumtur thotë: ‘’Fëmijët i japin rëndësinë (kuptimin) jetës tuaj.”(6) Lirisht mund të themi se familja është komuniteti më i fortë në shoqëri si në të kaluarën, ashtu edhe në këtë kohë bashkëkohore-moderne. Edukimi islam na orienton kah parimi se zhvillimi i shëndosh pedagogjik-social i një shoqërie kryesisht varet nga zhvillimi dhe përparimi i familjes së shëndoshë, të edukuar, arsimuar.

Shpërbërja e sistemit arsimor dhe i familjes së shëndoshë është edhe shpërbërje dhe shkatërrimi i të gjithë shoqërisë në një të ardhme të afërt apo të largët. Kështu që, Islami me mësimet e tij edukuese që nga fillet e tij, e sheh zhvillimin dhe mbijetesën e familjes në shoqëri si qelizë bazë nga e cila formohet mirëfilli i gjithë komuniteti dhe vetëm në këtë mënyrë ai mund të mbijetojë dhe të jetë i shëndoshë.

_____________________________

1 Savo Trifunoviq, “Sociološki leksikon, Savremena administracija – (Leksikoni Sociologjik, Administrata Bashkëkohore).”, UB, Beograd, 1982.,

f.471.

2 Grup autorës, ‘’Islamski obiteljski život – (Jeta familjare islame).”, Përkth:

Nexhat Ibrahimi, Zëri Islam, Prizren, 1996, f.4.

3 Amër Halid, “Rëndësia e familjes në islam”, Përktheu: Elmaz Fida, Furkan

– ISM, Shkup, 2008, f.14.

4 Michael Haralambos, “Uvod u sociologiju. – (Hyrje në sociologji).”,

Globus, Zagreb, 1994, f.4.

5 Dr. Muhammed Ali el Hashimi, “The ideal Muslim Society: As Defined in the Quran and Sunnah – (Shoqëria ideale muslimane sipas Kuranit dhe Suneti)”, Përktheu: Driton Maxhuni, Botoi: Fjala e Bukur, Prishtinë, 2013, f.369-370.

6 Erma Louise Bombeck (1927-1996), është një nga humoristet më të njohura në historinë e Amerikës e cila është shkrimtare e pesëmbëdhjetë librave dhe mbi katër mijë shkrimeve në mbi nëntëqind gazeta të ndryshme në SHBA dhe Kanada. (Për më gjerë shih: https://en.wikipedia. org/wiki/Erma_Bombeck, e qasur më11.11.2021).

Dr. Mirsad ASLANI – Mr. sci. Sebajdin Krasniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit