Presidenti turk, në bisedën telefonike me homologun ukrainas, ka shprehur gatishmërinë për kontribut diplomatik në përshpejtimin e procesit për termocentralin Zaporizhzhia
Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, në një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, shprehu gatishmërinë për lehtësim dhe ndërmjetësim për vendosjen e paqes së qëndrueshme me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Türkiye është “e gatshme të marrë përsipër detyrën e lehtësimit dhe ndërmjetësimit për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës”, i ka thënë Erdoğan Zelenskyy-t, njoftoi në një deklaratë Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës turke.
Dy liderët kanë diskutuar ndihmën humanitare dhe mbështetjen energjetike të Türkiye-s për Ukrainën, si dhe zhvillimet në korridorin e drithit, thuhet në deklaratë.
Përpjekjet për shkëmbimin e të burgosurve midis Moskës dhe Kievit po vazhdojnë, ka deklaruar Erdoğan, duke shprehur gatishmërinë e vendit të tij për kontribut diplomatik për të përshpejtuar procesin për termocentralin bërthamor Zaporizhzhia.
Zaporizhzhia, termocentrali më i madh në Evropë dhe një nga dhjetë centralet më të mëdha bërthamore në botë, ka qenë nën kontrollin e Rusisë që nga marsi i vitit të kaluar, menjëherë pas fillimit të luftës më 24 shkurt 2022.
Frika për një katastrofë bërthamore vazhdon në vazhdën e raportimeve për bombardime rreth zonës.