Pyetja:
Ekuilibri i diturisë dhe padrejtësia e injorancës
***
Përgjigjja:
Në emër të Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
Sa e çuditshme dhe e vajtueshme që është sjellja e shumicës së njerëzve në bisedat, mospajtimet dhe gjykimet e tyre. Duke u larguar nga drejtësia dhe baraspesha, e rënia në padrejtësi dhe dëm ndaj të tjerëve.
Porse, cili është shkaku i kësaj, dhe cili është shërimi?
1.Dija është bazë e çdo mirësie dhe burim i çdo virtyti, sado që njeriu të ngrihet në dije pakohen tek ai fatkeqësitë dhe problemet në të cilat mund të bie. Pakohen hapësirat dhe mashtrimet prej të cilave shejtani mund të dëmton adhurimin e besimtarit.
Ai i cili humb shpresën nga mëshira e Allahut, i mungon dija rreth mëshirës së gjerë të Allahut, bujarisë dhe vlerës së saj.
Ai i cili mburret me veprat e tij, i mungon dija për dobësinë që e ka, për mangësitë e tij, dhe i mungon dija për obligimet e tija ndaj Allahut.
Ai i cili gjykon ndaj muslimanëve me kufër, dhe e bën të lejuar gjakun e tyre, i mungon dija rreth dispozitave të fesë.
Ai i cili humb kohën e tij në gjëra nuk i bëjnë dobi, apo në gjëra që nuk janë aq me rëndësi, i mungon dija rreth parimeve.
Dhe kështu, aq më shumë që njeriu të mëson, mund të vepron atë që është më e mirë për të dhe të largohet nga shumë fatkeqësi dhe gabime.
Andaj, nuk ka gjë që rit dobinë e një individi apo një shoqërie sikur dituria, e as që ka gjë që më shumë e rit dëmin dhe shkatërrimin se sa injoranca e mosdija
Shumë probleme, shkakun kryesor e kanë injorancën, dhe zgjidhja për të nuk mund të jetë tjetër përpos dijes.
2.Ai i cili dëshiron që të merr dije në bazat e saja të shëndosha dhe të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm, ai duhet të merr dije nga dijetarët e besueshëm, të shton numrin e atyre prej të cilëve ai ka dobi dhe merr prej tyre.
Sado që të shtohen njohurit tek njeriu, zgjerohet gjoksi i tij kur ballafaqohet me mospajtime, dhe shtohet respekti nga palët tjerë. Ai që ka dije të pakët i shtohen kundërshtimet e tija, në gjëra që nuk duhet ekzistuar kundërshtime. Çdo kundërshtim nuk e ka shkakun: dijen, sa prej kundërshtimeve janë zhvilluar për shkak të injorancës dhe kuptimit të ngushtë.
Shtimi i dijes, me synimin e sinqertë e ngrit njeriun në pozitën e lartë të drejtësisë, kurse injoranca dhe pasimi i epshit e fundosin njeriun në thellësitë e padrejtësisë.
3.Injoranca është me e mirë se sa një dije e shoqëruar me epsh dhe ekstremitet.
Allahu thotë: “E përpos atyre që iu kishte dhënë ai (libri) dhe u kishin ardhur argumente të qarta, nuk kundërshtoi kush në te (në librin), po edhe atë (kundërshtim e bënë), nga zilia ndërmjet tyre.” (Bekare: 213)
Allahu ka sqaruar se shkaku i mospajtimeve mes tyre ishte “zilia”. Dhe kështu dija kur shoqërohet me padrejtësi dhe zili.
“Në të vërtetë, Ne i vendosëm beni israilët (pas shkatërrimit të armiqve të tyre) në një vend të mirë, i furnizuam ata me ushqime të dobishme dhe nuk ishin të përçarë (rreth fesë), vetëm pasi që u erdhi atyre dituria (Tevrati). Zoti yt, do të gjykojë mes tyre në ditën e kijametit, për atë që ishin përçarë.” (Junus: 93)
4.Sa e mjerueshme që është kur disa njerëz kënaqësinë e tyre e gjejnë në nxjerrjen e shumë prej muslimanëve nga metodologjia e ehlu sunetit, në devijimin dhe konsiderimin e tyre bidatçinj, dëshirojnë të ngushtojnë hapësirën e gjerë të islamit e ta përkufizojnë atë në një grupacion të vetëm. Këtë fe madhështore të cilën Allahu e bëri të jetë mëshirë për gjithë njerëzimin, ata e shndërrojnë atë në mëri dhe dënim për njerëzit.
Ata, sikur i përvetësojnë dyert e xhenetit për veten e tyre dhe nuk dëshirojnë që të jenë dyer edhe për të tjerë! Pra, fatkeqësia e këtyre a është injoranca? Apo kuptimi i zbehët? Apo pasimi i epshit? Apo egoizmi dhe mosdashjena e të mirës për të tjerët? Apo është një përzierje e gjithë asaj që u cek deri më tani?
5.Dallim i madh mes atij i cili diskuton dhe dëshiron të arrijë deri tek e vërteta, dhe mes atij i cili dëshiron të vërteton dhe të argumentohet se pala tjetër është në devijim. Që kur ndokush kthehet nga gabimi i vepruar ai ende vazhdon duke e qortuar dhe duke i sqaruar atij se tani ka ndruar thëniet pasi që ka qenë i devijuar…
Do të ishte më e udhës që ta ndihmon atë në pranimin e të vërtetës, duke e respektuar se ai u kthye nga një gabim, e jo të ndërhyjë mes tij dhe mes pranimit të së vërtetës me qortim.
6.Nëse ai bisedon me dikë, dhe personi nuk i bindet fjalës së tij, e akuzon atë se ai nuk dëshiron të kthehet në të vërtetën, dhe ia rreshton atij argumentet rreth rëndësisë së kthimit në të vërtetën! Dhe ai i cili thotë se është i bundur në fjalët e tija, por nuk dëshiron t’i merr në konsideratë! Mund të jetë ose për shkak të argumentimin, të mos jetë shumë bindës, apo të posedon argumente që bien ndesh me fjalën e tij.
7.Nuk pajtohet me të në mendime, e i thotë atij me një shprehje të mprehtë: Ke firkë Allahun! Sikur mospajtimi me të të jetë për mangësinë që e ka në frikën ndaj Allahut.
Nxitja për frikë ndaj Allahut është e kërkuar dhe e lavdëruar, por nëse vije me një shprehje nga e cila kuptohet akuzë ndaj tjetrit, atëherë nuk mund të jetë e lavdëruar.
8.Ndodhitë të cilat i japin vullnet njeriut kanë shumë dobi, ato e ushtrojnë njeriun për durim, ngjallin vullnetin dhe mendjen, e i vijnë mendime dhe kuptime të cilat nuk i ka menduar më herët, po të mos ishin këto ndodhi.
Sa vepra shkencore me dobi të mëdha ishin shkak për to kundërshtimet e mospajtimet në qëndrime dhe mendime.
Apo, ekzistimi i armiqve të cilët dëshirojnë keqbërje, që shpiejnë në kundërveprim tek shumë prej njerëzve, për të ndihmuar të vërtetën.
Pra, prej mençurisë dhe urtësisë është që njeriu të vepron edhe me atë të cilin ai ka mospajtim, e të mos përkufizohet vetëm se me ata të cilët është në pajtim.
Andaj ai i cili nuk ka marrëdhënie pos me ata që pajtohet, do të humb shumë prej dobive, dhe nuk i jepet atij mundësia që të jetë më shumë i pjekur, i qëndrueshëm, dhe i drejtë.
9.Kritikojnë personin, ngase ai ka ndryshuar dhe nuk është kthyer ashtu siç ka qenë!
A nënkupton ndryshimi, vetëm në kahje për në një gjendje më të keqe?! A nuk ka ndryshim në më të mirë?!
Kthimi në të vërtetën është më mirë se sa qëndrimi në të kotë…
A nuk ka thënë Halifja Omer in Hatabi, radijallahu anhu, për një çështje: “Ajo është me çfarë kemi gjykuar në të kaluarën, e kjo është ajo me çfarë gjykojmë sot…”
A ka mundësi që njeriu kur të shton dijen dhe kuptimin të mbetet në mendimet sikur që ka qenë para se të shton dijen?!
A nuk ka imam Shafiu, medh’hebin e vjetër dhe atë të riun?!
Imam Ahmedi a nuk ka më shumë se një transmetim në shumë prej çështjeve fetare?!
E më pas, të vije ndokush që të kritikon dhe të nënçmon dikë me argumentin se ai ka ndryshuar!
Padyshim se biseda është në ndryshimet që ndodhin në gjërat dytësore dhe metoda, e jo në gjëra parimore dhe të pandryshueshme.
Por, gjithashtu prej mangësisë së madhe është që njeriu të llogarit çdo çështje në të cilën është i bindur se është çështje e prerë (pandryshueshme), që nuk lejohet të ketë mospajtim në ato çështje, se çdo sen në të cilën ai ka jetuar është e vërtetë dhe të tjerat janë devijime.
10.Imam Ebu Jusuf Jakub ibn Ibrahim el Ensari dhe Imam Muhamed in Hasen Shejbani, Allahu i mëshiroftë, ishin dy prej nxënësve më të dalluar të Imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë. Megjithatë nuk ishin fanatik në thëniet e Ebu Hanifes, andaj dijetarët përmendin prej thënieve të Ebu Hanifes që ishin në kundërshtim me nxënësit e tij, e që ndoshta fetvaja e medhhebit të jetë e bazuar në fjalët e atyre dyve.
Kanë qenë në dijeni se të ndihmohet e vërteta është ndihmë e vetë Ebu Hanifes, e nuk është mbrojtja e thënies të Imamin me të vërtetë apo pa të vërtetë ndihmë për të.
Sa dallim i madh që është kjo ndodhi- e imamit në pranimin e diskutimeve me nxënësit e tij në gjëra që e kundërshtonin atë- dhe mes qëndrimit të disa mësimdhënësve të cilët nuk pranojnë diskutimet e nxënësve, gjithashtu disa nxënës të cilët nuk pranojnë që ndokush të kundërshton mësuesin e tyre.
11.Disa të cilët nuk kanë njohuri rreth realitetit të diturisë, gjerësinë dhe thellësinë e saj, kur t’i përmendësh atij një thënie prej katër imamëve apo të ndokuj tjetër nga imamët, të thotë i nevrikosur dhe mohues i asaj që e thua: Unë dëshiroj të bazohem në argument!
Vallë, katër imamët dhe të tjerët nga dijetarët, a nuk bazohen në argumente? Qoftë argumenti të jetë citat, apo alegori, apo të themi tekst nga Kurani e suneti dhe logjika.
Apo ka për qëllim të merret me kuptimin e sunetit, edhe pse të gjithë këta imamë kanë qenë fekihë, që të gjithë bazë të medh’hebit të tyre e kishin: Kuranin, Sunetin, Ixhmanë (Konsensusin) dhe Kijasin (analogjinë).
Por, Kurani dhe Suneti përmbajnë më shumë kuptime, aty janë temat që kanë të bëjnë me nocionet e përgjithshme dhe ato të veçanta, gjithëpërfshirëse e të përcaktuara, citatet shfuqizuese dhe ato të shfuqizuara, etj.
Andaj, a mundet që secili të bën dallim në kuptimet që ngërthejnë shprehjet e ndryshme, e të bën dallimin mes citatit shfuqizues nga ai i shfuqizuar, a ka aftësi të bën bashkimin e dy teksteve kur gjendet kundërshtin sipërfaqësor mes tyre.
Të gjithë imamët dëshirojnë të argumentohen, por parashtrohet pyetja: Ky argument a është i sakt tek ky imam? Nëse është konfirmuar dhe vërtetuar, atëherë si të kuptohet argumenti, dhe si të bëhet bashkimi i këtij dhe argumenteve tjera.
Shkak i divergjencës mund të jetë: Argumenti qëndron apo nuk qëndron si argument, njashtu mund të jetë edhe në kuptimin e ndryshëm të argumentit.
Ai i cili dëshiron të pavarësohet nga fjalët e imamëve, e të merr argumentin të cilin ai e sheh, e të shndërron kundërthëniet e njerëzve ndaj kuptimit të tij kundërshtim i argumentit, ky në fakt ua tërheq vërejtjen njerëve të mos i imitojnë imamët e mëdhenj, e më pas dëshiron prej njerëzve që ta pasojnë atë!
Nuk është për qëllim që të mohohet ixhtihadi i dijetarëve të specializuar, po është mohim i atyre që dëshirojnë të bëjnë ixhtihad, por që nuk posedojnë mjetet e ixhtihadit.
Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi prijësin tonë, Muhamed, familjen e tij, shokët e tij.
Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve.
Omer ibn AbdulMexhid El Bejanuni
Përktheu: Shpend Zeneli
The post Ekuilibri i diturisë dhe padrejtësia e injorancës appeared first on Pyetje dhe përgjigje nga feja islame.